VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LORIK CANA BESON NË FITORE: PËRSËRIS SUKSESIN E TIM ETI - GËZOJ KOMBIN

E Martë, 10.14.2014, 11:24am (GMT1)

Kapiteni i kombëtares beson se skuadra mund të arrijë një rezultat pozitiv në Beograd

Agim Cana ka shënuar ndaj Crvena Zvezdës kur luante me Prishtinën dhe fitoi kampionatin

Gazeta Sporti sot shkruan se mbiemri Cana nuk është i panjohur në Serbi. Vite më parë, i ati i kapitenit të kombëtares shqiptare Lorik Cana, ka shënuar një gol pikërisht në Beograd. Numri pesë i kuqezinjve ka folur për "Supersport" kur u nisën drejt Serbisë dhe ka thënë se do të bëjnë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. Kapiteni i kombëtares shqiptare ka thënë se lojtarët do të japim shpirtin në fushë dhe do t'i bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës. Ai ka vlerësuar edhe kundërshtarin duke thënë se janë vërtet të fortë, por kjo gjë i motivon akoma më shumë. "Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe premtojnë se do të bëjmë të gjithë shqiptarët të ndihen krenarë për ne.

Babai im ka luajtur në Beograd ndaj Crvena Zvezdës me Prishtinën e madhe. Ai shënoi gol, ndërsa ekipi i asaj kohe fitoi ndeshjen në kampionatin jugosllav. Shpresojmë të përsërisim atë sukses për të kënaqur një komb të tërë", ka shtuar më tej Loriku. Ai që është simboli i sakrificës, dëshirës për të fituar dhe i përkushtimit maksimal ka premtuar se lojtarët e kombëtares janë të motivuar aq shumë sa duan të bëjnë historinë. "Kjo ndeshje është me shumë vlerë. Jemi në një moment të mirë dhe duam të shkruajmë historinë.

Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë sepse kemi përballë një ekip të fortë, por ne jemi Shqipëria dhe hyjmë në fushën e lojës për të fituar në çdo stadium. Do kërkojmë ta godasim kundërshtarin dhe të luajmë në grup siç bëjmë gjithmonë. Forca e grupit, sakrifica dhe ndihma për njëri-tjetrin është sekreti ynë. Do t'ia dalim dhe kemi shumë besim", ka përfunduar Lorik Cana.



WWW.VOAL-ONLINE.CH


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.