VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RRJETET SOCIALE SHPËRTHEJNË NË AKUZA, DORA E HENRI ÇILIT PAS MBYLLJES SË 38 UNIVERSITETEVE, JA SI FAVORIZOHET UET
E Djelë, 08.10.2014, 02:24pm (GMT1)



Hije dyshimi janë hedhur së fundmi mbi aksionin e fundit të qeverisë Rama, për shkrirjen, mbylljen dhe ngrirjen e mbi 30 universiteteve dhe filialeve në të gjithë Shqipërinë. Pas tërmetit dhe furtunës së befasishme në arsim, duket se fshihet dora e zezë dhe interesat financiare të Henri Çilit, njeriut që pasi i bëri fresk pushtetit të Sali Berishës për 8 vite me radhë, befas shpalli Edi Ramën si njeriun e vitit, 4 muaj pas ardhjes së këtij të fundit në pushtet, iniciativë kjo që krijoi jo pak diskutime edhe komente, nisur nga ngarkesa e fortë pro-Berishiane e Çilit në vitet e fundit. Rrjetet sociale gëlojnë! Pas dështimit për të diktuar reformën e qeverisë në arsim, që UET të financohej me paratë e buxhetit të shtetit, Henri Çili duket se është orkestruesi i rrafshimit të universiteteve, me qëllim që studentët të shkojnë te Universiteti Europian i Tiranës, i cili e ka shitur veten si një ndër universitete më të mira private në vend. Ndonëse nuk plotësonte kushtet e infrastrukturës, Henri Çili me një lëpirje këpuce Edi Ramës, mund të shpëtonte licencën e universitetit të tij. Në këtë kuadër, duke u hedhur nga një degë politike në një tjetër, sapo ndërroheshin pushtetet, Henri Çili përfitonte gjithnjë fonde publike. Reforma në arsimin e lartë, reformë e cila ka përgjysmuar numrin e universiteteve, nuk preku universitetin e Çilit, kjo për disa arsye, por njëra prej tyre, është se pronari i UET ka punësuar në organe të larta drejtuese familjarë dhe të afërm të politikanëve të majtë e të djathtë, duke u shndërruar kështu në një individ "të paprekshëm" nga politika shqiptare.

Çili, përfituesi kryesor i reformës në arsim

Henri Çili, pronari i UET, është vënë në shënjestër në rrjetet sociale, nga studentë dhe vetë eksponentë të politikës si nga PD ashtu dhe nga PS, duke u cilësuar dhe konsideruar nga të gjithë si përfituesi kryesor nga reforma e qeverisë "Rama" për arsimin e lartë. Një ndër personat që ka akuzuar favorizimin që i është bërë universitetit të Henri Çilit është dhe ish-këshilltari i Ridvan Bodes në kohën që ky i fundit ishte Ministër i Financave, Elvi Fundo. Fundo ka deklaruar në rrjetet sociale se ligji për arsimin e lartë, trumbetuar me të madhe nga qeveria, është përgatitur nga një grup i përzgjedhur nga Çili, me qëllimin e vetëm sipas tij, për të favorizuar universitetin e UET. Sipas ish-këshilltarit të Bodes, ky favorizim i UET erdhi si shkak i dhjetra takimeve të zhvilluara me njerëz afër kryeministrit Rama, në mënyrë që ligji të merrte formën që donte Çili. Po ashtu, ai nuk lë pa përmendur dhe faktin se një vit më parë, katër muaj pas rënies së qeverisë "Berisha", Çili shpalli njeriun e vitit për 2013, Ramën, ndërkohë që në 2009 dhe 2011, thekson Fundo, Çili u përfshi thellë në fushatën elektorale të PD.
 
Ja familjarët e politikanëve të punësuar në UET

Ndërsa shpalli njeri të vitit kryeministrin Edi Rama si dhe e mbështeti atë në vendimin për armët kimike, Henri Çili ka përdorur një tjetër gur, për të treguar mbështetjen e tij ndaj Partisë Socialiste, duke punësuar si anëtarë të senatit akademik të UET, organi kolegjial vendimmarrës për çështje të drejtimit dhe të organizimit të veprimtarisë akademike në këtë universitet, familjarë dhe të afërm të eksponentëve të majtë. Konkretisht, Çili ka emëruar anëtar të senatit akademik, babain e Endri Fugës, këshilltarit të kryeministrit, z. Përparim Fuga, i cili është gjithashtu edhe pro/rektor i universitetit; bashkëshorten e Qemal Minxhozit, ish-deputet i PS, aktualisht ambasador i Shqipërisë në Kosovë, znj. Luljeta Minxhozi, anëtare të këshillit të profesorëve, zv. Rektore/Dekane e Fakultetit Ekonomik dhe IT. Po ashtu, Çili ka emëruar të fejuarën e ministrit të Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj, znj. Ajola Xoxa, pedagoge të jashtme të Fakultetit Juridik të UET; zëvendësministrin e Financave, Ervin Mete, pedagog të jashtëm të Fakultetit Juridik të UET, Xhezair Zaganjorin, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, pedagog të jashtëm të Fakultetit Juridik të UET, si dhe Adrian Civicin anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, anëtar të këshillit të profesorëve, President/Drejtor i Shkollës Doktorale.

JOANA TAFA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.