E Premte, 04.19.2024, 02:15pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
FANSAT E PUTINIT NË BE DHE NË NATO
Nga PETRIT HALITI

E Hënë, 09.29.2014, 09:55am (GMT+1)



Nuk e dimë se ku ka qenë presidenti i Republikës Çeke, Milos Zeman, në kohën që trupat ruse pushtuan Çekosllovakinë në 21 gusht 1968. ... Nuk e dimë se ku ka qenë kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, kur trupat ruse pushtuan Çekosllovakinë në vitin 1968. Nuk e dimë se ku ka qenë kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, kur trupat ruse mbytën me gjak dhe hekur kryengritjen e popullit hungarez në tetor të vitit 1956.

Ajo që mund të thuhet me siguri, është se të tre personalitetet e mësipërme ose nuk e njohin, ose e kanë harruar historinë e vendit të tyre. Sepse tingëllon e pabesueshme që, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, aneksimit të dhunshëm të Krimesë dhe seçesionit faktik të rajoneve lindore të Ukrainës nga trupat ruse dhe bandat proruse, personalitete zyrtare nga shtetet e mësipërme nuk besojnë se ka ndodhur një agresion rus. Në Forumin Ekonomik të Rodosit, në 26 shtator, presidenti i Republikës Çeke, Milos Zeman, deklaroi se nuk është provuar deri tani se ka invazion rus në Ukrainë dhe shtoi se ai i merr seriozisht fjalët e ministrit të Jashtëm rus se në Ukrainë nuk ka ushtarë rusë.

Presidenti çek përsëriti qëndrimin e tij se është kundër sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Rusisë, të cilat i cilësoi të pavlera dhe që pengojnë dialogun. Dhe që t'i vinte kapakun tiradës së tij politike proruse, presidenti i Republikës Çeke, sipas mediave ruse, iu drejtua të pranishmëve në gjuhën ruse dhe jo angleze. Të njëjtën ditë kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, njoftoi se Hungaria i ka ndërprerë furnizimin me gaz Ukrainës, duke iu bashkëngjitur ndërprerjes  së gazit, që Rusia i bëri Ukrainës në qershor. Bllokada hungareze u ndërmor në mënyrë të papritur dhe pa dhënë asnjë shpjegim, siç u shpreh kompania shtetërore ukrainase e naftës dhe e gazit, 'Naftogaz'.

Vendimi i Hungarisë për ndërprerjen e furnizimit të Ukrainës më gaz erdhi një ditë pas vizitës dhe bisedimeve, që zhvilloi në Budapest me kryeministrin hungarez presidenti i kompanisë ruse të gazit "Gazprom", Aleksej Miler. Është mëse e qartë se vendimi i kryeministrit hungarez erdhi në zbatim të kërkesës ruse. Kryeministri i Sllovakisë, Rubert Fico, është afishuar si kundërshtar i vendosur i sanksioneve të BE kundër Rusisë. Revista prestigjioze "The Economist" shkruante se "Sllovakia duket se ka marrë një kurs pro Putin, ose të paktën antisanksione.

Çekia, sidomos Zeman, ka marrë të  njëjtin kurs për të ardhur keq". Natyrisht, çdo president apo kryeministër ka të drejtën e tij të formulojë pikëpamjet dhe qëndrimet e veta në marrëdhëniet me shtetet e tjera dhe për zhvillimet ndërkombëtare. Por kur shteti i atij presidenti apo kryeministri është anëtar i aleancave dhe organizatave si BE dhe NATO, ai ka marrë me vullnet të lirë detyrimin që të zbatojë detyrimet dhe angazhimet, që rrjedhin nga anëtarësimi, nga qëndrimet dhe  vendimet e përbashkëta. Në rastet që përmendëm më sipër, edhe presidenti i Republikës Çeke, edhe kryeministri i Sllovakisë dhe ai i Hungarisë dalin kundër qëndrimit të formuluar nga NATO dhe nga BE se Rusia ka ndërmarrë një agresion ushtarak në Ukrainë, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë në kontinentin europian dhe pikërisht për këtë u aplikuan paketat e sanksioneve.

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Helena Banner, shprehu menjëherë pakënaqësinë e Komisionit ndaj vendimit të Hungarisë, duke deklaruar se "mesazhi nga Komisioni Europian është shumë i qartë. Ne presim që të gjitha shtetet anëtare ta lehtësojnë rrjedhjen e furnizimit të gazit, siç u ra dakord në Këshillin Europian në interes të një sigurie energjetike të përbashkët". Distancimi i Republikës Çeke, i Sllovakisë dhe i Hungarisë nga qëndrimet dhe pikëpamjet e NATO-s dhe të BE mbi politikën agresive të Rusisë, pa dyshim krijon disa probleme dhe mëdyshje lidhur me kohezionin, që duhet të karakterizojë funksionimin e këtyre organizatave në situata krize si kjo e tanishmja për Ukrainën. Flirtet proruse të udhëheqësve të disa shteteve prekin interesat e të gjitha shteteve anëtare të këtyre aleancave dhe organizatave, përfshirë edhe Shqipërinë, që është anëtare e NATO-s dhe shtet kandidat për në BE. Për plotësim e portretit politik të presidentit çek po përmendim se ai ka qenë kundër bombardimeve të NATO-s në Serbi, kundër njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe kundër hapjes së një ambasade të Çekisë në Kosovë.

Nuk është e qartë se çfarë mund të quajnë agresion ushtarak udhëheqësit e disa shteteve anëtare si Republika Çeke, presidenti i së cilës ende nuk qenka bindur nga provat se Rusia ka ndërmarrë një agresion kundër Ukrainës. Ai nuk beson as provat e dhëna nga presidenti dhe qeveria e Ukrainës, vendi që po vuan agresionin rus dhe as provat e dhëna nga NATO dhe BE, të cilat të gjitha në kandarin e presidentit çek peshojnë më pak se fjalët e ministrit të Jashtëm rus. Nuk është e qartë se çfarë mund të quajnë ata agresion, kur trupat ruse, sipas pohimit të vetë presidentit rus, Vladimir Putin, morën pjesë në operacionin e aneksimit të dhunshëm të Krimesë dhe kur gjithë institucionet e specializuara atlantike dhe evropiane i paraqitën botës prova dokumentare të ndërhyrjes dhe të pranisë së trupave ruse në Ukrainën Lindore. Presidenti çek shkaktoi habi edhe në samitin atlantik të Uellsit në fillim të muajit shtator, kur deklaroi atje se ai nuk ka parë prova të qarta të ndërhyrjes ruse në Ukrainë.

 Natyrisht, ai nuk mund t'i shohë provat me syzet ruse, që mban veshur. Është për t'u veçuar këtu replika, që ia drejtoi atij në samitin e Uellsit, ministri i Jashtëm i Suedisë, Kard Bildt, i një vendi jo anëtar të NATO-s, i cili, kur dëgjoi deklaratën absurde,
iu drejtua presidentit çek: "Presidenti Zeman duhet të pyesë popullin e tij. Unë nuk e di nëse Republika Çeke ka shërbim zbulimi. Nëse ka, presidenti duhet t'i pyesë ata". Është e qartë se janë prirje të brendshme proruse, që e shtyjnë presidentin e Republikës Çeke të mohojë agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Dhe që presidenti çek mesa duket ndjek një kurs personal, bindjesh nga fakti se ai nuk njeh as qëndrimin e kryeministrit të Republikës Çeke, Bohuslav Sabotka dhe të ministrit çek të Mbrojtjes, Martin Stropnicki, të cilët kanë deklaruar disa herë të dhënat e agjencive të zbulimit dhe të NATO-s se rreth 5000 ushtarë rusë luftojnë në anën e separatisteve prorusë.

Qëndrimet e shprehura nga presidenti çek, kryeministri sllovak apo kryeministri i Hungarisë hapin pikëpyetje për solidaritetin dhe soliditetin e aleancës atlantike. Raportet mes NATO-s dhe Rusisë nuk janë dhe nuk mund të jenë më të njëjta si para agresionit rus në Ukrainë. Doktrina e sigurisë, që NATO zbaton dhe do të zbatojë në shekullin 21 nuk është dhe nuk mund të jetë më si para agresionit rus, sepse Rusia tashmë shfaqet haptazi si një burim kërcënimi për arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Presidenti çek, kryeministri sllovak dhe kryeministri hungarez ndoshta kanë harruar historinë e agresioneve dhe pushtimeve të vendeve të tyre nga ushtria ruse në 1945, në 1956 apo në 1968, por nuk duhet të harrojnë se shtetet e tyre kanë qenë dikur anëtare të Traktatit ushtarak të Varshavës, të sunduar nga Moska. Pikërisht prej këtij statusi të mëparshëm Rusia i konsideron ato shtete si pjesë e sferës së saj të influencës në "fqinjësinë e afërt".

Që do të thotë se shtetet ish-komuniste të Europës Lindore mund të jenë objektiva të preferuara të planit ambicioz të Rusisë për ringjalljen e ish-hapësirës së sundimit sovjetik të Moskës në Europë. Nuk është e qartë nëse udhëheqësit e shteteve të mësipërme parashikojnë situata të mundshme të kësaj natyre, kur skenari ukrainas mund të përsëritet në Çeki apo në Sllovaki si në 1968. A do t'i drejtohen ata për ndihmë NATO-s, duke i kërkuar solidaritetin dhe mbrojtjen në bazë të nenit 5 të Traktatit themelues të Aleancës Atlantike? Qëndrimi prorus, që ata po mbajnë përballë kërcënimit të ri ushtarak rus drejt Europës, ia lëkund shumë të drejtën e anëtarit për të kërkuar zbatimin e nenit 5.

Është e njohur se në gjirin e anëtarësisë së NATO-s dhe të BE ka fraktura në lidhje me qëndrimin ndaj Rusisë dhe disa prej shteteve anëtare po përpiqen ta përligjin prorusizmin apo proputinizmin e tyre me interesat individuale ekonomike apo energjetike me Rusinë. Është një llogari iluzive e fansave pro Putinit, të cilët drejtojnë disa shtete anëtare të BE dhe të NATO-s, dhe të cilët besojnë se Moska do të tregohet e butë me ta, në një kohë që u tregua kaq e egër me shtete vëllezër ortodoksë si Ukraina. Çështja shtrohet se këta udhëheqës me prirje propruse duhet të kishin bërë llogaritë e qarta dhe të gjithanshme, kur kërkuan të anëtarësohen në NATO dhe në BE: nëse do të përqafojnë vlerat, angazhimet dhe interesat euroatlantike apo do të mbajnë distancë ndaj tyre dhe do të flirtojnë me Moskën.

Është e kuptueshme se qëndrime si këto të presidentit çek, të kryeministrit sllovak apo të kryeministrit hungarez e dobësojnë unitetin e NATO-s dhe të BE-së. Në situatat e tanishme si kjo pas agresionit rus në Ukrainë, pra në situatat e rrezikut dhe të kërcënimit të rrezikut ndaj lirisë dhe pavarësisë së popujve europiane, provohet kohezioni i aleancës. Në të njëjtën kohë duhet të konfirmohet edhe angazhimi si anëtarë të NATO-s dhe të BE-së, sepse politikat lavjerrëse, herë me Brukselin e herë me Moskën, janë tepër të rrezikshme.
PETRIT HALITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FOTO E DITËS - BILL DHE HILLARY CLINTON, GJYSHËR PËR HERË TË PARË, I GËZOHEN MBESËS SË TYRE CHARLOTTE (09.29.2014)
PAPA FRANÇESKU NË SHQIPËRI - POROSI DHE TRASHËGIMI PËR NE (21 SHTATOR 2014)Nga Don LUSH GJERGJI (09.29.2014)
DEMOKRACIA E VETË PARTIVE - PASQYRË E SKAMJES SONË DEMOKRATIKENga BEN ANDONI (09.29.2014)
ÇFARË PAGUAN SERBËT PËR TË ZHDUKUR SHQIPËRINËGruaja e oratorit serb “tradhton” bashkëshortin e saj në Konferencën e Paqes, Paris 1919, duke u kthyer në anën e shqiptarëve (09.28.2014)
SHPALIME PËR EVROPËN E BASHKUAR DHE SHQIPTARËT, PREJ GJENEZËS E DERI SOT (X)Nga BRAHIM IBISH AVDYLI (09.28.2014)
LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT ËSHTË LUFTË KUNDËR APARATIT BUROKRATIKNga SKËNDER MULLIQI (09.28.2014)
FJALA E PLOTË E LULZIM BASHËS SOT NË KUVENDIN KOMBËTAR TË PD (09.27.2014)
DRITARJA ME HEKRA...Nga FRITZ RADOVANI (09.27.2014)
CHELSEA CLINTON ËSHTË BËRË NËNË - E BIJA QUHET CHARLOTTE CLINTON MEZVINSKY -E shpall lajmin në Twitter - 'Unë dhe Marc jemi plot dashuri' (09.27.2014)
ENVERIZMI ANGLISHTFOLËS RREZIKSHMËRI PËR SHOQËRINË SHQIPTARE!Nga BESIM NDREGJONI, Studiues i krimeve të komunizmit (09.27.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]