VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NJË ANALIZË E MUNGUAR E HUMBJES SË PD-së
Nga LULJETA PROGNI

E Martë, 04.15.2014, 09:50am (GMT1)



Korrupsioni, arroganca e pushtetit, largimi nga baza e elektoratit dhe interesat e tij, konsumi i pushtetit pas tetë viteve, ndikimi i LSI-së etj, janë argumentuar si arsyet e humbjes së thellë të PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Ajo që më së shumti përmendet nga drejtuesit e PD-së, është pikërisht bashkëqeverisja me LSI-në në katër vite, pasojat që solli në 23 qershor, por dhe mënyrat që përdori LSI-ja për të përfituar sa më shumë vota.

"Ne mbrojtëm përtej çdo caku bëmat e LSI-së gjatë bashkëqeverisjes sonë. Hapësirat e kësaj partie në administratë kapërcyen çdo limit dhe u bë emblematike bindja, se njerëzve me teser LSI-je iu hapej çdo derë", thotë Jemin Gjana, një prej ish-deputetëve dhe ish-funksionarëve të lartë të PD-së. Blerja e supozuar e votës nga LSI-ja është thelbi i shumicës së analizave të publikuara në media që pas shpalljes së rezultatit, kryesisht nga ana e drejtuesve të PD-së.

Përveç faktit, se bashkëqeverisi me PD-në në katër vite dhe njëkohësisht rriti numrin e elektoratit, LSI-ja përfitoi nga marrëveshja me PD-në edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2011, pasi fitoi në bashki dhe komuna, ku më herët nuk kishte patur influencë. Marrëveshja me PD-në i dha LSI-së mundësinë të konsolidohej në qarqe, si Kukësi e Shkodra, qarqe, të cilat konsideroheshin bastione të PD-së.

Grafiku i mëposhtëm krahason rezultatet e PD-së në zgjedhjet e vitit 2009 dhe ato të vitit 2013, si dhe shifrat e humbjes së PD-së në çdo qark. Në grafik janë të reflektuara edhe rezultatet e LSI-së, po ashtu në dy zgjedhjet e fundit parlamentare.

Por, për të parë ndikimin e vërtetë të LSI-së në zgjedhjet e fundit, le të marrim në analizë dy qarqe, ku influenca e LSI-së në periudhën kohore midis dy zgjedhjeve ishte më e vogël krahasuar me rritjen në qarqet e tjera, pikërisht qarkun e Beratit dhe Durrësit. Në këto dy qarqe, LSI-ja kishte rezultat më të mirë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe në ato lokale të vitit 2011, se në qarqet e tjera.

Rrjedhimisht në zgjedhjet e 23 qershorit, pritej një rezultat pozitiv i LSI-së në qarkun e Beratit dhe të Durrësit.

Në Berat, qark në të cilin LSI-ja ka elektorat të konsoliduar, vihet re një rritje, por jo aq e madhe, krahasuar me rritjen e LSI-së në Shkodër, apo në Kukës. LSI fitoi në Berat një mandat më shumë krahasuar me vitin 2009 dhe PD humbi një mandat si pasojë e humbjes së 12705 votave.

Në Durrës, PD humbi 7866 vota krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Në këtë humbje kanë ndikuar edhe dy fakte të rëndësishme. I pari lidhet me aleatin e PD-së, Partinë Republikane, e cila fitoi një mandat deputeti. Faktori i dytë ishte FRD-ja, që në këtë qark e dëmtoi në mënyrë të konsiderueshme PD-në, duke fituar 4540 vota, të cilat presupozohet që janë shkëputur nga PD-ja.

Të gjitha qarqet janë përballur me "faktorin LSI". PD-ja dhe drejtuesit e saj nëpër qarqe e kanë justifikimin kryesor këtë faktor për humbjen në 23 qershor.

Analiza e vonuar e humbjes së PD-së në këto zgjedhje, pritet të reflektohet në zgjedhjet e strukturave të reja në këtë parti. Dy ditë më parë, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se brenda 48 orësh do në nisë faza e dytë e riorganizimit në PD, ku përfshihet ndër të tjera edhe analiza për humbjen e PD-së në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kjo deklaratë e Bashës, është përsëritur shpesh në gjashtë muajt që lamë pas. Në fillim të dhjetorit 2013, në emisionin "Tonight", Basha deklaroi, se brenda një muaji do të përmbyllej faza e dytë e riorganizimit të PD-së, ku përfshihej edhe analiza për humbjen në zgjedhjet e 23 qershorit.
LULJETA PROGNI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.