VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DËSHMORI I UÇK-së, ZBULOHET LETRA E SHKRUAR PARA VDEKJES
E Enjte, 04.24.2014, 02:51pm (GMT1)

     

PRISHTINË - Mediat kosovare kanë publikuar ditën e djeshme, letrën e shkruar nga një prej dëshmorëve të luftës kundër serbëve pak çaste para vdekjes, Gëzim Hamza, i cili mbante pseudonimin "Piktori", ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe humbi jetën në fushëbetejën e Rahovecit në korrik të vitit 1998. Pasi ka mbetur i plagosur, Hamza ka shkruar një letër me amanetet e fundit drejtuar shokëve dhe familjes së tij. Në letër ai flet për vështirësitë e luftës, për shokët e vrarë, dhe u kërkon fëmijëve të tij që të luftojnë për pavarësinë e Kosovës, ashtu si i ati. Letra e dëshmorit të UÇK-së është publikuar pikërisht në të njëjtin ditë që Kuvendi i Kosovës miratoi themelimin e Gjykatës Speciale, që do të merret me gjykimin e krimeve të kryera nga UÇK-ja gjatë viteve të luftës. Beteja e Rahovecit, ku mbeti i vrarë Gëzim Hamza, u zhvillua nga data 17 deri më 26 korrik të vitit 1998. UÇK-ja sulmoi dhe pushtoi qytetin e Rahovecit dhe fshatrat përreth. Gjatë pushtimit, ku u vranë 47 persona, më shumë se njëqind serbë u morën peng.

LETRA

Sipas mediave kosovare, dëshmori Gëzim Hamza e ka shkruar letrën pasi është plagosur dhe pak çaste para se të ndërronte jetë. Letra është e njollosur me gjak, fakt që sipas mediave në Kosovë dëshmon edhe autenticitetin e saj. Ajo është e ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë, ushtari me pseudonimin "Piktori" u drejtohet shokëve, ndërsa në pjesën e dytë, familjes së tij. Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë.

PJESA 1

"Nuk di cila është data, s'ka lidhje edhe ashtu jam i habitur dhe i shqetësuar nga të gjitha këto ngjarjet e luftës pesëditore në Rahovec prej nga kam lindur. A thua ne shqiptarët jemi popull i nëmur nga dikush që pa kurrfarë fati jemi duke jetuar nën okupimin e të tjerëve. Dy ditë lufte të rreptë kundër shkive (derrave) humbur i kam disa shokë dhe kolegë të mi, që në këtë moment zemrën e kam te kolegu im Agim Qela - Coli, krah për krah luftuam me zemër me vullnet dhe me këngë kundër tankseve blindave kambësorisë, por me sy aspak nuk u trembëm. O shoku jem i dashur më le pa asnjë zë, as që bëre OF. Shoku im i dashur e kam nxjerr hakun e juaj dhjetë herë por ende nuk e kam kryer, ju japë besën deri në dakikën e fundit të jetës sime do të luftoj për pamvarsinë e Kosovës sonë të humbur deri në këtë moment. Nuk di kush është i vdekur e kush është i gjallë. Oh jetë ç'ka ka prej nesh trima mbi trima kurrë nuk dorëzohemi.

"PIKTORI" PJESA 2

"O Zot të lutem ndihmona ti, i cili je më i madhi, dhe secili shqiptar të beson shumë. I lutem pronarit të shtëpisë në qoftë se vdes, që kjo letër të shkojë tek fëmijët e mi. O familja ime, ju kamë dashur pa masë, por nuk pata kohë që t'ju tregoj aq sa e keni merituar, ju jap besën se mbas çlirimit të Kosovës do t'ju dua haptas. Dy fëmijët e mi Lenhardi dhe Benjamini më falni se në kohën kur ju jam më i dobishëm ju lash të gjindeni vetë, ju kisha lutur që të vazhdoni rrugën e Babushit tuaj të luftoni edhe ju për Kosovën-Lirinë e popullit. Babushi" (bw)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.