E Shtunë, 04.20.2024, 03:07am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
'GJONI I MIRË' - GJONI XXIII (1881–1963)
Nga Don LUSH GJERGJI

E Enjte, 04.24.2014, 05:09pm (GMT+1)





         "Të duhemi mes veti, të kemi kujdes ndaj njëri-tjetrit në takime, që të mund të pranojmë atë që na bashkon, kështu duke  shmangur atë që mund të na largojë. Me të kthyer në shtëpi përkdhelni fëmijtë tuaj dhe thuanu se kjo përkdhelje është e Papës... Fëmijëz, nuk duhet të mendohet më në të kaluarën. Hyji e din mirë atë që ndodhi, gjithatë duhet besuar mëshirës së tij, mirësisë së tij të pafund. E juaja është vetëm e tashmja... Duhet mbrojtur shpirtin e paqes... Besoj se Zoti do t'iu përgjigjet shpresave dhe pritjeve të botës e cila ka dëshirë aq të madhe për paqe...".
                                                                                                                         Gjoni XXIII

         Të shkruhet apo flitet sot për papën Gjonin XXIII, apo siç e quanin të gjithë "Gjoni i Mirë", është shumë vështirë, mirëpo njëkohësisht edhe e nevojshme, e dobishme, e domosdoshme, sepse ky margaritar i Kishës dhe njerëzimit të shekullit njëzet nuk guxon të harrohet, si dhe kujtimi në te nuk guxon të humbet. Me të erdhi rrezja e dritës dhe diellit, shpresës, mirësisë, dashurisë dhe vëllazërisë, hapja e Kishës ndaj  gjithë botës.
         Jeta e tij qe e gjatë, 82 vite, pontifikati i tij i shkurtër, vetëm 5 vite, porosia e tij e amshueshme, personaliteti i tij karizmatik, gjithnjë i gjallë në Kishë dhe botë. Kështu që duke përkujtuar atë do të thotë ta ringjallësh atë, të shkruajsh për të do të thotë t'ia ofrosh atë gjeneratave të reja, sepse siç dihet, dashuria nuk vdes kurrë.
         Angelo Giuseppe Roncalli, papa Gjoni XXIII, u lind në Sotto il Monte, fshat afër Bergamo-s, më 25 nëntor 1881 në një familje fshatare me shumë fëmijë si dhe varfëri të theksuar. Pikërisht aty, në rrethin familjiar, mësoi artin e dashurisë, fesë, lutjes, flijimit, komunikimit me të tjerët, solidaritetin.
         Prejardhje e varfër dhe e thjeshtë, mbetën karakteristika themelore të jetës së tij. Në shkollë ishte i mirë, kështu që famullitari  i këshilloi prindërit e tij që t'ia mundësojnë vazhdimin e mëtutjeshëm të shkollimit.
         Hyri në seminar. Mirëpo edhe aty duhej të paguante, e para nuk kishte. I ati i tij Giovanni Battista dhe nëna Maria njëherë i thanë: "Je fëmijë i fshatarëve  skamnorë. Edhe nëse arrin të bëhesh meshtar, do të jesh gjithmonë meshtar i varfër..."
         Mirëpo, për shkollimin e tij u kujdes Provania hyjnore. Një monsinjor mori për sipër kujdesin për pagesë të seminarit. Në mësime ishte i zellshëm, kurse në jetën e përshpirtërisë shumë i dalluar, me të tjerët i shoqërueshëm dhe i lumtur, gjithmonë i gëzueshëm.
           I riu Angelo Giuseppe Roncalli kreu studimet filozofiko-teologjike në Begamo. Studimet posdiplomike i vazhdoi në Romë. Shërbimin ushtarak e kreu për 12 muaj. Qe shuguruar për meshatar në Romë me 10 gusht 1904, kurse Meshë e Parë kremtoi në vendlindje me 15 gusht 1904.
         Ja dëshmia e tij rreth meshtarisë: "Zoti dëshiron të bëhem meshtar; për këtë më shpërbleu me mirësitë e tija, aq sa më dërgoi në Romë nën përkrahjen e Papës, zëvendësit të Jezu Krishtit, në Qytetin e Shenjtë, afër varrezave të shumë martirëve, shumë meshtarëve të shenjtë... Nuk u bëra meshatar për të qenë i nderuar, ose shkaku i përfitimit, për të jetuar më lehtë, për të jetuar e shijuar nderin dhe kënaqësinë. Runa Zot, vaj për mua po të ishte kështu! Por para së gjithash dhe vetëm për këtë u bëra meshtar, t'i bëj mirë në të gjitha mënyrat botës skamënore."
         Ishte vite të tëra sekretar i ipeshkvit të Bergamos mons. Radini-Tedeschia-s, e më pas shpirtëror  në teologjinë  e Bergamos.
         "Themeli i apostolatit tim është jeta ime e mbrendëshme...Do i dua të rinjët sikur një nënë e mirë" shkruante kështu don Angelo Roncalli.
         Në vitin 1921 ishte i ftuar në Romë në Kongregatën "Propaganda Fide", sot Kongregata për "Ungjillizimin e Popujve", për kryetar të Zyrës  për përhapjen e fesë për Itali.
         Nga Roma shkruan: "Me zemër të thyer kam lëshuar Bergamon, atë që e desha: seminarin, shtëpinë studentore...Ndihëm i hedhur me tërë shpirtin tim në shërbim të ri. Këtu dëshiroj dhe duhet të rri pa mëdyshje, pa shiquar apo dashur ndonjë gjë tjetër."
         Në vitin 1925 emërohet arqipeshkëv dhe vizitator apostolik në Bullgari,  shugurohet më 19 mars po të njëjtin vit. Mons. Angelo Roncalli shkruan: "Në realitet të jesh i emëruar ipeshkëv apo të mbetësh meshtar i rëndomtë, nuk do të thotë shumë për atë shpirt i  cili kërkon lavdinë e Hyjit, e jo shkëlqimin e rrejshëm të kënaqësive të kësaj bote... Jam i dëgjueshëm dhe me këtë aftësohëm për t'i braktisur disa gjëra dhe për t'i pranuar tjerat".

         DHJETË VITE NË BULLGARI

         Menjëherë pas shugurimit ipeshkëvor shkoi në Bullgari (25 prill 1925), ku qëndroi plotë dhjetë vite. Në meshën e parë publike tha këtë: "Thjesht do të tregoj mënyrën e trajtimit të cilën do duhej në të ardhmën të kanë katolikët bullgarë ndaj ortodokësve: këta janë vëllezërit e juaj. Nuk mjafton vetëm të kesh ndaj tyre ndjenja të përzemërta. Nëse i doni vërtet, ju jepni shembull të mirë përmes dashurisë suaj në vepër!".
         Që të dëshmoj këtë dashuri në vepër ai menjëherë filloi t'i vizitojë bashkësitë e vogëla katolike në Bullgari në kufi me Greqinë dhe Turqinë. Pas vizitave tha para gazetarëve bullgarë: "Erdha këtu që t'iu sjell katolikëve bullgarë bekimin e Atit të Shenjtë, i cili gjithnjë ka nderim të thellë dhe dashuri të përzemërt ndaj popullit bujar bullgar...Pashë një pjesë të mirë të vendit tuaj. Isha i pushtuar me thejshtësinë dhe mirësinë e popullit i cili na pranoi gjithkund me mikëpritje prekëse... Isha dëshmitar i tolerancës së plotë të popullit bullgar ndaj pakicave fetare dhe kombëtare."
         Mons. Angelo Roncalli në mënyrë të shkëlqyeshme kreu misionin e tij apostolik në Bullgari duke animuar, mbështetur dhe inkurajuar bashkësitë katolike që të jenë të bashkuara, të vetëdijshme  për rolit të cilin e kanë në mesin ortodoks.

         DELEGAT APOSTOLIK NË TURQI DHE  NË GREQI

         Por, ja sfida e re, prapë edhe një  ndërrim. Më nuk është i ri, tanimë është 53 vjeçar. Në vitin 1934 qe emëruar delegat apostolik në Turqi dhe Greqi.
         Në predikimin e tij përshëndetës tha: "Pas dhjetë vitesh në Bullgari, ajo më është bërë e dashur...Kudo të jam, po edhe në skaj të botës, kur do të kaloj ndonjë bullgar pranë shtëpisë sime, do ta gjejë në dritare qiriun e ndezur. Do trokasë në derën time dhe ajo do t'i hapet, pamvarësisht është ai katolik apo ortodoks. Vëlla Bullgar: mjafton vetëm ky titull për të hyrë mbrenda e të gjej vërtet mikëpritje shumë të përzemërt në shtëpinë time..."
         Turqia atëherë ishte në pozitë shumë të vështirë. Mustafa Kemal-pasha Ataturk (1881- 1938) krijoi Republikën Turke laike (1922) me kryeqytetin e Ankaras. Ai dëshiroi ta europanizonte Turqinë, duke ndërruar Kushtetutën sipas shembullit të ligjeve italiane dhe zvicërane. Futi në përdorim alfabetin latin, kalendarin europian, shpalli të dielën ditë pushimi  dhe ditë feste në vend të premtës, ndërpreu poligaminë dhe shpalli Turqinë shtet laik me të drejta dhe dëtyrime të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.
         Gjitha këto ndryshime i sollën popullatës turke vështirësi të shumta. Pas takimit të parë me këtë realitet mons. Roncalli shkruan: "Ndoshta do kam ditë të rënda e situata të vështira... Mirëpo, unë vazhdimisht shikoj në lartësi dhe në largësi..."
         Në Turqi mori lajmin mbi sëmundjen, më pas edhe mbi vdekjen e të atit, Giovanni Battista. Komentoi thjesht dhe fetarisht: "Në dhimbjen time e cila është edhe më e madhe shkaku i largësisë, më ngushllon mendimi, si për të gjithë besimtarët, se do të gjindemi në qiell."
         Mons. Giuseppe Angelo Roncalli dëshiron të jetë vëlla e atë i të gjithve, dhe për këtë përpiqet të mësimin e gjuhës turke. Disa i thonin se nuk i nevojitet, meqë bashkësia katolike lutet, kremton meshën dhe sakramentet në gjuhën frenge, me të cilën edhe shërbeheshin. Ai iu përgjigjet: "Po të isha unë turk, nuk do më tërhiqte feja e cila nuk e njeh gjuhën time." Dhe pikërisht për këtë e futi në liturgji edhe leximin e Ungjillit në gjuhën turke.
         Edhe Greqia përjetonte vështirësi të mëdha në fusha të ndryshme. Mirëpo, njeriu i Zotit nuk dorëzohet askurrë, sepse në të gjitha rrethanat dhe kohërat jeton dhe dëshmon praninë dhe dashurinë e Zotit  mes nesh. Mons. Roncalli në Greqi arrin vitin në vitin1935. Së pari është dashur t'i tejkalojë dy mosbesime të mëdha: Qëndrimin e Kishës Orodokse Greke dhe mospajtueshmërinë e shtetit. Kushtet e jetës dhe punës për katolikët ishin shumë të rënda. Këtë gjendje menjëherë ia parashtroi mbretit Georgios II, por me pak sukses. Me kënaqësi dhe shpesh e viziton Athinën, takonte hierarkinë katolike, bënte gjithë atë që kishte mundësi.
         Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai është ambasador i vërtetë i paqes, pajtimit dhe faljes.
          DIPLOMAT I HYJIT

         Pas luftës, ia edhe një sfidë e re. Në vitin 1945 Mons. Roncalli emërohet për nunc apostolik në Francë. Edhe një herë kjo ishte treguar si hap provanial, dha tani të gjithë do e quanin "Diplomat i Hyjit". Gjatë dhjetë viteve ai përfiton të gjithë me zemrën e tij të madhe, me butësinë dhe thjeshtësinë që kishte.
         Papa Piu XII i jep mirënjohje dhe e emëron kardinal vitin 1952. Mons. Roncalli është i hutuar, i befasuar,  i prekur, dhe në ditarin e tij shkruajti këto fjalë: "Me të vërtetë krejt këtë e bëri Zoti, edhe atë pa mua, sepse nuk kisha mundur as të paramendoja, apo pretendoja për një mirënjohje kaq të madhe. Të jam i thjeshtë dhe përvuajtur nuk më ka krijuar problem të madh.  Për çka të krenohem apo lavdërohem, O Zot imi? Merita ime është mirësia e jote..."

         PATRIK  I VENEDIKUT

         Zoti tani më nuk po e le të qetë. Pas vdekjes së patrikut të Venedikut, Mons. Carlo Agostinit, Roncalli emërohet në vendin e tij  në vitin 1953.
         Në bazilikën e shën Markut i prezantohet besimtarëve shpontanisht dhe me përvuajtëri: "Vij nga përvujtëria, isha i edukuar në varëfinë e lumtur dhe të bekuar e cila ka kërkesa aq të vogëla...Provania më nxori nga fshati im i lindjes dhe bëri që të kaloj rrugëve të botës të Lindjes dhe të Perëndimit, duke u afruar me njerëz të religjioneve dhe idologjive të ndryshme, në ballafaqime me probleme të ashpra dhe kërcnuese të shoqërisë, mirëpo duke ruajtur qetësinë dhe barazëpeshën e kërkimit dhe vlerësimit: gjithmonë kam qenë më tepër i zënë rreth asaj që na bashkon, se sa asaj që na ndan... Mirëpo, para se gjithash i porositem mirësisë suaj unë njeriu i cili thjesht dëshiron të jetë vëllau juaj i dashur, i afërt, i kuptueshëm ndaj të gijthëve..."
         Mendoi dhe shpresoi se do e përfundonte këtë "shtegtim" tokësor në Venedik. U përgadiste për vdekje sa më të mirë, por jo në mënyrë pasive. Vërtet ishte gjithkund  vëlla dhe mik i të gjithëve, në veçanti i të varfërve dhe njerëzve të thjeshtë. Me kujdes dhe dashuri të madhe përcolli klerin e tij. Punoi, luti, meditoi, mendoi shumë, kurse me përpikëri natë e ditë shkroi ditarin e tij. Flinte pak, vetëm disa orë.
         Mbi vdekjen shkroi këto fjalë: "Mendimi mbi vdekje më bënë shoqëri të pikëllueshme, por edhe të mirë, që nga dita kur u emërova për kardinal dhe patrik të Venedikut. Për mua ky mendim është i vështirë, por edhe shpëtues. Mirëpo pjesa e jetës që më ka mbetur nuk është asgjë tjetër përpos përgatitje e lumtur për vdekje."
         Kishte zemër të madhe, ishte mikpritës i mrekullueshëm. Shpeshherë iu thoshte bashkëpuntorëve të tij: "Kushdo mund të më vizitoj; ndoshta dëshiron të rrëfehet? Unë jam një meshtar i varfër, dhe po e refuzova kënd, kisha mundur ta humbas një shpirt i cili ka dashur të hapët me mua."
         Thjeshtësia dhe mirësia e tij së shpejti përfitoi të gjithë. Venediku i ishte sikur shtëpia e tij përsonale e lindjes Sotto il Monte, sepse ishte komunikativ dhe mik i të gjithëve.  
         PAPA GJONI XXXIII GJONI I MIRË

         Në vitin 1958 vdes papa Piu XII, i cili me vendosmëri e udhëheqi Kishën e Hyjit për 19 vite. Kardinali Roncalli u pikëllua shumë shkaku i kësaj humbjeje të madhe, mirëpo e përjeton në heshtje, në mënyrë të krishterë, sipas motos së tij: në dëgjueshmëri dhe  në heshtje!
         Duke u nis për në Romë, në konklavë, tha:"Gëzimi më i madh imi i cila do të mund të më ndodhë do ishte të kthehem pas disa javëve në mesin tuaj." Nxori  biletën kthyese, në tavolinën e tij të punës la të hapur shumë letra të rëndësishme dhe të besueshme, duke shpresuar se do kthehej së shpejti.
         Kisha, bota, po edhe kolegji i kardinajve pritnin shumë nga konklava. Flitej se do zgjidhej një papë kalimtar. Shpesh është përmend edhe emri i kard. Roncallit, i cili tani ishte në moshën 77 vjeçare, mirëpo kishte mjaftë përvojë diplomatike dhe pastorale. Në Bullgari dhe Greqi njohu ortodoksizmin dhe sllavët, në Turqi botën islame. Qysh më herët në Propaganda Fide ishte njohur me botën misionare; në Francë takoi civilizimin dhe kulturën europiane; në Venedik udhëheqi suksesshëm një Kishë të vogël, por shumë të gjallë.
         Nga Roma kardinali Rocalli i shkruante ipeshkëvit të Bergamos: "Shpirti forcohet me besimin e Rrëshajëve të reja të cilat do mund t'i jepte Kishës Shenjte ripërtrirjen e tërësishme të Kreut dhegjallërimin e gjymtyrëve. Nuk është me rëndësi se a është papa nga Bergamo. Lutjet e përbashkëta duhet të nxjerrin një njeri të shenjtë dhe të përkushtuar i cili me butësi dhe urtësi do të na drejtojë."
         Kardinali Angelo Giuseppe Roncalli është zgjedh papë me 28 tetor 1958. Pranoi këtë pas shumë mendimeve, pasigurisë, lutjeve, me këto fjalë: "Atë që di me varfërinë dhe vogëlinë time mjafton për të më hutuar. Mirëpo, shoh në fytyrat shembullore të vëllezërve të mi kardinaj shenjën e vullnetit të Zotit, pranoj zgjedhjen e tyre dhe uli kokën dhe krahët për barrën e kryqit dhe pirjen e  kelkut të hithët... Do të quhem Gjon. Ky emër është i ëmbël, sepse është emër i babait tim. Jemi të kënaqur, sepse është mbrojtësi i famullisë modeste ku jam pagëzuar.."
         Dhe menjëherë filluan brohoritjet e ngazëllimit, entuziazmit, lotët e gëzimit të Venedikut, të Bergamos, Sotto il Monte, Parisit..., gjithë atyre që e kishin njohur. Së shepjti e quajtën "Gjoni i Mirë". Dhe i tillë u tregua tërë jetën e tij duke i shërbye të gjithve.
         I befasoi të gjithë me shenjat dhe gjestet si dhe thjeshtësinë e sjelljeve të tija: Viziton spitalin "Bambino Gesù" në Romë, duke biseduar përzemërsisht dhe atësisht me fëmijtë e sëmurë, me prindër, me personelin mjekësor. Më vonë vizitoi burgun "Regina Coeli", ku mes të tjerave të burgosurve iu tha: "Pra, ja Ne jemi këtu, bij të dashur... Erdha, më patë, i  kam drejtuar sytë e mi në sy tuaj, kam vendosur zemrën time afër zemrës suaj..."
         Zemra e madhe dashuria e papës Gjonit XXIII depërtoi edhe jashtë mureve të Vatikanit: 150 herë doli jashtë Vatikanit, duke ndërprerë kështu traditën e mëhershme shumëshekullore. Me shaka iu tha besimtarëve: "Lejoni që të dalë edhe Papa nganjëherë, sepse Papa jeton i mbyllur në dy tre hapësira. Lejoni të vijë te ju, që t'ju ngushëllojë pak!"         
         KONCILI I DYTË  I VATIKANIT  

         Mirëpo befasia më e madhe ishte paralajmërimi i Koncilit të Dytë të Vatikanit më 25 janar 1959. Në kuvendin e Shën Palit, afër bazilikës me emër të njejtë, iu tha  kardinajve: "Për t'i ballafaquar problemet e sotme të njerëzve, duke qenë të frymëzuar me traditë dhe të drejtë shumë shekullore, shpallim mbajtjen e Koncilit të Përgjithshëm Ekumenik...Synim i tij nuk është vetëm për ndërtimin e popullit të krishterë, por është një ftesë  edhe për bashkësitë e ndara të ndara  në kërkim të bashkimit... Këtu gjithësesi do jetë edhe Shpirti Shenjt. Unë nuk frikohem. Ta fillojmë punën..."
         "Vrapi" i Papës nuk ndalet këtu. Në ekranet televizive me bindje dhe fuqi të thellë porosiste: "Botës i nevojitet Krishti dhe Kisha duhet të jetë ajo e cila do t'ia sjellë botës Krishtin."
         Më 4 tetor 1962 Papa me tren shtegton në Loreto dhe në Assisi, një javë para fillimit të Koncilit.
         Koncili Dytë i Vatikanit ishte lëvizje e madhe shpirtërore dhe fetare,  ngjarje shekullore, frymëzim i Shpirti Shenjt për Kishën dhe botën. Në hapje në Sheshin e shën Pjetrit, ishin të gjithë, mbi 200.000 mijë besimtarë, 2400 ipeshkëvij, arqipeshkvi, kardinalë, teologjë, "vëllezërit e ndarë". Gjoni i Mirë ka në zemër shumë dëshira, para së gjithave ta përditësojë Kishën "aggiomamento", të shërbente bashkimin e  të të gjithë të krishterëve, paqes në botë.
         Papa Gjoni XXIII tha: "Nuk do të bëjmë ndonjë gjykim historik. Nuk do të hulumtojmë kush kishte të drejtë e kush kishte gabuar. Përgjegjësitë janë të shumta. Ne thjeshtë do të themi: të bashkohemi, t'i japin fund ndarjeve!"
         Në kujdes për paqe ndërmjetëson dhe arrin sukses të shmangëjes së konfliktin mes SHBA dhe Bashkimit Sovjet rreth raketave ruse të vendosura në Kubë.
         Sundimtarët botëror i porosiste: "Bëni gjithçka është e mundur dhe në fuqinë e juaj për ruajtje të paqes: kështu bota do t'i shmanget tmerrit të luftës pasojat e së cilës askush nuk mund t'i parasheh... Të promovohen, përshpejtohen, të pranohen negociatat në të gjitha nivelet dhe në çdo kohë, ky është rregulli i urtisë dhe maturisë, e cila fiton bekimin qiellor dhe meriton kujdesin dhe mbështetjen njerëzore..."
         Dy enciklikat e Gjonit XXIII patën kuptim shumë të madh për Kishën dhe botën: "Mater et Magistra" (1961) dhe "Pacem in terris" (1963).
         Ja disa vlerësimet të rëndësishme rreth tyre. John F. Kennedy: "Si katolik jam krenar për ato, ndërsa si amerikan kam mësuar shumë nga prej tyre..." U Thant, Sekretari i OKB-së gjatë një fjalimi tha kështu: "Historia njeh shumë pak personalitete të cilët kanë pasur aq shumë nderim dhe aq dashuri sikur Papa Gjoni XXIII." François Mauriac, nobelisti për letërsisë, dëshmon: "Papa Gjoni XXIII ka thënë fjalë të mëshirës të cilat unë gjithnjë kam dëshiruar t'i dëgjoja prej Romës, dhe i ka thënë në praninë e vëllazërve të ndarë... Për herë të parë, pas rinisë time, Shpirti dëshmohet, së paku për mua në mënyrë të dukshme".
        Gjoni XXIII jetoi dhe punoi për gjithë botën duke dëshiruar paqe, drejtësi, nderim mes njerëzve, dashuri, bashkim. Njëherë tha: "Enciklika Pacem in terris është dhurata ime për Pashkë për mbarë njerëzimin. Puna me këtë nuk ka përfunduar. Deri më tani kemi përparuar mirë, mirëpo duhet guximshëm të vazhdohet ky rrugëtim."
           
         "VUAJ ME DHEMBJE DHE ME DASHURI"
 
         Gjoni i Mirë tani më është në moshë të shtyer, me punë të vazhdueshme dhe me plot përgjegjësi, takime zyrtare, kujdesi për mbarë Kishën dhe për gjithë botën.  Ishte ky kryqi i përditshëm të cilin e bartte. Përpos këtyre halleve ishte e pranishme edhe sëmundja, mirëpo ai, si gjithnjë ishte i gëzuar, i qetë, optimist, pranonte vullnetin e Zotit. Mjekut i cili kujdesej për shëndetin e tij i tha: "E di se fati im është sikur i Radinit...Valixhet i kam gati për nisje." Pas disa minutave të heshtjes dhe menditimit,  vazhdoi: "Nëse Hyji kërkon sakrificën jetësore të Papës, atëherë kjo le të shërbejë për hire të shumta  të Koncilit Ekumenik,  të Kishës së  Shenjtë, të  njerëzimit i cili kërkon paqen."
         Sekretari personal Mons. Loris Capovilla, me lotë në sy ia kumtoi se gjendja  shëndetësore ishte keqësuar dhe se mjekët nuk mund të bënin më asgjë. Dhe qante. Gjoni i Mirë i tha: "Shihe, shihe, Sekretari im, i cili duket aq i fortë, tani shqetësohet dhe qanë kur erdhi tek unë për t'më kumtuar gjërën më të bukur e cila mund t'i thuhet meshtarit: "˜Sot do të shkosh në Parajsë...' E tash, ejani...Unë jam ipeshkëv, duhet të vdes sikur ipeshkëv, thjeshtë, por edhe dinjitetshëm..."
         Pas rrëfimit, vajmit të shenjtë dhe kungimit, në qetësësinë më të madhe, në sigurinë e fesë, tha: "Ja, duart e shtrira të Jezusit, ishin program i pontifikatit tim...Kërkoj falje nga të gjithë qysh nga rinia ime e deri me sot që kam pasur ndonjë mangësi Kam kërkuar, dëshiruar t'i dua të gjithë, iu kam dashur të gjithëve të mirën. Paraqes çdo vuajtje që të jenë të gjithë një: ut unum sint!... Vuaj me dhembje dhe me dashuri. Po e përcjell vdekjen time hap pas hapi. Tani me butësi drejtohem kah mbarimi...Mater mea, fiducia mea!"
         Vdiq në zë  të shenjtërisë  dhe  shenjtërisht më 3 korrik 1963, duke u lëshuar në duar të Zotit, në  Siguri tëJetës, të Ringjalljes.
         Gjoni XXIII ishte i mirë, i dashur,  i përvuajtur, njeri i shpirtit dhe zemrës së madhe. Jetoi kohën e tij, mirëpo  atë edhe e ka tejkaluar, me fejë dhe dashuri, si profet. Pikërisht për atë jeta dhe veprat e tija mbesin të vlefshme dhe gjithmonë aktuale për Kishën Katolike, për kishat e krishtëra, për çdo besimtari, për  çdo njeri.
         Shumë menduan se ai do të ishte një Papë kalimtar. Kurse ai, përkundrazi, ishte Papa i ndërrimeve, frymëzimeve, përtrirjeve, kthesave rrënjësore. Ai kishte zbatuar përditësimin për Kishën dhe në Kishë, kishte vizion profetik për ekumenizëm me botën e krishterë, dhe qëndrim të dialogut të hapur  me të gjithë.
         Për Kishën njëherë tha: "Kisha katolike nuk është ndonjë muze arkeologjik. Ajo është burim i vjetër, i cili jep gjithnjë ujin e ri brezave të tanishëm, siç iu ka dhënë edhe atyre para nesh."
         Kurse duke bërë një përmbledhje të jetës së vet,  kishte thënë kështu: "Punuam, i shërbyem Kishës, nuk jemi ndalur duke mbeldhur gurët të cilët na janë hedhur nga njëra apo ana tjetër... Dhe nuk kemi kthyer hudhjen e gurëve ndaj askujt... Një ditë Zoti, kur do të paraqitemi para tij, nuk do të na pyet a kemi bërë bashkimin, por do t'na pyet çka kemi bërë ne për bashkim... Kam nevojë për kryq. Jezusi Zot, më ndihmo ta barti me përvuajtëri dhe dinjitet!"
         Papa Gjoni XXIII na ka zbuluar "shenjat e kohës", kurse vet ishte dhe mbeti "shenjë" e kohës sonë, dhe më tepër "shenjë" e Zotit. Në nder të elterit është ngritur në 2000 vjetorin jubilar të krishtërimit, kur Papa Gjon Pali II më 3 shtator e shpalli të Lumtur.
 Dhe, ia, tash së bashku me të Lumin Gjon Pali II më 27 prill 2014 kanonizohet, shpallet edhe zyrtarisht Shën Gjoni XXIII-të, me kënaqësi, nderim, falënderim dhe dashuri të mbarë Kishës Katolike, të krishtërimit, të botës mbarë.
                                                                                                             

Don LUSH GJERGJI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DËSHMORI I UÇK-së, ZBULOHET LETRA E SHKRUAR PARA VDEKJES (04.24.2014)
KRAJLIZIMI I MALIT TË ZIStudim nga RAMIZ LUSHAJ (04.24.2014)
TAULANT BALLA ME BASHKËSHORTEN E ME XHEMI SHEHUN NDJEKIN REAL-BAJERN, FOTO NË NJË GAZETË NË SPANJË - MAJKO PYET NË KUVEND: KU I GJEJNË PARATË QË SHOHIN BAJERNIN (04.24.2014)
SHOQATA 'DARDANIA' - ATY KU TUBOHEN MËRGIMTARËT SI NË 'ODËN E JUNIKUT'Nga IDRIZ ZEQIRAJ (04.23.2014)
THAÇI NË RAMBUJE RA NËN HIJEN E MILLOSHEVIÇIT - E JO IBRAHIM RUGOVA NËN HIJEN E THAÇITOpinion nga XHAFER LECI (04.23.2014)
“VULLNETI I TYNE I FUNDIT !..”Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...Nga FRITZ RADOVANI (04.23.2014)
MERITA HALILI - NUK KAM KËNDUAR NË BEOGRAD (04.23.2014)
ZDRAVKO NË TIRANË - FTESA E GABUAR...Opinion nga ILIR SECI (04.22.2014)
MEKSIKO - LAMTUMIRA E FUNDIT PËR GABRIEL GARCIA MARQUEZIN (04.22.2014)
POEZI NGA KAROL WOJTYLA - PAPA GJON PALI II - VETËM PËR SOT (04.22.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]