VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BESA IMAMI - YLL I PASHUAR I SKENËS SHQIPTARE
Nga Prof MURAT GECAJ

E Martë, 09.23.2014, 06:02pm (GMT1)


1.
Në vitet '80-të të shekullit të kaluar, kisha nisur kërkimet për veprimtarinë e mësuesve atdhetarë shqiptarë, sidomos për ata që kishin mësuar në Normalen dhe Gjimnazin e Shkupit, ku nxënësve të tyre ua mësuan shqipen, Sali Gjukë Dukagjini e Bedri Pejani. Kjo ishte dhe arsyeja, se përse shkova edhe në familjen e tre prej mësuesve të familjes Imami, pasardhësit e të cilëve jetonin në kryeqytetin tonë. Kështu, aty u njoha me bashkëshorten e mësuesit atdhetar gjakovar Ferid Imami, tani "Mësues i merituar", nënë Behixhen, por dhe me djemtë e vajzat e saj. Përveç të dhënave, që mora për Feridin, pra për njërin ndër nismëtarët e çeljes së shkollës shqipe në Gjakovë dhe normalist i Shkupit, aty u njoha me dëshmi e fakte edhe për vëllain e tij, Ahmet Imamin, i cili kishte mësuar në Normalen e Elbasanit dhe ishte ndarë përgjithnjë nga jeta, në moshë të re.

Gjithshtu, në atë vatër familjare mikpritëse, më treguan me dhimbje për birin e Feridit e Behixhes, dëshmorin e Atdheut, Besim Imami. Ndërsa aty pata kënaqësinë të njihja nga afër edhe vajzën e tyre të dashur, artisten e madhe të skenës shqiptare, Besa Imamin, nënën e kolegut publicist, Artur Zheji, si dhe motrën e saj, Lirinë.

Shpesh e kisha parë Besën që luante në skenë, aktore shumë të talentuar në mjaft drama e filma shqiptarë. Ndër ta, më kishte mbetur në mendje, e skalitur aq bukur prej saj, figura e Donika Kastriotit, në filmin "Skënderbeu". Prandaj, njohja nga afër bëri që të më shtohej shumëfish respekti për të, duke patur parasysh traditën arsimdashëse dhe ndihmesën e dhënë, nga babai e xhaxhai i saj, për shkollën kombëtare shqipe, sidomos në Kosovë.
2.
Ja, pas kaq vitesh, dje mora lajmin e hidhur të ndarjes përgjithnjë nga jeta të "yllit të pashuar" të skenës shqiptare, Besa Imami. Kështu, ajo la në pikëllim familjarët e saj, por dhe sa e sa kolegë, miq e dashamirë të artit shqiptar. Natyrshëm, bashkë me lexues të tjerë, i hodha një vështrim të shkurtër jetës së saj të begatë, e cila do të ruhet gjatë në kujtesën e brezave.

Lindi në qytetin plot tradita të Gjakovës, në gusht të vitit 1928. Kur ajo ishte në moshën 9-vjeçare, familja u shpërngul në Tiranë. Jetën artistike në skenë e nisi si amatore. Kështu, rol pas roli, në teatër e kinematografi, që nga viti 1946 dhe deri më 1988, "Artistja e merituar" Besa Imami i dha publikut shqiptar dhjetëra role të spikatura në dramaturgji. Ndër ta, po përmendim këtu: Mbretëresha Tautë ("Artani"), Nënë Zyraja ("Bashkë me agimin"), Prenda (""Cuca e Maleve"), Rusha ("Halili dhe Hajria"), Laja ("Lulja e shegës") etj. U rikthye përsëri në skenë në vitet e Demokracisë, pra më 2004, kur luajti në dramën e R.Pulahës, "Streha e të harruarëve". Por edhe në kinematografi Besa Imami krijoi e skaliti figura të shumta, si: Donika ("Sknderbeu"), Marta ("Brazdat"), Tana ("Në fillim të verës") etj. Ndërsa luajti dhe në operën "Kavaleria Rustikane" të P.Maskanjit.

Pak ditë më parë, në qytetin e lindjes së saj, Gjakovë, u organizua një ceremoni e bukur. Me atë rast, Besa Imamit iu dha titulli i merituar, "Nderi i skenës shqiptare".
Me një veprimtari kaq të pasur artistike, por dhe të shtrirë gjatë në kohë, artistja e shquar Besa Imami la gjumë të pashlyera te shikuesit shqiptarë. Prandaj ajo do të jetë e paharruar, jo vetëm për familjarët e saj, por dhe për bashkëpunëtorët e skenës së teatrit e kinematografisë dhe për publikun e gjerë artdashës shqiptar.

...Për ta nderuar jetën dhe kujtimin e kësaj artisteje shumë të njohur të skenës shqiptare, sot në mesditë u organizuan homazhe pranë trupit të pajetë të saj, i cili ishte vendosur në mjediset e Teatrit Kombëtar, në kryeqytetin e Shqipërisë. Përveç familjarëve të saj, erdhën mjaft artistë e shkrimarë, përfaqësues të jetës politike e shoqërore, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Pastaj, e mbuluar me kurora dhe lule të freskëta, ajo u përcoll për në banesën e fundit.

Tiranë, 22 shtator 2014


Prof. MURAT GECAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.