VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

EPITAF PËR VAÇEN
Nga PËRPARIM KABO

E Enjte, 02.13.2014, 11:19am (GMT1)


Epitaf për Vaçe Zelën...Shkurt i hidhur i 2014-ës. Iku një frymë klarinete, pushoi së jetuari Laver Bariu, ashtu si një fllad Dangëllie, që soset një ditë brigjeve të trevave të Frashërllinjve. Heshti violina e Paganinit shqiptar. Instrumenti i violinës qau, gishtat e duarve dhe telat e shpirtit ndaluan, sepse violinisti virtuoz, pedagogu i sa e sa brezave të violinistëve të rinj, artisti i kompletuar Ibrahim Madhi nuk jeton më..., dhe mbi heshtjen e tij të amshuar dëgjova koncertin për dy violina të Bach. Mjeshtri me atë melodi iku në rrugën e frymës..., muzika është më shumë se jeta. Ju jeni atje përjetësisht, Ibrahim Madhi! Paqja me Ty! Amin!

* * *

Dhe ja që rituali donte tre engjëj. Erdhi lajmi se nuk rrihte më zemra e Vaçe Zelës, kësaj Edith Piafi shqiptare. Trishtimi më kapi për fyti dhe nuk mbushesha dot me frymë. Isha fëmijë, kur për herë të parë në radio dëgjova zërin e saj. Gjithë qenia ime u drodh, u gjallërua nga brenda, sikur kishte hyrë në ujërat e një lumi mitik, ku gëzimi dhe harmonia, tingulli dhe vokali vinte nga një botë tjetër, krejt ndryshe, frymëzuese, e patakuar deri më atëherë. Brezi ynë, por dhe të tjerë më të rinj, patëm fatin të rriteshim me këngët e Vaçe Zelës. E prisnim çdo fundviti Festivalin e Këngës në Radio Televizion, e kur dilte ajo në skenë gjithçka mbërrinte në një tjetër nivel. Ai zë i plotë, me nota aq të ëmbla në regjistrin lart dhe poshtë, me atë shtrirje vokale, me atë ndjeshmëri të rrallë, me melodiozitetin që hapej si det që të përthithte. Eh mbretëresha e këngës! Edhe atë, këngën popullore, qytetare e baritore e "qave". Na bëje krenar se ishim shqiptarë, dhe ja, një ditë shkurti në dheun helvetik nuk je më. Pushoi fryma jote, që ishte tingull, harmoni, rezonim i njëkohshëm me muzikën. Toka e Arbrit ka një engjëll më shumë tashmë, por dhe një talent më pak. Ka trashëgimi të vyer unikale, si edhe ishte vepra jote, por dhe një art që zbrazet gjithnjë e më shumë nga kultura e vërtetë, dhe mbushet në "stacione" ambulante me lloj-lloj vjetërsirash "pseudomoderne". Ndaj apeloj që sot në ditën e parë, 9 shkurt 2014, kur ajo tashmë mbahet butë e ngrohtë nga dheu që donte më shumë se çdo gjë tjetër, që vepra muzikore e Vaçe Zelës të mblidhet me korrektesë dhe, sipas kritereve, të aplikohet që të shpallet pjesë e "Trashëgimisë Kulturore Botërore" nga UNESCO! Ndryshe, kujdesi shtetëror, enkas ai e Ministrisë së Kulturës, do të mbetej një "hipokrizi e radhës". Shtirje e detyruar nga dëshira e prapë që të "vidhet" nga autoriteti publik që kanë artistët, si "˜dishepuj' të vlerave dhe si personalitete që gëzojnë një dashuri të gjerë, të pastër dhe pa interes nga publiku i gjerë, në të gjitha kohërat. Këngët e saj duhet të regjistrohen minimumi në disqe platini, që në çdo familje shqiptare kudo në botë, të jenë si pjesë e kulturës dhe identitet tonë kulturor e kombëtar, për sot dhe për gjithëkohësinë. Si mbajmë në bibliotekat tona punët e vyera të Naim Frashërit dhe At Gjergj Fishtës, Nolit dhe De Radës, Migjenit e Kadaresë etj., etj., do të duhet të mbajmë dhe veprën e Vaçe Zelës! Kujtesa muzikore sjell një ndjeshmëri ndryshe, krejt gjithëqenësore, vibron aq thellë saqë shpesh është enigmatike se cila është magjia e muzës së parë-këngës! Tingulli i këngës ka brenda vetes në një sens, gjithë universin human. I bëj thirrje publike znj. Mirela Kumbaro, që, pa humbur kohë të urdhërojë nxjerrjen e fondit për regjistrime të tilla dixhitale dhe të nisë procedurat për të aplikuar që zëri dhe këngët e Vaçe Zelës të regjistrohen si pasuri e Trashëgimisë Kulturore Botërore. Edhe vetëm me këtë gjest, ajo Zonjë e nderuar do të hyjë në historinë tonë kombëtare me një veprim sublimiteti dhe ndjeshmërie të hollë civile, kombëtare e kulturore. Në 7 prill, kur mbushen 75 vjeç nga lindja e Vaçes, të kenë dalë në treg, kudo ku jetojnë shqiptarë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Europë, SHBA, Australi, Azi dhe Afrikë, disqe platini me këngët e saj më të zgjedhura. Me atë zë dhe me ato këngë jeta jonë është më e gëzuar, shpirti ynë më i frymëzuar, identiteti kombëtar e kulturor, më i plotë dhe më i qëndrueshëm.

I kujtoj znj. Ministre dhe të tjerëve shtetarë mbi të, se ish- presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, inicioi me të ardhur në pushtet që, arti kulinar francez të regjistrohej në Trashëgiminë Botërore të mbrojtur nga UNESCO. Ushqimi i shpirtit është gjithë më shumë identifikues për një popull se ai material, ndaj kujdesi për të është detyrim historik!

Ike, Vaçe Zela, nga kjo botë e zhurmshme, porse sot (ditën që u përcoll për në banesën e fundit) me këtë qiell shkurtan që vajton përhumbur, janë dhe lotët tanë, të njerëzve që të donin me shpirt, pa interes, dhe të binin në gjunjë me adhurim! Lum qielli nga sot, që do të dëgjojë zërin tënd dhe jehonat e rrufeve do ta sjellin atë dhe për ne shqiptarët e thjeshtë që të kemi brenda pa kthim.... Amin! Fryma jote u ndal në mesnatë dhe ai çast kishte për ty një kuptim të veçantë. Ashtu si shumë këngëtarë të mëdhenj në botë, në të gjitha kohërat, edhe në repertorin tënd qindrakëngësh kishte dhe një himn për mesnatën, një përdëllim ku vargjet dhe muzika ishin shkrirë, falë romantizmit dhe melodicitetit tek një këngë hit, që të rrëqeth sa herë që e dëgjon. "Mesi i natës"! Kjo është një nga këngët më të bukura të repertorit shqiptar. Ka shumë magji brenda, si muzikë, si tekst dhe si përjetim. Është një baladë dashurie me paqen dhe ëndrrën... "Se çdo njeri një ëndërr të vetën e ka..., me emrin dashuri". Këto fjalë të poetit Fatos Arapi në fjalëtingullin e Vaçe Zelës, të joshin në atë mister kur nata zhbëhet dhe dita nis e vjen si agim! "Mesi i natës tani sa kaloi..., dashuri, dashuri..., dashuri e imja e bardhë", në këtë ditë shkurti me nr.6 ishte e fundit që këndohej me frymë, e ajo që pakësohej e lodhur derisa bota materiale mbeti e errët, e zbehtë. Një dritë e fuqishme, e bardhë, eterike, e dërguar nga zotat t'u hap dhe me krahë të përqafoi duke të thënë: Eja Vaçe! Atje lart panteoni është gati! Të presin, Kujtim Laro që të dhuroi baladat e mrekullueshme dhe Tish Daija, që të provoi tek "Natën vonë" edhe në versionin xhaz. Të pret babai i muzikës, Çesk Zadeja dhe kompozitori meteorik modern, Kastriot Gjini. Ka gati për ty një perlë të tipit: "E kemi fatin shpresë dhe marrëzi", miku yt Ferdinant Deda, dhe po pret të të tregojë një tekst që e kishte si thesar të jetës, poeti Alqi Boshnjaku... E fryma shkoi në grimasat e fundit me lotët e Irmës mbi ty, dhe nga ai çast kur zemra e lodhur ndali, ne spektatorët nisëm të këndonim: "O dashuri jona, e bardha dashuri, mesi i natës tani sa kaloi"! Ti mbetesh dashuria jonë e bardhë, Vaçe Zela! Të imagjinoj si Moxartin kur këndonte "˜Requiemin' në grimasat e fundit të frymës, tek je fikur atë pas mesnate. Kënga të erdhi në mendje dhe eterit ia ke kënduar atë nga brenda. Vaçja e ka menduar veten, tek rendte pas ëndrrës që ka një emër; dashuri, për njeriun, për atdheun, për nënat, për gratë dhe vajzat, për antifashistët, për historinë, për rininë, për natyrën, për gjyshen, për arbëreshët, për malësoret e ndryme, për dashurinë sublime që sjell fëmijën në jetë, për takimin dhe puthjen e parë, për shiun, për lemzën, për baltën e trojeve, për Myzeqenë e pafund që e gatoi aq ëmbël zërin e saj! ...Mesi i natës, ja, tani sa kaloi, qetësi, qetësi...! E shoh si siluetë të bardhë 20-vjeçare, që qeshet me ajrin e freskët të Tiranës së atyre viteve pas pishave dhe mimozave, dhe e lë zërin e saj, peng mitik në qiellin tonë të shpirtit...! Mbeten tinguj që kanë një melodicitet unikal, me ngjyrime të fushave të paana, ku dielli bie herët në mëngjes dhe ikën darkave vonë aspak i lodhur! Tinguj blu! Fraza e saj muzikore, e plotë, e artikuluar në çdo fonemë, vija melodike perfekte, harmonia si e peshuar në filigranë, ritmi që lodronte me intonacionin dhe modulimin e impostimet zanore, por edhe me shkallëzimet e përjetimit të asaj që këndohej. Vibrimi i zërit i bashkëshoqëruar me ngjyrimin emocional. Një vetëdije e tillë dhe vetëkontroll, e bënte artin e saj të barabartë me veten. Kënga e kompozitorit, teksti i poeteshës apo poetit, dhe orkestrimi, nuk dërgonin tek Vaçe Zela një punë të përmbyllur, por se një "pjellë" që priste të "pagëzohej". Pasi ta këndonte ajo në disa prova, autorët e kuptonin nëse kishin realizuar apo jo diçka që mbetej, që mund të transmetonte emocion, që do të këndohej gjatë. Nuk ishte Vaçe Zela dhe suksesi i saj në duart e kompozitorëve dhe poetëve, por se ishte puna e tyre në "gijotinën" vokale të saj, sepse ajo të tregonte ku vija melodike ngecte dhe duhej ndërhyrë, ku teksti stononte dhe duhej rindërtuar poetika, ku arançimi sillte disonanca dhe duheshin harmonizuar dialogimet e harqeve me veglat e frymës. Në këtë kuptim, repertori i Vaçe Zelës, i ka bërë nder krijimtarisë sonë muzikore, e ka kuruar atë, për të mbërritur në parametra që nuk humbasin, dhe të duken këngë të freskëta frymëzuese dhe të ndjera sa herë që i dëgjon; paçka se koha ikën dhe ato mbeten të reja, e duke u vjetruar thjesht në moshë, në raport me kohën kur janë kompozuar e kënduar për herë të parë. Nuk ishte e lehtë të thoshte Vaçe Zela se, "˜do ta këndoj këtë këngë'. Ajo mendohej mirë e thellë dhe kjo nuk ishte çështje e kohës në dispozicion. Në këtë kuptim, ajo mund të thoshte "po" edhe me një të dëgjuar. Këtu gjej një ngjashmëri me Edith Piafin; një nga këngët hite të saj (uroj të mos gaboj, "Padam"), ajo e pëlqeu me një të dëgjuar në piano. Përkujdesja e saj gati puritane, kishte të bënte me aftësinë e saj të rrallë intuitive që të kuptonte nëse kënga ishte këngë, ngjiste, frymëzonte, kishte art, i jepte asaj misteret e brendshme. Tek e fundit, a përputhej ajo me gjithçka që kishte brenda atelieja e saj qibare, që nuk bënte kompromise me sforcime apo me kompozime që nuk thoshin gjë për shpirtin e saj elektrizues. I zoti do të jetë ai kineast shqiptar, që do të xhirojë një film artistik për jetën e Vaçe Zelës. Një tip "La vie on rose" të versionit shqiptar, me titullin: "The soul of earth" apo "Over midnight". Në gjykimin tim, Vaçe Zela nuk ishte thjesht këngëtare. Ajo ishte një artiste me diapazon të gjerë shpirtëror, një sfidante e kohës dhe e kohërave, një lloj rebeleje që dashuronte vetëm artin dhe lirinë, dhe ato ishin jeta e saj, mënyra se si ajo e shikonte botën, njeriun, dashurinë, atdheun. Harresa, nëse nis që nga sot, kur dheu ra mbi arkën e drunjtë, është turpi ynë. Ajo mund të linte amanet që si banesë të fundit të kishte tokën helvetike, pasi atje kaloi më shumë se dy dekada, dhe gjithçka do të kishte qenë e përligjur. Shumë artistë të mëdhenj nga e gjithë bota, i kanë varret jashtë atdheut, në qendrat metropolitane të kulturës dhe artit, si Itali, Francë, Zvicër, Angli, SHBA etj. Komuniteti i gjerë i shqiptarëve të Zvicrës, emigruar atje nga të gjitha trojet etnike, do t'i gjenin një vend më dinjitoz sesa varrezat e Sharrës në Tiranë. Nuk e di pse protokolli i shtetit nuk e vendosi në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Mos duhej që edhe Vaçja të vdiste nga plumbi?! Vepra e saj për emancipimin e shoqërisë shqiptare dhe zhvillimin e përgjithshëm, është po aq kontributive sa vepra e atyre që dhanë jetën në fushën e betejës ose në luftë me krimin dhe aktet e tjera jetëmarrëse, gjithnjë në shërbim të atdheut. Ky gjest-amanet i Vaçe Zelës që të prehej në Shqipëri, është kënga e saj e pasme, është një psalm që duhet lexuar mirë dhe kuptuar thellë. Në ceremoninë mortore u fol shumë. U thanë kujtime, fjalë zemre, retorikë pezmi. Pati solemnitet ceremonial, ngashërima njerëzore, përbetime, krahasime, përgjërime dhe sublimitet. Por se pati dhe teprime që krijojnë keqkuptime, kur për të ngritur vlerat e saj u aludua se ajo, po të kishte qenë në një vend tjetër në kohën e komunizmit, do të ishte një tjetër artiste, shumë më ndryshe; me famë, si të thuash "˜e një qielli tjetër'. Nuk e kuptoj përse jeta e tjetrit, kushdo qoftë ai, ëndrra e tij/e saj, merret përsipër të ribëhet në mënyrë imagjinative, me apostrofimin "sikur të", do të qe ndryshe?! Vaçe Zela, kurrë nuk e tha një gjë të tillë, madje dhe në vitet e fundit të jetës së saj. Përkundrazi, gjithnjë përgjërohej për Shqipërinë, për atdheun, për shqiptarinë, për Lushnjën, për flamurin e vendit të saj. Ajo kurrë nuk sajoi një skenar rezervë imagjinativ dhe nuk e lidhi personalitetin e saj të munguar si artiste botërore, me faktin e sajuar nga të tjerë që në ditën e përcjelljes, se, "nëse do të kishte qenë jashtë Shqipërisë", ajo do të ishte tjetër Vaçe. Këngëtarja jonë e shquar e dinte më mirë se komentuesit "˜post mortem', se arti nuk është thjesht produkti i hapësirës ku jeton me më shumë liri, dhe me më shumë pará. Pas viteve "˜90-të, mundësitë kanë qenë më të mëdha, censurë ideologjike nuk ka, financimet janë gati-gati primare, por ja që Vaçe Zela nuk kemi. Kush i ndalon të rejat e sotme dhe të rinjtë të shkojnë jashtë?! Talenti nuk është udhëtim gjeografik. Mundesh për një moment që edhe të takosh suksesin, porse tregu është agresiv, përjashtues dhe shpesh dërrmues. Iku Elsa Lila. Mbërriti deri në festivalin e "Sanremos", porse ku është sot?! Nuk është më as këngëtare, tani është dhe pa publik. Kemi talentin Elhaida Dani, që shkëlqeu në një konkurrim, "Voice of Italy", porse koha do të tregojë nëse ajo do të arrijë të krijojë publikun e saj jashtë Shqipërisë, në Itali apo edhe më gjerë, si një publik ndërkombëtar. Edhe nëse po, unë ia uroj me shpirt! Këngët e saj nuk do të jenë në gjuhën shqipe, ndaj ajo do të njihet si me origjinë shqiptare, por jo këngëtare shqiptare! Publiciteti komercial dhe industria e shitjes së disqeve dhe DVD-ve, ka bërë që sot tregu të mbytet me këngëtarë dhe këngëtare, që nuk e dimë se a kanë realisht zë, kanë vokal potencial, apo janë "krijesa epruvete" të pompuara nga tregu dhe reklama. Artist të bën talenti, por dhe jeta që jetohet, vështirësitë e saj, peripecitë, sfidat që përballon dhe egot që gatuhen brenda teje si yshtje për të mbërritur një ditë në zenit. Një jetë e mbrujtur me vanitet, me dëshira më të mëdha se sa i ke mundësitë, me pretendime egoiste, kur mungesa e talentit "është ulur këmbëkryq", të shndërron në njeri tekanjoz, pretencioz, llafazan, egocentrist të bezdisshëm. Dhe nëse je në fushën e artit, si i tillë, çdo gjë mund të bëhesh, por se artist nuk mund të bëhesh kurrë. Nuk krijon dot artin tënd dhe të mbetet vetëm retorika e zbrazët dhe akuzat për sistemin që gjoja nuk të ka lënë të zhvillosh veprën tënde krijuese. Jeta në sistemet totalitare është sjellë në një dikotomi joharmonike ndaj artit, në të gjitha periudhat. Nga njëra anë, gjendja e lirisë së munguar i ka frymëzuar artin dhe artistët të shndërroheshin në dishepuj të lirisë, dhe nga ana tjetër, censura dhe propaganda i ka trembur, kufizuar dhe gjunjëzuar për t'i përdorur si "megafon" të regjimit. Kurajoja dhe zgjuarsia e artistëve të vërtetë, është kultura e mbijetesës përmes artit "genuine", larg pseudoartit pllakatesk, duke gjetur mundësitë dhe shtigjet për të mos rënë pré e kompromiseve ideologjike dhe shërbimeve ndaj politikës së regjimit. Në periudhën e komunizmit është krijuar art, madje shumë herë, art që edhe sot në vlera nuk barazohet me gjithë sa shitet si art në këta vite të tranzicionit me liri. Këngët që ka kënduar Vaçe Zela janë art, ndaj populli i donte dhe i do, dëgjoheshin dhe dëgjohen. Ato të përcillnin ndjeshmëri dhe do të përcjellin aq kohë sa kënga "muza e parë" do të ekzistojë. Ajo nuk këndoi mediokritete, dhe arti është i tillë edhe në fushën e këngës, jo thjesht nga një tekst i ideologjizuar. Raste të tilla janë flagrante, por në radhë të parë, nëse nuk ka një kompozim mirëfilli muzikor, që zhvillohet në strukturën e një fabule muzikore. Ndaj dhe në ato raste kur teksti i këngës së kënduar nga Vaçe Zela lë sot për të dëshiruar, elementet e tjera të këngës, janë në një harmoni të tillë që përfaqësojnë kompozim të nivelit shumë të lartë artistik, sipas parimeve universale të kulturës muzikore në fushën e këngës. Liria në diktaturë zgjerohet jo vetëm nëse del hapur kundra regjimit, - kjo është disidenca, - por edhe nëse me artin tënd e bën njeriun të mos mendojë me mendjen e sundimtarëve, e sjell spektatorin në një gjendje të vetëdijshme që të mos ketë nevojë për ideologjinë e sistemit dhe për propagandën e tij, por për artin që i largohet me kujdes një helmimi të tillë. Të duartrokasësh artin dhe jo shtetin e regjimit, kjo është shprehje e zgjerimit të lirisë. Të mësosh nga kënga se duhet të duash njeriun, atdheun, dhe ndjenjat e tua dhe jo udhëheqësin e diktatorin, apo pushtetin, kjo do të thotë që me elementet e një ndjeshmërie të veçantë, si edhe janë ato që krijon arti, ti si spektator të zgjerosh lirinë tënde edhe në kushtet e një sistemi pa liri. Këtë ka bërë Vaçe Zela me artin e saj të të kënduarit, por dhe ata që bashkëpunuan me të në disa dekada.

Po qe se do të mendonim se Vaçe Zela, nëse do të ishte jashtë Shqipërisë kushedi se cila do të qe, atëherë këngët e saj nuk do të ishin në gjuhën shqipe, jo për shqiptarët. Pra ç'kuptim ka ky hamendësim?! Mina është këngëtare italiane dhe dashurohet nga italianët, Mirel Matieu është franceze dhe adhurohet prej tyre, e kështu tek çdo popull. E kam në vesh dhe në shpirt adhurimin që shprehte Vaçja për gjuhën shqipe, për këngën në gjuhën amtare, ndaj akrobacira të tilla retorike, për më tepër kur artisti nuk jeton më, sado dëshirë pozitive të kenë në nisje, shkojnë në drejtimin e gabuar. Në qiellin e kohës, me germa të arta njerëzore është shkruajtur: "Vaçe Zela, këngëtarja e madhe shqiptare e të gjitha kohërave!"

Teksa ajo e heshtur brenda arkëmortit, qëndronte në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, - skena ku ajo ishte duartrokitur pa fund, - dëgjuam që "Vaçe Zela nuk ka vdekur" porse "është fikur diçka brenda nesh!" Jo! Unë mendoj se ka vdekur Vaçe Zela, jashtë Shqipërisë, në një braktisje totale të institucioneve të shtetit amë, pa ndonjë mbështetje speciale për jetën dhe shëndetin e saj, madje as edhe me pagesën për të drejtën e autorit. Ndërsa si një dritë arti brenda nesh, spektatorëve dhe dëgjuesve të saj, ajo, as është fikur dhe as do të fiket. U tha se në atë kohë, "çdo gjë ishte bardhezi", sepse të gjitha këngët ishin njësoj. Po a ishte Vaçe Zela e këtij mendimi? Kurrsesi! Si mund të thuash që këngët e saj ishin njësoj me ato të këngëtarëve të tjerë, ose vetëm të asaj ishin ndryshe?! Po këngët kompozohen nga kompozitorët, ndaj si mund të mos kuptosh se Agim Prodani, Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Shpëtim Kushta, Tish Daija, Feim Ibrahimi, Tonin Harapi, Nikolla Zoraqi, Kujtim Laro, Kastriot Gjini, Aleksandër Lalo, Limoz Dizdari, Aleksandër Peçi, Avni Mula, Agron Xhunga, Ferdinant Deda, Thoma Simaku, Gazmend Mullai, Enver Shëngjergji, Agim Krajka, Luan Zhegu, Osman Mula etj., etj., mbi teorinë dhe praktikën e kompozimit, kanë qenë dhe janë të ndryshëm. Secili syresh ka profilin e vet, ka kontributin, stilin dhe fizionominë e këngës, të cilat mund të jenë balada epike ose lirike, bluzë ose xhaz, këngë lirike apo të një lloji tjetër. I vetmi dallim që mund të bëhet për atë kohë, është ajo që thoshte vetë Vaçja, që, "˜ose është këngë, ose nuk është këngë'. U tha, në mungesë të plotë të logjikës formale, se të gjitha tekstet ishin pothuajse njësoj. Po si ka mundësi të mos kesh parë dhe kuptuar se ka pasur dallime të teksteve të shkruara nga Haxhi Rama, Zhuljana Jorganxhi, Shaban Murati, Llazar Siliqi, Fatos Arapi, Xhevair Spahiu, Jorgo Papingji, Agim Doçi, Alqi Boshnjaku, Gjok Beci, Hysni Milloshi, Natasha Lako, Koçi Petriti etj. Po teksti i Fatos Arapit, "... pikonte era limoni, e besova kishte ardhur pranvera", ç'lidhje ngjashmërie ka me tekstin e Natasha Lakos "...me dyqind petrita, komunista lule, hapi Shqipëria, historinë e kuqe"! Po më gjej të lutem, një tekst të Jorgo Papingjit dhe antikonformistit Agim Doçi, me Partinë dhe me komunizmin si fjalë?!

Po si mund të të duket njësoj ajo që thotë Gjok Beci, "...o ku ka si ti moj Shqipëria ime, o fisnikja përmbi gurë", me atë që shkruante Xhevair Spahiu, "...me një gjeth në buzë unë fërshëlleva, këngët që i zgjonte veç pranvera"? Po a mund të mos kuptosh se teksti i këngës "Mesi i natës" dallon nga ai i këngës "Gjurmë të arta", dhe ai i këngës "Djaloshi dhe shiu", nga teksti poetik i këngës "Valsi i Lumturisë"?! Të katra këto të fundit, janë këngë që u kënduan nga Vaçe Zela. Po a mund të gjesh një varg të ngjashëm më këtë që këndoi Vaçja: "Më merr në krahët e tua, siç merr fëmijën nëna, që ballin të ma puthin dhe dielli, dhe hëna"?! Edhe ajo që u tha, se të gjithë këngëtarët këndonin njësoj, me përjashtim të Vaçes, nuk është korrekte, madje nuk ka qenë as edhe mendimi i saj, që iku pa kthim, porse jo pa gjurmë dhe pa opinione të shprehura dhe të dokumentuara në lidhje edhe me interpretimin e këngës shqiptare.

Ata që e njohin këngën shqiptare, së paku në këtë gjysmë shekullin e fundit, e dinë dhe janë në gjendje të dallojnë se sa të ndryshëm në profilin që krijuan, ishin Anita Take, Rita Vako, Zija Saraçi, Tonin Tërshana, Qemal Kërtusha, Ema Qazimi, Luan Zhegu, Irma Libohova, Parashqevi Simaku, Gaqo Çako, Myfarete Laze, Sherif Merdani, Anita Bitri, David Tukiçi, Alida Hisku, Petrit Lulo, Kozma Dushi, Afërdita Zonja, Françesk Radi, Lindita Theodhori, Liljana Kondakçi, Frederik Ndoci, Eranda Libohova apo Ardit Gjebrea etj. Po kështu dhe orkestruesit ishin të ndryshëm, sepse ka dallime mes Robert Radojës, Ferdinant Dedës, Selim Ishmakut, Gaspër Çuçis, Simon Gjonit e të tjerë, ndaj dhe këngët janë të ndryshme në karakter dhe në strukturën e tyre. Në ditën e përcjelljes së Vaçe Zelës, papërgjegjësisht u tha se këngëtarët visheshin njësoj, se ecnin njësoj dhe kriheshin njësoj. Është mungesë vëmendjeje dhe mospërgjegjësi, sepse nëse pati rast kur veshja shqetësoi Partinë e Punës dhe udhëheqjen, ishte një Festival Kënge si festivali i 11-të, ku u kritikuan veshjet, si imitime të veshjes së festivalit të "Sanremos" dhe "Kanconisimos", me fustane të gjata dhe me xhaketa dopiopetë. Edi Luarasi përfundoi në rrobaqepësi dhe Bujar Kapexhiu në kombinatin "Josif Pashko" si punëtor krahu. Ndërsa regjisori Mihal Luarasi u dënua me heqje lirie, me 14 vjet burg. Pra, në ka një lloj arti që e sfidoi sistemin, ka qenë kënga, ndaj këngëtari Sherif Merdani përfundoi në burgun e Spaçit, ndërsa Françesk Radi u degdis në rrethinat e Pukës. Në prag të Plenumit të famshëm të 4-t të Komitetit Qendror të PPSH-së, mbledhja në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, si në një gjykatë inkuizitive, përmes censorëve, analizoi tekstet dhe pjesë të incizuara të këngëve me "hanxharë në duar", për të zbuluar devijimet ideologjike, helmin borgjez dhe revizionist në tesketet dhe ritmet e këngëve të huajtura nga modelet italiane, amerikane dhe britanike në festivalin e 11-të. Para disa viteve, kompozitori Tish Daija, para se të ndërronte jetë, i dhuroi Arkivit të Shtetit partitura origjinale të këngëve të Festivalit të 11-të, që nuk i kishte djegur nga frika e Sigurimit, që ishte vërtet e tmerrshme në atë kohë. Këtë lloj akti asgjësimi e bënë të tjerë, me skenografinë, kostumografinë dhe dokumente të ndryshme korruptuese, përballë valës së tmerrshme, për të zhbërë një festival kënge.

Ja përse nuk jam në një mendje me atë që u tha në përcjelljen e Vaçe Zelës, se ajo bënte ndryshimin me flokët e derdhur dhe me dritën që kishte në sy. Kjo është një përshtypje sipërfaqësore, që nuk bind. Fakti që shumë këngë të djeshme, të para viteve "˜90-të, që rimerren sot, dhe me orkestracione me mjete më të sofistikuara që nuk ishin në atë kohë, risillen në një formë të re, qëllon dhe që kur këndohen jo nga profesionistë, porse nga punonjës të një medieje kombëtare, si një lloj himni festiv në prag të Vitit të Ri, të tronditin, jo vetëm falë nostalgjisë tek brezat e vjetër, por dhe falë emocionit që krijojnë tek brezat e rinj që i dëgjojnë për herë të parë.

Në këto vite të pas "˜90-tës, ka shumë pak, të mos themi në mënyrë mohuese, fare pak këngë që mbeten përjetësisht, si edhe ishin këngët që këndoi Vaçe Zela në karrierën e saj disadekadëshe!

Ike Vaçe Zela, paqësisht, me një modesti shembullore, me ëndrra të realizuara dhe jo të tilla, por e mbuluar me një dashuri dhe respekt nga publiku, nga kolegët dhe shqiptarët kudo në botë. Ishte në këtë ceremonial përcjellës e pranishme edhe politika me kasnecët e saj. Mbase edhe ajo do ta kuptojë, se arti dhe artisti ka nevojë për dashuri dhe kujdes në të gjallë të tij dhe jo kur ikën nga kjo botë..." Kur ishim fëmijë, ëndërronim të ardhmen tonë....!" Me këto vargje na bëre të gjithëve të ëndërronim, Vaçe Zela. Adhurim dhe respekt përjetësisht për ty dhe artin tënd! Kemi fatin dhe privilegjin se u ushqyem me këngën tënde, që jeta të mos mbetej "bardhezi" për ne!

MIRENJOHJE!

PËRPARIM KABO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.