VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIA
Nga OWEN GIBSON, The Guardian

E Shtunë, 10.25.2014, 12:09pm (GMT1)



"Politikanët duhet të merren me politikë, por sporti duhet të jetë një vend vëllazërimi, që i bashkon popujt". Kështu tha Mishel Platini në fillim të këtij viti, në një prej deklaratave të zakonshme që bën presidenti, me temën e zakonshme "sporti dhe politika nuk duhen përzierë".

Ai drone që fluturonte në mënyrë surreale mbi fushën e Beogradit në 14 tetor, duke shkaktuar grindjen e jashtëzakonshme që shpërtheu në fushë, ishte incidenti më i fundit që e bën këtë qëndrim të Platinisë të duket naiv në rastin më të mirë, dhe i rrezikshëm në rastin më të keq.

Në një sport që nuk e ka humbur aspak fuqinë për të befasuar, pamja e një drone të telekomanduar që mbante flamurin e "Shqipërisë së Madhe" një koncept që shqiptarët këmbëngulin se nuk është përdorur asnjëherë në të folurën moderne mbi fushë, ishte pararendësja e një gjysmë ore kaosi dhe konfuzioni, përpara se Martin Atkinson të anulonte ndeshjen.

Komisioni i pavarur disiplinor i UEFA-s, pasi ka këqyrur provat e paraqitura si nga Serbia, ashtu edhe nga Shqipëria, zgjodhi qasjen e "ndëshkimit të të gjithëve" të premten. Serbisë iu dha një fitore 3:0 në tavolinë, por më pas iu hoqën tre pikë, të dy federatat u gjobitën me 100 mijë Euro secila dhe Serbia u urdhërua të luajë dy ndeshjet eleminatore të radhës, kundër Danimarkës në 14 nëntor dhe Armenisë në 4 shtator të vitit tjetër, me dyer të mbyllura.

Në mungesë të provave përfundimtare se kush ishte që e fluturoi drone-n, ky është një verdikt që duket i ashpër ndaj shqiptarëve të cilët nuk marrin asnjë pikë nga ndeshja dhe janë minus tre gola. Vendimi do të thotë që Shqipëria, e cila i nisi eleminatoret me një fitore befasuese 1-0 kundër Portugalisë, ka tashmë 4 pikë në tre ndeshje dhe Serbia një pikë në dy ndeshje. Danimarka ka 4 pikë, Portugalia 3 dhe Armenia 1.

Eshtë e ditur që në cilindo proces pothuajse-gjyqësor, secila palë do të paraqesë provat e saj në mënyrë agresive. Por toni prej Ministrie të të Vërtetës që përdorën serbët kur dorëzuan dosjen e tyre, ku akuzonin Federatën Shqiptare se kishte orkestruar incidentin e drone-t si pjesë e një "akti terrorist" të paramenduar, ishte në kufijtë e qesharakes.

Të gjithë që kanë qenë të pranishëm kanë komentuar për atmosferën super të ngarkuar në mesin e një turme të eksituar prej nacionalizmit të nxitur qysh prej përplasjes së tyre të parë me Shqipërinë, në Beograd, në 1967-ën. E zhvilluar në sfondin e tensioneve të gjatë me Kosovën, ish provinca serbe që shpalli pavarësinë në 2008 dhe e populluar në shumicë prej shqiptarëve etnikë, ndeshja pritej të ishte një ngjarje e nxehtë. Ai tension kishte shpërthyer në një luftë në vitin 1998 dhe kjo u ndal prej fushatës së bombardimeve të NATO-s një vit më vonë, por jo përpara se 10 mijë vetë të kishin humbur jetën.

Pavarësisht mungesës së palës mysafire atmosfera nuk u ndihmua aspak nga një operacion sigurie që, sipas dëshmitarëve, ishte tmerrësisht i papërshtatshëm. Gurë, cakmakë, monedha, fishekzjarre, copa betoni nga shkallët dhe objekte të tjerë në raportin e dorëzuar nga Federata Shqiptare thuhet se në shkallët e stadiumit kishte dhe një fuci u hodhën në fushë në drejtim të futbollistëve shqiptarë.

Banderolat që glorifikonin kriminelë lufte u shpalosën haptaz dhe këngët që dëgjoheshin nga shkallët e stadiumit përfshinin edhe fjalë si "Vrit, Vrit, Vrit gjithë shqiptarët" dhe "Digji, digji të gjallë deri sa të mos mbetet asnjë'. Shfaqja e huliganit famëkeq Igor Bogdanov në turmë, u duk domethënëse nga pikëpamja simbolike, shprehje e një mungese dëshire apo aftësie mes autoriteteve serbë për të mbajtur nën kontroll me polici ndeshjen si dhe një kujtesë e lidhjeve të ngushta mes ultrasëve të Beogradit dhe tërbimit vrastar të Arkanit në rajon gjatë viteve nëntëdhjetë.
Kur filloi kaosi pas incidentit të drone-t teksa stjuardë, tifozë dhe policë sulmuan lojtarët shqiptarë ndërkohë që këta largoheshin nga fusha, të mbrojtur nga futbollistët serbë fucisë së barutit i ishte dashur vetëm një shkëndijë.

Pak dyshime ka që drone surreal dhe ngarkesa e tij e ofroi këtë shkëndijë. Por sado që ne dhe UEFA të mund të dyshojmë se e ka komanduar një shqiptar, pa prova të mjaftueshme është e vështirë të dënojmë Shqipërinë për këtë. Shpështjellja e rrjetit toksik të akuzave dhe kundërakuzave në raste si ky nuk do të jetë kurrë e lehtë, por nuk është hera e parë që UEFA duket se ka mbetur shumë "stola" prapa.

Federata shqiptare pretendon se deri gjashtë futbollistë ishin dëmtuar kaq rëndë, saqë nuk ishin nëgjendje të vazhdonin ndeshjen. Serbët thonë se ofruan ta luajnë ndeshjen më vonë gjatë javës, pa tifozë. Shqiptarët pretendojnë se një ofertë e tillë nuk u bë dhe në cdo rast, edhe po të ish bërë, futbollistët duhej të ktheheshin tek klubet.

Pak dyshime që të dy palët mund të kenë patur faj, por ndërkohë që Serbia do të përballet me humbje të ardhurash prej ndeshjeve pa tifozë, Shqipëria ka vuajtur dënimin më të madh sportiv.

Mes deklaratave dhe retorikës së fryrë, shanset e Shqipërisë për kualifikim në Euro 2016 kanë marrë një goditje. Po sikur Serbia të kualifikohet me diferencë golash para tyre? Dhe cfarë do të bëjë UEFA në lidhje me ndeshjen e kthimit pas 12 muajsh?

Lista e akuzave kundër Serbisë po bëhet shumë e gjatë. 4 vjet më parë një ndeshje për Euro 2012 kundër Italisë u ndërpre prej skenave të kaosit. Ka patur incidente të vazhdueshëm me klube serbë në garat europiane dhe në dhjetor 2012, ndeshja e Under-21 me Anglinë përfundoi në kaos, teksa futbollistët u sulmuan në fushë mes sharjeve raciste.

Dy ndeshje pa tifozë nuk ka gjasa ta ndreqin problemin, sidomos teksa serbët janë agresivë në mohimin e tyre. Të dy palët do të apelojnë.

Javën që kaloi u projektua një "javë e UEFA-s për t'i thënë JO Racizmit", kujtesa më e fundit se reklamat në televizione, bluzat dhe fjalët e ngrohta janë të gjitha shumë mirë. Por deri kur të mbështeten prej vendimeve koherentë nga organi disiplinor i UEFA-s, ato nuk do të arrijnë shumë.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.