VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FAHRI MUSLIU - E VËRTETA PËR ATËSINË E VUÇIÇIT (Intervistë)

E Enjte, 10.23.2014, 07:51am (GMT1)



Takim në vjeshtën e 1994-s

Një paradite të ngrohtë vjeshte tiranase njëzet vjet më parë, bashkë me Fahri Musliun pija kafe në një nga kafenetë më luksoze të asaj kohe në Tiranë, pikërisht në zonën e Bllokut të famshëm, pranë vilës së Enver Hoxhës. Me Fahriun takohesha për herë të parë, por njihesha përpara e kishim biseduar shumë herë në telefon me të.

Të dy punonim për Zërin e Amerikës, ai transmetonte nga Beogradi, ndërsa unë nga Tirana. Ai kishte ardhur në Tiranë dhe ndonëse takoheshim për herë të parë, biseda ishte tejet e përzemërt, sikur të ishim takuar mijëra herë së toku. Më ka ngelur në mendje ai takim pasi edhe u "˜grindëm' me njëri-tjetrin.

Fahriu ishte një gazetar me shumë përvojë dhe unë e admiroja për guximin që tregonte duke transmetuar nga Beogradi, pra nga aty ku buronte gjithë ajo urrejtje antishqiptare. Mirëpo ndërkaq, ai në atë takim me mua ishte tejet kritik edhe me shumë zhvillime të Tiranës. Ishte koha kur president i vendit ishte Sali Berisha dhe ai, pra Fahriu, nuk ishte aspak dakord me ato që ndodhnin në Tiranë, me një dhunë de fakto mbi mediat, ndaj ish-të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve, me qëndrimin jo luajal ndaj opozitës etj.

Unë përpiqesha të argumentoja ato që ndodhnin me faktin se sapo kishim dalë nga diktatura, mund të kishte të meta, por këto ishin kalimtare, nuk kishim përvojë etj., etj. Jo, jo, më ndërpriste Fahriu, nuk është kështu. Demokracia ose është, ose nuk është... Ai e donte demokracinë, e njihte atë më mirë se unë, por mbi të gjitha donte kombin e tij shqiptar dhe dëshironte me gjithë zemër prosperitetin e këtij kombi. Po prosperiteti nuk vjen me dhunë, me barbari, me shkelje të të drejtave të njeriut. Boll kena vuejtur!, thoshte Fahriu dhe ngrinte zërin instinktivisht. Ndonjë që mund të na ketë dëgjuar duke biseduar në atë kafene gjatë asaj kohe, ndoshta ka pandehur se ne po grindeshim.

Dhe kështu u ndamë atë ditë, por fjalët e këtij kolegu më kanë jehuar në vesh për shumë e shumë vite. Dhe gjithnjë i kam dhënë të drejtë Fahriut për ato mendime që më shfaqi atëherë. Më pas erdhi masakra e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1996, erdhi viti i zi '97... Fahriu kishte pasur të drejtë! Po ku ta gjeja sërish Fahriun për të diskutuar? Ai në Beograd dhe unë në Tiranë vijuam punën, por nuk jemi takuar më pas sërish për të vazhduar bisedën mbi atë temë...

 

Vazhdim virtual i një bisede pas 20 vjetësh

Rasti e solli të takohem virtualisht me Fahri Musliun ditët e fundit.

Ndodhi ajo që ndodhi në Beograd më 14 tetor gjatë një ndeshjeje futbolli midis Serbisë dhe Shqipërisë dhe që tashmë e njeh gjithë bota. Një dhunë mesjetare në atë stadium ishte e paimagjinueshme për Europën e shekullit të 21-të. Ishte shpërthimi i një urrejtjeje kundër shqiptarëve, një urrejtje e akumuluar për shumë e shumë vite dhe që duket se nuk fashitet kurrë në shpirtin e serbëve. Ka më shumë se një javë që jo vetëm në Shqipëri e Serbi, kjo ngjarje është kryetemë që dominon edhe politikën, por edhe në shkallë evropiane, pasi ato pamje të tmerrshme në stadiumin "˜Partizani' të Beogradit kanë bërë xhiron e botës.

Dhe pikërisht këtu fillon çudia! Serbët që nga njeriu më i thjeshtë e deri te presidenti i vendit po përpiqen me të gjitha mënyrat të fajësojnë shqiptarët. Për dronin që u shfaq mbi stadium me simbolet tona kombëtare, për dhunën në fushën e blertë, madje dhe për thirrjet "˜Vritini shqiptarët' që ata thonë se nuk i kanë dëgjuar! Gjithë qëllimi duket se është të bëhen bashkëfajtorë xhelati dhe viktima...

Dhe kështu u sajua historia e Aleksandër Vuçiçit. Një portal kroat shkruajti se "Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç, ka prejardhje shqiptare nga babai. Kështu shkruan një portal kroat, i cili thekson se babai biologjik i shefit të qeverisë serbe, është gazetari shqiptar Fahri Musliu".

Këtë lajm e transmetuan mediat shqiptare, në Shqipëri e Kosovë, natyrisht dhe mediat serbe. Ishte një lajm që ra si rrufe dhe trazoi edhe më keq situatën ballkanike që edhe pa kësi lloj haberesh nuk është kurrë e qetë. Kjo ndodhi pak ditë para një vizite të paralajmëruar të kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi.

I shkrova pardje Fahriut dhe bëmë një bisedë të gjatë për këtë temë. I kërkova madje dhe një intervistë kolegut tim të vjetër, por ai pa më refuzuar, me elegancë më la të nënkuptoja se gazetarët nuk ka pse të intervistojnë gazetarët dhe se nuk duhet kurrsesi të bien në kurthin e mashtrimeve dhe shpifjeve keqdashëse.

 
Fahri Musliu



Fahri Musliu akuzon dhe padit

Ja si m'u përgjigj Fahri Musliu:

"Faleminderit Xhevdet dhe e kam vështirë të të refuzoj ty, ama kam vendosur të mos prononcohem sepse me këto shkrime shpifëse, të pabaza, denigruese e linçuese do të merren organet e hetuesisë e gjyqësisë. Sepse portalet kosovare, me kërkesë të pjesëtarëve të SHIK-ut famëkeq të Kosovës e botojnë pa distancim tekstin e një portali të diskutueshëm tepër ekstremist të Zagrebit, që ka pas për qëllim ta njollosë Vuçiçin.

Sepse tani gazetarët nuk merren me të vërteta, por me thashetheme dhe pa e verifikuar burimin e pa hulumtuar si duhet. Vuçiç është i lindur në mars të vitit 1970, kurse unë në studime në Beograd kam shkuar në tetor të vitit 1972 dhe për këto gjëra ekzistojnë faktet.

A thua mos ka ëndërruar mua nëna e Vuçiçit, që ka qenë një gazetare dhe kolege imja e shkëlqyeshme që nga viti 1985 kur edhe e kemi përcjellë bashkë punimet e Kuvendit të Jugosllavisë e Serbisë me qindra gazetarë të tjerë nga e mbarë Jugosllavia? Ajo si korrespondente e Tv të Novi Sadit të Vojvodinës, e unë si korrespondent i Rilindjes. Dhe vetëm kjo është e vërteta në pika të shkurtra".

Në vijim të bisedës me Fahriun, ai shtoi se:

"Pra me atë (nënën e Vuçiçit) njihem si kolegë, me respekt reciprok si me shumë kolege e kolegë të tjerë dhe asgjë tjetër. Madje që nga mesi i viteve të 90-ta kur ekzistonte Jugosllavia e cunguar, kam pushuar së shkuari shpesh në Kuvend dhe kur shkoja, atë rrallë e kam parë, kurse që nga viti 1997 s'e kam takuar fare".

Po unë pikërisht këtë doja të konfirmoja nga Fahriu dhe ai ma shprehu këtë. Dje foli vajza e Fahriut, Valbona Musliu, e cila punon si gazetare prej 15 vitesh dhe i hodhi poshtë të gjitha shpifjet kundër babait të saj, duke mos munguar të kritikojë edhe cilësinë e dobët të gazetarisë së sotme.

Por unë doja të shtoja këtu dhe reagimin që ka bërë edhe e bija e Ukshin Hotit të famshëm, politologut dhe atdhetarit të madh që e syrgjynosën dhe e zhdukën serbët para më shumë se 15 vjetësh. Erleta Ukshin Hoti, shkruante pikërisht kështu:

aleksandar-vucic-imao-saobracajnu-nezgodu"Kur vjen puna tek portalet, mbase mundohem t'i kuptoj se shkruajnë për të përfituar. Po, kur "ŽRTK si Medium Publik ofron fakte se "ŽVuçiçi na qenka djali i Fahri Musliut, duke marrë si burim zyrtar të informacionit Wikipedia-n, kjo është e patolerueshme.

Ore injorantë, a e dini se nuk jeni "ŽPORTAL, por jeni INSTITUCION PUBLIK? A jeni të vetëdijshëm që në Wikipedia çdo njeri mund t'i ndërrojë informatat? A do të mbushet mend ndonjëherë pushteti dhe populli t'i tregojë këtij Menaxhmenti të degjeneruar përmes jo profesionistëve që i ka punësuar, se nuk e kanë vendin në Institucione Publike, por... mbase në Wikipedia, në mënyrë që të tallemi me ta!"

 

Pse gjithë kjo zhurmë?

Më shkruan përsëri Fahri Musliu:

"Xhevdet, për këto shkrime nuk fajësoj portalin kroat që e ka botuar tekstin ku përmendem unë, por jam i zemëruar dhe indinjuar me faktin se përse ky tekst pjesërisht u publikua pas gati një muaji në portalin Gazeta Express e pastaj edhe gati në të gjithë portalet e tjera përfshirë edhe RTK për të cilin kam punuar tetë vjet rresht, pa bërë asnjë verifikim apo pa mbledhur fakte të nevojshme siç e kërkon profesioni.

Shtrohet pyetja: Kush ishte iniciuesi, apo porositësi i publikimit të këtij teksti dhe për çfarë qëllimesh bëhet një linçim i orkestruar disaditor, denigrim dhe njollosje e fyerje ndaj personalitetit tim njerëzor e profesional dhe ndaj familjes time? Tek e fundit, unë nuk jam politikan i kalibrit të lartë e as që jam politikan, por një person publik e tash gazetar i paangazhuar në pension.

Më mbetet të ju "falënderohem" kolegëve nga këto mediume në Kosovë e Shqipëri për angazhimin aq të madh që sa më shumë të më poshtërojnë. Por po ju them atyre dhe tjerëve, se unë do të vazhdoj të jetojë me shkëlqimin e njeriut, i cili gjatë gjithë jetës ka punuar me përkushtim e dinjitet të madh dhe me kode të rrepta njerëzore e profesionale, për çka gjithë këtë e kam arritur falë ndihmës dhe mirëkuptimit të madh të familjes time, në radhë të parë katër gocave: Linditës, Valbonës, Albërijes dhe Artës".
Intervistoi: XHEVDET SHEHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.