VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Evropianët duhet të hedhin një vështrim kritik ndaj vetes
E Premte, 10.23.2009, 10:26am (GMT1)

 

 

 

 

Kur është fjala për lirinë e shtypit në botë, Evropa e ka refleks të hedhë vështrimin nga kontinenet e tjera. Po është e vërtetë gjendja e gazetarëve në zonat e krizës dhe vendet diktatoriale të Afrikës, Amerikës Latine dhe Azisë është shumë më keqe se në Evropë. Shumë gazetarë përndiqen, u mbyllet goja dhe rrezikojnë jetën e tyre, sepse zbulojnë dhe nxjerrin në dritë probleme dhe lidhje dhe komplote të elitave të korruptuara.

 

Roli paraprijës i shteteve evropiane është në rrezik

 

Por nisur nga lista aktuale e Reporterëve pa Kufij edhe evropianët duhet të hedhin një vështrim kritik ndaj vetes. Në raport thuhet se roli paraprijës i shteteve evropiane si mbrojtëse të lirisë së shtypit është në rrezik. Shkaku nuk ka të bëjë fare me cenzurën shtetërore - 20 vjet pas shëmbjes së perdes së hekurt ajo është zhdukur edhe në vendet postkomuniste të Evropës Lindore dhe Juglindore. Shumë më tepër shkaqet kanë të bëjnë me presionin e kriminalitetit të organizuar si dhe të përfaqësuesve të politikës dhe të ekonomisë ndaj mediave.

 

Kjo vlen sidomos për Bullgarinë, e cila eedhe tri vjet pas anëtarësimit në BE vazhdon të renditet e fundit ndër vendet e kësaj bashkësie. Alarmuese është gjendja e gazetarëve edhe në vendit kandidat për BE Kroaci. Ky vend, i cili synon që më së voni të bëhet në vitin 2011 anëtar i BE-së, ka shënuar rënie dramatike në renditjen e Reporterëve pa Kufij, sepse gazetarë që kanë hulumtuar për përzjerjet e krimit të organizuar me politikën, janë rrahur apo u duhet të kenë frikë për jetën.

 

Edhe Turqia ka rënë në pjesën e fundit të çerekut të listës

 

Organizata "Reporterët pa Kufij" e konsideron nenin 301 të Kodit Penal turk në lidhje me  "përdhosjen e turqizmës" si një shtupë që i zë gojën shtypit të lirë. Këtyre u shtohen ligjet e  reja për shtypin si në Sllovaki, i cili i lejon automatikisht çdo personi të drejtën për një kundërpërgjigje në medie. Në këtë mënyrë politikanët që e ndjejnë veten të kritikuar pa të drejtë, mund të kërkojnë pa pasur frikë për rezistencë nga ana e mediave një kundërpërgjigje. Nuk është e nevojshme që të gjitha këto ligje të përdoren gjithmonë, por edhe vetëm prania mjafton për të nxitur autocenzurën.

 

Por edhe Evropa Perendimore nuk mund t'ia lejojë vetes që të tregojë me gisht drejt Ballkanit dhe shteteve të tjera evropiano-qendore në transformim. Sepse edhe Italia si një nga gjashtë shtetet themeluese të BE-së, kritikohet në raport me forcë. Ngaqë kryeministri Berlusconi, i cili është njëkohësisht një nga carët më të fuqishëm të mediave në vend, e torturon shtypin kritik.

 

Perspektiva për anëtarësim në BE ka nxitur shumë reforma

 

Lista e  "Reporterëve pa Kufij" tregon se anëtarësimi në BE dhe perspektiva për anëtarësim kanë bërë pa dyshim që të ndërmerren shumë reforma. Por edhe vetë anëtarësia në BE dhe liberalizimi i tregjeve të medieve nuk janë ende garanci për një liri të mirëfilltë shtypi.

 

Kjo vlen sidomos për vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, të cilat priret për ta humbur zellin e tyre reformues, në rast se hiqet konditionaliteti. Për lirinë e shtypit në këto vende të Evropës kjo është dëshmi varfërie. (http://www.dwelle.de)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.