VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Alpioni: Kush e tradhtoi Nënë Terezën? -Feja dhe Mosbesimi në Postmodernizëm E Mërkurë, 12.09.2009, 08:51pm (GMT1)
Në këtë vepër ju dilni me tezën që Nënë Tereza u tradhtua nga kolegët e vet religjiozë, çfarë kuptoni me këtë? Nënë Tereza u hapi zemrën rrëfyesve të saj shpirtëror, së pari në fillim të viteve 1950-të, për dyshimet që ajo kishte në lidhje me ekzistencën e Zotit. Kur ajo u bë e njohur në Indi dhe më vonë në botë, Nënë Tereza ngulmoi për dekada të tëra që rrëfimet, letrat dhe ditarët e saj t'i ktheheshin nga kryepeshkopët e Kalkutës dhe rrëfyes të tjerë shpirtëror. Kërkesat e Nënë Terezës ranë në vesh të shurdhër dhe 10 vjet pas vdekjes së saj, këto dokumente u bënë publike. Ata që aprovuan botimin e këtyre dokumenteve nuk e respektuan dëshirën e Nënë Terezës, e cila nuk mund ta kishte shprehur më qartë dhe më me vendosmëri se ajo nuk dëshironte në asnjë mënyrë dhe asnjëherë, që këto materiale të shikonin dritën e botimit. Çfarë e tronditi besimin e saj tek Zoti? Nënë Tereza nuk ishte një murgeshë ordinere; ajo kishte një mendje të mprehtë dhe shpirt delikat. Letrat e Nënë Terezës nxjerrin në pah disa arsye se përse besimi i saj tek Zoti u lëkund kaq shumë, veçanërisht kur ajo ishte në të tridhjetat. Unë identifikoj disa arsye që mund të shpjegohen në kontekstin e disa faktorëve në jetën e saj personale si dhe në kontekstin e konkluzioneve që Jungu nxori në lidhje me fazën/procesin e "individuation" . Ju keni qenë kundër botimit të letrave të Nënë Terezës, përse? Si studiues, për mua botimi i letrave të Nënë Terezës është gjë shumë e mirë, sepse më lejon mua dhe kolegëve të mi të studiojmë më mirë këtë figurë komplekse. Megjithatë, nga ana e etikës, botimi i letrave në kundërshtim të plotë me vullnetin e Nënë Terezës është padrejtësi që mund të interpretohet si fyerje ndaj kujtimit të saj, si dhe një akt arrogant dhe i dënueshëm nga ana e editorit, që i lejoi vetes liri që nuk i takojnë. Përse Nënë Tereza nuk preferonte të fliste për jetën e saj? Arsyet janë të shumta dhe disa prej tyre i kam shtjelluar në librin "Mother Teresa: Saint or Celebrity?" ("Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme?"), që u botua në anglisht në vitin 2007 dhe në italisht në 2008-n. Nënë Tereza nuk preferonte të fliste për fëmijërinë e saj, pasi ajo lidhej pazgjidhshmërisht me dhimbjen e madhe që vdekja e pa pritur e babait i shkaktoi, kur ajo ishte 8 ose 9 vjeçe; kjo ishte një traumë nga e cila Nënë Tereza nuk u "shërua" plotësisht gjatë gjithë jetës. Po ashtu, Nënë Tereza nuk dëshironte që të publikohej se babai i saj patriot, Nikollë Bojaxhiu mund të ishte helmuar në Beograd nga nacionalistët serbë. Nënë Tereza ishte shërbëtore besnike e Kishës Katolike dhe ajo ishte e vendosur që të mos shkaktonte edhe një tension tjetër në marrëdhëniet gjithmonë të tensionuara midis Vatikanit dhe Kishës Ortodokse. Heshtja e Nënë Terezës për familjen e saj kushtëzohej edhe nga qëllimi i saj për të mos bërë publike lidhjet e vëllait të saj Lazarit me ushtrinë fashiste. Kur u pushtua Shqipëria në vitin 1939, Lazari u largua për në Itali, ku u radhit menjëherë në ushtrinë e Musolinit. Nënë Tereza e dinte se sa e dëmshme për imazhin e saj si `shenjtore e gjallë' do të ishte publikimi e këtij fakti. Marrëdhëniet e mira të Vatikanit me Musolinin dhe Hitlerin vazhdojnë të jenë edhe sot një çështje tepër e ndjeshme për Selinë e Shenjtë, dhe Nënë Tereza e dinte këtë gjë shumë mirë. Së fundi, Nënë Tereza nuk dëshironte të flitej për familjen e saj, veçanërisht kur nëna dhe motra e saj banonin në Shqipëri pasi ajo nuk donte t'u shkaktonte probleme me autoritetet komuniste. Deri tani nuk janë gjendur dokumente që tregojnë se qeveria e Enver Hoxhës i keqtrajtoi nënën dhe motrën e Nënë Terezës. Arsyeja se përse komunistët nuk i lejuan nënën dhe motrën e Nënë Terezës të vendoseshin në Itali ka të bëjë më tepër me të kaluarën fashiste të Lazarit, se sa me aktivitetin fetar të Nënë Terezës.
www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |