VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TË JEPNI DORËHEQJEN, Z FULLANI
Nga ALFRED MIRASHI, Firence

E Mërkurë, 07.30.2014, 06:46pm (GMT1)


- Po ju drejtohem ju Z. Fullani sepse nuk jemi më demokracinë e viteve 90të dhe kjo lloj kokëfortësie që po tregoni më kujton atë kohë. A e dini se çfarë skandali ka mbuluar bankën tuaj? Është e turpshme, ashtu siç është e dënueshme dhe heshtja e politikanëve të të dy krahëve politik.

Çfarë, mos keni marëveshje me to zotëri?

Po flas unë, një qytetar, artist. Më vjen të ulëras më shumë se kurrë, kur ju shoh të ruani qetësinë përballë fakteve që po dalin nga dita në ditë, vjedhje marramëndëse nga xhepat e qytetarëve të thjeshtë. Kush jeni ju që nuk jepni as doreheqjen përballë gjithë kësaj katrahure që prek dinjitetin e bankës më të madhe shqiptare?

Pse nuk e merrni guximin të vendoseni para drejtësisë? Vidhen gjithë ato lekë të takspaguarve shqiptarë të ndershëm që punojnë për të bërë një jetë normale, normale zotëri, jo luksoze si e juaja. Një bandë kriminale vjedh si pa gjë të keq dhe kjo na paska kaluar pa dijeninë tuaj?

Vërtet na mendoni budallenj?

Pyes pse doli kjo histori vetëm tani? Ka vite që vidhen shuma marramëndese parash, nga një bandë që punon me ju, në një vend ku ju ka kohë që nuk janë bërë kontrolle.

Kë keni marrë në punë zotëri? Kush janë këta njerëz? Miqtë e miqte të miqve?

Cfarë pret, na e thuaj, na e shpjego pse nuk jep dorëheqjen siç është në moralin e bankierit? Ke shumë vite në këtë post, nuk je ad vitam, askush nuk është.

Unë pyes, sa politikanë shqiptarë kanë marrë kredi nga banka jote? Me firmën tënde? Kush janë?

Unë e di se prokuroria po heton, dhe as ju e askush nuk flet, por është e pafalshme që pas këtij skandali ju të qëndroni përsëri në atë bankë, te përfaqësoni një sistem bankar shqiptar.

Prandaj mjaftohuni me kaq, dhe largohuni. Duhet ta keni kuptuar me kohë.
Firence,

Alfred Mirashi Miloti

ALFRED MIRASHI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.