VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PËRPLASJE NË PARTINË DEMOKRATIKE - VETERANËT IA BËJNË TETË ME DY BASHËS
Topalli kundër kryetarit për udhëzimin e padiskutuar në struktura. Pakënaqësi dhe për cilësimin e saj si nënkryetare

E Mërkurë, 04.16.2014, 11:17am (GMT1)





Shënohen përplasje të forta mes "veteranëve" të Partisë Demokratike dhe kryetarit të kësaj partie, Lulzim Basha. Udhëzimi i dytë i firmosur nga kreu i selisë blu, për zgjedhjet në strukturat e kësaj partie, ka bërë që të shpërthejë dhe reagimi i fortë i "më të vjetërve". Mësohet se në një mbledhje kryesie të zhvilluar mbrëmjen e së hënës, Jozefina Topalli ka kërkuar sqarime nga kryetari për udhëzimin e padiskutuar në forumet drejtuese por dhe përdorimin e emrit të saj. Pjesë e debatit duket se është bërë dhe Albana Vokshi e Majlinda Bregu edhe pse kjo e fundit e mohon një gjë që tillë.

Sqarime për udhëzimin

 Mbledhja e kryesisë së demokratëve ka nisur me kërkesën për shpjegime nga Jozefina Topalli lidhur me udhëzimin e publikuar tre ditë më parë nga PD-ja, i cili përjashton nga radhët e kandidatëve, deputetët, të zgjedhurit vendorë apo kryetarët aktualë që kanë kryesuar degët e PD-së për dy mandate. Sipas burimeve nga selia blu,  mësohet se Topalli i ka kërkuar kryetarit Basha përse udhëzimi nuk është diskutuar në forumet drejtuese të partisë. Kjo kërkesë është mbështetur dhe nga Albana Vokshi. Sipas burimeve, deputetet demokrate janë shprehur se nuk është aspak normale që anëtarët e kryesisë të informohen nga media lidhur me vendimet për procesin zgjedhor në PD. Por ish-kryeparlamentarja nuk është ndalur vetëm këtu. Topalli i ka kërkuar gjithashtu kryedemokratit Basha, sqarime pse ai në një intervistë televizive ka deklaruar se ajo është nënkryetare e Partisë Demokratike. "Pse ke përdorur emrin tim si nënkryetare të PD-së kur unë kam dhënë dorëheqjen nga ky post 3 ditë pas dorëheqjes së zotit Berisha?", mësohet të ketë thënë Topalli. Burime shumë të rezervuara nga selia blu konfirmojnë se kryetari Basha ka zgjedhur t'u përgjigjet deputeteve demokeatë vetëm duke u dhënë të drejtë, por pa sqaruar më tej për vendimet e tij.

Koordinatorët

Zgjedhja e koordinatorëve ka qenë një  tjetër çështje që ka përplasur "˜veteranët' e PD-së me Bashën. Zgjedhja e tyre në çdo rreth pa asnjë bazë statutore është konsideruar si aspak normale nga anëtaret e kryesisë demokrate. Por edhe për këtë çështje Basha ka zgjedhur mos japë sqarime. Sipas një vendimi të kryetarit, gjithë procesi zgjedhor në rrethe po monitorohet nga koordinatorët e emëruar nga vetë Basha dhe të cilët raportojnë vetëm tek ai dhe jo në strukturat drejtuese të PD-së. Kjo gjë është pranuar, edhe pse jo publikisht, edhe nga krerët e rretheve të PD-së, të cilët janë ndjerë të mënjanuar nga koordinatorët e dërguar me porosi të kryetarit. E ndërsa udhëzimi i dytë i Bashës përjashton dhe "˜ligjërisht' veteranët e selisë blu. Në të thuhet shprehimisht se "s'kualifikohen nga kandidimi kryetarët e seksioneve që kanë plotësuar dy mandate si kryetarë të zgjedhur seksioni si dhe ata kryetarë të zgjedhur seksioni që në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë rezultatet për PD më të ulëta se zgjedhjet parlamentare paraardhëse nivel seksioni".

 Po ashtu jashtë gare mbeten dhe deputetët, duke saktësuar në udhëzim se: "Në propozimin e kandidatëve për kryetar dege të Partisë Demokratike të respektohet mos-pajtueshmëria e   mandatit të kryetarit të degës të PD-së me mandatin e të zgjedhurve (deputet, kryetar këshilli qarku, kryetar bashkie, kryetar komune)". Në garë nuk përfshihen as ata që konsideron si humbës në zgjedhjet e 2013-ës, krahasuar me ato të vitit 2009. Edhe pse vetë udhëzimi sjellë përplasje në vetvete sepse ndërsa Basha përjashton nga rikandidimi kryetarët e grup-seksioneve që kanë plotësuar dy mandate si kryetar grup-seksioni dhe ata kryetarë që në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë rezultate më të ulëta se zgjedhjet parlamentare paraardhëse, shton më tej se analiza e zgjedhjeve duhet të nxjerrë në pah mënyrat e skemave të përdorura nga kundërshtari për realizimin e joshjes së votuesve të mundshëm të PD-së por pa cenuar dinjitetin e zgjedhësve individuale. Gjithsesi në këtë mënyrë, "˜të rinjtë' e Bashës ligjërohet të garojnë për çdo degë seksioni, rrethi apo qarku të Partisë Demokratike duke mënjanuar përfundimisht emra të vjetër që deri tani janë cilësuar si vetë PD-ja. Ndërkohë dy ditë më parë kreu i deputetëve demokratë, Edi Paloka ka konfirmuar se Basha nuk do të jetë më në garë për një mandat në dytë në krye të bashkisë së Tiranës. Kjo "˜justifikon' dhe më tej dëshirën e kreut të PD-së për të forcuar pozitat e tij në selinë blu.

 Publikimi i sms-së, Basha: PD-ja nuk përgjon

Demokratët nuk e kanë në strategjinë e tyre përgjimin. Pohimi vjen nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili, gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar, komentoi sërish sms-në e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas kreut të demokratëve, pavarësisht se kush e dërgon dhe kujt i dërgohet, sms-ja tregon për gjendjen reale të krimit në vend. "Opozita merr informacione që zyrtarët e qeverisë i qarkullojnë mes njeritjetrit apo i postojnë në funksion të lojërave të tyre politike të brendshme, por opozita as nuk përgjon, as do të përgjojë njeri, sepse përgjimi është i përjashtuar parimisht si burim informimi nga ne", - tha Basha duke kundërshtuar kështu akuzat për përgjim. Sipas kreut të PD-së, sms-ja tregon se kryeministri dhe ministri i Brendshëm janë më së miri në dijeni të situatës së rendit.

 Kreu i demokratëve këtë herë nuk kurseu as akuzat ndaj kryeparlamentarit Ilir Meta ndërsa pohoi se: "Ata mund të vazhdojnë të lajnë e të lyejnë njeri-tjetrin me skandalin e radhës, siç bëri dje kryetari i Kuvendit në një prononcim që nuk u kuptua, e kishte për tu tallur, apo jeton në një planet tjetër, kur e konsideroi mesazhin e dështimeve një medalje në gjoksin e Tahirit". Kryefjalë e opozitës edhe këtë javë do të jetë sërish trafiku i drogës. Basha paralajmëroi se opozita do të vazhdojë akuzat për këtë çështje për sa kohë që nuk ka një reagim nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli për dijeninë apo mos-dijeninë në lidhje me këtë çështje. E ndërsa më herët në fjalën e tij Basha ndërsa përmendi vdekjen e 52-vjeçares nga Korça, përsëriti kërkesën drejtuar mazhorancës për të tërhequr ligjin për Nëpunësin Civil. Basha u bëri apel ish-punonjësve të administratës të vazhdojnë protestat e tyre kundër qeverisë.  

SUELA TOPI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.