VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ÇFARË KANË THËNË PËR VAÇE ZELËN

E Djelë, 02.09.2014, 10:21am (GMT1)


  Në foto: Vaçja me të bijën Irma

"Muzikën tonë e ngriti në piedestal"
Robert Radoja
Është e para që e ngriti në piedestal muzikën tonë të re. Është ndarje e madhe, por njerëzit që bëjnë epoka kthehen në legjenda. Sa herë që kishte datëlindjen i telefonoja.
Edhe sot në mëngjes fola me Irmën, vajzën e Vaçes, për ta konfirmuar nëse është e vërtetë. Më tha po. Nesër sipas amanetit të saj do ta sjellin këtu, sepse kërkoi që përjetësisht të prehet në Shqipëri.


"Do të ngelet e pazëvendësueshme"
Agim Krajka
Vaçe Zela të emociononte, ishte një artiste në çdo qelizë të trupit të saj. Është humbje tmerrësisht e madhe, pavarësisht se ka vite që nuk i jep këtij populli, se në dorën e
Zotit jemi të gjithë, ishte sëmurë. Por ndryshe është të jesh gjallë, ndryshe të mos jetosh më. Ajo ishte e pazëvendësueshme, veçanërisht për gjeneratën tonë. Vaçe Zela kishte gjithçka i takonte këtij populli për ta pasur në kulturën e tij.

"Zela ishte Mina Shqiptare"
Sherif Merdani
Na mësoi si të dashurojmë këngën. Është një humbje aq e madhe sa nuk e krahasoj as me atë të 100 politikanëve.
E kam njohur kur kam qenë në Lushnjë, këndonte në estradën e Lushnjës. Me shokun tim u njoh që më pas u bë edhe bashkëshorti i saj. Ishte Mina Shqiptare. Një dhuratë nga Zoti.

"Rrjedh në këngë e ligjërime"
Vasil Tole
Sot, në ditën e mbrame të "Artistes së Popullit" Vaçe Zelës është rasti të shprehim respektin ndaj kujtimit dhe kontributit të saj. Kënga "Rrjedh në këngë e ligjërime" me muzikë të Feim Ibrahimit (20 tetor 1935-2 gusht 1997) dhe poezi të Gjok Becit është homazhi ynë tingullor për të dhe për atë që trashëgimia e saj shumë e çmuar përfaqëson. Përjetësinë

Vaçe Zela s'do të vdesë, do të kthehet në një flutur
Dritero Agolli
Vaçe Zela e ka ngritur lart këngën dhe muzikën tonë. Vaçe Zela krahasohet me artistët më të mëdhenj të botës. Edhe këtë e them me bindje të madhe. Po të kishte mundësi ajo edhe sot do të zhvillonte karrierë në Europë.
Është lavdia e këngës sonë në Shqipëri. Mburremi me këngën e saj dhe gjithmonë do t'i këndojmë edhe duke ecur në një fushë apo në një mal, auditor apo edhe në dhomë me të dashurit tanë. Vaçe Zela nuk do të vdesë, por do të kthehet në një flutur

"Vaçe Zela, faleminderit që ekziston"
Ardit Gjebrea
Fizikisht të gjithë ikin nga kjo botë, tashmë jemi mësuar edhe me njerëzit tanë më të shtrenjtë, por ka nga ata të cilët janë të shtrenjtë për të gjithë. Janë ata që të bëjnë të ndihesh krenar që ke jetuar në kohën e tyre, i ke njohur, i ke prekur dhe sa të paktë janë.
Në dimensionin e pafund të artistit, Vaçe Zela mundi të jetë etaloni dhe si e tillë çdo fjalë për të: yll, mit, mbretëreshë janë unanimiteti i mendimit popullor. Mjafton kaq të vlerësosh Vaçen unike, që në këtë rast vlen shprehja: "Artiste të tilla i vijnë kombit një herë në 100 vjet."

"Vaçe Zela - magjia e këngës shqiptare"
Nexhat A. Agolli/ Shkrimtar Vaçe Zela ishte një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj të ngrohtë dhe të gjithëpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe: në të parën adoleshente dhe në të dytën madhore.
Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga ku nisi dhe arriti zenitin këngëtarja jonë e shquar.
Një lëvizje drejtvizore, e ngjashme me atë të Tokës dhe Diellit rreth vetes, por me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufirin e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të mahnitshëm.


-Për ikonën e muzikës shqiptare kanë shkruar edhe:

"Me Vaçen ishte kënaqësi të punoje"
Ferdinand Deda/Dirigjent
Ishte fat për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Kishte një forcë të madhe interpretative, që lidhej me shkallën e lartë të frymëzimit artistik. Përdorte një
mjeshtëri të veçantë të të kënduarit, ku gjenin vend ngjyrime të shumta. Ishte njeri i thjeshtë dhe mjaft i dashur, por edhe e ashpër kur s'i përfilleshin kërkesat.
Ishte tejkaluese në realizimin e qëllimit artistik për të çuar tek auditori pikërisht ato emocione që ngërthente kënga. Talenti, inteligjenca muzikore dhe intuita, kur unë drejtoja këngën e saj më krijonin një gjendje të tillë emocionale, sa nuk më vjen zor ta them, se më drithërohej trupi. Me Vaçen ishte kënaqësi të punoje.

"Zërin dhe këngën ajo i shihte të lidhura ngushtë mes tyre"
Prof. Tish Daija/Kompozitor
Vaçe Zela ishte tepër skrupuloze. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të zakonshmes, në mënyrë që t'i jepte mundësi zërit dhe vetes për interpretime të shkëlqyera. Kur ndonjë këngë s'i përshtatej sadopak natyrës së zërit të saj, ajo e braktiste.
Zërin dhe këngën ajo i shihte të lidhura ngushtë mes tyre. Vaçe Zela ka pasur një vokal të shkëlqyer. Ngjyrimet e zërit i ka përftuar në maksimum. I ka përdorur me inteligjencë të gjitha veçoritë e zërit, duke i vënë në veprim kur dhe si duhet, me vibrime të shkëlqyera:
në portament, glisando, melizmat, kantilenën dhe lëvizje kolorature. Me këngët që këndoi, popullore dhe të muzikës së lehtë, ajo krijoi stilin e vet, të cilin e imituan të tjerët me kalimin e kohës. Mbeti gjithmonë një këngëtare e veçantë.

"Vaçja kishte një vokal të përsosur"
Pavlina Nikaj/Këngëtare
Vaçja kishte një vokal të përsosur, për rrjedhojë edhe një interpretim të veçantë, perfekt, të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale. Në agjendën
e saj kishte një repertor të pasur, madje të larmishëm, që mund t'ia kishte zili çdo këngëtar: këngë popullore, këngë të muzikës së lehtë; ka kënduar baladën, romancën, në fillimet saj edhe këngën e huaj.
Dhe, në të gjitha këto është treguar një mjeshtre e vërtetë. Si njeri, Vaçja ishte e dashur, vlerësuese përkundrejt simotrave të saj këngëtare, të cilat i respektonte. Si këngëtare ajo arriti kulmin. Për të gjitha këto cilësi, unë, si këngëtare e kam adhuruar Vaçen.

Epitetet
Zëri i artë i Shqipërisë", "Ikona e shenjtë e këngës shqiptare", "Mbretëresha e këngës shqiptare", "Ylli Polar që vërtitet i vetëm në Galaktikën e këngës së lehtë shqiptare", "Gjigantja e skenës shqiptare".
Vaçe Zela mbetet "zëri i jashtëzakonshëm" që mbushte me energji skenat shqiptare, duke u bërë idhulli i shumë brezave. Këto janë vetëm disa nga epitetet për këtë simbol tashmë të kthyer në legjendë.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.