E Enjte, 03.28.2024, 08:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
GERALDINA, MBRETËRESHA QË SOLLI TË BUKURËN TE SHQIPTARËT - BASHKËBISEDIM ME PRINCIN LEKA II
Nga MONIKA SHOSHORI STAFA

E Djelë, 08.17.2014, 06:38am (GMT+1)


Geraldine Apponyi ishte një shqiptare e zgjedhur të ishte një grua jo e zakonshme në vendin e shqiponjave. Martesa e mbretit Zog me të do të shkonte përtej një ceremoniali pompoz të një klani bejlerësh nga Veriu me konteshën me nënë amerikane, bijë e një familjeje aristokrate hungareze jo më nën pasuritë që mund të mbante kur perandoria habsburgase njihte ekspansionin e madh. Ndër librat e shumtë për të analizohet se te martesa e mbretit Ahmet Zogu me të renë hungareze, me titull Konteshë, shtrihet "martesa" e Shqipërisë me Europën, pakti ynë i parë euroatlantik. Me shumë gjasë, mendohet se Zogu tregoi një triumf ekzigjence estetike të shqiptarit, një estetikë në bukurinë fizike që i kërkohej Shqipërisë më tutje se kaq dhe padyshim estetikës në moralin e saj. Pas vdekjes së tij, në një spital të Francës, nën lëngatën e një sëmundjeje të pashërueshme, por dhe të Shqipërisë së humbur tashmë për të, mbretëresha me lehtësi mund ta shmangte gabimin e vajzërisë dhe të jetonte si e veja e një mbreti. Përkundrazi zgjodhi t'i qëndronte deri në fund fatit të saj, Shqipërisë, deri kur u kthye për të vdekur, në atdheun e saj të dytë, Shqipërinë, e cila më shumë sesa gëzim i kish falur brenga. Përzgjedhja e materialeve për jetën e saj, dorëshkrimeve apo gjithfarë, intervista dhe dëgjesa mbi çdo gjë që ajo ka lënë pas, pa dyshim të rrëmben nga romantizmi dhe dëlirësia e shpirtit të saj. Shqipëria ishte një shtet në zhvillim, një shtet i çuditshëm mes së resë dhe së vjetrës, më pohon historiani prof. Bernd Fisher në një email të pak viteve më parë. Ai shkruan më tej se për konteshën e re kontrastet mbresëlënëse, rrjedhojë e këtij shteti, u ofronin syve të një të huaji një pamje të pazakontë e të çuditshme. Këto përshtypje dhënë prof. Fisherit nga mbretëresha Geraldinë aty nga fillimvitet '80, demonstrojnë dhe ekzigjencat e një konteshe të re në krah të mbretit të vendit, që pritej të bëhej dhe atdheu i saj i dytë. Patjetër që gruaja krah tij do të kish një mundësi të jashtëzakonshme të japë ndihmesën e saj në këto detyra. Ajo do të ish frymëzuesja dhe nxitësja e tij. Roli që do të kish mbretëresha shqiptare, shpjegon më tej ai, padyshim, në sytë e konteshës së re, nuk do të ish ai i një gruaje të luksit, por i një qenieje njerëzore me vullnetin për të bërë sakrifica dhe dëshirën për të punuar. Të jesh mbretëreshë e Shqipërisë, në atë kohë, ishte një detyrë, e cila mund të kryhej vetëm nga një grua që do të kish të njëjtën forcë dhe vetëbesim për të përmbushur një mision. Kontesha e re, Geraldine Apponyi, e dinte se do të përballej me shumë vështirësi. Nuk do të ish e lehtë të luftoje kundër paragjykimeve të një populli që është edukuar me respektin ndaj zakoneve. Padyshim nuk do të ish e lehtë t'i mësosh një populli të cilit i është dashur të luftojë për ekzistencën e vet në të gjitha kuptimet e fjalës, dëshirën për një formë të re jete. Në vorbullën e luftës së Hitlerit, ky vend i vogël, por i trazuar, kishte mbetur në hije madje dhe ishte anashkaluar paturpësisht. Megjithëse ishte një vajzë e ndrojtur dhe e brishtë, kontesha Geraldine Apponyi, kur ende punonte në Muzeun Kombëtar të Budapestit si bibliotekare, ishte vetëm një vajzë e re interesante, por dallohej për kureshtjen dhe vullnetin e fortë ndaj dhe qëndrimi me dinjitet të gjërave që s'i pëlqenin ishte i vendosur. Për vendosjen e regjimit nazist në disa vende të Europës, megjithëse shumë e re, arrinte të kuptonte se ai ish një regjim autoritar dhe represiv derisa kundërshtoi një ditë të përshëndeste Heil Hitler, teksa hynte në një dyqan veshjesh. Mbretëresha Geraldinë është në një mënyrë, një figurë tragjike, që e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj duke u endur nga një vend në tjetrin. Por, ajo kurrë nuk u pendua për fatin që pati. Ajo e konsideroi jetën e saj si një përrallë të bukur, duke e menduar veten gjithmonë si një princeshë që u martua me një mbret të bukur në një tokë të largët tepër ekzotike. Për prof. Bernd Fisher, duket se është një mëkat i madh që ajo nuk jetoi dot më gjatë. Sipas tij, ajo do të ishte bërë një ambasadore e mrekullueshme për Shqipërinë.

Ekziston një pikëpamje e tillë që në Shqipëri nuk ka pasur hebrenj të pasur, prandaj shqiptarët nuk i shihnin me zili, madje, duke i gjetur në ditë të hallit, fitonin mëshirën dhe solidaritetin e tyre. Cili është mendimi juaj?

Hebrenjtë e ardhur në Shqipëri u përkasin shtresave të ndryshme shoqërore. Një pjesë e madhe e tyre kanë qenë intelektualë dhe u përkrahën nga qeveria e mbretit Zog, duke u punësuar në mjaft sektorë të rëndësishëm, si në financa, mjekësi e në shumë profesione që kishte nevojë ekonomia, pra ata u trajtuan sipas aftësive të tyre e jo sipas pasurisë. E rëndësishme është që qytetarët shqiptarë i mirëpritën dhe i trajtuan si të barabartë në të gjitha aspektet.

Në Shqipëri erdhën vërtet shumë hebrenj, por këta qenë të parëndësishëm, s'përfaqësonin gjë, nuk ishin si Shpilman (kujtoni filmin "Pianisti") apo si Norbert Jokli, për të mos bërë shumë krahasime. Kjo logjikë është përdorur për të gjetur një shpjegim pse afro 3000 hebrenj të ardhur në këtë vend nuk provokuan sjellje mospranuese ndaj tyre në popullsinë vendase. Në fakt, nga dëshmitë dhe kujtimet që ruhen në familjen tuaj, si i komentoni këto pikëpamje që ka një grup i caktuar kërkuesish në Shqipëri?
Sigurisht një pjesë e hebrenjve kaluan nga vendi ynë transit për t'u akomoduar në vende të tjera perëndimore dhe një pjesë jo e vogël qëndruan. Pikërisht kjo pjesë u trajtua me shumë kujdes nga qeveria, duke u grupuar dhe sistemuar në mënyrë të planifikuar në rajone e qytete të ndryshme të Shqipërisë. Pavarësisht se ndoshta nga kjo masë nuk kishte personalitete aq të shquara sa emrat që ju përmendët, kjo nuk do të thotë se midis tyre nuk kishte intelektualë të shquar dhe veçanërisht këta në mjedisin shqiptar të kohës. Këtu mund të përmend, p.sh. 15 anëtarë të familjes Vaisman të ish-presidentit të Izraelit apo edhe mjekun e nënës mbretëreshë Geraldinë, z. Overnofski. Mjafton të përmendim faktin se pranë oborrit mbretëror ishin punësuar 7-8 specialistë hebrenj, gjë që dëshmon se hebrenjtë e ardhur në Shqipëri u përkisnin të gjitha niveleve shoqërore dhe intelektuale. Për sa u përket hebrenjve që kanë kaluar transit nëpërmjet vendit tonë ende dhe sot nuk ka lista të detajuara për numrin dhe nivelin e tyre shoqëror.

Mbretëresha Geraldinë, në një intervistë dhënë vetëm pak kohë para vdekjes për një dokumentar kinematografik, ka pohuar se gjatë periudhës mbretërore shteti shqiptar i ka lëshuar një pasaportë nderi shkencëtarit hebre, Albert Ainshtain, për t'i lehtësuar rrugën drejt botës së lirë. A mund të na i konfirmoni këtë të dhënë? Ç'dini më shumë për këtë fakt nga kujtimet tuaja apo dëshmitë që mund të ruani?
Rreth viteve 1931, fizikani i shquar, Albert Ainshtain ka kaluar transit nga Shqipëria dhe është takuar drejtpërsëdrejti me mbretin Zog në vilën e Durrësit, duke u pajisur me dokumentet përkatëse. Ndërsa takimi me mbretëreshën Geraldinë është realizuar pas Luftës II Botërore. Për rastësi, në vilën Parmoor House afër Londrës, ku ka qëndruar familja mbretërore përpara tyre, ka banuar për një farë kohe dhe shkencëtari i madh, fizikani Albert Ainshtain.

Ndër shumë intervista është pohuar se mbretëresha Geraldinë, një mbretëreshë që jetoi më pak se një vit në vendin ku krijoi familjen, e la Shqipërinë vetëm një ditë pasi kishte lindur princin trashëgimtar. Shqiptarët, historianë e johistorianë, politikanë e jopolitikanë, janë gati të kacafyten po të hapet diskutimi për meritat / tradhtinë e ish-mbretit Zog, por ndërkaq ekziston një konsensus i heshtur i të njëjtëve për të mos thënë asnjë fjalë të keqe për mbretëreshën Geraldinë. Në fakt, edhe mbretëresha kurrë nuk e përgojoi atdheun e kurorës, edhe në ditët më të zeza. Paraprakisht dua t'ju kujtoj se përgojimit, ironisë dhe përqeshjes nuk i kanë shpëtuar as "motrat princesha", të cilat patën marrë role të ngjashme mbrojtëse si muzat në Greqinë antike. Si e shpjegoni këtë "pakt" të shqiptarëve me mbretëreshën Geraldinë për të mos e përgojuar njëri-tjetrin? Çfarë ka të dukshme dhe të padukshme nëna mbretëreshë kur vjen puna te dashuria që kanë shqiptarët për të?
Sigurisht që kjo pyetje është shumë intriguese dhe nuk mund t'i jepet një përgjigje e përcaktuar mirë, aq më tepër nga unë, si nip i saj, pasi dihet se si mund të flasë një nip, veçanërisht për gjyshen e tij. Por me bindje mund të them se tipari më dallues i saj, ka qenë humanizmi dhe dashuria njerëzore, që duke u bashkuar edhe me bukurinë, plotësuan një figurë tepër të dashur për popullin shqiptar, që siç dihet edhe ajo e deshi dhe e respektoi gjithë jetën deri sa mbylli sytë përgjithmonë.

Si mund ta përshkruanit portretin e mbretëreshës Geraldinë prej njohjes suaj të drejtpërdrejtë dhe prej asaj përmes burimeve bibliografike?
Natyrisht përshkrimi im është një përshkrim që bëhet për një gjyshe në një moshë të thyer, larg perceptimit të bashkëkohësve të saj ku ajo përshkruhet si "˜trëndafili i bardhë i Europës'. Gjithsesi, një fëmijë sheh te gjyshja e tij njeriun më të dashur, më të urtë, që tregon përrallat më të bukura, që e mbron nga fajet apo prapësitë e moshës, por edhe që e qorton megjithëse e ka zërin më të butë se nëna e tij etj., si këto. Megjithatë gjyshen e kujtoj shumë skrupuloze për sa i përket edukimit tim në tërësi dhe veçanërisht atij etik në gjithë gjerësinë e tij, si në veshje, si duhej të qëndroja në tavolinë gjatë ngrënies, si duhej të komunikoja me të rriturit etj. Te gjyshja shihja dhe më janë ngulitur në mendje, sjellja e saj me njerëzit që e rrethonin dhe i shërbenin. Ato ishin një marrëdhënie tepër njerëzore dhe vlerësuese për çdo njeri, të pasur apo të varfër, pa dallim. Në fjalorin e saj mbaj mend vetëm fjalë të bukura dhe kurrë ndonjëherë, qoftë edhe një fjalë të vetme vulgare kundrejt askujt brenda e jashtë familjes.

Mendoni se ka diçka logjike që lidh martesën e ish-mbretit Zog, që ishte i besimit mysliman me mbretëreshën Geraldinë, që ishte e besimit të krishterë, nga njëra anë, dhe tolerancës së shfaqur nga shteti i kryesuar prej tij, ndaj hebrenjve në rrezik?
Padyshim që kjo martesë përmbledh anën logjike dhe atë shpirtërore. Mendoj se në këtë lidhje ka mbizotëruar dashuria, e cila nuk u venit kurrë edhe pas vdekjes së mbretit Zog. Në aspektin logjik mendoj se çdo mbret ka mundësinë e përzgjedhjes së bashkëshortes së tij, duke e parë martesën edhe në aspektin politik të marrëdhënieve shtetërore me aleatët më të sigurt nga ana gjeopolitike dhe besoj se për kohën Austro-Hungaria ishte përzgjedhja më e mirë sesa me fqinjët rreth nesh. Për sa i përket çështjes fetare në pikëpamjet e familjes nbretërore, përkatësitë fetare përbëjnë pasuri dhe nuk janë parë kurrë si ndasi. Familja ime është shembulli i bashkëjetesës së të gjitha feve. Babai pati në krah një mbretëreshë të fesë anglikane, unë kam në krah Elian, që i përket fesë ortodokse, ndaj për mua është më se e natyrshme që hebrenjtë si përkatësi fetare, kanë qenë të mirëpritur, në Shqipërinë mbretërore.

Mbretëresha Geraldinë kishte një atdhe të lindjes (Hungarinë) dhe një atdhe të jetës (Shqipërinë). Por ajo jetoi pa asnjërin atdhe të saj gjatë gjithë jetës. Mund të thuhet se jeta e saj qe një eksodus biblik. Ndonëse mund të duket figurative, a nuk ju ngjan se roli i saj i njohur për të zbutur politikën mbretërore ndaj një populli në eksod, siç ishin hebrenjtë, u shpërblye shumë keq? A kanë detyrime brezat e sotëm për të ndrequr diçka?
Është i vërtetë pohimi i mësipërm, por njeriu nuk e parapërcakton fatin e jetës së tij. E rëndësishme është që sido që të jetë fati i jetës, së pari njeriu duhet të mbetet gjithnjë njeri me të gjitha virtytet që i ka falur natyra apo Zoti. Dhe ajo ashtu mbeti në të gjitha pozicionet që i caktoi fati, të lumtura dhe të trishtueshme. Dashuria njerëzore e shoqëroi deri në fund të jetës, si ndaj vendit të saj të lindjes, si dhe ndaj shqiptarëve, hebrenjve dhe të gjithë njerëzimit. Për mbretëreshën Geraldinë janë botuar disa libra nga autorë të huaj ku kanë dalë në pah jo aftësitë e saj politike apo diplomatike sesa dashuria dhe vlerat njerëzore. Për sa i përket pyetjes a kanë detyrim brezat e sotëm për të ndrequr diçka, mendoj se populli shqiptar e ndien dhe e vlerëson mirësinë dhe dashurinë e saj ndaj tij. Sigurisht që shqisat dhe mençuria popullore shpesh qëndrojnë më lart se politikat e ditës, e them këtë se nuk do të ishte e tepërt që varrimi i mbretëreshës Geraldinë të bëhej më ceremonial, shtetëror, ku të merrnin pjesë të gjithë përfaqësuesit e forcave politike, pasi në fund të fundit ajo nuk përfaqësonte vetëm një kah të politikës, sesa të gjithë popullin shqiptar. Megjithatë vlerësojmë vënien e emrit të mbretëreshës Geraldinë maternitetit të Tiranës, që edhe në kuptimin figurativ ka një domethënie: lindjen e brezave të rinj, të cilët padyshim do ta çojnë edhe më lart Shqipërinë.

Mërgimi i mbretit Zog dhe i mbretëreshës Geraldinë, me një rikthim pas 60 vjetësh ekzil, me të vërtetë ka një ngjyresë biblike. Por nëse do të ngulmonim ta trajtonim pikërisht si të tillë, ka rrezik që shembulli të kthehet në kundërproduktiv. Një studiues i huaj e ka quajtur si një lloj besnikërie ndaj popullit shqiptar, e ngjashme me atë të Penelopës mitologjike. Si e gjykoni ju?
Mendoj se ka një të vërtetë në krahasimin e mësipërm. Këtu kam parasysh si dashurinë edhe respektin ndaj popullit shqiptar, por mbi të gjitha dashurinë dhe amanetin ndaj të shoqit, mbretit Zog. Siç e përmenda më lart, ajo jetonte me të edhe pas vdekjes së tij dhe ardhja e saj ishte për mbretëreshën, rikthimi i mbretit Zog në vendin e tij. Padyshim që kjo dashuri për Shqipërinë ishte transmetuar gjatë gjithë jetës edhe te fëmija i saj, mbreti Leka si edhe te mua, kështu që mendoj se ky ishte edhe shpërblimi më i madh që iu bë i mundur para se të mbyllte sytë përgjithmonë.

Nga sa keni konstatuar gjatë kontakteve në Shqipëri, por dhe jashtë, a mendoni se ka njohje të mjaftueshme në shkallë ndërkombëtare realiteti shqiptar i viteve 1930 për marrjen në mbrojtje të hebrenjve?
Padyshim që njohje ka, por jo e mjaftueshme. Të mos harrojmë se përreth gjysmëshekulli regjimi komunist jo vetëm që nuk mund të evidentonte asnjë vlerë të monarkisë dhe mbretit Zog, por e nxiu gjithë realitetin e asaj periudhe. Sidoqoftë, kohët e fundit janë shtuar botimet lidhur me këtë aspekt, por ende të pandërkombëtarizuara në shkallën e duhur. Më e rëndësishmja është që populli izraelit përgjithësisht e njeh dhe e vlerëson atë realitet, por kjo nuk do të thotë që ne kërkojmë ndonjë shpërblim. Ne kërkojmë që të njihen vlerat e kombit shqiptar në të gjithë botën, vlera që ky popull i ka shfaqur gjatë gjithë ekzistencës së tij. Historia e popullit tonë ka qenë jo ajo e përfitimit nga të tjerët sesa ajo e luftës për të ruajtur trojet dhe vlerat kombëtare. Nuk është e tepërt që në këtë rast të përmendim periudhën e Skënderbeut, ku Shqipëria u bë mburojë e Europës, edhe pse një shtet i përmasave të vogla.

Megjithëse një vend aleat i Italisë fashiste, gjatë periudhës monarkike, sidomos pas shpalljes së doktrinës hitleriane "Final Solution", Shqipëria u hapi kufijtë qindra hebrenjve të vendeve të Europës Qendrore. Mendoni se ky fakt duhet të jetë një pikënisje për të reflektuar jo vetëm për të shkuarën tonë, për të shkuarën e kontinentit, por edhe për zhvillime të sotme, sidomos për tolerancën ndëretnike e ndërfetare dhe respektimin e dinjitetit të njeriut?
E vërteta e pamohueshme është se mbreti Zog nuk pranoi regjimin fashist në Shqipëri, duke mos njohur kurrë ligjërisht pushtimin e saj. Në ultimatumin e fundit, disa orë para pushtimit, Musolini i premtonte mbretit Zog një sërë privilegjesh materiale dhe honorifike, por ai i refuzoi me neveri. Ajo që është madhështore për një komb të vogël si Shqipëria, mbetet fakti që populli nuk dorëzoi asnjë hebre as gjatë marshimit nazist në vendin tonë. Në ndërgjegjen tonë kolektive, në plan të parë u vunë të drejtat e njeriut. Është për të ardhur keq që pikërisht ky komb që ka dhënë shembullin e tolerancës, gjatë dekadave të fundit të vuajë ende gjenocidin dhe diskriminimin etnik e fetar nga fqinjët tanë.

MONIKA SHOSHORI STAFA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TAHIR GJONBALAJ - PLAGËT E REJA TË PLAVË-GUCISËIntervistoi: RAMIZ LUSHAJ (08.16.2014)
I MBYTURI NË LIQEN ËSHTË HERO, AKTORI DHA JETËN PËR TË SHPËTUAR NJË FËMIJË (08.16.2014)
KOSTUMET TONA KOMBTARE DHE QENDRESA E TYNE!Nga FRITZ RADOVANI (08.15.2014)
ZOTI AMBASADOR ARVIZU, NUK JAM NË NJË MENDJE ME JU...Mr. AMBASADOR ARVIZU, I'M NOT IN A MIND WITH YOUNga KOLEC TRABOINI (08.15.2014)
A DUHET TË ZBATOHET DËNIMI ME BURGIM TË PËRJETSHËM APO DËNIMI ME VDEKJE PËR KRIMINELËTVështrim nga SKËNDER MULLIQI (08.15.2014)
NUMRI IMEI DHE QIMJA NË TRANga FATOS LUBONJA (08.14.2014)
RIPUSHTIMI DHE QËNDRESA NUK KANË MARRË ENDE FUND!Nga SULEJMAN GJANA, kryetar i PLL (08.13.2014)
DOLI U GUCISË - KARTOLINË URIMI PAPËS PARA VIZITËS NË SHQIPËRINga RAMIZ LUSHAJ (08.13.2014)
JETA PA LUKS E FAN NOLIT NË RRUGËN 'BLAGDEN' (08.13.2014)
GËZIM ALPION - NGA EKSODI I TRURIT GODITEN RËNDË POLITIKA, EKONOMIA, ARTET (Intervistë) (08.13.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart�]