VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
TREGIMI: UNË ITALIANI I ZI DHE JETA IME ME PENGESA Nga PAP KHOUMA E Mërkurë, 12.16.2009, 03:04pm (GMT1)
Jam italian dhe e kam lëkurën të zezë. Një italian black, siç kam dëgjuar të thonë në kontrollin e pasaportave të aeroportit të Bostonit nga afrikano-amerikane të ngarkuara me sigurinë. Po ju a e keni idenë se çfarë do të thotë të jesh italian e ta kesh lëkurën të zezë në Italinë e vitit 2009? Dialogu i tyre tingëllonte pak a shumë kështu. "Ma ka dhënë letërnjoftimin e tij italian, por thotë se nuk e ka lejeqëndrimin. Si është e mundur?" "Si ia ke arritur të kesh lejenjoftimin nëse nuk ke lejeqëndrimin...na kupton? Ku e ke marrë këtë dokument? Kupton italisht?" "Jo, nuk e kam lejeqëndrimin," kufizohem unë në përgjigjen time. Në dokumentin e lëshuar nga Komuna (dhe në duart e tre funksionarëve të Komunës) ishte vulosur "qytetar italian" por ato vazhdonin të përqëndroheshin tek fytyra ime e zezë, ndërkohë që njerëzit në pritje e humbnin durimin. "Pse nuk lexoni çfarë është shkruar në dokument?" i këshilloj ato. Një çast i vogël befasimi...më në fund më flasin me ju. "Ju jeni qytetar italian? Pse nuk e keni thënë menjëherë? Ne nuk jemi mesuar të shohim një jashtëkomunitar..."
"Ti ke një pasaportë italiane, por nuk je italian." Ose me buzëqeshje: "Ti nuk ke kombësi italiane si ne, ke vetëm shtetësi italaine, sepse je jashtëkomunitar." Kur banoja pranë rrugës Piave, në zonën qendrore të Milano, një mbrëmje kur po hapja veturën time dhe kisha në duar çelësat më ka ndodhur të më jetë afruar një person dhe me një ton të veçantë të më ketë pyetur pse po e merrja atë veturë. Instinktivisht jam përgjigjur: "Sepse jam duke e vjedhur! Thirri menjëherë karabinierët." Dhe gjykuesit të habitur nuk i ka mbetur tjetërgjë veç të shkojë. Një rast tjetër në Milano në tetë të mëngjesit në një rrugë me trafik të ngjeshur, shoqja ime ndërsa drejtonte veturën ia ka prerë pa paralajmërim rrugën një gruaje në motor. Ka zbritur nga vetura për ta sqaruar për keqkuptimin. E kam marrë timonin për ta zhvendosur veturën dhe për ta liruar trafikun asokohe në pikun e tij. Një tjetër grua (e bardhë) në radhë edhe ajo, ka zbritur nga vetura dhe ka ardhur te shoqja ime (e bardhë) dhe duke përhapur panik ka thënë: "Ndërkohë që ti rri e shikon, një jashtëkomunitar po ta vjedh veturën." "Jo, nuk është një hajdut, është shoku im," është dëgjuar përgjigja e saj.
Në shtatorin e sivjetëm isha me tim bir 12 vjeç dhe prisja bashkë me të arritjen e trenit metropolitan në stacionin e Palestros. Si gjithnjë altoparlanti iu bënt thirrjeve udhëtarëve të mos e kalonin vijën e verdhë të sigurisë. Njä zotëri plak iu drejtua tim biri: "Flasin me ty, djalosh. E ke kaluar vijën e verdhë. Duhet ta dish se këtu është e ndaluar ta kalosh vijën e verdhë...i paedukatë." I thoshja plakut se im bir ishte larg vijës së verdhë, por ai vazhdonte ta shante: "Nuk duhet madje as të rrini në këtë vend. Kthehuni në shtëpinë tuaj...llum i botës. Doa ta paguani herët a vonë." Para disa javësh në aeroportin e Linates hyra në një qoshkë për ta blerë një gazetë. Ishte një djalosh atje krejt me tatuazhe, jam afruar t'ia jap paratë dhe më ka treguar një tjetër arkë ku të paguaj. Kam paguar dhe jam nisur drejt daljes kur djaloshi me tatuazhe ka filluar t'i vikasë arkëtares: "Ai burri me ngjyrë e pagoi gazetën?". Arkëtarja iu përgjigj duke vikatur: "Po, burri me ngjyrë ka paguar!" Duke u kthyer mbrapsht i them: "Nuk ka nevojë të vikatësh kështu. Më keni parë mirë kur po paguaja." "Më kini parë mirë? E dini se më po flisni! Më shiko mirë! E di çfarë jam? A e bëni hesap se çfarë jam?" Kërkonte të më frikësonte. "Një racist!" i them. "Po, jam një racist. Ji shumë i vemendshëm!" "Ju jeni budalla," ia ktheva. Kush jeton në këto situata të përditshme për më shumë se 25 vjet ose i pranon përfundimisht, bën sikur s'po ndodh asgjë në mënyrë që të jetojë pa u çmendur, ose mund të bëhet dyshimtare, i ngrysur, plot "paragjykime të kundërta", shpesh në zgripin e rrezikut për t'i ngatërruar situatat dhe për të parë racistë që mbijnë si kërpudhat pas shiut kudo, të humbë durimin dhe të ulërasë e të shajë në mes të popullit. Dhe xhelati i tij që e ka thikën nga ana e dorëzës, me qetësi komentin duke përdorur një "formulë" fikse por shumë frutdhënëse: "Shikojeni, po ulërin, po më shan. Ai është vetëm një mysafir në shtëpinë time. Jeni të gjithë dëshmitarë..." Ndërkaq e kam çmuar pafundësisht sjelljen e policëve të garnizonit të metropolitës të Sheshit Duomo të Milanos. Nuk doja të arrija në punë me vonesë dhe po vrapja në mesin e njerëzve. Në një çast ndjej të më kapin në supe dhe të më shtyjnë. Gjendem përballë një polici me uniformë që po më ulërinte për t'ia treguar dokumentet. Ia dhashë letërnjoftimin tim policit tani të krisur mendsh, i cili, pa e kqyrur, më urdhëroi ta ndjek pas. Sapo arriti në pikën policore, iu tdeklaroi kolegëve: "Ky jashtë komunitat sillet në mënyrë prepotente!". Pas së gjithash, kam përshtypjen se, në krahasim me shumicën e njerëzce, policëve nuk iu duket jonormale të gjenden përballë një qytetari italian me ngjyrë të zezë e kafe. "Ne nuk jemi mësuar," ndiejm gjithmonë të na thonë dhe kjo iu ndodh nëntë personave në çdo dhjetë. Është një shfajësim që nuk pranohet më pas tridhjetë viteve që jetojmë dhe punojmë këtu, martohen me italiane e me italianë, bëjmë fëmijë të përzier apo jo, të cilët rriten dhe arsimohen në shkollat dhe universitetet itaiane. Një fakt tronditës është kur para tri vjetësh u sulmova fizikisht nga katër kontrollorë të Ndërmarrjes së Transporteve Bashkiake. Edhe sot e kësaj dite jam duke u përballur me proceset, por kontrollorët janë në rolin e viktimës dhe unë jam i pandehuri. Një gjë është e qartë, unë kam ende besim tek drejtësia italiane./Përktheu Skënder Buçpapaj -- Përktheu: Skënder Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |