VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

22 NËNTOR 1963 - VRASJA E XHON KENEDIT DHE GABIMET FATALE TË SHËRBIMIT SEKRET AMERIKAN

E Djelë, 11.23.2014, 09:00am (GMT1)



Para pak kohësh drejtoresha e shërbimit sekret amerikan, Julia Pierson dha dorëheqjen. Obama e pat emëruar zonjën Pierson në atë post pas skandalit në Kolumbi, kur agjentët sekrete amerikane futën prostituta në hotelin e tyre, pak para mbërritjes së presidentit për një mbledhje me udhëheqësit e Amerikës së veriut dhe të Jugut. Megjithëse nuk u tha qartë që ishte incidenti i fundit i 19 shtatorit, (kur një njeri i armatosur me thikë kapërceu gardhin e Shtëpisë së Bardhë duke depërtuar thellë,) që u bë shkak për dorëheqjen e saj, ështe fakt që ka patur pakënaqësira ndaj shërbimit sekret amerikan, gjë që e bëri të nevojshëm ndërrimin e stafit drejtues. Duke hedhur një vështrim në të kaluarën,dështimin më të madh shërbimit sekret e pati në 22 Nëntor 1963, kur nuk arriti të parandalonte atentatin kundër Presidentit Xhon Kenedi në Teksas.

Si kish ndodhur kjo? Gjatë hetimit agjentët e shërbimit sekret u përpoqën të shfajsoheshin duke gënjyer. Madje ç'ishte më e keqja, ata ia vunë fajin vetë presidentit. E habitshme, e pabesueshme, por e vërtetë.


* * *

Brenda disa orëve nga vrasja e Kenedit, agjenti i shërbimit sekret, Roi Kellerman, i cili kishte qënë ulur në limuzinën e presidentit, e siguroi FBI-në që "masat për vizitën e Kenedit në Dallas kishin qenë nga më rigorozet dhe më të plotat që ishin marrë ndonjëherë për vizitën e një presidenti në një qytet amerikan ". Agjenti tjetër, Grir, që bënte punën e shoferit qe fare përvojë (madje as në ngarjen e makinës). Procedura e shërbimit sekret nuk e lejonte atë të merrte inisiativën për veprime të shpejta evasive.

Ndërsa kishte kthyer kokën dy herë nga presidenti gjatë të shtënave, ai ende priste urdhër nga Kellermani, në krah të tij. Gjatë hetimit Grir hezitoi të pohonte që pas krismës së parë ai nuk e rriti shpejtësinë e makinës, por në të kundërt limuzina vazhdoi rrugën me ngadalsinë e një kërmilli e qëndroi në vend, duke e kthyer presidentin në shenjestër të palëvizshme për snajperin. Që nga goditja e parë, agjentet sekretë kishin 6 deri 7 sekonda për të bërë diçka, qoftë edhe diçka për të evituar goditjen e dytë, që i mori jetën Kenedit. Sipas mjekëve expertë, në qoftëse në intervalin midis të shtënës së parë dhe të fundit që e goditi Kenedin në kokë limuzina do të kishte shtuar shpejtësinë, do të ish evituar goditja vdekjeprurëse.

Dejv Pauërs, mik i hershëm i presidentit Kenedi dhe antar i stafit të Shtëpisë së Bardhë, që ndodhej në limuzinën e dytë, me të cilën udhëtonte zëvendëspresidenti Lindon Xhonson, rikujtonte: "Pas goditjes së parë vura re që trupi i presidentit lëvizi nga krahu i djathtë ku qe ulur, në extremin tjetër. Në të shtënën e dytë, guvernatori i Teksasit, Kanëlli,(Connally), që ishte ulur një sedile përpara tij, "˜u zhduk' nga pamja,(qe plagosur A.L.)dhe në të shtënën e tretë pashë që plumbi ndau kafkën e kokës presidentit....' Agjentët sekretë gjatë 6-7 sekondave ngrinë... Vetëm Klint Hill u hodh duke kapërcyer në limuzinën e presidentit Kenedi. Një pjesë e kafkës së presidentit me gjithë flokë kishte rënë në sedile dhe gjaku qe shpërndarë gjithandej. Ai e mbuloi me xhaketën e tij kafkën e thyer dhe gjakun. Nga ajo ditë, agjenti sekret 31 vjeçar, Klint Hill shembull i kurajos dhe guximit, nuk ishte më ai që kish qënë më parë. Ai moment jashtëzakonisht tronditës do ta shoqëronte atë gjithë vitet e jetës së tij. Në vitin 1975 në një interviste televizive, dhënë gazetarit Majk Uallas(Mike Wallace), Hill shpërtheu disa herë në lot duke u ndjerë fajtor se përse nuk mundi të reagonte më shpejt me të dëgjuar krismën e parë.

Reagimi i vonuar i agjentëve të shërbimit sekret për mbrojtjen e presidentit qe një e vërtetë e tmerrshme dhe e pamohueshme.

Gjatë kësaj ngjarje tragjike u zbuluan difekte të dukshme në punën e shërbimit sekret.
Së pari, agjentët nuk kishin trajnimin e duhur. Dy nga ata i kishin marrë të shtënat e para për krisma fishekzjaresh. Zonja Kenedi, e cila shoqëronte të shoqin, në dëshminë e vet përmendi njërin agjentët e shërbimit sekret që nuk reagoi në momentin vendimtar(pas krismës së parë). Ishte fjala për " shoferin" Grir. "Duhet të zgjedhësh një shofer të mirë, që të mos të të ndodhë gjë", është shprehur më pas ajo.

Por gabimet e agjentëve kishin filluar më herët. Një natë më parë, në mbrëmjen e 21 Nëntorit, nëntë nga agjentët me detyrë për mbrojtjen e presidentit Kenedi, ndodheshin në një lokal duke pirë deri në orët e para të mëngjesit të datës 22 nëntor. Sipas rregullores, gjatë periudhës së udhëtimit të presidentit, agjentët e sigurimit e kishin rreptësisht të ndaluar pirjen e alkolit dhe nëse thyhej rregullorja ata pushoheshin nga puna. Por këtë rast fatal, kjo nuk ndodhi. Asnjë nga agjentët nuk u pushua. Shefi i tyre Xhejms Rolli i mbrojti ata duke thënë se agjentët të ndërgjeshshëm për seriozitetin e detyrës së tyre, premtuan që "nuk do ta bënin më". Shefi i shërbimit sekret raportonte para komisionit hetimor dhe kongresit se pavarësisht nga fakti që kishin pirë, të nesërmen (datë 22 nëntor) të nëntë agjentët ishin paraqitur në punë në orën e caktuar, me kapacitet të plotë mendor e fizik dhe e kryen detyrën në mënyrë të kënaqshme"(!!!) E vërteta ishte se të nesërmen në mëngjes asnjëri nuk kishte vënë re që autokolona e presidentit nuk ishte në formacionin e duhur. Të dy krahët e limuzinës së presidentit ishin lënë pa motorrë shoqërues, pra limuzina e tij qe e zbuluar nga të dy anët.

Shërbimi sekret nuk kishte bërë asnjë përpjekje për ta mbajtur të fshehtë itenerarin e presidentit. Në të kundërt, rruga që do të ndiqte autokolona qe botuar në gazetën lokale Times Herald, dhe tre ditë para vizitës së presidentit në Dallas qe dhënë në mënyrë më precise.

Agjentët sekretë në makinën pas limuzinës së presidentit ishin udhëzuar që të shikonin për ndonjë shenjë shqetësuese, jo vetëm nëpër turmën e popullit që kishte dalë për të përshëndetur presidentin, por edhe në rrugët, dritaret e çatitë e godinave , si edhe kryqëzimet e mbikalimet. Edhe kjo detyrë nuk u krye.

Fillimisht, duke udhëtuar drejt "˜Main Street', çdo gjë u duk se shkoi mbarë. Presidenti ndaloi në dy raste për të shtrënguar duart me banorët që kishin dalë ta përshëndesnin si dhe me një grup fëmijësh të vegjël. Turma e njerëzve ishte e qetë. Pikërisht në momentin kur limuzina mori kthesën në rrugën Elms, ( ku ndodhi atentati) Guvernatori i Teksasit, qe kthyer nga presidenti Kenedi duke i thënë: "Zoti president, ju nuk mund të thoni se Dallasi nuk ju do". Në fare pak çaste, u dëgjua e shtëna e parë mbi autokolonë dhe Presidenti mbërtheu fytin me të dy duart. Agjenti Kellerman, që ishte në sedilen e parë, pranë shoferit, dëshmoi se kishte dëgjuar fjalët e tij: "O Zot, më qëlluan!"( Pikërisht ai Kellerman që raportoi se ishin marrë masat më strikte për vizitën e presidentit në qytet).

Sipas versionit zyrtar përshkruar nga shërbimi sekret, Li Harvi Osvald shtiu nga dritarja e katit të gjashtë të godinës së magazinës së teksteve shkollore. Asnjë nga agjentët sekretë që kishin detyrë mbrojtjen e presidentit nuk e vuri re snajperin, nderkohë që snajperin e e kishin parë disa persona të zakonshëm. Fotografi, Bobi Xhekson, dëshmoi se kishte parë snajperin me armë në dritaren e katit të gjashtë të godinës së magazinës së librave për shkollat. Shërbimi sekret duhet ta kishte "skanuar" këtë vend ku godinat shumëkatëshe vinin në krah të njëra tjetrës, dhe ku prej çdonjërës prej tyre shikohej si në pëllëmbë të dorës rruga Elm në të cilën do kalonte autokolona e presidentit.

Për vrasjen e presidentit, shërbimi sekret ia vuri fajin presidentit për mosvënien e kupolës të limuzinës, e cila do ta kishte mbrojtur atë. Mirëpo, kupola e makinës së presidentit nuk ishte antiplumb, prandaj edhe sikur të qe vendosur, ishte njëlloj sikur plumbi ta qëllonte presidentin përmes xhamit të dritares. Gjithësesi fakti që presidenti udhëtonte me limuzinë të hapur, u shfrytëzua për fajsuar vetë presidentin i cili "ia kishte bërë vetes" duke qënë neglixhent për mbrojtjen e tij.

U bë e modës për njerëzit që dinin pak ose aspak për procedurën e mbrojtjes e presidentit nga agjentët sekret, të bënin biseda rreth tipit të pakujdesshëm të Xhon Kenedit. Shërbimi sekret nuk reagoi t'i hidhte poshtë këto mendime. Për të ky opinion shërbente si një re tymi rreth asaj që ndodhi në të vërtetë në Dallas në 22 Nëntor, 1963. Madje perceptimi për presidentin, si neglixhent, i pakujdeshëm/ u përhap publikisht kaq shumë sa që madje edhe më pas, në vitin 1979 në një mbledhje me përfaqsues të komisionit të zgjedhur për atentatet u tha se "Presidenti Kenedi përbënte problem për shërbimin sekret, për shkak të stilit të tij. Ai udhëtonte më shumë se paraardhësit e tij dhe i pëlqente takimi me turmat e popullit..."

* * *

Tjetra: për shkak të kordinimit të keq midis Shërbimit Sekret, FBI-së dhe Policisë së Dallasit, agjentët sekret as nuk e kishin idenë që një bandë disidentësh nga Kuba, të quajtur Alfa 66, kishin kërcënuar jetën e Kenedit. Kubanezët e Alfa 66, ishin të egërsuar me Kenedin sepse gjatë invazionit në "˜Bay of Pigs', ai kishte refuzuar t'i mbulonte ata me sulme ajrore. Alfa 66 e bënte presidentin personalisht përgjegjës për humbjen shkatërrimtare në duart e ushtrisë së Kastros. Ky grup kishte disa javë që bënte mbledhje në një shtëpi në Dallas, përpara vizitës së Kenedit. Vetëm një ditë pas atentatit, policia e Dallasit informoi shërbimin sekret se ato kohë kishte qënë duke vëzhguar Li Harvi Osvaldin, i cili qe takuar me një grup kubanezësh . Shërbimi inteligjent nuk e kishte fare në listën e të dyshuarve Li Harvin. Detektivët e Dallasit i paraqitën atij një listë me 400 emra të dyshuarish, por Li Harvi, i vetëquajturi marksist, megjithëse i pasqyruar në shtypin lokal, edhe për arratisjen e tij në Bashkimin Sovjetik, nuk qe përfshirë në atë listë. Kështu shërbimit inteligjent i humbi një shans për ta kapur Li Harvin.

-Gabimi tjetër i shërbimit sekret ishte që presidenti Kenedi dhe zëvendëspresidenti (Lindon Xhonson) ishin të dy bashkë në atë udhëtim, në të njejtën rrugë në limuzina të hapura, vetëm pak metra njëra nga tjetra. ( Ky gabim u korigjua në 11 shtator 2001, kur zv.presidenti Cheney, u dërgua urgjentisht në një vend të fshehtë. Asnjëherë më që nga ajo ditë presidenti amerikan dhe zevendesi i tij nuk u lanë më në të njejtin vend).

* * *
Skena tragjike e vrasjes së presidentit Kenedi në Dallas, la vragë të thella në të gjithë kombin amerikan. Shërbimi sekret, mënyra e mbrojtjes së presidentit duhej reformuar. Numri i agjentëve për mbrojtjen e presidentit u shtua, dhe u zgjerua trajnimi agjentëve të veçantë. U rrit bashkëpunimi në mes shërbimit sekret dhe agjensive të tjera. E me gjithë atë, kjo nuk mund të shmangte ndodhitë tragjike që erdhën më pas.


Përgatitur nga Albana M. Lifschin


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.