VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GJERGJ LEKA - TROPOJANËT DUAN TË MË BËJNË 'QYTETAR NDERI' (Intervistë)

E Enjte, 04.17.2014, 08:29am (GMT1)



TIRANË - Përjetimi i një sëmundjeje të vështirë por me fund të lumtur, bëri që kantautori i njohur Gjergj Leka të krijojë një këngë të bukur. Siç bëjnë shpesh artistët, Gjergji ia dedikoi këngën "Tropojani", në shenjë mirënjohjeje, doktorit që e shëroi. Por kënga i kaloi kufijtë e privatësisë dhe shpejt u pëlqye nga publiku i gjerë. Në një intervistë për "Vip Pages", kantautori rrëfen se nuk e priste këtë impakt, duke na treguar edhe perceptimin e tij mbi arsyet e suksesit.

Ç'mund të na thoni për bujën që po bën kënga juaj e fundit, "Tropojani"?
(qesh) Nuk e prisja, të them të drejtën, që kënga të merrte këto përmasa, por më duhet të pranoj që po bën vërtet bujë. E para, them që kjo ndodhi ngaqë kënga është bërë nga një tirans si puna ime (qesh). Besoj se po ta kishte kënduar Fatmira Breçani, apo një tjetër këngëtar nga veriu, s'do të kishte të njëjtin impakt. E dyta, mendoj se tropojanët, por edhe veriu në përgjithësi, e kanë atë natyrën patriotike pak më të zhvilluar.

Ç'mund të na thoni më shumë për këtë këngë?
Unë e kam shpjeguar kudo që, kjo ishte një këngë "private", dedikuar një doktori. Unë ia ndryshova pak tekstin dhe kënga mori përmasa të tjera; sigurisht, edhe me pëlqimin e vetë doktorit. Por në asnjë mënyrë kënga nuk i dedikohet vetëm Tropojës (qesh). Ndaj unë them "Nga Vermoshi në Sarandë, nga Tirana në Tropojë".

Krijimi i kësaj kënge, ishte një ide e momentit, apo e planifikuar më herët?
Kënga është bërë në një restorant duke ngrënë pula fshati (qesh). Shikoni si ishte puna: unë sapo kisha mbaruar kontrollet e nevojshme, pasi mjeku im më pati në kurë për 2-3 muaj. Ishim mbledhur një tavolinë me disa miq, gazetarë sportivë, unë dhe doktori im në një vend në Krujë. Mjeku më kishte bërë surprizë rezultatet e kurës sime shëndetësore, të cilat ishin të mira. Shokët e tavolinës filluan të më ngacmonin duke më thënë "tund lekët tani, çfarë dhurate do t'i bësh". Unë i them "do të të bëj një dhuratë që s'ta bën as gruaja e as fëmija. Do të të bëj dhuratë diçka që do të ngelet, do të të dhuroj një këngë". Mora një fletë A4 dhe kam bërë këngën aty për aty, por pa tekst. Ideja që në fillim ishte që kënga do të quhej "Tropojani". Të nesërmen në mëngjes jemi futur në makinën e doktorit dhe kemi dëgjuar këngën.

Si e shpjegoni suksesin që mori?
Është çudi shqiptare. Unë kam 35 vjet eksperiencë dhe nuk janë pak. Ka ndodhur ndonjëherë që unë kam qenë krejtësisht i sigurt për suksesin e ndonjë kënge që kam bërë dhe nuk më ka dalë ashtu. Dhe ndodh kjo tjetra që, bëj një këngë private dhe, sado e bukur të jetë, merr këto përmasa që janë paksa të çuditshme (qesh).

Si po reflektohet tek ju kjo, çfarë ju thonë njerëzit?
Këto ditë nuk futem dot as në rrjetet sociale sepse bëhet nami.

Po tek makinat në rrugë, ju ka rastisur ta dëgjoni?
E bukura është se më së shumti njerëzit dinë ku kam studion e s'ma dinë shtëpinë. Tani ka filluar të bëhet si modë që kalojnë me makinë pranë studios dhe vendosin këngë me volum të lartë. Më ka gjetur belaja edhe me komshinjtë, të cilët më bëjnë fajtor, se ata vijnë edhe në orën 3 apo katër të mëngjesit (qesh). Veç kësaj, kënaqësinë më të madhe e kam marrë nga të rinjtë. Më ndodh që të kaloj rrugës e të dëgjoj që të rinj të moshës 15-16 vjeç e kanë këngën në "Iphone", e mbajnë dhe si për t'u krenuar në shkollë. Miku im Aldon Lipe më sjell një SMS dhe më thotë se Hektor Pustina, një tjetër mik i vjetër, kishte thënë "po i bëjnë Gjergjit një bust në Bathore" (qesh).

Tropojanët, çfarë ju thonë?
Më kërkojnë dokumentet për të më bërë qytetar nderi.

Më shumë tërhoqi vëmendje kjo, se lajmi i fejesës suaj?
Fejesa u harrua.

Të fejuarën tuaj, e mërziti ky fakt?
Jo, është mërzitur për diçka tjetër. Ajo ka qenë regjisore e videoklipit dhe e dokumentarit dhe veriorët tashmë i thonë "je e jona". Bëj shaka (qesh)!

Tropojani më i famshëm i Shqipërisë, z. Sali Berisha, ju komplimentoi?

Ai është treguar zotëri me gjithë kuptimin e kësaj fjale, megjithëse unë nuk i takoj asnjërës palë. Unë jam shtetas italiano-shqiptar dhe as nuk votoj dot. Më është bërë qejfi sepse, ditën që bëra promovimin, erdhi familja e tyre. Më lanë të kuptoja që ishin mirënjohës. Më thanë me lezet që t'u jepja një DVD, pasi këngën e kishin dëgjuar shumë herë. Ata mund ta shfrytëzonin shumë mirë politikisht këtë, kushdo mund ta bënte, por nuk ndodhi. Më dhuruan edhe një tufë me lule. Ai është vërtet tropojani më i njohur në vend dhe unë e vlerësova këtë sjellje.

Po reagime nga krahu i majtë, ke marrë?
Kam pritur, në fakt, reagime negative nga njerëz që unë i njoh, sepse një pjesë të tyre i kam pasur edhe në shkollë, që nga i madhi. Por nuk ka ndodhur. Kur më kanë takuar, më kanë thënë me shaka "E bone 'fora' me atë këngën, o tironsi jonë" (qesh).

Do i bëni vërtet dokumentet për t'u bërë qytetar nderi?
Unë u kam kthyer përgjigje dhe i kam falënderuar shumë. Me humor u kam thënë: "Jam 1.91 i gjatë, por s'e dija që isha kaq i madh" (qesh). Për mendimin tim, qytetar nderi duhet bërë doktori të cilit i kushtohet kënga.

ADELAJDA XHAMANI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.