SUEDIA, FINLANDA - MË PAK NEUTRALITET, MË SHUMË SIGURI Nga PETRIT HALITI
E Hënë, 09.01.2014, 08:01am (GMT+1)
Dy shtete nordike, nga më demokratikët e botës, Suedia dhe Finlanda, po
rivlerësojnë orientimet e tyre të deritanishme të politikës së jashtme
në përputhje me zhvillimet e reja alarmuese në kontinentin europian, pas
agresionit rus në Ukrainë. Helsinki në 27 gusht dhe Stokholmi në 28
gusht njoftuan se qeveritë e vendeve të tyre, të cilat nuk janë anëtare
të NATO-s, kanë vendosur që të nënshkruajnë me Aleancën Atlantike
"Marrëveshjen e mbështetjes së vendit mikpritës" gjatë samitit të
NATO-s, që do të mbahet në 4-5 shtator në Uells. Sipas kësaj
marrëveshjeje, forcat e NATO-s lejohen të përdorin hapësirat tokësore,
detare dhe ajrore të të dy shteteve nordike gjatë rrugëve të tyre
operacionale. Marrëveshja lejon stërvitjen e forcave ushtarake të NATO-s
në territoret e dy shteteve nordike dhe parashikon ndihmën në rastet e
krizave dhe konflikteve, si dhe në situatat e kërcënimeve për sigurinë e
dy shteteve nordike. Dy shtetet mikpritëse marrin përsipër të
garantojnë operacionet e mbështetjes dhe logjistike për forcat e NATO-s,
që nga furnizimet ushqimore e deri te municionet. Në përputhje me
vullnetin e përbashkët, forcat e NATO-s nuk mund të dislokohen pa ftesën
e dy shteteve nordike, por edhe NATO ka të drejtën të mos pranojë
ftesën e dy shteteve nordike për dislokimin e forcave të saj në
territoret e këtyre dy shteteve.
Gatishmëria e qeverive të Suedisë
dhe të Finlandës për të nënshkruar këtë marrëveshje me Aleancën
Atlantike përfaqëson një kapitull të ri në marrëdhëniet mes tyre dhe
NATO-s. Vetë përmbajtja e marrëveshjes flet qartë se këto marrëdhënie po
shkojnë drejt një afrimi dhe shkalle të re bashkëpunimi, çka përfaqëson
një lëvizje apo një zhvendosje doktrinare të të dy shteteve, dukuri që
ka të bëjë me zhvillimet e fundit në kontinentin tonë. Për hir të së
vërtetës, duhet thënë se dy shtetet nordike, jo anëtare të Aleancës
Atlantike, kanë shumë vite që diskutojnë arritjen e një marrëveshjeje të
tillë me NATO-n. Por tani duket se kushtet u poqën dhe rrethanat
europiane dhe ndërkombëtare sugjeruan një vendimmarrje të re, e cila
materializon bashkëpunimin kualitativ të dy shteteve nordike me aleancën
më të fuqishme ushtarake të të gjitha kohërave. Është e qartë se
shkallëzimi i bashkëpunimit të Suedisë dhe të Finlandës me NATO-n është
pasojë dhe produkt i shqetësimeve për sigurinë dhe lirinë e popujve, që
krijoi agresioni rus në Ukrainë. Ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë,
aneksimi i Krimesë dhe ndezja e luftës kundër integritetit dhe
sovranitetit të Ukrainës në pjesën lindore të saj me pjesëmarrjen e
drejtpërdrejtë të trupave ruse, zgjoi në të gjitha shtetet demokratike
të Europës alarmin për vigjilencën, që duhet treguar ndaj këtij rreziku
të ri për lirinë dhe pavarësinë e popujve. Ukraina u tregoi gjithë
popujve europiane se pavarësia dhe integriteti territorial po i
ekspozohen tani përsëri, 70 vjet pas mbarimit të luftës së dytë
botërore, rrezikut rus. Europa kishte menduar se rreziku rus u zhduk
bashkë me mbarimin e luftës së ftohtë, me shkatërrimin e komunizmit dhe
të Bashkimit Sovjetik. Por viti 20014, 100 vjet pas fillimit të Luftës
së Parë Botërore, jep alarmin e rrezikut të ri rus. Është një rrezik, që
u shfaq në fillim me agresionin ushtarak ndaj një shteti fqinj europian
si Ukraina, por i cili nuk pritet të ndalojë vetëm në raportet mes
Rusisë dhe Ukrainës. Agresioni rus në Ukrainë zbuloi se përdorimi i
forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare u rikthye si instrumenti kryesor i
realizimit të ambicieve imperiale të Kremlinit dhe si metodë e zgjidhjes
së problemeve dhe konflikteve, që Rusia ka dhe shkakton me shtete
fqinje apo shtete të tjera të Europës. Është e lehtë të merret me mend
se çfarë përshtypjesh mund të ketë shkaktuar agresioni rus kundër
Ukrainës në qarqet vendimmarrëse qeveritare të shteteve si Finlanda, e
cila ka 1300 kilometra kufi të përbashkët me Rusinë, apo si Suedia, e
cila laget nga i njëjti det Baltik me Rusinë.
Standarti i lartë
demokratik i shoqërive të të dyja shteteve nordike dhe sjellja model
demokratike e shteteve nordike në arenën ndërkombëtare, nuk duket se
janë kolona të mjaftueshme për të mbrojtur Suedinë dhe Finlandën nga një
agresion i mundshëm rus. Rasti i Ukrainës, e cila ka një popullsi pesë
herë më të madhe se Suedia dhe nëntë herë më të madhe se Finlanda,
tregon se një shtet-kalorës i vetmuar do ta ketë tepër të vështirë, në
mos të pamundur t'i rezistojë i vetëm një ndërhyrjeje ushtarake nga ariu
rus.
Në këto rrethana të reja mendohet se është arritur në nevojën e
rritjes së shkallës dhe mënyrave të bashkëpunimit të dy shteteve
nordike me Aleancën Atlantike, në formën e kësaj marrëveshjeje, e cila
natyrisht paraqet një hap të rëndësishëm dypalësh në këto marrëdhënie.
Ai është hap i rëndësishëm në kuptimin e avancimit të marrëdhënieve,
sepse është e qartë se ende nuk jemi në fazën që Suedia dhe Finlanda
janë gati që të aplikojnë për anëtarësim në NATO. Ai është një hap i
rëndësishëm, sepse sjell një formë apo një mesazh sigurie për popullin
suedez dhe finlandez dhe në të njëjtën kohë sjell edhe një mesazh
paralajmërimi dhe frenimi në adresë të Kremlinit, lidhur me ndonjë plan
aventuresk, që mund të ekzistojë në dosjet e strategjistëve rusë me në
krye presidentin Putin, të cilët po tentojnë të ndjekin gjurmët e
ëndrrës së ringjalljes së Bashkimit Sovjetik të diktatorit Josif Stalin.
Është ai Bashkim Sovjetik i Stalinit, i cili pushtoi 10 për qind të
territorit të Finlandës gjatë Luftës së Dytë Botërore, hapësirë e cila
edhe sot e kësaj dite ndodhet brenda kufijve të Rusisë.
Padyshim,
rruga drejt një statusi të dy shteteve nordike si anëtarë të Aleancës
është ende e gjatë, sepse ende në të dyja shtetet ka një opozitë të
gjerë publike kundër një anëtarësimi në NATO, ndonëse elita politike
suedeze dhe finlandeze janë gjithnjë e më të qartë për nevojën e një
statusi të tillë. Duke qenë dy shtete maksimalisht demokratike, Suedia
dhe Finlanda kanë një respekt të jashtëzakonshëm për normat e
organizimit të shoqërisë dhe të shtetit dhe gjithmonë ndjekin politika
që shprehin vullnetin e shumicës dërrmuese të popullsisë. Por edhe në
këtë çështje ka një lëvizje dhe sondazhet e opinionit publik në të dyja
shtetet tregojnë se pas agresionit rus në Ukrainë përqindja e popullsisë
në favor të një anëtarësimi në NATO është në rritje. Afrimi i ri i
dy shteteve nordike me NATO-n ka hapur një debat mbi neutralitetin, që
kanë ruajtur deri tani edhe Suedia, edhe Finlanda, të cilat në kohën e
luftës së ftohtë kanë mbajtur një distancë ndaj të dy blloqeve
ushtarako-politike rivale të asaj kohe. Përpara qeverive të këtyre dy
shteteve shtrohet në planin strategjik dilema e zgjedhjes mes
neutralitetit dhe sigurisë, që vjen nga ombrella e NATO-s. Politika e
neutralitetit, e ndjekur në fushën e politikës së jashtme nordike ka
pasur anët e saj pozitive gjatë dekadave të kaluara. Mirëpo agresioni
rus ndaj Ukrainës zbuloi se vlerat e neutralitetit janë zbehur në
raportet e reja ndërkombëtare dhe neutraliteti nuk konsiderohet aspak
pengesë nga shtete agresore, të cilat doktrinën ushtarake e kanë
vendosur në themel të politikës së jashtme. Ukraina, pas ardhjes në fuqi
të presidentit prorus Viktor Janukoviç, në vitin 2010, adoptoi
zyrtarisht politikën e neutralitetit në marrëdhëniet e saj me shtetet e
tjera. Mirëpo Rusia në vitin 2014 e shkeli me tanke këtë neutralitet
zyrtar të Ukrainës dhe ndërmori një agresion ushtarak, që i copëtoi asaj
integritetin territorial. Doktrina zyrtare e Kievit për neutralitetin
nuk u bë aspak ndalesë dhe madje, as është përmendur ndonjëherë në
debatet diplomatike ndërkombëtare, të zhvilluara për ngjarjet në Ukrainë
gjatë këtyre tetë muajve. Kjo do të thotë se një Rusi agresive, që nuk
respektoi neutralitetin e një shteti të së njëjtës racë sllave, të një
shteti me të njëjtën fe ortodokse, të një shteti me të cilin kishte
jetuar bashkë për afro 80 vjet, nuk mendohet se do të jetë më e
përmbajtur ndaj neutralitetit të shteteve nordike. Idenë se neutraliteti
i dy shteteve nordike duhet të ruhet si dogmë fetare po kërkoi ta
imponojë Rusia, e cila dëshiron që Suedia dhe Finlanda të mbeten të
zbuluara dhe e cila po bën presion mbi dy shtetet nordike që të mos
rrisin bashkëpunimin me NATO-n. Kryetari i komitetit të politikës së
jashtme të Dumës Ruse, Aleksej Pushkov, deklaroi në 28 gusht se
marrëveshja e dy shteteve nordike me NATO-n do të thotë fund i
neutralitetit të këtyre shteteve. Kurse Sergej Markov, këshilltari
politik i presidentit rus, akuzoi shtetet nordike për rusofobi dhe
shkallëzoi kërcënimet në absurditet me deklaratën se "Rusofobia mund të
fillojë luftën e tretë botërore dhe Finlanda është një nga vendet më
rusofobe në Europë pas Suedisë, Polonisë dhe vendeve baltike".
Tendencat
e zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Europë në kohën e sotme
dhe sidomos me formën e re të agresivitetit të politikës së jashtme
ruse, mësojnë se neutraliteti në politikën e jashtme nuk është më
doktrina apo atuja, që jep siguri kombëtare për të panjohurat dhe
kërcënimet e së ardhmes. Shpeshherë besohet se neutraliteti është
tipikisht pjesë e identitetit nordik, por nuk është plotësisht ashtu.
Nuk duhet harruar se nga pesë shtete nordike, tre prej tyre, Norvegjia,
Danimarka dhe Islanda janë anëtare të NATO-s dhe për këdo është e qartë
se ato janë po aq nordike, por ndjenja e sigurisë përballë kërcënimeve
ruse është më e lartë në këto tri shtete se sa në dy shtetet e tjera.
Ndaj
zgjedhja e një politike, që shkon drejt pakësimit të elementeve të
neutralitetit dhe drejt shtimit të elementeve të një angazhimi drejt një
ombrelle sigurie si NATO, është një kurs i drejtë, që garanton sigurinë
e popujve dhe të rajonit nordik dhe i shërben paqes në krejt
kontinentin europian.
PETRIT HALITI
|