VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

“KENI QENË DHE MBETENI YLLI I PASHUAR E DRITËPLOTË I KËNGËS DHE ARTIT SHQIPTAR”
-Nderim për zërin himn dhe ujëvarë mali, të Vaçe Zelës-
Nga MURAT GECAJ

E Premte, 02.07.2014, 03:38pm (GMT1)



1.
Ndjesi trishtimi e hidhërimi përjetuam të gjithë këto ditë, kur morëm vesh lajmin e ndarjes përgjithnjë nga jeta të këngëtares së shquar dhe të paharruar, Vaçe Zela, nderuar me titujt me të lartë, "Artiste e Popullit" dhe "Nderi i Kombit". Është e natyrshme për secilin, që e ka njohur, tani të risjellë në kujtesë mbresat e takimeve me të.
Me detyrën e gazetarit, në shtypin e kohës, kam patur kënaqësinë dhe nderin ta njoh e ta takoj edhe unë këngëtaren lushnjare, por që shpejt u bë e tërë Shqipërisë e Kombit tonë, Vaçe Zelën. Natyrshëm, kur një njeri ndahet nga jeta, fliten e shprehen fjalë të mira për të. Por, në rastin konkret, nuk mjaftojnë fjalët e Fjalorit të Shqipes, për të evidentuar cilësitë e larta morale e njerëzore të Vaçes sonë, si: dashmirësinë e zemërgjerësinë, thjeshtësinë e sinqeritetin, karakterin e fortë dhe shpirtin e butë njerëzor, zemrën e madhe të saj, pa përmendur këtu talentin brilant të zërit të saj, që ia dhuroi Zoti e diti ta shfaqë, me aq profesionalizëm, në skenat shqiptare, por dhe në ato jashtë Atdheut.
E kam ndjekur shpesh atë në koncertet e ndryshme, me kitaren në dorë, që nga ato në sallat e ndryshme dhe deri te festivalet në RTSH-së. E, kurdoherë, kam ndjerë se sa i bukur ishte zëri i saj, him dhe ujëvarë mali, i cili jehonte fuqishëm në këngët për Shqipërinë dhe në ato me tematikë familjare ose shoqërore etj. Ashtu si të gjithë dëgjuesit e shikuesit tjerë, jam emocionuar pa masë, kur ajo këndoi me zërin e saj aq melodioz, këngën "Fëmija i parë", ndjekur pastaj nga këngët me theks të dallueshëm atdhetar, "Gonxhe në pemën e lirisë", "Nëno, moj, do pres gërshetin", "Shoqet tona ilegale", "Valsi i lumturisë" etj.etj.
2.
Rasti e ka sjellë që i kam vizituar disa herë trojet shqiptare të Ballkanit, si Shkupin, Preshevën, Prishtinën e Ulqinin. Kudo emri i nderuar i Vaçe Zelës ishte i pranishëm dhe  shumë i respektuar. Në një udhëtim, me disa kolegë të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, më qendër në Tiranë, bashkë me poetët e shkrimtarët Zyba Hysa, Namik Selmani e Shefqete Goslaci, bëmë një vizitë në shtëpinë e këngëtares së madhe kosovare, Naxhmije Pagarusha. Gjatë bisedës sonë, ajo na foli me dashuri për Vaçe Zelën dhe, siç thotë populli, e "ngriti në qiell", për cilësitë njerëzore të saj dhe talentin e rrallë të këngëtares. Pas atij udhëtimi, kam botuar një libër modest, me shënime e përshtypje. Duke u ndalur në takimin e mësipërm me Pagarushën, aty kam nënvizuar këto radhë domethënëse: "...Por i trgoj edhe se, para disa ditësh, "Artistja e Popullit" Vaçe Zela kishte ditëlindjen, që e festoi atje në Zvicër. Për këtë arsye, me ndërmjetësinë e mikut tim në Gjenevë, Alfred Papuçiu, i dërgova asaj një mesazh përshëndetjeje dhe urimi. Nexhmija më dëgjon me vëmendje për këto, që i flas dhe thotë se Vaçja është këngëtare e madhe dhe se është e udhës që  kurrë të mos harrohen këngëtarët as artistët, të cilët me zërin dhe shpirtin e tyre iu përkushtuan Atdheut tonë të përbashkët"("Rrahin zemrat arbërore", Tiranë, 2011, faqe 57).
3.
Duke patur njohuri për gjendjen e rënduar shëndetësore të Vaçes, por dhe me respektin e pashkëputur për të, në pranverën e vitit 2011, pra afër 3 vjet më parë, shkëmbeva mesazhe me kolegun e mikun tim, Alfred Papuçiu, me banim familjarisht në Gjenevë. Siç e përmenda më lart, në atë kohë,  Vaçja kishte përvejtorin e lindjes dhe, meqenëse e dija se ai mbante lidhje familjare me të dhe unë nuk e kisha e-mailin, iu luta që t'ia dërgonte asaj një urim timin. Tani, kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, që po e publikoj, për herë të parë, mesazhin tim, dërguar këngëtares sonë të madhe, Vaçe Zela, e cila jetonte familajrisht në Bazel të Zvicrës. Pra, ja teksti i plotë i përshëndetjes sime:
"VAÇE ZELËS: MESAZH  NDERIMI E URIMI, NË 72-VJETEORIN E DITËLINDJES
E nderuara dhe e respektuara Znj. VAÇE ZELA,
Njeriu i mirë, Artiste e Madhe e atdhetare e shquar,
"Artiste e Popullit" dhe "Nderi i Kombit" - ZVICËR
Ju përshendes nga zemra dhe ju uroj gjitha të mirat e kësaj bote, në 72-vjetorin
e ditëlindjes suaj!
Ashtu siç e keni shprehur dhe ju shpresën e zjarrtë, për ta parë edhe një herë Shqipërinë, vendlindjen tuaj te dashur, dhe unë kam dëshirën e madhe që kjo ëndërr e bukur t'u realizohet sa me shpejt dhe ju të ndodheni përsëri ndërmjet artdashësve të panumert dhe popullit tuaj, që aq shumë ju do dhe ju respekton.


Që në vitet e rinisë sime, ashtu si për intelektualët e tjerë dhe mijëra e mijëra shqiptarë, ju mbaj mend e ju kujtoj, se keni qenë dhe mbeteni Ylli i pashuar dhe dritëplotë i këngës dhe artit shqiptar.
Jam i bindur se zëri dhe shpirti juaj i ndjeshëm, është prekur aq shume gjatë jetës, sa dhe ua ka kufizuar, sadopak në vitet e fundit, gjendjen tuaj shendetësore. Por jam i sigurtë, se ju keni qenë dhe jeni një Shqiponjë, gjithnjë në fluturim dhe e paepur, pra do t'i mposhtni me guxim, si deri tani, të gjitha kufizimet e moshës e të sëmundjes dhe keni për të mbetur përherë e re, në mendjet dhe zemrat e të gjithë atyre shqiptarëve, që e kanë përjetuar e dëgjuar zërin tuaj brilant dhe këngën tuaj aq frymëzuese për jetën.
Me dëshirën që mos t'u lodhi me këtë mesazh timin, përfundoj pa u zgjatur, duke ju uruar edhe një herë, shpirtërisht:
Shëndet të plotë e jetëgjatesi, sa ua dëshiron zemra dhe lumturi të pafundme familjare!
Me nderime dhe shumë respekt për Ju:
Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues, Tiranë, 8 prill 2011".
...Në mbyllje të këtyre pak radhëve, dëshiroj të shprehem se emri, zëri dhe kujtimi për Vaçe Zelën do të mbeten kurdoherë të paharruar e do të ruhen në mendjet dhe zemrat e brezave të shqiptarëve, në të gjitha trojet amtare e në diasporë.
Tiranë, 7 shkurt 2014

MURAT GECAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.