VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GJYQTARI BENDO - 'KUNDËRSHTAR' NË GJYQ NDAJ DJALIT DHE NDAJ NIPIT TË GRUAS

E Enjte, 09.18.2014, 11:02am (GMT1)


Prokuroria Këto konflikte interesi të gjyqtarit Agim Bendo do i paraqesim në Gjykatën e Lartë, pasi kemi bërë rekurs vendimit ndaj Gentian Jahes

Konflikti i interesit

Një familje në tri pozicione të ndryshme. Kolegji ku ishte anëtar Agim Bendo vendosi arrest shtëpie për Gentian Jahen

Masat Gjyqtari Agim Bendo, që ishte në Kolegjin Penal dhe dha masën e arrestit shtëpiak për Ardian Fullanin, ka firmosur edhe për një masë tjetër "arrest shtëpie", pikërisht ndaj audituesit Gentian Jahja, që akuzohet për shpërdorim detyre
Konflikti Vendimi i dhënë nuk i ka befasuar aq shumë prokurorët, teksa prisnin një "shfryrje" në Apel, pothuajse për të gjithë të pandehurit. Por, e çuditshmja ka qenë se i pandehur ka qenë nipi i gruas së gjyqtarit dhe avokat djali i tij
Një precedent tepër i rrezikshëm për drejtësinë ka ndodhur dy ditë më parë në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Në një seancë gjyqësore ishte babai, në rolin e gjyqtarit, djali si avokat, ndërsa i pandehur ishte nipi i gruas së gjyqtarit. Një gjë e tillë ndodhi në masën e sigurisë ndaj audituesit Gentian Jahja. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë për "Shqip", se në këtë seancë, anëtari i Kolegjit Penal, Agim Bendo, ka pasur konflikt interesi për zhvillimin e kësaj seance gjyqësore. Sipas tyre, i pandehuri Gentian Jahja mbrohej me prokurë nga djali i gjyqtarit Bendo. Ndërkohë, një tjetër konflikt interesi është edhe fakti se Jahja është edhe nipi i gruas së gjyqtarit. Pra, dy "konflikte" që duhet të sillnin edhe dorëheqjen e të paktën gjyqtarit Agim Bendo. Megjithatë, duket se edhe prokuroria nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, teksa tashmë ky fakt do të shkojë në Gjykatën e Lartë, pasi akuza qendrore ka gati vendimet e rekursit për të gjitha ndryshimet e masave të sigurisë ndaj të pandehurve që akuzohen si shkaktarë të vjedhjes së mbi 700 milionë lekëve nga Thesarit i Shtetit në Linzë.

Konflikti i interesit

Dy ditë më parë, rreth orës 16:00, Kolegji Penal me relator Alaudin Malajn, Shkëlqim Mirin dhe Agim Bendon, ndryshoi masën e sigurisë ndaj inventarizuesit Gentian Jahja, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Gjyqtarja e Shkallës së Parë, Blerina Muça, kishte vendosur ndaj këtij të pandehuri, masën e arrestit me burg. Pas kësaj mase, në prokurori u paraqit prokura e avokatit të Jahes, i cili ishte B.Bendo. Më pas, Prokuroria e Tiranës, krahas apelimeve të disa vendimeve të Shkallës së Parë, i kërkoi Prokurorisë së Apelit të rikërkonte për këtë të pandehur masën e arrestit me burg, pasi gjatë inventarizimit të Thesarit, ky person, bashkë me disa të tjerë, nuk kishin konstatuar vjedhjen. Më pas, prokurori i Apelit, Nezir Gjoka, thirret për pesë masa sigurie, ku Jahja ishte lënë i fundit, pas masës ndaj Fullanit. Kur të gjithë merreshin me ndryshimin e masës ndaj guvernatorit, i njëjti trup gjykues vendosi të lërë në arrest shtëpie Jahen. Por, deri në këtë pikë, gjithçka në rregull sipas procedurave dhe ligjeve, pasi "vendimi i gjykatës zbatohet, nuk diskutohet". Madje, edhe kundërshtohet, por nga prokuroria. Megjithatë, nga verifikimet e mëvonshme të akuzës ka rezultuar se i pandehuri kishte lidhje familjare me gjyqtarin Agim Bendo. Jahja është nipi i bashkëshortes së zotit Bendo. Madje, edhe kohë më parë, grupi hetimor kishte informacione për këtë lidhje mes të arrestuarit dhe gjyqtarit, por duke qenë se Bendo ka qenë jashtë vendimmarrjes për këtë të arrestuar, akuza ka "heshtur". Por, nuk dihet nëse ka kërkuar largimin e gjyqtarit Bendo nga zhvillimi i kësaj mase sigurie, pasi informacionet e deritanishme nuk e faktojnë një kërkesë të tillë. Megjithatë, konflikti i interesit së gjyqtarit thellohet edhe më tej, kur avokati mbrojtës i Jahes ka qenë pikërisht B.Bendo, djali i gjyqtarit Agim Bendo. "Në dosje kemi edhe një prokurë të avokatit B.Bendo që mbron interesat e të arrestuarit Gentian Jahja. Ne njohim këtë avokat si mbrojtës të Jahes", pohojnë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme.

Rekursi në Gjykatën e Lartë

Ndërkohë, burime nga akuza qendrore pohojnë se disa nga vendimet e Apelit do të shkojnë në Gjykatën e Lartë. Madje, edhe vendimi i arrestit shtëpiak për Gentian Jahen, ku do të renditen edhe "gabimet" e Apelit, ndër to edhe konflikti i interesit për gjyqtarin Bendo. Akuza pohon se e cilëson si të padrejtë masën ndaj guvernatorit Ardian Fullani, megjithëse thotë se edhe vendimi i dhënë nga Apeli ka konfirmuar se për këtë çështje ka prova. Humbje, sipas tyre, do të ishte nëse kjo gjykatë do të vendosë masën detyrim paraqitjeje apo të cilësonte se provat që ndodhen në dosje janë shkelje administrative dhe jo vepra penale. Tashmë, burimet nga akuza thonë se do të vazhdojnë të hetojnë edhe për disa javë Fullanin, teksa në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit tetor, të përfundojnë hetimet dhe të dërgojnë dosjen në gjykatë. Akuza qendrore do të bëjë edhe një tentativë për ta rikthyer në burg këtë të pandehur, megjithëse ka pak gjasa që të ndodhë. Shqip

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.