E Enjte, 04.25.2024, 07:11pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
TË ZBULOJMË ZVICRËN: TEK ALEKSANDËR MOISIU - TIÇINO OSE GJERDANI I PERLAVE JUGALPINE (II)
Nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ

E Enjte, 10.02.2014, 01:31pm (GMT+1)


Stacioni i parë Lugano

U zgjuam me shi dhe mjergull në Qafë Gotard. Pasi hëngrëm mëngjezin, sipas programit, duhej të merrnim autobuzin e postës në orën 10:00 deri në Airolo. Mjergulla po e vononte autobuzin. Kjo do të na shkaktonte ndryshime në program. Por busi erdhi në minutën e fundit. Pasagjerë ishim vetëm ne. Shoferi ndihej si në faj për mjergullën që e pengoi të vinte në kohë. Tani me autobus zbresim shpateve, ku lartësitë e vetmuara dhe të zhveshura, ua lënë vendin bimësive gjithnjë e më të dendura, ku pishnajat ua lënë vendin ahishtave, ku qendrat e vogla të banuara ua lënë vendin qytezave dhe qyteteve. Mënjanohen tej retë, mjegullat, ndërsa ujëvarat e panumërta na shfaqen gjithandej si shenja mirëpritjeje. Në Airolo, pikërisht ku ndodhet porta jugore e Tunelit Gotard, shoferi i autobuzit na ndihmoi me bagazhet deri sa i hipëm trenit në minutën e fundit, para nisjes.

Treni tani vraponte mes pyjeve. Shiu kishte ndalur, mjergullat kishin mbetur laramane ndofta në Qafën e Gotardit. Pas një ndalese në Belincona (Bellinzona) vijoi për në Lugano, ku na priste liqeni e ne zbritëm. Ishte ashtu si e kishte përshkruar Herman Hesse, i cili prehet diku afër Luganos. « Është mrekullisht i pasur dhe i bukur, ka nga të gjitha, nga peisazhet alpine deri tek ato mesdhetare ». Palma dhe akullnaja, liqej dhe male, kisha antike dhe arkitetonikë moderne, lugina të heshtura dhe qytete dinamike që së bashku krijojnë harmoninë.


Nga Lugano në Morcote   te Moisiu

Është pikërisht kështu si e përshkruan Hesse, Kantoni i Tiçinos, poeti me të cilin takohemi simbolikisht nëpër udhëtimet tona në Zvicër. Posa u vendosëm në hotel, nga ballkonet shfaqej mrekullisht liqeni midis palmash dhe pishash, të cilat vinin deri në katet e larta. Ne ua nisim menjëherë këto pamje të mrekullushme djemve me whatsapp dhe na duhej të nxitonim. Pas drekës u nisëm për në port. Qyteti është si mbi kodër me rrugë të pjerrta që zbresin në breg të liqenit. Aty do të merrnim anijen që do të na çojë në Morkote. Duam të vizitojmë vendin ku prehet bashkëkombës ynë i madh, i famshmi Aleksandër Moisiu, bir i kavajasit Moisi Moisiu dhe arbëreshes Amalie de Rada. Me funikolar arrihet shumë shpejt poshtë, por ishte në rikonstruksion, pra nuk funksiononte.


Një nga fotot që ua nisëm djemve me whatsapp

Kishim lexuar se në Lugano kishte bujtur Robert Graves me të dashurën e tij, kur plasi lufta në Spanjë dhe të dy kishin bredhur me funikolar. Diskutonim me zë të lartë për Gravesin, ndërkohë që vendosëm të mos merrnim busin por t'iu biem rrugëve më të shkurtëra. Që janë të pjerrta Dhe për çudinë tonë, duke mos e njohur qytetin gati aspak arritëm në një kohë rekord buzë liqenit, ku ankorohen anijet. Ne morëm njërën prej tyre, atë që shkonte në Morkote dhe sa zgjati udhëtimi, për një orë e ca shëtitëm nëpër liqen. Mjergulla e Qafës të Gotardit na kishte arritur edhe këtu, por kjo nuk e prishte aspak magjinë e liqenit, të rrethuar me kurorën e maleve, që reflektonin mbi ujë gjelbërimin e pyjeve që mbanin mbi shpinë, që i bënin të dukeshin si male bërë prej pyjesh. Anija kroçierë "Lugano" do të ndalej në stacione të panumërta, në qendra më të mëdha e më të vogla të banuara, secila më befasuese në bukurinë e saj, secila më interesante për mënyrën si i është përshtatur jetës. Nëpër qytezat anës liqenit, pranë vilave, pronarët e tyre posedojnë motoskafë të cilët i mbajnë të parkuar nëpër hangarë. Liqeni i Luganos me një sipërfaqe rreth 50 km katrorë ndahet midis Zvicrës dhe Italisë. Kështu që gjatë shëtitjes sonë një pjesë e qytezave i takonin Kantonit të Tiçinos, pjesa tjetër ishin italiane.


Morkote

Arrijmë në Morkote që shtrihet buzë liqenit. Në bar-restorantin e parë që ndeshim, pyesim për adresën e varrezës ku prehet Moisiu. I biri i pronarit të lokalit nuk është i sigurtë për saktësinë e vendndodhjes, prandaj e thërret babain. Ai na e tregon drejtimin. Varrezat janë në majën e kodrës, perpendikolar me liqenin dhe atje shkon duke u ngjitur në shkallë të pafunda.

Të gjithë kalimtarët janë të gatshëm të na ndihmojnë për të gjetur adresën që kërkojmë.Ne i ngjisim shkallët, nëpër korridore rrugësh të ngushta, herë si tunele, herë si kanione, duke pasur si shoqërues përherë liqenin, here në profil, here përballë, here pas shpine. Është një pamje ku natyra është hyjnore. Varrezat e Markotës janë monumentale. Kush ka qenë atje, do të na jape të drejtë. Arritëm në kishë. E prapë nuk është e lehtë të orientohemi në mes të asaj morie të varreve. Në kishë ndezim qirinj, njërin prej tyre për shpirtin e të madhit Aleksandër Moisiu. Dalim nga kisha. Përpara na shfaqet një punëtor i mirëmbajtjes së varrezës. E pyesim dhe ai na prin deri aty ku ne mund ta shikojmë me sytë tanë emrin Aleksandër Moisiu në një pllakë të madhe. Edhe prej andej do të na duhej një copë rrugë, gjithnjë në ngjitje për të arritur atje ku Moisiu prehet prej marsit 1935, dhe prej janarit 1962, së bashku me gruan e tij, aktoren gjermane Johanna Terwin, martuar prej vitit 1919. Iu vëmë mbi varr një trëndafil.

Varri i çiftit Moisiu do të duhej të ishte një pikë pelegrinazhi. As Shqipëria, e cila ia refuzoi shtetësinë, as Italia, e cila ia dha shtetësinë vetëm në shtratin e vdekjes, por që të dyja mburren se e kanë birin e tyre, nuk kanë bërë diçka të krenueshme për nivelin botëror të artistit. Në ndonjë jubile të lindjes së Moisiut dikush ka ardhur dhe ka vënë një kurorë me lule, ka dalë para kamerave për të thënë sa i madh, sa i rëndësishëm dhe sa i çmuar është Moisiu veçanërisht për ne shqiptarët, një komb i vogël që i kemi dhënë botës një artist të madh. Një nga këta ka qenë madje edhe një prej nipave të tij, figurë e njohur, deri president i Shqipërisë. Dhe Moisiu është lënë në harresë.

Në gjithë udhëtimin disaditor përtej Alpeve, vetëm këtu në Morkote na duhet t'i mbajmë çadrat. Bie një shi i çuditshëm, i imët si rrëke lotësh që nuk të lag që na shoqëroi gati gjithë kohës. Një shi malli dhe trishtimi për hir të Moisiut të madh që e zgjodhi për prehjen e tij të përjetshme këtë lartësi prej nga ai të kundrojë pafundësisht pamjet mahnitëse të liqenit dhe të maleve që zbresin nga qielli për në brigjet e tij për t'u parë dhe nga brigjet e tij ngjiten në qiell, për të ndërruar sërisht pasqyrë.


Swisminiature

Nga Markote marrim Autopostën për në Melinde. Rruga është e gjitha buzë Liqenit të Luganos. Mund ta kishim bërë edhe si shëtitje, në këmbë, aq prane janë, por druheshim se shkonim me vonesë. Ndërsa ishim gjithë përshtypje nga e gjithë dita që kishim pasur, në Swissminiaturë u shtangëm rishtas prej mrekullisë. Në një park nën qiell të hapur, do të vizitojmë Zvicrën në shkallë të zvogëluar 1:25. Pranda quhet Swissminiature. Më mirë me thënë, këtu, nga mesi i marsit deri në fund të tetorit, çdo vit do t'i gjejmë 127 mrekullitë e mrekullive të Zvicrës, të natyrës dhe të dorës së njeriut, të të dyjave së bashku: monumente, kisha, katedrale, kështjella, hotele, restorante, muzeume, ura, tunele, teleferikë, male, vargmale, qafmale, lumenj, ujëvara, liqene, autostrada, hekurudha, shkolla, universitete, akademi, stadiume, qendra sportive, qendra arkeologjike, etj. etj.

Na pret nëndrejtori i Swissminiature Jöel Vuigner. "Na e sollët diellin, " - na thotë ai, duke buzëqeshur. Vërtetë shiu kishte rreshtur përfundimisht prej atij çasti dhe gjatë gjithë qendrimit tone në Kanton Tiçino. Ne nisëm pa vonuar shëtitjen. Parku i Swissministurë shtrihet mbi një sipërfaqe prej 14 mijë metra katrorë. Për të apasionuarit pas trenave lodër, në park quhet një Eldorado sepse ka një rrjet hekurudhor prej 3560 metrash që përshkohet nga 18 trena pa pushim. Kur e takuam Jöel Vuigner në fund të vizitës kishim mbetur pa gojë nga befasia. Dhe nuk jemi të parët dhe as të fundit, sepse jo më kot kjo zonë është deklaruar kohët e fundit nga UNESCO si pjesë eTrashëgimisë Natyrore të Njerëzimit...

Përfytyroni vetë çfarë përjetimesh mund të kesh duke i kundruar të gjithë malet, lumenjtë, ujëvarat, tunelet, hekurudhat, autostradat, qendrat politike, kulturore, artistike, shkencore të Zvicrës brenda një hapësire të caktuar dhe brenda vetëm një ore. Bazeli në Swissminiaturë përfaqësohet me Katedralen qendrore, me portin e Rinit, Fondacionin Baielere, Rihen, ndërsa Bazel Fusha me Kështjellën e Botmingenit, Pallatin e Kulturës në Listal. Po aty do të gjesh Pallatin Federal të Bernës, Aeroportin Kloten të Zyrihut, Katedralen e Bernës, Teleferikun e St.Moritz, Qendrën e Kryqyit të Kuq në Gjenevë, Monumentin e Vilhelm Telit në Altdorf, bile do të gjesh edhe Monumentin e Gjeneralit Suvorov, Qafën e Gotardit dhe majën e famshme të Materhornit.

Në mbarim të vizitës ne takohemi përsëri me zotëri Vuigner. I themi se jemi të vonuar në këtë vizitë, të cilën çdo zviceran, çdo banor i Zvicrës e ka të domosdoshme ta bëjë së paku një herë në jetë, nëse vërtet mëton ta njohë këtë vend.  E pyesim se e kujt është ideja fillestare e kësaj ekspozite dhe si ka lindur ajo. E
Pierre Vuigner na tha ai. Kuptohet që Jöel Vuigner është nipi i krijuesit të parkut. Dmth Pierre Vuigner ishte gjyshi i tij.

Pierre Vuigner kishte qenë mërgimtar në Hollandë. Atje pa parkun 'Madurodam', Hollandën në miniaturë, me 300 ndërtesa të famshme nga Amsterdami, Haga, Roterdami etj. Dhe vendosi të kthehet në Atdhe e t'ia kushtojë jetën idesë së tij. Për ta realizuar atë, i duhej një terren 10-15 000 metra katrorë. I ra vendit anembanë dhe, më në fund, kryebashkiaku i Melides, u magjeps nga kjo ide dhe, brenda tri javësh, u miratua koncesioni për 30 vjet, për t'u zgjeruar më vonë në 45 vjet dhe, më në fund, në 86 vjet, çka mundëson që Swissminiaturë të qëndrojë në të njëjtin terren deri më 2042. Ishte një terren i papërdorur. Wuigner iu vu punës, i ndihmuar nga njerëz të cilëve ua kishte injektuar idenë e tij. Më 6 qershor 1959, kur ende Materhorni, maja më e lartë e Zvicrës, nuk kishte përfunduar së ndërtuari në Swissminiaturë, ai e përuroi parkun. Ishin vetëm 12 objekte të ndërtuara, por parku duhej të fillonte të buronte sa më shpejt të ardhura, në mënyrë që projekti të realizohej me sukses në tërësi. Në vitin e parë do të kishte 80 000 vizitorë, ndërsa aktualisht ka 180 000 të tillë. Në fillim kishte 20 pemë dhe 100 lule të mbjella, sot ka 1550 pemë dhe 15 000 lule. Në fillim punonin këtu 10 veta, tani punojnë 50 veta.Prej ditës të hapjes më 1959 deri më 2009 ka patur 21 milionë vizitorë. Është në institucion i vërtetë. Ndërsa krijuesi i Swissminiature, Pierre Vuigner që vendosi t'ua lërë trashëgimtarëve të tij veprën e tij gjeniale, i mbylli sytë më 28 nëntor 2011.


Nga Lugano në Belincona

Është mëngjesi i ditës së tretë të udhëtimit tonë. Zbresim në hollin e hotelit në Lugano, ku na pret udhërrëfyesja jonë zonja Eliana Franchini-Richina. Do të shëtitnim së bashku zemrën e qytetit në breg të liqenit me të njëjtin emër. Liqeni duket sikur thyen mijra pasqyrka prej diellit që shndrit në qiellin pa asnjë re. Pikërisht këtu ka zënë fill qyteti i ardhshëm. Qendra e qytetit të sotëm është e njëjtë me bërthamën e qytetit historik. Pastaj qyteti do të rritej shkallë-shkallë mbi kodër. Në fillim ishte i sheshtë buzë liqenit.

Dëshmi e kësaj zanafille është katedralja e Shën Lorencit, që e ka shoqëruar këtë qytet gjatë gjithë historisë. Kushedi sa kisha të reja, të hijshme dhe madhështore janë ndërtuar pas saj, por ato të gjitha, ashtu si breznitë e marrin prej njëra tjetrës, e kanë marrë stafetën prej saj, asnjëra prej tyre nuk e ka sfiduar dot statusin e saj të nderuar të veteranes. Zonja Eliana do të na tregojë sa më shumë kuriozitete, ndërsa shëtisim. Sa i përket emrit të qytetit, ka disa teori. Njëra teori thotë se emri i vjen prej zotit të keltëve Lug, mbrojtës i ujrave; teoria tjetër se rrjedh prej latinishtes "lucus", që do të thote pyll; një teori tjetër se emri vjen si akronim prej perandorisë romake. Lugano sot është qendra e tretë bankare e Zvicrës me rëndësi botërore pas Zyrihut dhe Gjenevës dhe natyrisht është një perlë turistike, në gjerdanin e perlave të Kanton Tiçinos. Lëvizim në Piazza della Riforma. Aty afër ndodhet Villa Ciani, sot Muzeum i Arteve të Bukura, një nga rezidencat më të hatashme tiçineze. Bashkia e Luganos është shumë karakteristike. Aty prapë është Liceu kantonal, Biblioteka, stacioni i trenit dhe gjithnjë si referencë mbetet liqeni, me të cilin nuk ngopemi së sodituri, duke e kërkuar me sy.

Por koha nuk na premtonte dhe për të mos humbur minutën, bagazhet i kishim futur në kasetat e stacionit të trenit, sepse programi jonë ishte i ngjeshur, ngarkuar me mbresa të jashtëzakonshme e me emocione të pashlyeshme...
 
Ngjatjetohemi me udhërrëfyesen dhe me Luganon. Prej kësaj paradite dhe në ditët e ardhshme trajektorja jonë do të jetë mes Belinconës dhe Lokarnos. Itinerari jonë i përgatitur në atë mënyrë që na jepte mundësi të lëviznim shumë e të shihnim sa më shumë.

(Nesër do të lexoni: Në Festivalin e Filmit të Lokarnos dhe Madonna del Sasso)

ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MAFIA E RE E EVROPËS (10.02.2014)
RAMIZ KADRIU - KRIJUESI QË FRYMON ME VENDLINDJEN (10.01.2014)
AT MATI PRENNUSHI O.F.M. PËRBALLË TRADHTARËVE I DËNUEM TRI HERË  ME VDEKJE...Nga FRITZ RADOVANI (10.01.2014)
NGA OLGARKITË PARTIAKE DHE SHTETËRORE, POPULLI DHE SHTETI U 'NDRYDHËN', 'U SKAJUAN' TEPËR SHUMËNga SKËNDER MULLIQI (10.01.2014)
RTSH ME LAKUN NË FYT!Nga ENKELEDA ZEKO (09.30.2014)
PSE PERËNDIMI DUHET T'I KUSHTOJË VËMENDJE KRIZËS NË MAQEDONI?Nga SHIRLEY CLOYES DIOGUARDI dhe ROLAND GJONI* (09.30.2014)
TË ZBULOJMË ZVICRËN: TIÇINO - OSE GJERDANI I PERLAVE TË ZVICRËS JUGALPINE (I)Nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ (09.30.2014)
LETER E HAPUR PRESIDENTES SE REPUBLIKES SE KOSOVES - VEPRONI VETËM NË INTERES TË POPULLIT, ME NDERSHMËRI, GUXIM DHE VENDOSMËRINga MEJREME AZEMI (09.30.2014)
AS. DR. LABINOT SHAHINI, SHEMBULL I ARDHMËRISË SHQIPTARENga AGIM GASHI (09.29.2014)
FANSAT E PUTINIT NË BE DHE NË NATONga PETRIT HALITI (09.29.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]