VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PSE U HARRUA 10 KORRIKU
Nga NDRIÇIM MEHMETI

E Enjte, 07.24.2014, 04:11pm (GMT1)


Këtë vit, Shqipëria pritet të festojë 70-vjetorin e Çlirimit të vendit prej pushtuesve nazifashistë. Ndonëse nuk kemi ende një agjendë shumë të njohur për këto festime, dimë gjithaq se kemi një komision shtetëror që merret me organizimin e këtyre festimeve, të cilat kanë filluar me përkujtimin e 5 majit, 24 majit, dhe do të kulmojnë me festimet në datën 29 Nëntor. Duke ndjekur me vëmendje festimet e 5 majit dhe 24 majit, të cilat thuajse prekën gjithë Shqipërinë, mendova se nuk do të kishte dallime për të gjitha ngjarjet. Pra në të njëjtën mënyrë do të përkujtohej edhe 10 korriku, e më pas mbledhja e Tapizës dhe Konferenca e Mukjes, e pastaj krijimi i Brigadës së Parë Sulmuese etj. Mirëpo 10 korriku iku pa u ndier fare. Disa historianë dhe drejtues institucionesh të memories historike, që ishin betuar për zhvillimin e aktiviteteve gjithëpërfshirëse, as që u kujtuan të na vënë ndonjë foto, së paku në rrjetet sociale ku ata nuk lënë rast përkujtimor pa shënuar. Fati, do thotë dikush, i ndihmoi, pasi njerëzit e kishin mendjen tek Botërori dhe jo tek bëmat e luftës 71 vite më parë. Por ky nuk është argument fort bindës. Gjatë gjithë kampionatit, vinin e iknin, foto, ftesa, kumtesa, libra, figura të shquara e të panjohura, që kalonin sa në një sallë në një tjetër për aktivitete. Pra 10 korriku u harrua dhe pak vetë u kujtuan për të. Instituti, Muzeu Historik Kombëtar, Arkiva e Shtetit, Shoqatat e Veteranëve dhe madje edhe partitë e kujdesshme, në kësi rastesh, nuk u panë gjëkundi. Shkrimet në gazeta, edhe pse shumë të dobishme, nuk arritën t'i japin rëndësinë e duhur. Nuk ndodhi asnjë ngjarje, në asnjë institucion që merret me historinë. Nga historianët nuk foli askush. Heshtje dhe vetëm heshtje. Thua ta kenë harruar prej Botërorit? Aspak! Jo, nuk ma ha mendja se ka ndodhur kështu. Aq më tepër që 10 korriku nuk është si 5 apo 24 maji. Prej 1944-ës dhe deri përpara 24 vitesh, kjo ditë simbolizonte datën e vërtetë, sipas historianëve të asaj kohe, të krijimit të ushtrisë moderne shqiptare. Cilat janë shkaqet që kjo datë e "bekuar" dikur u arshivua në fondin e harresës? Si çdo pyetje, edhe kjo e ka shpjegimin e vet. Përkujtimi i formimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare (UNÇSHP), u hap punë ithtarëve të komandantit legjendar Hoxha. Kjo, pasi Enver Hoxha u vetëquajt komandant pas lufte, pasi në Labinot të Elbasanit më 1943-shin, ai u emërua si komisar dhe detyra e komandantit të Shtabit të Përgjithshëm iu besua majorit Spiro Moisiu. Pavarësisht shtrembërimit të kahershëm të rëndësisë së kësaj ngjarjeje, mendova se së paku, ata të cilët udhëhoqën luftën në pikëpamje ushtarake, do të kujtoheshin. Mirëpo duket se për këtë ka pak interes. Kisha menduar se kjo datë ishte një rast i mirë për të na vërtetuar se historia është gjithëpërfshirëse, e paanshme, e kësi pallavrash që kemi kohë që i dëgjojmë, e që disa të rinj e të vjetër dinë t'i thonë lart e poshtë. Platformat e hartuara dhe betimet e bëra në studio luksoze dhe nga zyrat e rinovuara, nuk u vërtetuan dot në realitet. 10 korriku ishte rasti për të na thënë e treguar edhe njëherë disa të vërteta të cilat nuk janë thënë dhe për të përsëritur edhe ato që janë thënë se na bëjnë mirë.

Fjala vjen, ishte rasti të na thuhej se cila qe pozita aq e lëvduar e strategut Enver Hoxha deri përpara krijimit të Shtabit të Përgjithshëm dhe roli i tij në këtë organizëm luftarak, deri në përfundim të luftës? Cili ishte roli në luftë i kapiten Dali Ndreut (zv/komandant i Shtabit të Përgjithshëm dhe më pas gjeneralmajor), major Abaz Kupit, toger Bedri Spahiut, Haxhi Lleshit, Myslym Pezës, Mustafa Xhanit (Baba Faja Martaneshit), nënkolonel Mustafa Gjinishit, Ramadan Çitakut, Sejfulla Malëshovës dhe Ymer Dishnicës.

Cili ishte fati i thuajse 2/3 të anëtarëve të Shtabit, gjatë luftës dhe pas luftës?

Përse patriotët dhe të shkolluarit u mënjanuan dhe të tjerët s'pësuan asgjë?

Si u eliminua ende pa përfunduar lufta, Mustafa Gjinishi, nxënësi i shkëlqyer i Shkollës Teknike amerikane në Tiranë dhe Akademisë Ushtarake në Itali? Cila ishte arsyeja që Hoxha e quan njëherë agjent të anglezëve Gjinishin, e njëherë luftëtar të paepur të kauzës çlirimtare të shqiptarëve? Përse u prishën marrëdhëniet e Hoxhës me patriotin dhe qëndrestarin e parë kundër fashizmit në Shqipëri, major Abaz Kupin? Si u trajtua profesori dhe letrari i shquar Sejfulla Malëshova (i njohur edhe me emrin letrar Lame Kodra) pas luftës? Përse u mënjanuan pas luftës komandanti Spiro Moisiu, një ushtarak karriere që në vitet '30, dhe dr. Ymer Dishnica? A meritonte gjeneralmajor Dali Ndreu të ekzekutohej, së bashku me bashkëshorten e tij, me akuza qesharake dhe të pushkatohej në një vend të fshehtë, kur ende askush nuk di se ku prehen trupat e tyre? Si shpjegohet fakti që pas luftës, nga 10 anëtarët e shtabit, vetëm Çitaku, Peza dhe Lleshi bënë një karrierë të patrazuar? Të tjerët, kush më shpejt e kush më vonë, e pësuan. Valës së eliminimit nuk i shpëtoi as prokurori i hekurt Bedri Spahiu. Pasi u lumturua për disa vite me shprehjen që e kishte nxjerrë vetë: "Tradhtarët porsi miu i dënon Bedri Spahiu", ra brenda pak viteve në çarkun që ai kishte ngritur. Natyrisht që këto ngjarje duan analiza të gjata, por që duket hapur se nuk ua ka ngenë njeri, ose më mirë, nuk duan të trazohen.

Në ditët e nxehta, politikanë, opinionistë të politikës, historisë, futbollit, modës dhe madje edhe tifozët tradicionalë të Partizanit, e kishin më shumë hallin se a do të fitonte kupën e botës Gjermania, e jo si e luftuam ne gjermanin. Është më mirë të merremi sesi do të ringrihet Brazili, e jo sesi zhdukëm pa nam e nishan gjysmën e Shtabit të Përgjithshëm, apo përndryshe heronjtë e luftës. Është më mirë të merremi me gjendjen e sigurisë në Nigeri, sesa të hapim arkivat për gjërat që janë harruar. Zaten e kemi pasur më shumë dëshirë, të interesohemi më mirë për të huajt sesa për veten. Ne u bëmë copë që Tito të merrte Xhulia-Istrian, paçka se Kosova vuante nën thundrën e këtij diktatori. Po ashtu, ne nuk lamë gjë pa bërë për të drejtat e popullit vëlla vietnamez, por i lamë çamët rrugëve, pa bukë, pa përkrahje, dhe në pak vite eliminuam një pjesë të elitës së tyre si spiunë. Ne e mbajtëm dhe ushqyem Zhoao Amazonën, komunistin e madh brazilian në Shqipëri, vite të tëra me lekët e popullit shqiptar që ngrihej nga sofra i pangopur, por prof. Malëshovën e lamë të vdiste në mjerim të plotë.

Tani me siguri që, sipas logjikës së mësipërme, është koha të merremi se ç'do të bëjë Anglia në kampionatin evropian dhe jo të lexojmë raportet e anglezëve për luftën vëllavrasëse në Shqipëri, në periudhën 1943-1945. Tani ne mund të japim mend për gjithçka: Botërorin, qëndismat, turizmin elitar, malor, breg lumor, breg liqenor, ujëvarën etj., etj. Në fund të fundit, ç'na duhet të merremi ne me ata që janë eliminuar?! Luftë ishte dhe do vritej ndonjë. Po edhe pas luftës u bënë nja dy-tre gabime të vogla, u vranë ca njerëz, po kështu ishte regjimi, jo se kishte njeri qejf që t'i vriste. Prandaj zonja, zotërinj, shokë e shoqe (për ata që kanë qejf këtë etiketim), historianë ose jo, analistë e politologë, ekspertë të sigurisë botërore e zgjerimit euroatlantik, mos më broçkullitni shumë për paanshmërinë, mërinë, kotësinë, përjetësinë, heroizmin në Grykën e Mezhgoranit apo Qafën e Koshovicës. Trajtojini njësoj të gjitha ngjarjet, që të besojmë aq shumë në paanshmërinë tuaj. Filloni të thoni ca gjëra që disa vetëve nuk u pëlqejnë, apo qoftë edhe shumicës. Le të heqim dorë nga qejfbërja apo frika se po na mërzitet dikush, një grup apo një lagje, edhe në rastin kur kanë bërë namin në luftë me trimëritë e tyre. Ata më shumë do të nderohen, nëse të gjitha tregohen siç kanë qenë, dhe jo siç i duam.

Jam i sigurt se nuk keni për ta bërë se nuk ju lë kush, por edhe vetë jeni të bindur për të mos e bërë. Të njëjtën gjë do të bëni edhe për Mukjen, edhe për Bujanin, e kështu me radhë. Por ama mos harroni 24 majin, 5 shtatorin, 11 janarin e me radhë. Ato po duhen festuar! Të tjerët të mbeten në pluhurin e harresës. E kush iu tha të guximshmëve në luftë dhe më pas, të vinin në dyshim trimërinë, mençurinë dhe vështrimin tej horizontit të Enver Hoxhës?

E siç ndodh rëndom në vendin tonë, "çudia më e madhe zgjat tri ditë", e më pas gjithçka rrjedh e qetë, pa ndonjë keqardhje të madhe. Brezave që do të na pyesin, do t'u themi shkurt: "Lexoni vetë, se s'jua kemi ngenë". Nëpër mitingje elektorale, kryetarët e partive, që e nuhasin mirë prenë e tyre, do të afrohen të përqafojnë veteranët (të tillë do të kemi edhe në 100-vjetorin e Çlirimit) dhe më pas do të shijojmë mishin, verën, rakinë dhe gatimet tradicionale, se, në fund të fundit, udhëheqësit edhe lodhen, kështu që duhet të kujdesemi për shëndetin e tyre.

Lufta? Le të mbetet ashtu rrëmujë. Na duhen 28 mijë dëshmorë, nuk i luajmë, na duhen lapidarët, do t'i ngremë aty ku duam, na duhet nga një veteran, do ta gjejmë, na duhet një historian, edhe atë e gjejmë.

Të vërtetën? E ç'e duam? Sikur na ka pëlqyer ndonjëherë!

NDRIÇIM MEHMETI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.