VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PSE GJYKOJ SE DRONIN E LËSHUAN AGJENTË TË BEOGRADIT
Nga GJERGJ KARAISKAJ

E Hënë, 10.20.2014, 08:35am (GMT1)


Dëgjova mediat shqiptare dhe të huaja si dhe reagimet e shumë palëve dhe pasi i sheshova mirë po jap variantin tim, duke u mbështetur  edhe në përvojën e marrëdhënieve shqiptaro-serbe këto 70 vjetët e fundit; pra që nga themelimi i Partisë Komuniste Shqiptare prej tyre më 8 nëntor të vitit 1941.

Kur dëgjova se pala serbe nuk do të lejonte asnjë shqiptar në Stadiumin e Beogradit, mendova: Pse po na e bëjnë këtë nder serbët?

Midis tifozëve do të kishte patjetër edhe agjentë të Beogradit në proporcion me numrin që do t'i takonte masës së tifozëve, të cilët mund të shkaktonin trazira që do të ishin në dëm të skuadrës sonë.

Siç ka ndodhur edhe ndonjëherë tjetër në ndeshjet ndërkombëtare, kur janë hedhur sende të forta dhe fishekzjarrë në fushë, gjoja nga entuziazmi. Por kjo masë e Serbisë nuk paskësh qenë për të bërë nder... ata ishin të sigurtë se duke përdorur edhe një presion psikologjik kundër lojtarëve tanë, siç ishte kontrolli i ekzagjeruar policor dhe thirrjet e stadiumit për vrasjen e shqiptarëve, do të korrnin një fitore të lehtë dhe të thellë, pa u shqetësuar nga grupe të tjera tifozësh. Por, kur kjo nuk ndodhi, përkundrazi, loja mori një drejtim të papëlqyer për skuadrën serbe, ata për një çast e ndjenë veten shumë keq, pasi kishin përdorur dhe gjithçka që rrezikonte pezullimin e lojës dhe dhënien e trepikëshit skuadrës sonë, siç ishin hedhja e sendeve dhe fishekzjarreve në fushë, që çoi në ndalimin e lojës nga arbitrat.

Në këto kushte të vështira, serbët u detyruan të përdornin planin B, me hedhjen e dronit mbi fushë, me hartë dhe flamur për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej. Pse në atë çast? Kur gjithçka ishte në favorin tonë? Pse e ulën në fushë dhe nga ana serbe e fushës?

Për të provokuar më mirë. Pse në hartën etnike kishin përfshirë edhe Korfuzin, që nuk ka qenë kurrë e banuar nga shqiptarë dhe nuk ekziston në asnjë hartë të botuar deri më sot?

Për të përfshirë edhe Greqinë në atë të ashtuquajtur provokim. Nuk kam as dyshimin më të vogël se ai ose ata që e përgatitën dronin dhe e lëshuan atë janë agjentë të Beogradit. Por për fat të keq, edhe disa gazetarë të keqpaguar në disa media ranë pre e këtij provokimi, sepse u habitën nga mënyra e fluturimit të dronit dhe sepse nuk donin t'ua merrte kush meritën e aftësisë teknike. Duke bërë kështu pa dashje punën e agjenturës serbe. Kjo gjë vjen dhe nga puna këmbëngulëse që kanë bërë për vite me radhë disa media të rëndësishme për promovimin e legenave kudo që ndodhen.

Spiuni cilado qoftë etnia apo përkatësia shtetërore e tij, u ka bërë pjesës më të keqe të serbëve siç ka ndodhur edhe në të kaluarën... më shumë punë se sa e mendonin edhe ata vetë. Agjenturës serbe i duhej ta dekonspironte spiunin për të treguar përkatësinë etnike të tij dhe e urdhëruan atë të dekonspirohej, pavarësisht se bëjnë sikur ngulin këmbë për dikë tjetër, siç është rasti i vëllait të kryeministrit Rama.

Pra, nuk kemi një provokim të madh të serbeve dhe një fare të vogël të shqiptarëve siç thonë disa, por vetëm dy provokime të serbëve.

GJERGJ KARAISKAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.