VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NJË 'MEA CULPA' E MUNGUAR E KOKËDHIMËS
Nga REDJAN SHABANI

E Premte, 08.22.2014, 09:19am (GMT1)



Për vite të tëra Kisha Katolike ka qenë e sulmuar nga mediat për çështjen e priftërinjve pedofilë. Duke anashkaluar ngjarjet që sa vinin dhe shumoheshin, hierarkia klerikale nuk pranonte se ato ndodhi ishin shfaqje të një fenomeni dhe jo thjesht ngjarje të shkëputura. Efekti i mbrojtjes së ofruar nga instancat e larta të Vatikanit, në vend që të pastronte përbrenda sistemin, pati efektin e kundërt, shtimin e rasteve dhe mbulimin e mëtëjshëm të tyre duke sjellë indinjim në masë të besimtarëve dhe njerëzve të thjeshtë anembanë botës. Gjeniu që e kuptoi se si duhej të përballej me historinë në fjalë, nuk mund të ishte tjetër veçse Papa i çiltër që presim të na vizitojë në shtator. Ndryshe nga paraardhësi i tij Ratzinger, që e pranoi fenomenin duke mos pohuar ama mbulimin që i kishte bërë paraardhësi tjetër Wojtyla, Papa Françesku e mori përsipër të gjithë barrën e fajit duke kërkuar përulësisht falje për krimet e priftërinjve dhe për fshehjen e injorimin që u bënë atyre ngjarjeve "shefat" e Vatikanit.

Si shumë bashkëkombas të mi, mirëpritës i frymës dhe vlerave të reja që do të sillte mazhoranca e re qeverisëse, kam ngelur i shokuar nga ngjarja e Sarandës. Ama, ndryshe nga shumica, tronditja nuk më erdhi kur u transmetua ajo biseda e shpifur. Në qarkullim ka shumë elementë që përdorin privilegjet e rastit për të shantazhuar njerëz në nevojë dhe sado gjë e ulët të jetë, këto janë gjëra që ndodhin. Problemi qëndron kur ato privilegje që je duke përdorur, të janë dhënë në emër të një ideali më të lartë në të cilin njerëzit besojnë dhe shpresojnë dita-ditës.

Për t'u përshëndetur reagimi i Ministrit Tahiri i cili u solidarizua me viktimën e ngjarjes. Më tej akoma, Policia e Shtetit, duke mos humbur kohë u vu në zbatim të detyrave të saj duke marrë fillimisht në mbrojtje viktimat e ngjarjes dhe njëkohësisht duke hetuar dhe mandej duke ndaluar monstrën me privilegje. Por kjo ngjarje nuk është thjesht kronikë. Për mendimin tim nevojitet reflektim politik. Për shembull, zoti Kokëdhima duhej të kishte reflektuar në lidhje me personat që ka zgjedhur si përfaqësues, mbi detyrat që u ka lënë, mbi hapësirat për abuzime që ata mund të krijojnë, mbi përmirësimet në staf që mund të bënte, dhe mbas atij reflektimi të dilte dhe të pranonte hapur, në stilin e "autokritikës" së para "˜90 apo në stilin klerikal "mea culpa", se kishte qenë ai vetë që e kishte promovuar Canen deri në përkëdheljet për ta imponuar si kryetar Bashkie.

Por çfarë bëri Kokëdhima? Doli serbes dhe na tha se ai nuk punonte më në atë zyrë. E pra, ja përse unë ngela i shokuar. U shokova kur pashë se çfarë përfaqësuesish zgjedhin disa nga përfaqësuesit tanë. U shokova kur pashë se çfarë kriteresh zbatojnë disa për punësime; kur nisa të mendoj se sa njerëz mund të ketë rekomanduar për të futur në punë Cane dhe çfarë kriteresh mund të ketë ndjekur për vlerësim......U shokova kur sot lexova një artikull në gazetën e zotit Kokëdhima që trajtonte biografinë e nënës viktimë. Uroj që zoti Kokëdhima dhe shumë kolegë të tij që kanë dhe delegojnë fuqi për punësime apo konçesione të tjera, të reflektojnë dhe, në mos kërkojnë haptaz falje, të veprojnë për të ndryshuar këtë sistem të qelbur që na e kanë lënë peshqesh paraardhësit tanë!
REDJAN SHABANI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.