VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PAPËRGJEGJSHMËRI INTELEKTUALE - KËRKOJNË TË RISHKRUAJNË HISTORINË PËR TË NXJERR NË PAH 'ANËT E MIRA TË ENVER HOXHËS'
Nga ARBEN BRAÇE

E Premte, 04.18.2014, 05:24pm (GMT1)


Revanshi politik anakronik që ka përfshire komunistët tanë, i cili po shfaqet diku me hedhjen e lakut në grykë të një busti, e diku me kërkesën, për vendosjen e emrit të Enver Hoxhës të një rruge, e diku me kërkesa, për rishkruajtjen e historisë, etj si këto, vërteton vetëm një gjë; amnezinë konservatore të kujtesës sonë historike. Të gjitha përpjekjet për rishikimin dhe unifikimin e historisë së popullit shqiptar që po bëhen këto ditë, edhe me iniciativën e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, me qëllim, vendosjen e drejtpeshimit në interpretimin e ngjarjeve, të fenomeneve dhe të personaliteteve historike të kombit shqiptar padyshim do të konvergojnë vetëm në një pikë; interpretimin e figurës së Enver Hoxhës. Sepse e vetmja periudhë historike e kohës moderne për të cilën ka një ambiguitet historik, mbetet vetëm ajo e kohës sonë totalitare, dhe për të cilën, brezat e sotëm dhe brezat e ardhshëm nuk janë ballafaquar plotësisht me të vërtetën historike. Edhe komploti banal që bëhet tek ne vazhdimisht me hapjen e dosjeve, arsyen e vetme ka, shantazhin politik të kundërshtarëve, sesa ballafaqimin me të vërtetën historike. Qëkurse "komunizmi" si i tillë është krejtësisht i diskretituar, dhe përderisa tashmë ka një konsensus zyrtar, por jo në opinionin publik, se çdo gjë e tij ishte e keqe, debatet mbi figurat e lidershipit të tij kanë qenë në çdo rast negative në të gjitha vendet e Evropës lindore dhe qendrore.

Sot në Evropën lindore është turp të mendosh, se do të joshësh ndokënd me perspektiven e një të ardhme proletare, e cila do të sjellë edhe fundin e pluralizmit. Por gjithsesi, po të qe se me këtë punë do të merreshin vetëm disa ish-funksionarë të Partisë së Punës, ose në rastin më të mirë disa "dremitës" me lepurin në bark të cilët për pesëdhjete vjet nuk morën guximin të thonë gjysmë fjale për padrejtësitë e atij sistemi, kjo nuk do të përbënte ndonjë shqetësim. Por kur në këtë punë aktivizohen personalitete akademike, që kanë dhënë kontribut konkret në shkruarjen e historisë, konsekuencat që sjellin qëndrime të tilla në asnjë rast nuk duhen neglizhuar. Indiferenca sociale për fat të keq ka qenë gjithmonë tipar i yni në kësi rastesh, dhe idetë që qarkullojnë për ketë çështje, janë shumë të vakëta. Në këto kushte, komisioni i ngritur, do të ketë dorë të lirë të vendosë më shumë mbi bindjet personale, sesa mbi të vërtetën historike.

Në Gjermaninë Perëndimore të viteve pesëdhjetë p.sh. qarkullonte polemika, nëse ishte më mirë të ishe i vdekur apo i kuq, pra nëse duhej parapëlqyer vdekja ndaj sundimit komunist, apo nëse një jetë në robëri ishte sidoqoftë, më e mirë se të pushuarit së jetuari. Shumica, të cilët mbështesnin këtë alternativë, donin, jo pa patos, të ishin më mirë të vdekur se të kuq, një pjesë e vogël pranuan se parapëlqenin të ishin më mirë të kuq se të vdekur. Se cilat janë bilancet e angazhimit politik perëndimor, dhe atij të lindjes, tashme nuk ja vlen të përmendesh as edhe një radhë të vetme, mjaft ti referohesh financave të Gjermanisë së sotme, e cila po krediton të gjitha ekonomitë evropiane në krize, dhe kjo vërteton më së miri përgjegjshmërinë e klasës politike gjermane në përzgjedhjen e sistemit politik.

Të kërkosh publikisht të rishkruash historinë, e të evidentosh edhe anët e mira të "personalitetit" të Enver Hoxhës, pa marrë në konsideratë që megjithëse kanë kaluar njëzet e katër vjet dhe akoma nuk është kërkuar ndjesë për anët e "këqija" përbën një nonsens të vërtetë logjik. Jemi i vetmi vend në Evropën lindore që akoma nuk ka kërkuar ndjesë për krimet e komunizmit, ndërkohe që në vendet e tjera, dokumentacionet e brerjes së ndërgjegjes e të kritikës së vetvetes nga ana e komunisteve mbushin kilometra të tëra raftesh biblioteke. Ish-komunistët që i bren ndërgjegjja sado të mërzitshëm që mund të duken, sot janë dëshmi e forcës së ideve në shoqëri. Ata mendojnë se, në qoftë se një bindje e caktuar ka qenë motivi i bëmave të këqija atëherë duhet të mbash përgjegjësi nga një ide të cilën duhet ta kishe kuptuar qysh në krye se çfarë fshihte. Intelektualët ish-komunistë të lindjes janë të mendimit se pazotësia e tyre për ta kuptuar demagogjinë, synimin vrastar, strukturën e kalbur të një doktrine, d.m.th, mungesën e ndershmërisë dhe të aftësisë intelektuale është diçka për të cilën duhet të ndjesh jo vetëm përgjegjësi, por edhe turp.

Mbi të gjithë ne evropianolindorët përgjatë kohës totalitare janë kryer me dhjetëra eksperimente sociale ku jemi trajtuar si kavje të gjalla. Veçanërisht mbi Shqiptarët janë aplikuar ndërhyrje më radikale edhe se në Kamboxhian e kmerëve të kuq, duke shkulur midis shumë të drejtash, edhe të drejtën e besimit fetar, si edhe të drejtën e mikropronës. Vetë "qoftëlargu" vuri kazmën i pari mbi institucionet e religjionit, duke na bërë vendin e parë "ateist" në botë dhe po kështu të vetmin vend në botë ku individi nuk kishte të drejtën e mikropronës private, bile as të mbante edhe një pulë, ndërkohë që këto të drejta themelore nuk u mohuan kurrë në vendet e tjera me sistem totalitar.

Natyrisht, që në tekstet e shkollave duhen evidentuar me kujdes të gjitha këto "merita" të lidershipit tonë, të cilat do të habisin përpos të tjerëve dhe hapësirën Kosovare, të përfshirë në këtë procedurë të unifikimit të përbashkët të teksteve të historisë, e cila megjithëse nën çizmen jugosllave, nuk e provoi kurrë një gjë të tillë. Se ku mund të gjenden të "mirat" e një figure të tillë historike duhet të shkosh në gjykatë, ku megjithëse ka kaluar një-çerek shekulli, mbi 90% e konflikteve kanë për bazë konfliktet e pronësisë si pasojë e shtetëzimeve të mëparshme. Duhet të shkosh në Institucionet e Integrimit të të Persekutuarve Politikë, ku një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të shtetit duhet të shkojë për të përballuar çmenduritë dhe papërgjegjësitë e politikes totalitare me eksperimentet e saj mbi shoqërinë. Duhet të shkosh në kampet e punës dhe të internimit, dhe në muzetë e burgjeve të tipit mesjetar.

Në morinë e masakrave dhe të vuajtjes së qindra njerëzve vetëm utopia komuniste e shartuar në trupin e një shoqërie gjysmëfeudale duhet të jetë tipari më i rëndësishëm i figurës së lidershipit të saj, të atij, Enver Hoxhës, me qëllim që eksperimentet sociale të ekzistojnë vetëm në arkeologjitë politike të së kaluarës mjerane të Shqipërisë totalitare. Brezat që po vijnë duhet të mësojnë në tekstet e tyre shkollore, vetëm një histori; atë që ka të bëjë me të vërtetën, por duke ngulitur thellë në mendjet e tyre se kush do të mbajë përgjegjësinë për të gjitha ato ide që duken romantike në pamje, por që prodhojnë vetëm shtypje dhe terror barbar.

ARBEN BRAÇE


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.