VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SI E TAKOVA TË BIJËN E CHARLS ERICKSON
Nga MAL BERISHA*, ambasador

E Enjte, 04.10.2014, 06:35am (GMT1)



*Mirënjohje për amerikanen 103 vjeçare që ka lindur në Shqipëri/
*"A ekziston shkolla e tim eti",- më pyeti. Po i thashë madje mban emrin "Charles Telford Erickson" në Kavajë. "Oh,- tha,- faleminderit! Babi im ka qenë burrë i madh dhe ka bërë shume për atë vend"/


Elizabeta Erickson, e cila jeton në Amerikë, është vajza e publicistit Charles Telford Erikson, njeriut që i dedikoi një jetë të tërë historisë dhe traditës shqiptare. Elizabete ndjehet krenare, për kontributin që ka dhënë babai i saj për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe ndjen kënaqësi kur takon shqiptarët dhe merr lajme të mira për Shqipërinë. Charles Telford Erikson, është një prej personaliteteve që kanë dhënë kontribut të shquar në Shqipëri dhe për Shqipërinë. I angazhuar thellësisht në çështjet shqiptare, ai i ka kushtuar një pjesë të jetës dhe veprimtarisë së tij, promovimit të shqiptarëve dhe mbrojtjes së çështjes së tyre, si përmes veprimtarisë diplomatike, ashtu edhe përmes artikujve në shtypin botëror të kohës dhe studimeve shqiptare. Eriksonit, një personalitet, ky i cili ka jetuar për tre dekada në Shqipëri, në periudhën 1908- 1939, si misonarët e kësaj miqësie të fort që kemi ne sot. Në vitin 1919, Erikson është delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1921-1922 është komisioner i posaçëm për Shqipërinë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1945 është delegat i vetëm shqiptar i Federatës Panshqiptare të Amerikës, "Vatra", në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në San Francisco, për pranimin e Shqipërisë anëtare e OKB-së. Gjatë qëndrimit të gjatë në Shqipëri, përpjekjet e Erickson, u përqendruan edhe në ndërtimin e shkollave. Ai ngriti shkollën Shqiptaro-Amerikane të Bujqësisë në Kavajë dhe shkollat e vajzave në Tiranë dhe në Kavajë. Nga viti 1937-1941, ai studion tërë literaturën e deriatëhershme në bibliotekat e Muzeut Britanik, Athinë, Romë, Stamboll dhe Uashington dhe shkruan pafund për shqiptarët dhe Shqipërinë.
Ideja për të takuar pasardhësen më të afërt të njeriut që është shprehur me bukur se gjithkush për ne shqiptarët kishte kohë që më mundonte. Për më tepër po të konsiderohej edhe mosha e saj. Fjala është për fëmijën e pestë të Charles Telford Erickson, Grace Elizabeth. Ajo ka lindur ne Manastir, atë kohe territor shqiptar i pushtuar nga osmanët, në kushtet kur familja Erickson u internua për shkak se Charles Telfordi hapi shkollën shqipe në Elbasan. Shkolla e tij u mbyll menjëherë ndërsa familja u largua me forcë në Manastir. Aty lindi Grace dhe u kthye përsëri në Elbasan për të qëndruar deri në dhjetor të vitit 1912, kur Shqipëria, ndërsa u shpall e pavarur, zona të tëra deri në Elbasan u pushtuan nga serbët. Në këto, kushte familja u largua me forcë nga serbët dhe Grace ndoqi jetën e vet, në fillim nën kujdesin e një zonje në Zvicër dhe me vonë në SHBA. Ideja për të takuar familjen e Charles Telford Erickson më ka tunduar për shumë kohë. Kjo u arrit në tetorin e vitit 2012, kur nipat dhe një mbesë ë tij erdhën për të përuruar librin kushtuar gjyshit të tyre dhe festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Por, të takoje Grace Elizabeth Erickson ishte një kënaqësi e veçantë dhe shumë emocionuese. "A ekziston shkolla e tim eti",- më pyeti. Po i thashë madje mban emrin "Charles Telford Erickson" në Kavajë. "Oh,- tha,- faleminderit! Babi im ka qenë burrë i madh dhe ka bërë shume për atë vend". Një person i tillë si ajo, të krijon e të pushton me ndjenjën se ke takuar vetë historinë, kur mendon se ajo ka lindur më shumë se një vit para se të shpallej Shqipëria e pavarur dhe se jeta e babit të saj dhe e asaj vetë ka filluar në Shqipëri dhe ka mbetur e lidhur me Shqipërinë deri në atë moshë.

*Autor i librit "Charles Telford Erickson, jeta dhe vepra për Shqipërinë dhe në Shqipëri"


MAL BERISHA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.