VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JANULLATOS - KRYEPISKOP QË MBRON HEREZINË
Nga ARDIT BIDO

E Mërkurë, 08.27.2014, 08:01am (GMT1)



Mund të shani sa të doni shenjtorin, mjafton të mos prekni kultin e individit të Kryepiskopit Anastas. Ky është mësimi antiortodoks  që na jep hierarkia e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ditët e fundit me çështjen e festimit të 300- vjetorit të lindjes së Shën Kozmait të Kolkondasit. Ndryshe, nuk mund të shpjegohet se si të ftuarit e nderit të Kryepiskopit Anastas, që thanë të njëjtat fyerje ndaj shenjtorit, u mirëpritën, në vend të cilësoheshin "ateistë, komunistë, fashistë, nacionalistë", siç ai rendi të quajë historianët shqiptarë.

Qëndrimi im mbi këtë çështje është publik tashmë, ndaj nuk do të bie në përsëritje. Shën Kozmai ishte një ndër shenjtorët e shumtë të gjithërespektuar të këtyre trojeve; greqizues, por atëherë kur nuk kishte lëvizje kombëtare e rrjedhimisht nuk mund të quhet as "antishqiptar" e as "nacionalist grek". Shën Kozmait këto epitete iu mveshën nga nacionalizmi grek, duke e fyer nëpërmjet rishpikjes si rilindasin grek, që greqizoi Shqipërinë dhe isapostull që ungjillëzoi shqiptarët. Ndaj, të dyja kategoritë, si ata që sulmojnë Shën Kozmain si nacionalist grek, si ata që e mbrojnë si nacionalist grek, nuk mund të quhen veçse antiortodoksë!

Mirëpo, qëndrimi i hierarkisë së Kishës Shqiptare na tregon tjetër gjë. Kur historianët Pëllumb Xhufi, Moikom Zeqo dhe ndonjë tjetër ranë në grackën e teorisë greke dhe e quajtën nacionalist grek shenjtorin tonë Kozmain e Kolkondasit, bateria e sulmit nga Rruga e Kavajës u hodh me fuqinë e saj të plotë. Ish-deputeti shqiptar u quajt ateist, që do të mbajë shtypur ortodoksët, që sulmon fenë dhe besimin.

Kështu, duke i flakur këta tej, Fortlumturia shkoi për të festuar në Kolkondas të Fierit, me rreth tetëqind besimtarë (0.1% e ortodoksëve të këtij vendi, sepse të shumtit i ka dëbuar nga Kisha), e po aq të sjellë me autobusë nga Greqia. Ndër këta të fundit, ishin edhe politikanë grekë, si guvernatori i Epirit, Karhimanis, ish-deputeti e ministri nga Larisa, Harakopulos. Siç tregon dhe fotografia, këta u pritën me respekte të veçanta nga Kryepiskopi, ndërkohë që nuk kishte asnjë politikan shqiptar, edhe pse rreth 40 deputetë të këtij vendi janë ortodoksë.

Harakopulos, si anastazist e shpalli Shën Kozmain etnomartir në sy të Kryepiskopit. "Shën Kozmai - na tha - ishte rrugëtari i palodhur ndërmjet komuniteteve të grekëve, duke shpërndarë farën e shpresës". Për më tej, ai tha se kjo farë nuk shkoi dëm, por "përgatiti kryengritjen e 1821, por edhe u bë fanar shprese për të gjitha brezat e mëvonshëm". Në të njëjtën ditë me Harakopulos, Mitropoliti i Janinës, Maksimi deklaronte se "Shën Kozmai mësoi Krisht dhe Greqi".

Megjithëse si Harakopulos, si Maksimi i Janinës shqiptuan po të njëjtat gjykime ndaj shenjtorit si profesor Pëllumb Xhufi dhe Moikom Zeqo, hierarkia e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, jo vetëm që heshti, por i mirëpriti. Për nder të Harakopulos u shtrua një drekë, në vend që të quhej "ateist, komunist, fashist, nacionalist".

Pëllumb Xhufi, si ish-deputet shqiptar, mund të sulmohet pa frikë. Fundja, kjo është mënyra më e mirë se si të sjellësh përçarje brenda Shqipërisë, sipas parimit përça dhe sundo. Ndaj, bateria e mercenarëve të paguar me lekë të konvertuara nga eurot e huaja, u turr pa mëshirë ndaj ish-deputetit shqiptar. Ai kishte bërë gabimin fatal: kishte quajtur Shën Kozmain etnomartir grek që punoi për Greqinë, kishte kritikuar edhe Kryepeshkopin, duke i thënë se e kishte vendosur Shën Kozma Etolosin në qendër të tendencave nacionaliste greke në Shqipëri.

Në ndryshim nga profesor Xhufi, Harakopulos ishte deputet grek dhe rrjedhimisht nuk mund të sulmohej. Bateria e mercenarëve e dinë mirë se nga vijnë rrogat e tyre dhe nuk do ta bënin këtë faj. Për më tepër, Harakopulos nuk e kishte bërë gabimin fatal, krejt e kundërta. Ai kishte deklaruar se Fortlumturia ishte një dhuratë që Greqia i kishte bërë Shqipërisë!

Më 24 gusht, Shën Kozmai u fye: ai u përkujtua si të ishte babai i nacionalizmit grek, duke sjellë të organizuar autobusë nga Greqia dhe politikanë grekë. Fortlumturia i mirëpriti guvernatorin e Epirit, ish-ministrin grek, deputetë dhe përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri, por asnjë autoritet qëndror shqiptar.

Kryepiskopi Anastas përzgjodhi të sulmojë si "ateistë, komunistë, fashistë, nacionalistë" të gjithë shqiptarët që gabimisht e quajtën Shën Kozmain, si nacionalist grek. Kjo, për të është një fitore, teksa krijon përçarje në baza fetare brenda shoqërisë tolerante shqiptare dhe tenton të identifikojë vetveten me shenjtorin, duke e rritur edhe më tej kultin e individit që ka krijuar këto 24 vjet.

Kryepiskopi Anastas përzgjodhi të mirëpresë e të shtrojë drekë për të gjithë grekët që gabimisht e quajtën Shën Kozmain, si nacionalist grek. Kjo, sepse për të lindurin në një mjedis që nuk e di se çfarë është toleranca fetare, rëndësi ka rritja e kultit të individit që ka krijuar këto 24 vjet.

Nga kjo histori, e vetmja pyetje që mbetet është: a tenton Kryepiskopi të mbrojë ortodoksinë nga prof. Pëllumb Xhufi, prof. Moikom Zeqo, Maksim Harakopulos, Mitropoliti Maksimi i Janinës dhe shumica e grekëve që e fyejnë Shën Kozmain, apo thjesht tenton që në Shqipëri shenjtorin ta paraqesë ndryshe (siç ai ishte) dhe në Greqi të paraqesë "rishpikjen" e vitit 1961? Kjo pyetje duket më shumë si retorike, për një Kryepiskop që mbron herezinë si në rastin Kozma Papa dhe që ndryshe sillet ndaj shqiptarëve e ndryshe ndaj grekëve, ca të nënës e ca të njerkës...
ARDIT BIDO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.