VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KRISTO FRASHËRI - HISTORIA, NGJESHUR NË NJË NDESHJE (Intervistë)

E Hënë, 10.20.2014, 08:17am (GMT1)


 
I gjithë konflikti që pasoi një ndeshje futbolli, i zhvendosur tashmë në qendër të debatit publik, atij diplomatik e politik në Shqipëri, Serbi, Bruksel, e SHBA ka në sfond historinë dhe të shkuarën tonë. Historiani i njohur Kristo Frashëri, ka dhënë për DITA-n mendimet e tij për ngjarjen e 14 Tetorit. Frashëri, me një shëndet fizik të rënduar vitet e fundit, por me një mendje të kthjellët e kujtesë fantastike, sjell argumentet e tij për dronin e famshëm: "Nëse e kanë bërë serbët, ky është një maskarallëk e përgjegjësi kriminale, por nëse e ka bërë një shqiptar është e justifikueshme", thotë historiani Frashëri, duke e argumentuar me detyrimin anormal që ju bë një skuadre të luajë pa tifozeri dhe nën thirrjet "Vdekje shqiptarëve" në stadium.

Ai jep qëndrimin e tij për marrëdhëniet historikisht të vështira mes shqiptarëve dhe serbëve dhe "sugjeron" një rrugë shpëtimi për të ardhmen, që vjen diku në kufirin mes Gjermanisë dhe Francës. Frashëri mbështet vizitën e kryeministrit Rama në Beograd, duke e veshur atë me epitetin "Flamurtar i paqes" në rajon, dhe jo peng i urrejtjes etnike. Historiani guxon të rrëfejë, se uron e shpreson që një ditë kufijtë shtetërorë mes Shqipërisë dhe Kosovës, të treten dhe të bëhemi një.

Mungesën e paqes në rajon ai e parasheh si një mungesë të figurave vizionare dhe të tolerancës në Serbi e Greqi. Dy vende këto, sipas historianit Frashëri, ku paqja po mbahet peng.


Mira Kazhani: Profesor, para se të futemi në kontekstin historik të ngjarjes së 14 tetorit në stadiumin "Partizan" në Beograd, dua t'ju pyes nëse e patë ndeshjen?

Kristo Frashëri:
Pjesërisht po. Në fakt edhe ndeshja pjesërisht ishte ndeshje  futbolli...

Mira Kazhani: Ju jeni i njohur me debatin që ka përfshirë dy kombe,  Shqipërinë dhe Serbinë, dhe jo vetëm në fakt. Të gjithë japin reagime. Disa quajnë provokacion dronin, ndërsa të tjera denoncojnë dhunën dhe racizmin serb. Çfarë është e dënueshme në këtë rast sipas jush? A mendoni që droni me Shqipërinë etnike, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin ishte provokacion?

Kristo Frashëri:
Gjykimi im diktohet nga rrethanat konkrete sesi u zhvillua ndeshja. Shpalosja e flamurit me trojet etnike shqiptare, me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, para se gjithash unë pres të vërtetohet se kush është autori i këtij manifestimi. Po e zëmë se autor i kësaj janë shqiptarët, siç na akuzojnë disa zëra serbe dhe proserbe. Edhe nëse autori është shqiptar, shqiptarët nuk mund të akuzohen për provokim. Arsyeja është e thjeshtë. Ti si shtet, përderisa më ndalon të kem tifozët e mi të marrin pjesë në ndeshje, mua më lind e drejta që të gjej çdo formë që të shfaq ndjenjat e mia. Më lind kjo e drejtë, derisa ti s'më lejon të vij në fushë dhe deri në atë pikë ku nuk dëmtoj askënd. Po t'i kishin lejuar shqiptarët të asistonin si tifozë në stadiumin "Partizani" të Beogradit, unë nuk besoj se do të kishte nevojë për një aksion të tillë. Por edhe sikur të bëhej një aksion i tillë, është pjesë e tifozerisë. Është më e padëmshme se tifozeria me gurë, grushte, e thirrje për vdekje. Droni ishte një tifozeri vizuale. Ashtu si ajo që bëjnë kundërshtarët me flamujt e simbolet e tyre. Prandaj ti s'e ndalon dot atë që nuk është aty, të bëjë tifozeri qoftë edhe nga ajri.

Mira Kazhani: Po sikur të vërtetohet se e ka vendosur një serb dhe jo një shqiptar. Ne ende nuk e dimë autorësinë e vërtetë...

Kristo Frashëri:
Nëse vërtohet se është organizuar nga një serb ose disa, atëherë do ta quaja provokim dhe përgjegjësia bie mbi Serbinë. Nëse ka autorësi serbe, ky do të ishte maskarallëk dhe përgjegjësia e Serbisë kthehet në përgjegjësi krimi. Sepse mua edhe më ndalon të shfaq ndjenjat e mia, edhe më provokon që unë t'i shfaq ndjenjat e mia. Pse e bën? E bën që të më dënosh?!

Mira Kazhani: Kujt i shërben Shqipëria etnike në këto kohë?

 Kristo Frashëri:
Ah kujt i shërben? Kjo u shërben vetëm qarqeve të droguara nacionaliste serbe të cilat, nuk kanë arritur të kuptojnë se ka ikur koha e nacionalizmit të dhunshëm Ata që s'duan ta kuptojnë këtë, ata e kanë përgjegjësinë.
 

Mira Kazhani: Po sipas jush koha e çfarë lloj nacionalizmi është? Si manifestohet ai që quhet normal dhe i shëndetshëm?

Kristo Frashëri:
Kemi rastin ne shqiptarët të tregojmë se ky i joni është nacionalizëm normal. Ne nuk na takon e as na bën nder, t'i përgjigjemi nacionalizmit të egër me të njëjtën monedhë. Ne e kemi rrugën në një super-çati të përbashkët, siç është Europa. Të besojmë tek ky udhëtim drejt BE. Ne do bënim gabim nëse do ta shtrojmë këtë rrugë me nacionalizëm për të ngacmuar kundërshtarin. Dhe dua ta theksoj: Varet nga hetimet, nëse këtë akt e ka kurdisur pala serbe, faji është atyre. Nëse e ka bërë pala shqiptare, faji është i një njeriu, i një shqiptari dhe këtu askush nuk mund të akuzojë një Shqipëri të tërë. Pse  e ngatërron Shqipërinë, me një banor të saj? Dhe ka edhe anën tjetër: Pse një banor shfaq një ide që s'i pëlqen Serbisë. Nuk arrij të kuptoj se çfarë nuk u ka pëlqyer serbëve? Është fakt që Kosova ka fituar pavarësinë. Është një fakt që Kroacia ka fituar pavarësinë. Me ç'të drejtë kërkon Beogradi ta kthejë Kosovën nën Serbinë siç ka qenë?! Nuk ka rëndësi nëse fluturon harta. Është një fakt real që ka 15 vjet.

Mira Kazhani: Po nuk ishte vetëm ky motiv, profesor Frashëri. Është një hartë me trojet etnike që bashkonte Kosovën dhe Shqipërinë bashkë dhe përfshinte aty edhe Epirin e jugut...

Kristo Frashëri:
Edhe mund të bashkohet me Shqipërinë një ditë Kosova, nuk është ndonjë çudi. Mund të bashkohet. Edhe çështja e Epirit mund të qe zgjidhur ndryshe.

Mira Kazhani: Pra po thoni që mund të ketë Shqipëri të Madhe?

Kristo Frashëri:
Nuk më pëlqen ky term. Nuk thashë Shqipëri të Madhe. Thashë që nuk është çudi të bashkohet Kosova me Shqipërinë dhe këtu s'ka pse të kenë asnjë pretendim serbët. Ata janë ndarë me Kosovën para 15 vitesh. Është kapitull i mbyllur. Unë kam parasysh Kartën e Evropës e cila lejon me votë plebishitare të fitojë pavarësinë, ashtu siç lejon me votë plebishitare të bashkohet me një shtet tjetër. Nuk janë të ndaluara këto gjëra.

Mira Kazhani: Pavarësisht çfarë shkruhet, ju vetë si historian e uroni këtë?

 Kristo Frashëri:
Patjetër kam besim se do krijohen kushtet që Shqipëria me Kosovën të treten të dyja së bashku në një shtet. Të zhduken kufijtë. Nuk e ndalon BE zhdukjen e kufijve.

Mira Kazhani: Por as nuk e mbështet dhe nuk e dëshiron?

Kristo Frashëri:
Të shkruar nuk e ka!

Mira Kazhani: Çfarë nuk dimë ne profesor Frashëri për historinë tonë me Serbinë? Çfarë na ka ndarë kaq shumë?

Kristo Frashëri:
Ne na ka ndarë historia e trojeve, është historia për troje. Shqiptarët e serbët për mijëra vjet kanë jetuar në të njëjtën perandori pa kufij të brendshëm etnikë: Mungesë e kufijve të brendshëm, zhvendosje popullatash me dhunë dhe pa dhunë në vathën e njëra-tjetrës. Në hartën etnike që ka hartuar etnografi francez Le Jean, në shekullin e 19, historia e Ballkanit me ngjyrat e veçanta për secilën etni i ngjet lëkurës së leopardit. Domethënë ishuj etnikë. Kështu p.sh: Ishujt serbë i gjen të shpërndarë në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi. Kemi ishujt bullgaro-maqedonë. Ishujt sllavë në Maqedoni, ishull grek në Epir. Kjo larmi pranish, kjo larmi kombësish, e ka vështirësuar saktësimin e kombësive në mënyrë të prerë. Është e natyrshme të ketë interpretime. Duhen orë e orë për të sqaruar historinë e Ballkanit. Nuk e bëjmë dot sot. Sot vetëm mund të themi që jemi secili në shtëpinë tonë.

Mira Kazhani: Zoti Rama do të shkojë në 22 tetor në Beograd. Para 14 tetorit kjo vizitë parashkruhej si historike. Tani e sigurt që do të jetë historike, po s'dimë nëse për mirë apo për keq? Disa po e gjykojnë kryeministrin që nuk po përfaqëson ndjenjat e popullit të tij dhe se po bën gabim duke treguar tolerancë.

Kristo Frashëri:
Të vejë patjetër, të mos bëhet shprehës i urrejtjes etnike por të bëhet flamurtari i afrimit të popujve.

Mira Kazhani: Prof. Frashëri, a njihni historianë serbë? Si i vlerësoni ata?

 Kristo Frashëri:
Kam njohur. Por respekt kam për historianët serbë të periudhës së mesjetës. Këta të kohës së re fatkeqësisht janë të mbrujtur me një nacionalizëm pak të sëmurë.

Mira Kazhani: Po politikanët serbë si ju duken?

Kristo Frashëri:
Nuk i njoh. Di vetëm që u mbaron mbiemri të gjithëve me një iç, iç...

Mira Kazhani: Edhe një pyetje të fundit. A mendoni se historia e dy vendeve do të jetë gjithmonë pengesë për marrëdhënie normale në të ardhmen? A është e mundur që të jemi fqinj të mirë? Kush mund ta ndërrojë rrotën e historisë famëkeqe. Është e bëshme?

Kristo Frashëri:
Robert Shuman dhe Adenauer, dy baballarët e Europës e japin shembullin konkret. Franca dhe Gjermania kanë bërë tre luftëra që u kanë ngrënë kokat njëri-tjetrit dhe i kanë bërë në kohën e re. Shkak ishin krahinat e Alzas-Lorenës që janë në kufi. Në franko-prusiane e mori Gjermania. Në Luftën e E Parë ja mori Franca, Gjermanisë.  Në Luftën e Dytë Botërore ata prapë.  Popullsia e Alzas-Lorenës, kur fitonte njëri  futeshin në bodrum, dhe kur fitonte tjetri futeshin prapë në bodrum. Ata arritën në një pikë sa u përzien aq shumë bashkë, kishte gjermanë dhe francezë aty. Kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore ministri i Jashtëm i Francës Robert Shuman hartoi një plan dhe i tha gjeneral De Golit: Zoti gjeneral, a ja vlen ta kemi armik Gjermaninë?

De Gol ju përgjigj: Nëse kë gjetur ndonjë ilaç, mirë. Shuman i tha se e kish gjetur dhe u nis për në Gjermani për të takuar Adenauerin: Zoti Adenauer, e di ku e kam hallin? Si do e ndajmë Alzasë-Lorenën? Unë e di që do e marrë Franca, i tha Adenhauer. Jo, i tha Shuman. Territorin do e marrë Franca dhe administrimin do e bëjë Gjermania. Kështu u tha e kështu u bë shembull harmonie. Kam vajtur, e kam parë dhe shëtitur madje edhe vetë personalisht se kam qenë kurioz. Dhe kur kam qenë atje, kam thënë kështu duhet të kishte bërë edhe Shqipëria me Epirin e Jugut. Por Greqia i përzuri shqiptarët. Ndërsa Kosova i respekton serbët që janë atje. Kosovarët nuk kërkojnë t'i përzënë. Serbët kërkojnë të mbajnë Mitrovicën dhe të përzënë shqiptarët. Prandaj them se nëse do dalin nga Serbia dhe Greqia Shumanë dhe Adenauerë, dhe jo si këta që janë sot, atëherë paqja në Ballkan do zërë rrënjë. Kosova dhe Shqipëria e bënë rolin e vet pozitiv në rajon. Është në dorë të tyre, paqja.
MIRA KAZHAN


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.