VENDIMI I GJYQIT USHTARAK PËR 6 KLERIKËT KATOLIKË - 45 VJET BURG Nga VELI HAKLAJ, studiues
E Enjte, 07.24.2014, 04:16pm (GMT+1)
Procesverbali i pyetjes së Dom Pjetër Grudës Më 27 mars 1947, në Zyrën e Seksionit të Sigurimit të Shtetit, në Shkodër, nga kapiten i parë Nesti Kopali u muar në pyetje Dom Pjetër Gruda, 25 vjeç, i biri i Palokës dhe i Pashkës, lindur në katundin Grudë (tokat shqiptare në Mal të Zi) e banues në Shkodër, me profesion klerik, i pamartuar, i padënuar ndonjëherë, i cili deponoi:
Kam kryer gjimnazin dhe katër vjet universitet për Teologji në Kuvendin Françeskan, në Shkodër, di të flas dhe të shkruaj italisht, latinisht dhe shqip.
Jam arrestuar më datën 13 shtatuer të vitit 1946 nga Organet e Sigurimit Shtetit, me akuzë se kam treguar aktivitet kundër pushtetit. Kjo është deri diku e vërtetë, mbasi ka pasë raste që unë kam kryer nji veprimtari të tillë.
Në Seminarin Jezuit kam hy në vitin 1934 me iniciativën e Padër Pashko Prelej, i cili atëherë ishte famullitar i katundit tim në Grudë. Edhe n'atë kohë kryesin e Kuvendit e kishin jezuitë italianë. Atëherë ata vepronin mâ me doreza, megjithëse qëllimi i tyre ishte me përhapë ndër ne dhe gjithë të rinjtë katolikë frymën fashiste e italiano file. Qysh nga viti 1939 e mbrapa, italianizmi i edukatës në shkolla doli sheshit dhe mori trajtë politike. Kjo shfaqej tashti nga mësonjësit tonë si me anë traktesh, si me anë të Hyllit të Dritës etj. Kjo revistë thoshte "kush nuk është fashist nuk është shqiptar". Ndërsa Lajmëtari i Zemrës së Krishtit sulmonte vazhdimisht LNÇ e veçanërisht Partinë Komuniste.
Felice Chieza (italian) ka pasë tregue aktivitet të madh në këtë drejtim. Ky edhe më 7 prill 1939, ndërsa neve xhakojtë rrijshim si të habitur n'oborr, na tha "hej të marrët ju, nuk e dini se Italija ju ka dhanë me hangër deri tash". Pastaj duke e parë kështu Padër Chieza mblodhi profesorët e Kolegjit, të cilët i porositi që në fillim të mos na flitshin mbi politikë se neve si të rinj mund t'u kërcejshim n'atë kohë që ishim të nxehur, ndërsa më vonë zunë të na shfaqin idetë fashiste, dalëngadalë me hartime. P.sh. më kujtohet që një hartim e kishte titullin "miqësija midis nesh e Perandorisë". Chieza ka pasë ftue vazhdimisht në Kuvend Melonin. Gjithashtu detyroheshim të flitnim italisht dhe me nji fjalë u bëmë si nji koloni e vogël italiane. Me depulovorën e ushtarakëve që ishte çelë në Kuvend merrej Padër Andreini. Ky na jepte zemër për luftë duke e paraqitur fitoren të sigurtë.
Nën drejtimin e Carderolit, në vitin 1943, kemi pregatitë dhe shfaqë një dramë në Kuvend me titull "Flija e At'dheut", e cila fliste mbi luftën në Spanjë dhe mundohej të shtrembëronte të vërtetën për komunistët. Në këtë shfaqje kemi marrë pjesë shtatëmbëdhjetë vetë, ndër të cilët si protagonistë ishin Dom Mark Hasi, unë (Dom Pjetër Gruda), Mark Çuni, Mark Dushi, Preng Dezaj, Gjergj Bici, Cin Lufi, Hil Ilia, Hil Mazreku, Ejëll Kovaçi, Ndrek Krroqi. Më përpara, po ky grup kemi shfaqë edhe dy drama me frymë antikomuniste. Njëra fliste për një jezuit meksikan të persekutuar nga komunistët.
Pak kohë mbas shfaqjes së këtyre dramave, Mark Çuni na paraqiti një letër të Dom Zef Shestanit, i cili [e] autorizonte të regjistronte në Ballin Kombëtar ata që dëshironin nga xhakojtë. Mirëpo Rrektori e ndaloi Mark Çunin të bënte një gjë të tillë. Më vonë treguem interesim për Ballin Kombëtar unë (Pjetër Gruda), Ded Ndercaj, Ndoc Melaj, Ndrek Krroqi, Lazer Jubani, Gjergj Bicaj e Ndoc Vata (të gjithë ish - xhakoj).
Traktet zakonisht na i hidhnin mbas dere, por dy herë e kam parë se na i pruni vetë Dom Zef Shestani, i cili ia dorëzoi Mark Çunit dhe ky i shpërndau.
Karshi Lëvizjes e sidomos Partisë Komuniste na kanë pasë shti tmerrin, sidomos ata profesorët italianë. Mbaj mend se Drejtorija e Kolegjit kishte diskutuar se nxënësi Rrok Rusi mbante anën e Lëvizjes dhe mundohej ta shtypte e t'i gjente shkak për përjashtim. Në fund të vitit e di që me qëllim e kanë lënë në klasë.
Si agjent i italianëve kam pasë marrë vesht se ishte Padër Andreini. Ai mblidhte informata nga populli dhe ia jepte një oficeri italian të karabinierisë që banonte në një shtëpi ngjitur me Kuvendin.
Kur erdhën gjermanët, jezutët në fillim qëndruan si indiferent, por ma vonë u miqësuan menjëherë me ta. Vishin vazhdimisht gjermanë në Kuvend e takoheshin me profesorët, por nuk e di se çfarë flitshin.
Po në këtë kohë është bërë nji mbledhje e gjithë krenve të Shkodrës në Kino Rrozafat. Në këtë mbledhje nga jezuitët morën pjesë Padër Gjon Karma e Padër Dajani. Kur u kthyen, i pyetëm se çfarë u bë dhe na thanë se kishte folë Padër Antoni duke shtruar nevojën e një bashkimi kundër LNÇ.
Gjonin e Marka Gjonit, nja dy ditë para se t'ikte, e kam pa që ka ardhë me një veturë. Ishte futë në jezuitë. Besoj se shkoi tek Drejtori (At Gjon Karma) dhe mund të kenë bërë marrëveshjen e fundit.
Mbas çlirimit, neve xhakojtë në përgjithësi kemi qenë të pakënaqun me situatën e krijuar. Por sidomos me rastin e fushatës elektorale na u dha rasti të punojmë më hapur e bile t'organizuar kundër pushtetit. Për këtë deshëm një herë të krijonin nji organizatë legale të klerit, e cila do të nxirrte në zgjedhje kandidatët e saj. Në krye të këtyre punëve qëndronte Mark Çuni (i ekzekutuar), por ai ishte i udhëzuar nga Rektori (Padër Dajani) dhe Delegati (Fausti), mbasi, kur vajta një herë tek ky i fundit për t'a vënë në dijeni se jashtë kodeve të fesë në Kuvendin Jezuit po luhej haptas politika, ai m'u përgjigj "Politika është e lejuar atëherë kur bëhet [me] përmbajtjen e fesë".
Mirëpo, më vonë, duke pasë qëllime shumë të këqija dhe duke dashtë rrëzimin e këtij pushteti kryetarët e organizatës Bashkimi Shqiptar e hedhin atë n'ilegalitet, bëjnë mbledhje të fshehura, formojnë Dorën e Zezë etj.
Unë në këto mbledhje ilegale nuk kam marrë pjesë, por kam qenë në dije të plotë për arsye se jo vetëm që shifja plot civila të hynin e të dilnin nga Kuvendi gjë, që më përpara ishte krejtësisht e ndaluar, jo vetëm që shkojsha kur shtypeshin traktet ilegale, por edhe pyeta direkt Mark Çunin e ai më vuni në dije për të gjitha ato që bëheshin. Më vonë Marku më dha edhe nji trakt, e lexova dhe bile më tha që kemi lidhje me nji parti në Tiranë e cila ishte shumë e fortë.
Mbas zbulimit t'organizatës, xhakojtë deshën me u arratisë të gjithë. Mirëpo udhëheqësit, duke shpresuar se puna do të mbetej vetëm me xhakoj, se nuk do të delshin në skenë ata, i ndaluan.
Shtoj se me punë të Lëvizjes na kishin ndaluar dhe na ndalonin vazhdimisht oficerët. Prandej kur ishja në Kuvend më kishte shkrue nja dy-tri herë Sektori dhe Padër Dajani e mbyllte derën me forcë dhe nuk më lejonte të dilja, Mirëpo, më vonë m'u desh të dilja për arsye familjare dhe i shkova Arqipeshkvit të më jepte leje, por edhe ai s'më dha. Kësaj rradhe doja të kujdesohesha për familjen, mbasi vëllai im, Kol Gruda, ishte burgosun për arsye se kishte qenë rreshter për tre muaj me rradhë me Mark Gjon Markajn e mbas çlirimit edhe ishte arratisë.
Si u mbyll Kuvendi, neve xhakojtë dolëm përjashta. Mbas do kohe nja dymbëdhjetë vetë prej nesh organizuem një klasë dhe ndejtëm përsëri në shkollën e fesë. Mësim na jepnin Padër Mark Harapi e Dom Anton Muzaj. Ky grup ka qenë përherë nga një rreth shokësh të ngushtë. Kështu që me t'u mbledhë n'oborr fillojshim të diskujtojshim rreth çështjeve politike. Kishim shpresë se do të ndërhyjnë aleatët, shanim reformat e pushtetit, njerëzit e tij dhe oficerat. Gjithashtu edhe Padër Mark Harapi na pat thânë një ditë se kishte ndigjuar në Radio Bari duke folë Padër Andredin i cili ka qenë këtu. Ai fliste keq për pushtetin e këtushën dhe mundohej me u dhënë kurajo klerikëve të këtushëm me qëndrue. Padër Mark Harapi na thoshte neve këtë që të na jepte shpresa dhe të mos prekeshim n'iden tonë. Lajme të Radio Barit na kishte treguar shumë herë dhe Padër Dajani.
Prift jam bërë në gusht të këtij viti. Kohën nuk e kisha mbush akoma, por u bëra për arsye se më kërkojshin ushtar, kështu që shpëtova. Këto arsye ia parashtrova delegatit Monsinjor Frano Gjinit dhe ai autorizoi Monsinjor Gjergj Volaj të më bënte. Kundër pushtetit kam folë shumë herë me shokët e mi. Këtë e bëjsha si njeri i pakënaqun që isha.
Në një seancë tjetër hetuesie, Dom Pjetër Gruda do pohonte:
Partia Demokristiane në Shkodër është nisë të krijohet disa kohë para arrestimit të Padër Gjon Shllakut. Iniciativën direkte e ka marrë Padër Gjon Shllaku, por ai ishte shtyrë nga Arqipeshkvi Monsinjor Thaçi, i cili qëndronte në krye të partisë. Tek ai shkonte vazhdimisht Padër Gjoni dhe merrte direktiva. Gjithashtu Thaçi ka pasë thënë njëherë në pretkun e kshellave të vitit 1944 se katolikët duhet të rrinë të bashkuar nën një flamur të vetëm, në qoftë se duan me i mbrojtë interesat e tij. Pretkun e kam pasë dëgjue vetë, kurse më gjatë rreth arqipeshkvit më ka pasë folë Andro Petroviq.
Por për pranimin e kësaj partie u kanë pasë shkue shkresa ekstra famullitarëve nëpër katunde. Qysh në janar të vitit 1944, direktivat dolën nga Arqipeshkvia. Këtë e kam dëgjuar nga famullitari Dom Mark Gjoni, i cili duhet të dijë edhe më shumë. Di se në atë shkresë merrej si shembull Partia Katolike e Gjermanisë Centrum.
Për t'ia arritë më mirë qëllimit Partia Demokristiane zuri të shtrohej dhe të lidhte baza në ish-shoqnitë fetare të Antonianes dhe Veprimtarit Katolik. Kështu që shumë anëtarë të Veprimit Katolik më vonë u vendosën në Partinë Demokristiane dhe njëkohësisht kthyen në këtë rrugë edhe simpatizantët e tyre. P.sh. Dom Mark Zadeja që ka qenë në Sheldi ka pasë organizua të tërë rininë e atij katundi me Demokristinen. Përfundime të mira arritën edhe famullitarët e Mirditës dhe sidomos Dom Ndre Lizna (famullitar në Zadrimë) ka pasë punuar shumë në këtë drejtim. Të gjithë këtë punë ata e kanë pasë bërë nën emrin e Veprimit Katolik, prandaj ishin ndier qyshë me kohë Demokristianë.
Si anëtarë aktivë kanë qenë edhe Zef Mrija (Shkodër), i cili dilte nëpër katunde dhe shërbente si ndërlidhës i famullitarëve me qendrën. Zefi ka pasë lidhje me Dom Nikoll Koliqin, për të cilin nuk e di me siguri nëse ka pasë aderue në Partinë Demokristiane.
Për veprimtarinë e Partisë Demokristiane nuk di ma gjatë, por më duket se nuk ka qenë shumë e shtrirë dhe s'është bërë punë e organizuar. Që filloi punë e rregullt ishte vetëm ata dy muajt e fushatës elektorale. Kjo punë pati si përfundim kryesinë e grupit të Padër Gjon Shllakut me një numër të caktuar anëtarësh. Unë di vetëm se janë bërë tri mbledhje në shkollë të fretënve me anëtarët e grupit të Padër Gjonit. Këta mblidheshin me pretekstin se do të luajshin top. Di se kanë shpërndarë edhe trakte që i shtypshin në shtaperin e fretënve, prej të cilëve unë kam lexuar vetëm një që nuk e kishte nënshkrimin e Demokristianes. Për të gjitha këto më ka pasë vu në dijeni Andro Petroviq.
Mark Çuni (udhëheqësi i Bashkimit Shqiptar) më pat thënë njëherë se Demokristiania nuk do të ketë krye këtu, për arsye se ajo është fanatike dhe përfshin vetëm sektorin katolik. Ndërsa Bashkimi Shqiptar ishte një organizatë e të gjitha besimeve. Kjo është arsyeja, shtoi Mark Çuni, që ne jezuitët nuk po marrim pjesë në Demokristianen dhe që bile shkojmë në kundërshtim me të.
Aktakuza e Prokurorisë së Zonës Ushtarake Shkodër
Prokuroria Ushtarake e Zonës Ushtarake Shkodër, me vendimin nr. 1, datë 2 janar 1948, i dërgoi Gjykatës Ushtarake të Zonës Ushtarake Shkodër akt - akuzën dhe aktet hetimore të rrjedhuna kundra të pandehurve: Padër Mark Dod Harapi, Padër Frano Tom Kiri, Dom Pjetër Palokë Gruda, Padër Filip Pjetër Mazreku, Padër Çiril Pashko Cani, Padër Agostin Zef Ashiku, të gjithë nga Shkodra. Në akt - akuzën e firmosur nga prokurori ushtarak i Zonës Ushtarake të Shkodrës, kapiten i II-të Namik Qemali, rreshtoheshin këto akuza për të pandehurit: kanë punuar për ardhjen e fashizmit dhe zaptimin e vendit nga imperializmi italian; kanë qenë agjenta politikë dhe spiunazhi t'imperializmit italian qysh para okupacionit; me okupacionin e vendit janë përpjekur të legalizojnë zaptimin; kanë punuar për fashistizimin e popullit dhe për shuarjen e njësive të ndershme nacionale e patriotike; kanë përkrahur dhe ndihmuar organizatat fashiste e tradhëtare gjatë luftës; kanë penguar dhe sabotuar zhvillimet e Luftës Nacionalçlirimtare dhe zgjerimin e Frontit Nacionalçlirimtar; janë vënë në shërbim të armiqve të huaj duke u dhënë informata zyrave të tyre sekrete për njerëzit e rezistencës; kanë udhëhequr formacione bashibozuke e armike ndër krahina në luftë kundër partizanëve; mbas çlirimit, të tërbuar nga hypja e popullit në pushtet, u hodhën qind për qind kundër popullit, duke u munduar të sabotojnë çdo vepër të pushtetit dhe përgjithësisht për rrëzimin e pushtetit; nën drejtimin e Organizatës Demokristiane janë mobilizue për përgatitjen e një kryengritje me armë; kanë punuar në lidhje me të arratisurit për t'i ndihmuar ata duke u gjetur baza strehimi etj.; kanë bërë agjitacion e propagandë n'elementa të pakënaqur dhe të prekur nga reforma duke i nxitur në luftë kundër pushtetit; janë munduar të bëjnë sa më shumë persona të pakënaqur dhe kundërshtarë të pushtetit; kanë qenë për një ndërhyrje të imperializmit të huaj në vendin tonë dhe për zaptimin e Shqipërisë nga armiqtë imperialistë; kanë qenë për provokacionet monarko - fashiste greke dhe pro copëtimit të Shqipërisë. Këto faje parashikoheshin prej neneve 2, 3 pikat 1, 2, 4, 7, 8 e 14 të ligjit 372 për faje kundra shtetit dhe popullit, të ndëshkuara prej nenit 4, po të këtij ligji.
Këto akte u regjistruen nën nr. 16 të regjistrit themeltar të vitit 1948 dhe për ditë gjyqi u caktue data 3 janar 1948, ora 8 para dreke.
Gjykimi dhe dënimi i klerikëve katolikë
Pas zhvillimit të seancës gjyqësore të datës 3, më 4 janar 1948, në audiencë publike, Këshilli i Gjykatës Ushtarake të Zonës Ushtarake të Shkodrës, i formuar prej kryetar, kapiten i II-të Pertef Alizoti, dhe anëtarë nëntoger Anastas Koroveshi, nëntoger Xhemal Bejtja, duke qenë gati ndihmësprokurori Ushtarak i Zonës Ushtarke të Shkodrës, toger Zurdi Shehu, dhe sekretar Muhamet Ulqinaku, shqyrtoi çështjen gjyqësore kundra Padër Mark Harapit, i rreshtuem më 5 nëntor 1946, Padër Frano Kirit, i rreshtuem më 14 tetor 1946, Dom Pjetër Gruda, i rreshtuem më 13 shtator 1946, Padër Filip Mazrekut, i rreshtuem më 28 shtator 1946, Padër Çiril Canit, i rreshtuem më 21 shtator 1946, dhe Padër Agostin Ashikut, i rreshtuem më 14 dhjetor 1946.
Në procedimin e zhvilluar faqe të pandehurve, mbasi dëgjoj fjalët e të pandehurve, trupi gjykues, mbasi shqyrtoj aktet dhe bisedoj çështjen, me vota të përbashkëta, në bazë të neneve 2, 3 pikat 1, 2, 4, 7, 8, e 14 të ligjit nr. 372 "Mbi fajet penale kundra shtetit dhe popullit", i cilësoi të pandehurit fajtorë dhe, pjesërisht në kundërshtim me kërkimin e prokurorit, në bazë të nenit 4, po të këtij ligji, shpalli këtë vendim:
Dënimin e të pandehurve Padër Frano Kiri, Padër Mark Harapi e Padër Filip Mazreku me nga dhjetë vjet privim lirie dhe punë të detyruar.
Dënimin e Padër Çiril Canit, Padër Agostin Ashikut e Dom Pjetër Grudës me nga pesë vjet privim lirie dhe punë të detyruar.
Humbjen e të drejtave civile e qytetare për Padër Frano Kirin, Padër Mark Harapin e Padër Filip Mazrekun, për nga pesë vjet kohë.
Konfiskimin e pasurisë së tundshme e të patundshme për të gjithë të dënuarit.
Shpenzimet e gjyqit, 54 lekë, iu ngarkuan të pandehurve të dënuar.
VELI HAKLAJ
|