VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TETË VJET MË PARË NDAHEJ NGA JETA IBRAHIM KODRA - 'PRIMITIVI I QYTETËRIMIT TË RI'

E Premte, 02.07.2014, 10:58am (GMT1)


Dita e sotme, shënon 8 vjetorin e ndarjes nga jeta të piktorit të njohur Ibrahim Kodra, i cili  ndërroi jetë në Milano (Itali), në moshën 88-vjeçare. I njohur si "Primitivi i Qytetërimit të Ri", ai erdhi në Shqipëri në vitin 1973 dhe 1996, kur morri titullin "Nderi i kombit" dhe më pas në vitin 2003. Ardhja e tij në vitin 1996 në Tiranë u cilësua si "ngjarje e madhe".
Çdo vit i jetës së Ibrahim Kodrës numëron me dhjetëra ekspozita kolektive dhe vetiake të çelura në galeri dhe muze të ndryshëm në mbarë Italinë, Europë e më gjerë (Paris, Nju Jork, Gjeorgji, Gjermani, etj). Veprat e Kodrës ruhen dhe ekspozohen në muzeun e Vatikanit, Dhomën e Deputetëve, në galeri publike, muze dhe koleksione private në Itali, Zvicër, Danimarkë, Gjermani, Japoni, Angli, Francë, SHBA, Rusi, Australi, Brazil, Argjentinë, Greqi, Shqipëri, Jugosllavi, Kosovë, Iran, etj.
Ibrahim Kodra lindi në Ishëm të Durrësit në vitin 1918. Në vitet 1928-1932 Kodra studioi në shkollën tenike "Harry Fultz" (Tiranë) dhe ndoqi kurset e pikturës dhe vizatimit nën drejtimin e skulptorit Odhise Paskali.

Në vitin 1938 fitoi një bursë për studime në Itali dhënë nga Mbretëria shqiptare dhe më vonë fiton një bursë nga Qeveria italiane për të filluar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano, ku u njoh mirë me neoklasiçizmin. Në vitin 1939 filloi të studiojë në Brera, ku fitoi pjekurinë e plotë artistike për të nisur rrugën e një artisti bashkëkohor. Viti 1944 shënoi hapjen e studios së parë të Kodrës në Milano, ndërsa viti 1947 njohjen e piktorit të ri në botë.

Poeti i njohur francez, Pol Eluar, e admironte krijimtarinë e tij të asaj kohe duke e konsideruar Kodrën "Primitivi i një qytetërimi të ri". Kodra ka qenë pjesëmarrës në bienalet internacionale përkrah Pikasos, Chagallit, Matisses, Leger-it, Modigliani-t, etj. Ai është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Emri i tij figuron në publikime të rëndësishme italiane dhe të huaja. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë ruhen disa punime të firmosura nga autori dhe që datojnë në vitet 1938-1942. Shumë studiues dhe kritikë të artit pamor pohojnë se Ibrahim Kodra numëron rreth 6 mijë punime në krijimtarinë e tij artistike. (atsh)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.