VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SULMI ANASTASIST NDAJ SHËN KOZMAIT TË KOLKONDASIT
Nga ARDIT BIDO

E Shtunë, 08.23.2014, 07:29am (GMT1)



Ditët e fundit ka rinisur një histeri e vjetër, që ka të bëjë me Shën Kozmain e Kolkondasit. Në këtë histeri ka dy krah, por një rrymë. Njëri krah e quan Shën Kozmain "djall antishqiptar", që nuk ishte aspak shenjtor dhe kishte qëllim vetëm greqizimin e shqiptarëve. Krahu tjetër e quan të barabartë me apostujt, që nuk ishte aspak greqizues dhe që thjesht tentoi ndalimin e islamizimit të shqiptarëve. Të dyja këto kahe i përkasin së njëjtës rrymë: anastasizmit!

E vërteta për Shën Kozmain është diku në mes. Shën Kozmai i Kolkondasit ishte një murg ortodoks, i cili jetoi në një prej shekujve më të egër të regjimit otoman, kur islamizimi masiv, sidomos në Shqipërinë e Mesme përhapej me çape vigane. Ai, grek në etni, u nis për në Shqipëri duke predikuar mosndryshimin e fesë, çeljen e shkollave dhe njëherazi mësimin e gjuhës greke. Ai ishte greqizues, siç pohojnë të gjithë autorët modernë që e kanë studiuar dhe ka arritur deri aty sa ka mallkuar gjuhën shqipe.

Njëherazi, ai është një shenjtor i Kishës Ortodokse, që është respektuar ndër shekuj në vendin tonë, jo vetëm nga ortodoksët shqiptarë, por edhe nga myslimanët shqiptarë.

Mjafton të kujtojmë se ndërtuesi i Manastirit të Kolkondasit, ku u prehën eshtrat e tij, ishte Ali Pasha, i cili e respektonte në veçanti murgun ortodoks. Shën Kozmai ishte greqizues, mirëpo ishte greqizues në një shekull ku nuk kishte përplasje ndërmjet etnive e as rizgjim të kombeve. Të akuzosh murgun e shkretë për "antishqiptari", kur nuk kishte lëvizje kombëtare as shqiptare e as greke është marri. Nga ana tjetër, fakti që ai u respektua ndër shekuj si një shenjtor, fakti që edhe para pak vitesh të moshuar: të krishterë e myslimanë të Myzeqesë shkonin e bënin rite në Manastirin e Kolkondasit, tregon se Shën Kozmai nuk ishte respektuar pse ishte greqizues, por ishte respektuar pse ishte shenjtor.

Kjo ishte gjysma e së vërtetës për Shën Kozmain. Gjysma tjetër ka të bëjë me përdorimin politik që shenjtorit i kanë bërë këto 50 vitet e fundit, duke e sjellë në qendër të Krishtërimit në Shqipëri, një rol që ai vetë nuk e ka pasur kurrë. Shën Kozmai është shpallur shenjtor nga Patirarkana Ekumenike në vitin 1961, në kulmin e debatit shqiptaro-grek dhe ndërkohë që Patriarkana Ekumenike sulmonte egërsisht Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila sulmohej edhe nga shteti ateist shqiptar po me aq egërsi. Dhe prej asaj date, Shën Kozmai i Kolkondasit, shenjtori që u respektua ndër shqiptarë si një prej shumë shenjtorëve të këtij vendi, u rishpik prej nacionalizmit grek si diçka tjetër: si një simbol i greqizmit në këto troje!

Kjo "rishpikje" që në vetvete është fyerja më e madhe që mund t'i bëhej shenjtorit nisi që nga emri. Ai nuk u quajt më Shën Kozmai i Kolkondasit, duke marrë emrin e fshatit ku u pre, sipas traditës, as Shën Kozmai i Beratit, siç e quanin rëndomtë Hirësi Kristofor Kisi dhe Hirësi Theofan Noli. Ai u quajt Shën Kozmai i Etolisë, në një rast të paprecedentë ku vendlindja i vihej si identifikuese e shenjtorit. Së dyti, vendimi i Patriarkanës Ekumenike nuk mjaftoi ta shpallte shenjtor, por e shpalli isapostull, pra i barabartë me apostujt. Isapostuj, si rregull, janë quajtur ata të cilët kanë ungjillizuar popuj joortodoksë, që nga Cirili dhe Metodi, te Borisi, Ollga, e deri tek i fundit, Hermani i Alaskës. Futja e Shën Kozmait në këtë kategori, që nuk mund të ungjillëzonte një komb të ungjillëzuar që prej Shën Pavlit, ishte qartësisht një lëvizje politike e Patriarkanës.


Kështu, Shën Kozmai i Etolisë tashmë u "rishpik" si qendrori prej shumë shenjtorëve që ky vend ka nxjerrë, që nga Shën Asti e deri te vëllami i Skënderbeut, Shën Nifoni, që nga Nikodhimi i Beratit te Donati i Vlorës, nga kunata e Skënderbeut, Shën Angjelina, te vetë Gjergj Kastrioti, që është respektuar si shenjtor sidomos gjatë shekujve të 19-të dhe 20-të, edhe pse nuk u shpall kurrë i tillë. Për ta plotësuar këtë rishpikje, çdo botim i kolegëve teologë të Kryepiskopit Anastas në universitetet ku ai ka punuar në Greqi, rendën ta pagëzojnë si "helenizues", "pararendës i kombit grek", "rilindas" e të tjerë.

Kështu, Shën Kozmai i Kolkondasit, simbol i paqtimit mes myslimanëve dhe ortodoksëve të Myzeqesë, frenues i islamizimit e përhapës i ortodoksisë, që në mendësinë e tij bëhej edhe nëpërmjet greqizmit, pas vitit 1961, u bë Shën Kozmai i Etolisë, rilindasi i madh i kombit grek, që ishte shenjtori më i madh i Shqipërisë, nëpërmjet greqizimit të saj, e mundësisht ungjillëzues i shqiptarëve.

Komunizmi ateist shqiptar i dha mundësinë nacionalizmit grek që këtë shenjtor ta ulte e ta fyente duke e rishpikur. Prej vitit 1990, kur në krye të Kishës Shqiptare erdhi Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, solli me vete këtë shenjtorin e ri, greqizuesin, antishqiptarin, më të madhin e të mëdhenjve, të barabartin me apostujt e më të madh dhe se Shën Pavli. Kështu, pas vitit 1990, e deri përpara dy muajsh, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, që për 24 vjet është drejtuar si një hibrid shqiptaro-grek fliste vazhdimisht për Shën Kozmain e Etolisë apo për Shën Kozmain e Kolkondasit duke i shtuar në kllapa doemos (Etolosi) ose (i Etolisë). Fliste për një shenjtor si rrallë të tjerë, që ka të krahasuar me të paktë të botës së amshuar. Arriti deri aty, sa kur Patriarku Vartholomeu erdhi në Tiranë, në vend të përmendte Shën Pavlin, Shën Astin, Shën Nifonin e shenjtorë shumë më të dëgjuar e të përfolur për mbarë botën, na foli për Shën Kozmain. Jo atë të vërtetin, shenjtorin që nacionalizmi grek i ndryshoi shenjtërinë, por për këtë të shpikurin prej vitit 1961, që është një përdorim politik i shëmtuar i një shenjtori!

Ditët e fundit në vendin tonë u ringjall një debat i zjarrtë mbi Shën Kozmain. Ai është një debat me dy kahe, por me një rrymë: anastasizmin. Ata që e sulmojnë Shën Kozmain, nuk sulmojnë Shën Kozmain e Kolkondasit, por sulmojnë atë që nacionalizmi grek dhe Kryepiskopi Anastas ka dashur t'i mveshë shenjtorit të respektuar të Myzeqesë. Ata, pra, sulmojnë Shën Kozmain që solli me vete në vitin 1990, Fortlumturia e Tij. Ndaj, ata, edhe pse kundërshtarë të Fortlumturisë, nuk mund të quhen veçse anastazianë. Sepse, të sulmosh një shenjtor, që është respektuar si i tillë në atdheun tonë, nga paraardhësit tanë, që nga Ali Pasha te Fan Noli, do të thotë se mendon ashtu siç mendon Kryepiskopi, pra që Shën Kozmai nuk ishte shenjtor, por pararendës i nacionalizmit grek.

Nga ana tjetër, "mbrojtësit e flaktë" të Shën Kozmait, fatkeqësisht sërish kanë qenë pikërisht mbrojtësit e këtij shenjtori të shpikur. Vetë fakti se të dielën Fortlumturia ka organizuar një aktivitet madhështor për të përkujtuar 300-vjetorin e lindjes së Shën Kozmain, dëshmon pikërisht faktin se ai vijon ta pasqyrojë Shën Kozmain e Etolisë si më të madhin e të mëdhenjve. Dhe këtë, ai nuk e bën se Shën Kozmai ishte ai që u pranua si shenjtor nga Ali Pasha dhe Fan Noli, por e bën si greqizuesin e madh, isapostullin e vitit 1961.

Nëse Fortlumturia e Tij do të kishte merakun e një drejtuesi fetar ortodoks dhe jo të një drejtuesi të nacionalizmit grek, atëherë gjashtë vite më parë, më 11 gusht të vitit 2008, ai do të përkujtonte një ngjarje edhe më madhështore. Atëherë nuk u bë bujë për 500-vjetorin e Shën Nifonit, vëllamit të Skënderbeut, njëherazi shqiptar i madh që u bë Patriark i Kostandinopojës, po aq luftues kundër islamizimit të shqiptarëve sa Shën Kozmai i Kolkondasit. Por, në mendjen e Kryepiskopit Shën Nifonit mungonte diçka: në ndryshim nga Shën Kozmai i Kolkondasit, ai ishte shqiptar, e në ndryshim nga Shën Kozmai i Etolisë, Shën Nifoni jo vetëm nuk ishte greqizues, por bashkëpunoi me heroin më të madh të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotin. Paralelisht, Fortlumturia ishte shumë i zënë për të shkelur, jo gërmën, por frymën e statutit, duke përgatitur në pak vjet edhe një tjetër grek për episkop të KOASH.

Po ta ndiente veten si drejtues i ortodoksëve të Shqipërisë dhe jo të greqizmit në Shqipëri, ai nuk do të organizonte vetë me dhjetëra autobusë që do të mbushin Manastirin e Kolkondasit, për t'i dhënë tonin grek ceremonisë, në të cilën nuk do të habitesha të dëgjonim më shumë greqisht sesa shqip. Në fund, nëse do të ruhet tradita, do të dalë një deklaratë për media, e cila do të shënojë me të madhe se aty u gjendën dhe deputetë të Parlamentit grek, ambasadori grek në Tiranë, nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule, me qëllim që dhe ky të marrë ndonjë votë në zgjedhjet e ardhshme dhe i paftuar me protokoll, ndoshta edhe Nikolla Gejxh. E gjithë kjo, për të vërtetuar tentativën greqizuese, e cila është antishqiptare dhe antiortodokse.

Nëse do ta ndiente veten besimtar ortodoks dhe jo besimtar i ideve nacionaliste greke, Kryepiskopi do të kujdesej të zhvishte ndonjë prift heretik për të cilin është sinjalizuar, e jo të kalonte në shkelje kanonesh duke i bërë fushatë politike Vangjel Dules në jug të Shqipërisë. Ai do të përkujdesej që Shën Kozmai i Kolkondasit të gjente vendin e tij mes shenjtorëve të shumtë të këtij vendi, kuptohet jo aq i rëndësishëm sa Apostull Pavli apo Shën Asti, por natyrisht, krah më krah me Shën Nifonin, Shën Nikodhimin, Shën Donatin, Shën Angjelinën, pse jo dhe Gjergj Kastriotin e dhjetëra shenjtorë të tjerë. Në vend të kësaj, Kryepiskopi i ka mbyllur lipsanet e shenjtorit të madh në katin e dytë të mitropolisë, në kishëzën e tij "personale" në Tiranë, larg syve të besimtarëve dhe Mitropolisë ku ndodhet Kolkondasi, me të vetmin argument se i ka blerë ato! Si ortodoks i mirë, duhet të ishte i pari që të thoshte se pronësi mbi shenjtorin nuk ka askush. Tentativa për ta vendosur Shën Kozmain në qendër të ortodoksisë shqiptare është një fyerje për shenjtorin, sepse ajo vërteton përdorimin politik të figurës së tij dhe nacionalizmin që ka kapluar hierarkinë e KOASH.

Ndaj, këtë të diel, ne do të shohim autobusë të ardhura nga Greqia, fjalime patetike nga ato që vetëm Kryepiskopi mund të bëjë, protesta kundër Shën Kozmait të Etolisë dhe një përkujtim të përdorimit politik të shëmtuar të një shenjtori të madh që me zor po e zvogëlojnë. Sepse problemi nuk është Shën Kozmai, i cili edhe pse greqizues, ka qenë një shenjtor i gjithërespektuar i këtyre trojeve. Problemi është mveshja me ato karakteristika që murgu i thjeshtë nuk i ka pasur kurrë, duke sjellë një reagim po aq anastazist, në të dyja rastet antiortodoks. Unë, këtë të diel do të ulem dhe do t'i lutem Shën Kozmait, që t'i falë të dyja palët nga përdorimi antiortodoks, që nacionalizmi grek dhe Kryepiskopi Anastas po i bëjnë dhe nga sulmi që ai ia ka dalë të prodhojë duke importuar një shenjtor, që nuk është shenjtori i ynë, Kozmai i Kolkondasit!
ARDIT BIDO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.