VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LDK-ja NËNSHKROI VDEKJEN E SAJ!
Nga FATON MEHMETI

E Shtunë, 11.22.2014, 09:04am (GMT1)



Pas pesë muajsh ngërç politik për krijimin e qeverisë që pas zgjedhjeve të 8 qershorit, në praninë e Presidentes Jahjaga dhe të ambasadores amerikane, Jakobson, u arrit akordi për koalicioni PDK-LDK. Një koalicion i përfolur herët nga qarqet e huaja diplomatike , i konsideruar si koalicioni që i jep stabilitet politik vendit dhe që rezultoi më në fund edhe me akordin mes të dy rivaleve tradicionale politike. Në çdo zgjedhje ka humbës dhe fitues dhe në zgjedhjet e 8 qershorit, fituese doli PDK-ja, ndërsa humbëse LDK-ja .Ndonëse kjo e fundit shënoi rritje të votave, përsëri doli humbëse dhe ky është embrioni nga ku duhej të reflektonte paria e LDK-së me në krye Isa Mustafën, i cili fushatën parazgjedhore e mbështeti tek akuzat e forta ndaj PDK-së, duke

E bërë përgjegjëse për rritjen e krimit të organizuar, deri edhe për vrasje politike.

Këto akuza të forta, dhe mbi të gjitha kryefjala e tij se " kurrë s'do të bënte koalicion me PDK-në", vetëm sa forcuan pozitën e Isa Mustafës në LDK, duke tërhequr një numër të madh të aktivistëve të vjetër që ishin lënë pas dore, si dhe të rinjtë që aspirojnë për ëndrrën europiane. I veshur gjithnjë mire, me kollare njëngjyrëshe e me pamje të ngrysur, Mustafa konsiderohej "njeri i ftohtë, por besnik i parimeve". As edhe pesimistët më të mëdhenj s'do ta besonin se Isa një ditë do të mendonte për një koalicion me PDK-në, për të mos folur pastaj për jetësimin e tij. Por gjërat ndryshuan. Pas konfirmimit të rezultatit zgjedhor të 8 qershorit, Isa Mustafa doli humbës. Rendi demokratik e kërkonte që humbësi ta uronte rivalin për fitoren, si edhe të largohej nga kreu i partisë, por Isa Mustafa nuk e dha dorëheqjen.

Filluan të dilnin në pah ambiciet e shfrenuara të Isës për pushtet, gjë që nuk e kisha menduar para zgjedhjeve. E tërhoqi prej hunde LDK-në drejt koalicionit të quajtur VLAN, për t'ia bërë të pamundur PDK-së, krijimin e institucioneve, në mënyrë që të merrte më pas udhëheqjen e vendit. Ndërkohë që PDK-ja ndihej e qetë, pasi Gjykata Kushtetuese ia kishte njohur asaj të drejtën për të propozuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Isa, i tërbuar pas kolltukëve, vazhdoi të kërkonte formulën e ardhjes në pushtet. Duke qenë se Ramush Haradinaj nuk i lëshoi pe, Isa lëpiu atë që pështyu - koalicionin me PDK-në. Ambiciet e tij të shfrenuara për pushtet, e kanë katandisur LDK-në buzë greminës, e cila tani po lëshon klithmat e atyre, që këtë parti e konsideronin si shtetformuese. Isa e ka mbytur mendimin kritik brenda partisë dhe nuk ka afruar në të njerëz të rinj dhe të zotë. Kështu, e ka kthyer partinë në një shtëpi pleqsh. Për më tepër, ai e ka devijuar partinë nga vlerat me të cilat ajo identifikohej.

Realisht, pas vdekjes së Rugovës, LDK-ja nisi të ndryshonte rrënjësisht, pasi shfrenimi për pushtet i atyre që e zaptuan partinë, nuk ka të bëjë fare me vizionin e Rugovës.

LDK-ja e tanishme, përveç mbajtjes të fotos së Rugovës në zyrat e saj, s'ka më asgjë tjetër të përbashkët me vizionin e tij. Më habit fakti se si Ramushi dhe partitë e tjera të bllokut me pritën me habi tradhtinë e Isës. LDK-ja ka tradhtuar idealet e themeluesit të saj, Rugovës dhe nuk e ka për gjë të tradhtojë bllokun.

FATON MEHMETI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.