VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHKOLLA SHQIPE E VITEVE 1631-1638, NDODHEJ NË NDËRLUMNE, PRANË VENDIT KU BASHKOHET DRINI ME VALBONËN
Studim nga RAMIZ LUSHAJ

E Premte, 07.25.2014, 09:58am (GMT1)


Shkolla e parë shqipe në kohën e sundimit otoman ishte ajo në Stubëll (Viti, Kosovë) në vitin 1584. E dyta shkollë shqipe u hap në Himarë në vitin 1627. Për të tretën shkollë shqipe nuk kena pse e hapim veprën "Fjalor Enciklopedik Shqiptar", botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, v. 2008, fq. 116. Ajo mendohet se është çel në vitin 1631 në rrjedhën e fundme të Valbonës, aty ku bashkohet me Drinin. Përndryshe: në Nahijen e Pjetërspanëve. Ajo thirrej "shkolla e Françeskanëve", "shkolla e Gashit". Ishte në trojet e Ponarit të Lekës, fisit ma të vjetër në Malësinë e Gjakovës të Skirtonëve ilir të Alpeve e të Detit. Aty mësonin edhe të fisit të Krasniqes, etj. Ajo është nga të parat shkolla në trojet etnike shqiptare, ku mësimi dhe predikimi fetar jepej në gjuhën shqipe, etj.

Kjo hershmëri për disa arsye është e vështirë të pranohet nga të tjerët. Sidoqoftë aksi i kësaj të vërtete për shkollën është një relacion i Frang Bardhit, i qershorit 1638, drejtue Vatikanit, ku pas vizitës në Gash, dëshmon se te kisha: "u mësonin femijve në gjuhën shqipe", gjuhë,"të cilën këta etër e kishin zotërue në kaq pak kohë në mënyrë të mjaftueshme". Edhe vet Frang Bardhi në Gash e tha meshën dhe e bani predikimin në gjuhën shqipe.

Kjo shkollë shqipe ishte e shtata: pas Stubllës (1584), Himarës (1627), Kurbinit të Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1837), të cilat prof. Shefik Osmani na i përcakton para shkollës së Gashit (FESH, fq. 116).

Shkolla e Gashit në "NDËRLUMNA" (mes bashkimit të parë të Valbonës me Bushtricën e të dytin me Drinin), afër Kalasë së Lekës në Geghysenin e sotëm, mbi të gjitha, i kishte elementët e plotë të një shkolle shqipe:
Landët mësimore ishin shkrim, këndim, gramatikë, histori, fizkulturë (Sospello).
Mësohej në gjuhën shqipe, po kishte landë mësimore edhe italisht e latinisht (Verona, Navara, Bardhi etj.).
Në duart e atyne që nxanin dije në këtë shkollë kishte libra shqip të Frang Bardhit, Pjetër Bogdanit, Bernardo da Verones etj..
Veçojmë disa libra si landë mësimore si "Doktrina e Krishterë" e shqipërueme nga Bernardo da Verona (kjo tekst mësimor u dha për herë të parë në këtë shkollë, në Gash, e pastaj në shkolla të tjera të Pultit, të Prizrenit etj.
Njëherash u dhanë mësim edhe libra të tjerë si landë mësimore: "Disa shtesa për qeverisjen e mirë të kishës sime", "Profesionin e besimit të shenjtë", "Urdhnin e Sinodit" etj.
Kishte dy e ma shumë mësues: Bernardo da Verona, Grigorio da Novara, priftërinj italianë, për të cilët Frang Bardhi thotë se "predikonin shqip pa përkthyes". Po nja nga mësuesit ma të mirë të kësaj shkolle ishte edhe prifti italian Kerebino Frentino, etj..
Thamë ma nalt se në këtë shkollë mësohej gramatikë e, sipas kritereve të asaj kohe, ato shkolla ku jepej kjo landë mësimore vlerësoheshin si shkolla të mesme.
Në shkollën shqipe të Gashit kanë dhanë mësim njerëz të shquem të kombit si Frang Bardhi, disa ditë, e Pjetër Bogdani, një kohë ma të gjatë, të cilët iu mësuen nxanesve edhe gramatikë shqipe, veçanarisht histori e gjeografi.

Prifti-mësues Kerbino Frentino shërbeu në vitet 1634-1649 dhe në dokumenta historike thuhet se "është shqiptarizue me gjuhën epiriote (shqipe)" dhe ka ndikue realisht në ngritjen e nivelit kulturor të malësorëve në dy anët e lumit Valbona...

(Vazhdon )
RAMIZ LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.