VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NDËRHYRJA GREKE NË TEKSTET SHQIPTARE
Nga HALIL RAMA

E Martë, 10.21.2014, 08:23am (GMT1)


Funksioni i arsimit dhe roli i shkollave në Greqi ishte me rëndësi të dorës së parë në helenizimin e rajoneve që flisnin ndryshe. Nga hulumtimet që janë kryer në arkivat greke nga studiues të huaj ka rënë në sy një nga preokupimet më të mëdha të shtetit grek: sistemi arsimor ka synuar t'i shërbejë një qëllimi nacionalist, ka qenë institucioni lokal i konvertimit në homogjenë helenë.

NDËRHYRJE ABSURDE
Dy deputetë të parlamentit grek kërkuan ditët e fundit interpelancë me ministrat vendas të Arsimit dhe të Punëve të Jashtme, lidhur me tekstet shkollore shqiptare, që sipas deputetëve grekë, "përmbajnë pretendime irredentiste dhe të pavërteta për gjoja treva shqiptare që gjenden në Greqi".  Kërkesat për interpelancë janë depozituar veçmas nga deputetja e Demokracisë së Re të kryeministrit Samaras, Tania Lakovidou dhe nga deputeti opozitar i Grekëve të Pavarur (ANEL), Terens Kuik. Të dy deputetët kanë kërkuar që ministrat t'i informojnë nëse do të ndërmarrin "veprime konkrete dhe eficente", me qëllim që Shqipëria të heqë gjithë referimet irredentiste, direkte dhe indirekte nga tekstet shkollore. Duket qartë se pala greke po ushtron presion duke ndërhyrë në punët e brendshme të shtetit shqiptar. Nuk është rasti i parë që pala greke injoron Traktatin e Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së Mirë dhe kërkon të injorojë pavarësinë e shtetit shqiptar. Por të habit gatishmëria e palës shqiptare dhe zelli i titullares sonë të arsimit për t'iu përgjigjur pretendimeve absurde greke.

PSE HESHT AKADEMIA?
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla bëri të ditur dy javë më parë, se çdo rishikim i teksteve do të bëhet për të respektuar fqinjësinë mes dy kombeve. Nikolla tha se është ngritur një komision për rishikimin e teksteve me Greqinë dhe në nëntor nisin takimet dypalëshe. "Grupet e punës do punojnë për të bërë të mundur që tekstet e shkollave të respektojnë fqinjësinë e mirë", tha ajo, ndërsa shtoi se në muajin nëntor pritet të zhvillohen edhe takime mes palës shqiptare dhe autoriteteve greke, lidhur me këto tekste shkollore. Disa muaj më parë, ministrja Nikolla ishte në Athinë me ftesë të ministrit grek të Arsimit, Kostantinos Arvanitopoulos, ku diskutuan mbi rritjen dhe konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor të dy vendeve. Pikërisht në këtë takim Nikolla bëri të ditur vendimin për ngritjen e grupeve të përbashkëta të ekspertëve për rishikimin e teksteve. Nënshkrimin e marrëveshjes për këtë çështje, ministrja shqiptare e cilësoi të rëndësishme për hapjen e rrugës për mundësitë e mëtejshme të bashkëpunimit për ekspertizë profesionale edhe për gjithë reformën e arsimit të lartë dhe shkencës në Shqipëri. Ndërsa homologu  i saj grek në atë kohë, e cilësoi këtë marrëveshje dhe rinisjen e punës për çështjen e hartimit të teksteve si "një vizion i përbashkët drejt së ardhmes". Pra sinjalet janë të qarta: tekstet shkollore të Gjeografisë dhe Historisë që kanë të bëjnë me Greqinë, pritet të pësojnë ndryshime në përdorimin e terminologjisë dhe komenteve, kryesisht për çështjen e Çamërisë, por edhe të krahinave të tjera shqiptare. Ku është Akademia e Shkencave? Përse duhet heshtur për një skandal të tillë?

S'KA FQINJËSI TË MIRË PA RECIPROCITET
Ministria e Arsimit të Republikës së Shqipërisë, përballë presionit të disa deputetëve grekë antishqiptarë, duhet të respektojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe të mbrojë interesat e shqiptarëve. Me gjithë respektin ndaj gjithë fqinjëve, ashtu edhe ndaj grekëve, të cilët dikur ishin shembull  i shkencës, kulturës e letërsisë njerëzore, në marrëdhëniet ndërqeveritare dhe ato diplomatike respektohet në radhë të parë parimi i reciprocitetit, që buron nga e vërteta historike dhe jo fqinjësia e mirë. Fqinjësia e mirë, pa respektim të reciprocitetit, është thjesht propagandë boshe që e përdorte dikur edhe qeveria diktatoriale. Pala greke ka treguar në shumë raste fytyrën e vërtetë të urrejtjes mesjetare ndaj shqiptarëve dhe historisë së tyre. Në tekstet tona respektohet e vërteta historike, të drejtat e patjetërsueshme të shqiptarëve si komb i ndarë padrejtësisht dhe copëtuar nga urrejtja e pakuptimtë. Hartuesit tanë të teksteve, që janë historianë të njohur dhe me integritet profesional e kombëtar, janë kujdesur që fëmijët tanë kurrë nuk duhet të mësojnë urrejtjen, por të edukohen me të vërtetën dhe respektin për çdo popull, pra edhe popullin grek. Por ata duhet të dinë kush ishte Çamëria, cila është historia e saj, cili ishte kontributi i prijësve dhe luftëtarëve të saj në luftën për pavarësi të Greqisë, pse u përzu me dhunë popullsia shqiptare e Çamërisë nga trojet e saj stërgjyshore dhe cila e drejtë ndërkombëtare pengon rikthimin në trojet autoktone, ku janë gjithë pasuritë dhe varret e të parëve të kësaj popullsie martire. Historia duhet të jetë e vërteta reale e pandryshuar dhe e patjetërsuar e së kaluarës njerëzore. Ndryshe nuk mund të kemi as marrëdhënie korrekte dhe as fqinjësi të mirë.

PSE INJOROHEN KONVENTAT?
Në kohën e sotme Greqia është shteti i vetëm në Evropë, që shkel në mënyrë flagrante disa nga konventat kryesore, mbi të cilatmbështetet rendi i ri ndërkombëtar. Këtë shkelje të përbindshme më shumë e ndien popullsia mbi  200.000-she shqiptare, e dëbuar me dhunë e gjenocid nga trojet e veta etnike në Çamëri. Greqia, për sa u takon minoriteteve, asnjëherë nuk ka zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kartat, konventat, traktatet ndërkombëtare që ka firmosur e ratifikuar vetë në marrëdhëniet dy ose shumëpalëshe. Ajo është i vetmi vend i BE-së që nuk ka përafruar legjislacionin e vet kombëtar me atë europian, deri tani nuk ka ratifikuar Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare dhe as e ka firmosur Kartën për Gjuhët Rajonale ose të Minoriteteve. Karakterizimin më të saktë të sistemit ligjor grek e ka bërë gazeta "The Daily Telegraph" në dhjetor të vitit 2001: "Greqia është një partnere e jona brenda Komunitetit Europian, por sistemi i saj ligjor arkaik, i padrejtë, është si i Botës së Tretë. Është gjithashtu mizor".

SHQIPËRIA, SHTET MODERN EVROPIAN

Është detyrë e shtetit shqiptar, krahas punës me fqinjën jugore, të vërë në dijeni OKB-në dhe gjithë organizmat e interesuar evropianë dhe amerikanë, se si i zbaton Greqia konventat dhe kartat ndërkombëtare. A mund të quhet irredentizëm t'u shpjegosh nxënësve shqiptarë se shqiptarët autoktonë popullonin Konicën, Follorinën, Janinën, Gumenicën, Filatin e Paramithinë, ndërkohë që shteti grek dhe propaganda e shfrenuar vorio-epirote në faqen e parë të Abetares greke e kanë të shkruar me germa të mëdha shprehjen: "Kam një vëlla në Vorio-Epir"! Shqipëria është shtet evropian që ka identitetin e saj, që aspiron të anëtarësohet së shpejti në Bashkimin Evropian! Shqipëria, me të drejtën e saj historike dhe njerëzore, me të drejtën e saj kushtetuese, ka arsye që t'u kërkojë përmirësimin e teksteve shkollore, atyre shteteve ku kanë jetuar dhe banojnë ende shqiptarë, ku gjallon ende kontributi i shqiptarëve që nga periudhat më të lashta, por edhe në kohët më të reja historike, dhe kurrsesi të bëhet e dëgjueshme ndaj kërkesave të njëanshme dhe absurde të shteteve që kanë okupuar ose ende mbajnë të okupuara territore shqiptare. Të pranosh kërkesat greke,n maqedonase, serbe, malazeze apo turke për tekstet shkollore, do të thotë të arsyetosh dhe përligjësh copëtimin e trojeve shqiptare, okupimin pesëshekullor osman, të heqësh dorë nga një e drejtë ndërkombëtare. Një popull që nuk mëson nga e kaluara e tij historike është i destinuar të humbasë shansin e historisë. Historia shkruhet në bazë të fakteve, të ngjarjeve e datave historike dhe pikë!

HALIL RAMA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.