VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

“MURAT GECAJ, NGA TROPOJA, BURIM PENA E MJALTË GOJA!”
Nga SEJDO HARKA   

E Enjte, 07.24.2014, 08:00am (GMT1)



S.Harka

Sapo dëgjoj këngën "Tropojani", interpretuar nga këngëtari virtuoz Gjergj Leka,  mrekullohem,jo vetëm  nga mesazhet e ngrohta, që  ajo përçon, por edhe sepse kjo këngë e rrallë më sjell pranë, si në ekran,  portretin e shokëve dhe miqëve  më të mirë tropojanë. Ata janë të shumtë, por unë po veçoj njërin prej tyre. Ai është prof. Murat Gecaj, shëmbëlltyra e virtyteve më të mira të njerëzve, që kam njohur në ato anë. Te figura e "heroit" të asaj kënge, që tashmë është kthyer në  hit i sakrificës dhe bashkimit, mirënjohjes dhe përkushtimit për njerëzit, gjej jo vetëm  portretin e  mjekut tropojan, që i shpëtoi  jetën një tiranasi, por edhe atë të intelektualëve  të  thjeshtë, si  Murat Gecaj, i cili, nëpërmjet veprimtarisë së dendur shoqërore, krijimtarisë së gjerë, fjalës së ngrohtë dhe gatishmërisë për të ndihmuar  njerëzit, ka fituar dashurinë dhe respektin e tyre. Besa dhe bujaria, mirësjellja dhe dashuria, përkushtimi për punën dhe mënçuria e intelektualëve të tillë, kanë sfiduar edhe veprimet e papërgjegjshme  të ndonjë individi të vëcantë, i cili, në vend të bashkimit, mbjell  përçarjen; në vend të dashurisë, urrejtjen dhe në vend të mirkuptimit, grindjet dhe  sharjet.

Prof. Murati, krenohet që është lindur e rritur në një familje atdhetare e liridashëse, në Bujan të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), fshat me bukuri të rralla, që" mbështet kokën" mbi kreshtat e bardha të Alpeve dhe"lan këmbët" në ujërat e kristalta të Valbonës. Këto anë shquhen, ,jo vetëm për tradita të lashta patriotike, por dhe sepse ato u bënë "djepi", ku  lindën  Heronj të tillë si B.Curri ."Bujani,thotë  ai,-për mua është  si një magnet, që më tërheq  drejt detit të kujtimeve, sa të  trishta aq dhe të  bukura, sa të dhimbshme aq dhe të gëzuara. Aty gjej gjithçka: vuajtjet e gëzimet, lodrat e kujtimet, eshtrat e të parëve dhe shqetësimet, ëndrrat "e grisura" dhe forcën  për ringritje, shokët e fëmijërisë dhe këngët, shpirtin dhe zemrën... Prandaj, vazhdon ai, kurrë s'do të pushoj së shkruari   për bukuritë e rralla dhe për historinë e gjallë, për traditat e lashta dhe njerëzit   trima e bujarë të atyre anëve".

E kush nuk ia çeli  portën e shtëpisë dhe zemrën, publicistit të mirënjohur   Murat Gecaj! Prandaj  shpesh thotë :"Unë jam nga e gjithë Shqipëria". Edhe shokët e krushqinë  i ka nga tërë Atdheu: nga Vlora e  Skrapari, nga Shkodra e Kukësi, nga Saranda e  Përmeti, nga Durrësi e Lezha, nga Gjirokastra e  Berati, nga Elbasani e Korça....Kush e njohu nga afër, dhe nuk u mbrekullua nga karakteri i tij i fortë dhe bujaria, nga guximi  dhe vendosmëria, nga sinqeriteti e thjeshtësia. Kudo që ai shkel, mbjell kulturë dhe ëmbëlsi, buzëqeshje dhe dashuri. Në çantën e tij të vogël, me të cilën rend  pa u lodhur çdo ditë, në çdo cep të Tiranës dhe të Shqipërisë, trazuar me librat mban edhe karamele me qumësht, edhe shishka me raki, edhe portokalle të freskëta, edhe mandarina plot ëmbëlsi. Bashkë me fjalët e ngrohta  dhe kafen e nxehtë, ua dhuron shokëve dhe miqëve  të tij, me të cilët kurrë nuk ngopet  së foluri e së diskutuari.


Mësimet e para  i mori në vendlindje. Mbas mbarimit të  shkollës  së mesme në kryeqytet dhe dy vjet në degën gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës, ai  dërgohet për studime në universitetin "Zhdanov" të Petërburgut (ish-Leningrad), për dialektologji. Për shkak të prishjes së marrdhënieve me Bashkimin Sovjetik, ai rikthehet në Shqipëri, për t'i përhunduar studimet,  me rezultate të larta, në Universitetin Shtetëror të Tiranës, për gjuhë dhe letërsi shqipe.-Kur u largova   prej andej- kujton Murati-m'u duk sikur m'u shkul diçka nga  gjoksi. Zjarrin e ëndrrave rinore të atyre viteve, dalëngadalë ma shuan "shirat e ftohta", që vinin nga" ngricat" siberjane...
"Edhe pse   studimet e larta i mbaroi për mësuesi, Murati tërë jetën, mbi 40 vjet, ia kushtoi gazetarisë. Jo vetëm për ndihmesën e gjatë, por dhe për cilësinë e shkrimeve, ai edhe sot e kësaj dite, thirret me emrin kuptimplotë, "Murati i gazetës Mësuesi".  Duke punuar  për një kohë të gjatë në disa gazeta, si "Pionieri","Bashkimi","Mësuesi"..., u dashurua aq shumë me këtë prufesion, sa që edhe në biseda të lira, shpesh thotë: "Edhe sikur jetën ta nisja nga e para, përsëri  do të punoja gazetar. Këtë profesion nuk e mësova,  duke soditur nga brigjet  e lumenjëve, por duke notuar mes dallgëve të fryra nga shtërngatat e kohërave. Gjatë punës në shtypin e shkruar, kam përjetuar edhe gëzimin edhe trishtimin, edhe fitoren edhe dështimin, edhe frikën edhe guximin. Ankthi është bashkudhëtar i përhershëm i gazetarit, në të gjitha sistemet, por veçanrisht në  atë monist. Botimi i një kritike të fortë, do të "priste", ose kokën e  të kritikuarit, ose atë të gazetarit. Një kritikë e fortë, ose të ngrinte në qiell, ose të rrëzonte prej andej, si breshka e lëshuar nga kthetrat e skifterit".

Muratin, edhe pse ka afër 12 vjet, që ka dalë në pension, çdo ditë  e sheh  duke rendur nëpër biseda e takime, debate e përurime librash të reja, duke mbajtur shënime e bërë fotografi. Pastaj, me shpejtësinë e erës, ulet e shkruan njoftime  e shkrime, të cilët i publikon në faqet e ndryshme të internetit ose në shtypin e shkruar. Gjatë tërë jetës, ai ka bashkëpunuar me  mbi 45 gazeta e mbi 30 revista, që botohen  brenda dhe jashtë vendit, si në Kosovë, Shkup e Mal i Zi, Amerikë e Suedi, Itali e Greqi, Francë e Austri,  Hollandë, Zvicër e Belgjikë...

 Dijet e veta, kurrë nuk i quajti të përfunduara,  vetëm  me mbarimin e një universiteti, qoftë edhe me arritje të shkëlqyera. Prandaj, në moshën  50-vjeçare, i hyri punës për mbrojtjen e disertacionit, me të cilin mori gradën "Doktor i Shkencave". Ndërsa, dy vjet më vonë, mori titullin e lartë "Prof. i asoc.". Është autor i 13 veprave, me tematikë të gjerë e të  fushave  të ndryshme, si dhe i mbi 10 librave të tjerë me bashkautorësi. Në krijimtarinë e tij, veç të tjerave, lëvron portretin dhe monografinë, shënimet e udhëtimit dhe jetëshkrimin, historinë e arsimit dhe gjuhësinë, skicën dhe letërsinë. Objekt i shkrimeve të tij më të mira janë bërë figura të tilla të shquara të Kombit  e kulturës, si B.Curri e H.Prishtina, M.Sokoli e A.Jashari, E.Çabej e B.Dedja, A.Kostollari, A.Buda, V.Zela e N.Pagarusha.... Edhe pse ka  shktuar e botuar  kaq shumë, ai vazhdon të punojë çdo ditë për përfundimin e librave të reja, siç është ai, që ka në duar, për mbi 80 femra krijuese shqiptare, që banojnë e punojnë, jo vetëm në Shqipëri, po  dhe në shumë vende të tjera të botës. Në  këtë libër, autori zbulon jo vetëm  forcën  krijuese të tyre, por edhe sfidën përballë  egërsisë së maskulizmit të kohës. Eshtë  fatkeqësi, shprehet ai, që edhe sot e kësaj dite, ajo (gruaja), që mbjell  jetën dhe dashurinë, të korrë  urrejtjen dhe vdekjen!?

Murati është dhe një veprimtar i rrallë shoqëror. Ai ka mbi 12 vjet  që jep ndihmesën e tij të çmuar, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë. Për veprimtari të dendura  shoqërore e kulturore,  është zgjedhur "anëtar nderi" në disa shoqata të diasporës shqiptare, në vende të ndyshme të botës.  Ai shpesh bëhet nismëtar e organizator i bisedave dhe diskutimeve, i vizitave dhe takimeve ndërmjet kolegëve e miqëve, studiuesve e publicistëve, shkrimtarëve dhe artistëve. Bashkë me disa intelektualë e krijues të fushave të ndryshme, si S.Hasko, B.Xhama,V.Kona, B.Hasko, P.Koçi, H.Veshi, P.Bejtja, P.Hysi, Q.Mara, I.Hajdarmataj ..., ka ideuar një lëvizje kulturore, pa norma e rregulla të ngurta, të cilën e ka pagëzuar me emrin  kuptimplotë, "Kompania  lëvizëse".Veprimtaritë e saj  të  përhershme  janë: shpërndarja e librave të rinj falas dhe diskutimet, organizimi i festave  dhe ditlindjeve, përurimi i vlerave dhe  kujtimeve. Në dreka e kafe të përbashkëta, bëhet humor e ngrihen dolli, përçohen mesazhe urimi e recitohen bejte e poezi, jo vetëm për të përçuar kulturë, por edhe për të sfiduar hallet dhe shqetësimet e përditëshme. Intelektuali, si militant shoqëror,-thotë Murati,-vetasgjësohet, kur mbyllet në guackën e tij. Në  përgjithësi, ai është tepër i qetë dhe i ekuilibruar, dashamirës e paqësor. Po, kur ndokush guxon ta prekë në "kallo", si malësor tipik, bën që të marrë zjarr edhe strralli. Prandaj, tërë jetën,  askush s'ka guxuar t'ia mbyllë gojën ose ta tërheqë prej hunde. Kurrë nuk i pëlqen të mburret. Sepse, siç  thotë ai, mendjemadhi nuk i ngjan as pulës që përplas krahët, kur bën vezën!

Murati është jo vetëm një shok dhe mik i mirë, por dhe një bashkëshort shëmbullor, një prind e gjysh i dhimbshëm dhe tepër i rrallë. Pikë e dobët e tij janë tre fëmijët, Arjani, Mirela dhe Altini, por veçanërisht niprit e mbesat, që jetojnë brenda dhe jashtë Atdheut.

Me Deivisin e Dorelën, të cilët e thërresin "Babush", nuk ndahet për asnjë çast. Për ta  shkruan  edhe libra me skica e kujtime,  sic është ai, botuar kohët e fundit, me titullin "Dorela", Synimi i tij është që të përcjellë tek ata  dhe moshatarët e tyre, dashurinë ndërmjet brezave dhe krenarinë për gjithçka të mirë, që lënë  pas të parët e tyre. Por aty jep edhe mesazhin se, prindërit e gjyshërit, duhet t'I shoqërojnë kudo fëmijët, nipat dhe mbesat e tyre. Dy djemtë e tij, u larguan në mënyrë të befasishme, me eksodin e anijeve të 6 marsit 1991, pa u shfaqur mirë "dielli" i demokracisë ..-Ditën e largimit të "dritës" së syve tanë,-kujton Murati,-unë  dhe Katerina (bashkëshortja), përjetuam  ethet e një ankthi  të tmerrshëm. Ato na i shtonin edhe thashethemet e shumta, që dëgjoheshin poshtë e lart, se"tradhëtarët", me të hyrë në det, do të qëlloheshin pabesisht nga mbrapa; se, sapo të dilnin në bregun e përtejmë, do të  hidheshin në det!...Por fati  e solli që  ajo ëndërr e frikshme të kthehej në gëzim. U mbrekulluam  shumë, kur dëgjuam zërin  e gëzuar të Arjanit  dhe Altinit, të cilët nga bota e lirë e përtejdetit, të emocionuar, na njoftonin:"Mbërritëm  shëndosh e mire!" Ky  është gëzimi më i madh që kemi ndjerë, gjatë tërë  jetës sonë. Edhe  sot, ata jetojnë e punojnë atje, bashkë me familjet e tyre. Sigurisht edhe ne kemi qenë për vizitë dhe jemi kënaqur me jetën, që bëjnë. Në raste festash dhe ditëlindjesh, si për të na rikujtuar ankthin e largimit, në mënyrë të befasishme, me njerëz të njohur na dërgojnë dhurata e buqeta me lule. Katerina është  jo vetëm mbështetësja dhe lexuesja   e parë, por dhe kritikja  më e sinqertë dhe më e rreptë e shkrimeve dhe e librave të tij. Shpesh, thotë Murati, ajo më  qorton, veçanërisht për ngjyrimet  e theksuara  publicistike, që u jap shkrimeve dhe librave, të të gjitha llojeve. Por më ashpër ajo  e kritikon për kohën e gjatë, që rri  duke shkruar në kompjuter ose duke rendur, për të zhvilluar një veprimtari të ngjeshur ditore, pa marrë parasysh dëmtimin e shëndetit. Ndërsa  ai për t'u përligjur, plot humor ia kthen:"Puna dhe bisedat e përditëshme, me miq e shokë, janë ilaçet  e mia më të mira".

Ja, shkurtimisht, ky është prof.Murat Gecaj... Përherë  në lëvizje, i përkushtuar për gjithçka dhe i gatshëm për të ndihmuar të gjithë njerëzit. Prandaj, kur ai organizon përurimin e librave të tij ose ditëlindjen, salla mbushet  aq shumë, sa që nuk ke ku të hedhësh kokrrën e mollës. Nga shumë shokë e miq, të cilët jetojnë e punojnë jo vetëm brenda, por dhe jashtë  Shqipërisë, qoftë dhe nga vendet më të largëta të botës, si dhuratën më të shtrenjtë i dërgojnë,  jo  vetëm telegrame e mesazhe urimi, por dhe   vargje të  tillë  kuptimplotë, si këta të shkrimtarit të njohur dhe "Mësuesit të merituar", Bardhyl Xhama: "Murat Gecaj,  nga Tropoja, burim pena e mjaltë goja!...".

Tiranë, korrik 2014
SEJDI HARKA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.