VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

UNË JAM ZIRKON DISHA DHE ME NJË GRUSHT PROTESTUES​ISH KËRKOJMË SHKARKIMIN E FULLANIT NGA PARLAMENTI I SHQIPËRISË
Nga ZIRKON DISHA

E Djelë, 08.10.2014, 08:35am (GMT1)


Unë jam Zirkon Disha. Udhëheq një grusht protestuesish që deri dje kërkonin dorëheqjen e Ardjan Fullanit, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Sot jemi penduar dhe nuk kërkojmë më dorëheqjen e tij. Kërkojmë shkarkimin e tij nga parlamenti. Ardjan Fullani e fitoi bindshëm betejën për të mos e dhënë dorëheqjen. Ai e fitoi shumë lehtë atë, pa qenë nevoja të lëvizë nga zyra e tij me ajër të kondicionuar. E fitoi betejën e tij duke pirë ujë mineral dhe duke parë pas dopio-xhamave të dritareve të ish-firmës "˜VEFA' një grusht djemsh dhe vajzash që digjeshin nën diell dhe i kërkonin të ikte. Ardian Fullani nuk u largua. Ai qëndroi atje, i veshur me kostumin e tij dopiopet, guvernatori më konsensual në historinë e Shqipërisë. Ai qëndroi atje për të hyrë në histori.

Në fakt, ndoshta shqiptarëve u bën punë një lider si Fullani. Deri tani, Fullani i ka ndihmuar të gjithë. Të majtë e të djathtë, si asnjëherë më parë, kanë gjetur konsensusin e heshtur për ruajtjen e guvernatorit më monumental të Bankës së Shqipërisë-atij që iu vodhën disa miliona dollarë të futura nëpër disa palë brekë. Por, tashmë është e qartë se disa palë brekë të mbushura nuk janë asgjë për një lider si Fullani. Fajtorët do t'i jepen drejtësisë. Hetimet, ato i nisi vetë Fullani. Stabiliteti financiar i vendit rrezikohet, nëse cenohet Fullani.

Popullit, në trajtën e provës materiale, do t'i jepet një lugë bosh. Nëse Guvernatori i Bankës Federale të Gjermanisë pushohet nga puna për një fletë hoteli, një lider si Fullani nuk ndjen asnjë brejtje morale që institucionit të tij iu grabit një fond, që nga madhësia krahasohet me buxhetin vjetor të investimeve të qytetit të Korçës. Nëse një kryetar bashkie në Angli lëshon mandatin për një biletë parkimi, mos mendoni se neve në Shqipëri merremi me vogëlsira. Jo. Sepse neve na duhen liderë si Fullani.

Në Shqipëri ne merremi me gjëra të mëdha. Ne grabisim shtatë milionë dollarë. A do të na ndërtojë 7 kilometra autostradë të re Fullani nga xhepi i tij? Që djali i tij të ketë ku të garojë me supermakinën e tij? Nuk besoj. Zgjidhja e Fullanit është mrekullisht më e thjeshtë. Punësimi i mbesave, grave, motrave, vëllezërve dhe nipërve të djathtë dhe të majtë. Borderoja e Fullanit është monumenti historik i një lideri legjendaro-konsensual shqiptar. Një lider nga populli, për popullin. Një lider mbi palët. Një lider që i punëson të gjithë. Ndoshta jo të gjithë, por të paktën vëllezërit dhe motrat e nomenklaturave të larta partiake.

Partitë e vlerësojnë konsensusin e guvernatorit. Ato kanë hyrë në një garë perverse se kush do të heshtë më shumë për Fullanin. Disa vjet më parë, ata që i donin të keqen Jaser Arafatit, e karakterizonin atë me qesëndi si "lideri që nuk e humb kurrë rastin për të humbur një shans". Fullani është e kundërta e Arafatit. Nuk ka humbur asnjë shans deri më sot për të ndenjur aty ku është. I vetmi problem i tij janë mbathjet e mbushura me dollarë. Shqiptarët nuk janë problemi i tij. Sepse shumë prej nesh mendojnë: "Ja iku ky Fullan, do na vijë Fullani tjetër". Po unë nuk mendoj kështu. Neve na duhet së tepërmi një lider si Fullani. Nëse një monument i tillë shkarkohet nga Parlamenti, të paktë do të jenë ata që do të përpiqen të maten me hijen e tij.

Na duhet një lider si Fullani. Qoftë edhe për të nxjerrë mësime të çmuara. Për të mësuar se ata që protestuan kundër tij as që krahasoheshin me numrin e atyre që pinin birra te qebaptoret përballë. Për të mësuar se një deputet si Erion Braçe u bënte thirrje protestuesve të më linin të vetëm, sepse ai e dinte se kush qenkësh Zirkoni. Për të mësuar sesi një gazetar i dërguar nga një televizion kombëtar, udhëzonte kameramanin të shkonte sa më larg dhe mundësisht të filmonte asfaltin, për të treguar se sa pak njerëzve ua ndjente të protestonin.

Neve na duhet një lider si Fullani. Për të kuptuar se në të vërtetë ne duhet t'u trembemi liderëve që qëndrojnë pas tij. Për të kuptuar se apatia e shqiptarëve të ulur masivisht tek qebaptore "Tymi", është dorëzimi pa kushte përballë realitetit kundërmues të sheshit "Avni Rustemi". Është pohimi i faktit se ndoshta ne nuk jemi një komunitet, por një grumbull individësh që thjesht i ka rënë fati të lindin këtu. Dhe që s'dinë të jetojnë ndryshe, veçse nën thundrën e atyre që i vjedhin.

Shqiptarëve u duhet një lider si Fullani. Ai është një lider i pamposhtur - sepse përballë tij qëndron një grusht protestuesish, një dyzinë policësh, si dhe një turmë e çinteresuar që ha qofte te Pazari i Ri. Por dua t'ju them diçka. Ju kujtohet protesta kundër armëve kimike? Mos e harroni atë. Populli mund të fitojë kundër pushtetit, por shtysa për të mposhtur pushtetin duhet të jetë kurajoja, jo frika. Unë kam mësuar shumë nga një lider si Fullani.

E vlerësoj guximin e tij. Falë Fullanit, jam vetëpunësuar si udhëheqës i protestës që kërkon largimin e tij. Dhe përsa kohë që ai nuk largohet, unë do eci në gjurmët e tij. Jo, more jo, as unë nuk e jap dorëheqjen. Nuk e jap, përsa kohë shqiptarëve u duhet një lider si Fullani.

ZIRKON DISHA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.