E Premte, 04.19.2024, 11:04pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
DEMOKRACIA APO DOSJET E HAPURA?
Grotesk nga REZART PALLUQI

E Martë, 07.22.2014, 07:35am (GMT+1)



-Mos e hap dritaren pa gjetur dosjen- urdhërova gruan time të entuziasmuar nga brohoritjet dallgëzuese të turmës gjigande të njerëzve, të cilët ishin mbledhur në Sheshin Skënderbej për të festuar sipas tyre, fitoren e parë të madhe demokratike.

Por gruaja, jo vetëm që e hapi dritaren, por e vari kokën jashtë dhe e koloviti si një saksi luleje, që lëkundet majtas e djathtas nga forca e erës vjeshtore. Dallgët e zërave të ekzaltuar vërshonin në dhomë me ritme të çrregullta, herë të shponin daullet e veshëve dhe herë fashiteshin kur zëvendësoheshin nga kori i fishkëllimave, që miratonin padyshim fjalët e mëdha të udhëheqësit të tyre.

-Sot e gjete të kërkosh dosjen? Të thashë që s'e kam parë këtu e dy javë. Eja tani në ballkon! Nuk humbet kjo ditë e shenjtë për një dosje!
-Është dosja e shpirtrave të prindërve të mi,që u groposën pa hënë, e harrove?-iu hakërrova.

Gruaja zgjodhi rrugën e mesme. Shprehu keqardhje të hapur për zhdukjen e dosjes, por fustanin festiv prej mëndafshi blu, që ia pata blerë për ditëlindje, e veshi që e veshi. Ajo doli së bashku me dy djemtë e mi në ballkon për të mos humbur as edhe një minutë nga shfaqja e festës së fitores demokratike të vitit 1992,ndërsa unë e vrava të gjithë pasditen duke gërmuar në çdo cep të shtëpisë. Nuk lashë vend pa kërkuar: në sirtarët, në komodinat, në dollapin e rrobave ,ku zakonisht fshihja dokumente të rëndësishme, por pa dobi. Nuk e hasa gjëkundi dosjen me kopertinë të bardhë,e cila ishte gjëja më e vyer, që ruaja në jetë. Nëse një fëmijë ruan një unazë, një zinxhir ose një byzylyk floriri prej prindërve të vdekur, unë ruaja si sytë e ballit dosjen, ku ndodhej aktakuza, vendimi gjyqësor dhe motivi i ekzekutimit të prindërve të mi, pasi unazat apo varësen prej floriri ata i morën me vete në dhé. Tim atë e pushkatuan, sepse një ditë i tha një shokut të tij që, flamuri amerikan i pëlqen, pasi ka më shumë yje se flamuri shqiptar me një yll të vetëm. Simpatia e shprehur për flamurin amerikan buronte nga pasioni i tij i madh për yjet.Im atë ishte ylldashës dhe jo filoamerikan. Profesioni im i fundit në kohën e diktaturës ishte pastrues ndërtesash publike. Një vit përpara se diktatura të jepte shpirt më emëruan përkohësisht pastrues në ndërtesën e gjykatës së rrethit. Gjatë tetë javëve që punova atje, arrita të futem në sallën e arkivave, ku ndodheshin dosjet e krimeve të diktaturës. Me duar të dridhura dhe me sy të lagur nga lotët, dallova raftin e dosjeve të vitit 1976. Kisha vënë kokën në rrezik, prandaj m'u duk e udhës të mos e kërkoj dosjen me emër. Rrëmbeva me shpejtësi të gjitha dosjet e vitit 1976, që ishte viti i ekzekutimit të babait tim, i futa në një thes linoje ngjyrëkafe dhe me zemër të ndrydhur mora rrugën e muzgët dhjetoreske, me shpresën se nuk më kishte parë njeri. Kur mbërrita në shtëpi, vërejta se kisha në duar tetëdhjetë e dy dosje, tetëdhjetë e dy shpirtra të pafajshëm, që kishin hidhëruar ndoshta tetëqind e njëzet familje. I kam lexuar me qindra herë motivacionet e paqarta, akuzat çnjerëzore të regjimit. Emrat e të dënuarve i mbaj mend pothuajse përmendsh. Dhe kur u binda plotësisht, se misioni i hapjes së dosjeve do të kryhej me sukses, zbulova sot, mbas një viti, zhdukjen e dosjes së tim eti dhe të tetëdhjetë e një viktimave të tjera. Ime shoqe dinte vetëm për vendndodhjen e dosjes së tim eti, kurse im vëlla kishte dijeni të plotë, si edhe vendin sekret ku i pata fshehur. Atij i kisha rrëfyer hollësisht për dosjet në vitin 1990. Nga natyra, unë nuk e kisha në thua politikën, kurse im vëlla po. Ai kandidoi në vitin 1992 dhe u zgjodh triumfalisht deputet i qeverisë së parë demokratike, i favorizuar jashtëzakonisht nga dosja e babait tonë të pafat, dosja e të "përndjekurve" siç i thonë.

-Drejtësia do të shkojë në vend vëlla. Sidomos, tani që u bëra deputet, fajtorët do të vihen në bankën e të akuzuarve- më premtoi ai për të satën herë.
-M'i jep që tani dosjet, t'ia dorëzoj drejtësisë tonë demokratike -më tha me hare. Ia dhashë me lotë në sy të tetëdhjetë e një dosjet, përveç asaj të tim eti.
-Do të ta jap më vonë. Dua ta mbaj edhe pak dosjen e babait-i propozova.

Pashë që e pranoi me një lëvizje koke të dyshimtë propozimin tim. Megjithëse kanë kaluar njëzet e tre vite, tetëdhjetë e një dosjet, që i dhashë vëllait, jo vetëm që nuk u hapën, por më e keqja është se, dosja e tim eti u zhduk përgjithmonë. Dyshoj se im vëlla ma ka grabitur gjatë kohës që qëndroi në shtëpinë time, kur unë me familjen time ishim me pushime.

-Durim, durim vëlla, se do të hapen dosjet- më dëbon ai me duar bosh sa herë që e vizitoj në shtëpi dhe ankohem për vonesën e pakuptimtë dhe shpirtbrengosëse. Herën e fundit vendosa t'ia përplas derën në fytyrë.
-U shtua edhe një dosje më duket, dosja e pahapur e vëllait tim- e akuzova,i bazuar nga fakti që, ai pranoi të shkëmbejë dosjet e viktimave,përfshirë edhe atë të babait tim, me pasurinë kolosale, që vuri brenda një kohe të shkurtër.

Dritaren dhe ballkonin, nga ku gruaja dhe fëmijët e mi, njëzet e tre vite më parë, brohoritën dhe kënduan këngët e demokracisë, i kam mbyllur me mure të trashë tulle. Qysh atëherë nuk ma bën zemra t'i afrohem dritareve, jo më të vozis sheshin e lavdishëm ose tragjik. Detin e zërave të mallëngjyer e kam fshirë plotësisht nga kujtesa. Edhe fustanin festiv të gruas time apo buzëqeshjen gati hyjnore të fëmijve të mi i kam harruar plotësisht. I vetmi fragment ,që më shfaqet vazhdimisht në mendje, si dielli çdo mëngjes në qafën e pjerrët të kodrave, është ofshama e papritur e djalit tim, kur tullumbacja ngjyrëkaltër, që aksidentalisht fluturoi në dhomën e pritjes ku po kërkoja dosjen, plasi me zhurmë sa të frikshme aq edhe qesharake. Disa sekonda para se tullumbacja të hynte në dhomë, zbulova pesë gjilpërat e flamurit me të cilat ishin kapur fletët e dosjes së babait.

-Gjilpërat e flamurit i gjeta, por fletët e dosjes jo!-ulëriva i trishtuar. Majat e gjilpërave të flamurit po i mbaja me duar të ngrira, të drejtuara me majë nga dritarja. Pikërisht, atë çast pashë tullumbacen të fluturonte si maja e aeroplanit të kamikazit drejt majave të pesë gjilpërave të flamurit. Fjalët "Liri, Demokraci", të shkruara me bojë të zezë në faqet e holla ngjyrëkaltër të tullumbaces, ranë të copëtuara përdhe në dysheme si leckat e rrobave të një njeriu të indinjuar, që digjet i gjallë në mes të sheshit të qytetit në shenjë proteste.

Holandë, qeshor 2013
REZART PALLUQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PERSEKUTIMI I KLERIT KATOLIK, FILIP MAZREKU - VËLLAIN MA VRANË KOMUNISTËTNga VELI HAKLAJ, studiues (07.22.2014)
KADARE - KY ËSHTË ROMANI IM I PARË I VËRTETË, E MOHOVA, DUKEJ I PRAPAMBETUR (07.21.2014)
DUART E MIA NË NJË PALË PRANGA ME DUART E HASHIM THAÇITOpinion nga REXHEP SHAHU (07.21.2014)
ORFEU QË DOLI NGA NËNTOKA E GLLAMNIKUT (07.21.2014)
ANGELA MERKEL DHE KONFLIKTI SHKUP-ATHINËNga PETRIT HALITI (07.21.2014)
NASHO JORGAQI LETËR ISMAIL KADARESË - E KALUARA AS SHITET DHE AS BLIHET DOT (07.20.2014)
VIKTOR MARTINI - QEVERITARËT TA DINË SE SHQIPËRIA NUK HYN NË EVROPË ME LIGJET KOMUNISTEIntervistoi: ELIDA BUÇPAPAJ (07.20.2014)
PERSEKUTIMI I KLERIT KATOLIK - MERREN NË PYETJE AT FRANO KIRI DHE AT ÇIRIL CANIStudim nga VELI HAKLAJ (07.20.2014)
EVROPA E BASHKUAR DHE SHQIPTARËT (VIII)Studim nga BRAHIM AVDYLI (07.20.2014)
DITARI I GJON MARK NDOJIT - SI U BË GJENOCID NË MIRDITË PËR VRASJEN E BARDHOK BIBËS (07.19.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]