VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BANDITIZMI POLITIK
Nga ZEF MULAJ

E Hënë, 11.24.2014, 08:13am (GMT1)



Shpresat janë akoma të mëdha për të parë Rilindjen shqiptare! Ky është një premtim i të majtës, të cilin shqiptarët presin ta shohin, prekin dhe jetojnë. Po cili do të jetë ky model i rilindjes?! Me siguri duhet parë dhe pastaj mund të flitet e të shkruhet. Modelet nuk mund të vijnë kurrë matematikisht. Matematika të vlerëson dhe kontrollon, të orienton për të ecur dhe për t'u korrigjuar. Pra po e quajmë matematikën "gjyqtarin" e një modeli shtetëror e shoqëror. Nëse raporti i të papunëve dhe i të punuarve ka një vektor afrimi në një pikë, atëherë matematika të tregon se ku je dhe ku po shkon. Përgjigjja nuk është matematike por e shtetit dhe politikës. Duhet rilindje dhe një model i ri shtetëror. Pra kanë një diference të madhe mes fjalëve "ndryshim" dhe "rilindje" dhe shumë më shumë ndryshojnë ato me fjalën "reformë".

Disa faktorë të pallogaritshëm çojnë në përfundimin e një nevoje për rilindjen shqiptare. Konkluzionet të çojnë në pikun e lartësisë së një alarmi për modelim të ri shtetëror e politik. Ky alarm nuk thërret ndryshim e reforma, por thërret për vetëdije njerëzore, për një modelim të ri shtetëror në Shqipëri. Duke iu referuar pasviteve 1990, ku filloi modelimi i ri shtetëror, me rrëzimin e një sistemi ekonomik e politik, mund të themi se krahas tij, nisi paralelisht edhe modeli i shkatërrimit të shoqërisë në vetë përmbajtjen dhe strukturën e jetesës dhe të ekonomisë. Por pse ndodhi kështu? Kjo ndodhi si pasojë e "banditizmave politike" në emër të partive ose vetë brenda partive politike. Ky banditizëm politik bëhej për interesa personale. Por edhe sot vazhdojnë të kemi të tilla banditizma politike, por me një ndryshim në strategji dhe në strukturën e tyre në raporte me shoqërinë. Një pjese të politikës shqiptare nuk i intereson pluralizmi i vërtetë, por ai i djallëzuari. Kjo është edhe arsyeja se përse ka akoma politikanë që luajnë rolin e banditit politik. Ata kanë bërë pasuri dhe nëse ndryshon konteksti politik apo shtetëror, ata humbasin gjithçka, ndoshta edhe lirinë. Kur nuk u shkon për shtat shteti, thërrasin "skllevërit" e tyre për shpëtim nëpër sheshe në emër të demokracisë. Skllevërit janë pikërisht ata të mashtruarit dhe të sunduarit prej tyre. Kjo bëhet për t'iu kundërvënë modelit të ri shtetëror apo politik të një vendi, i cili mund t'ua prishë kioskën e përfitimit. Modelet shtetërore e shoqërore nuk mund të krijohen se ne harrojmë të kaluarën se nuk e vlerësojmë si progres ose regres. Modelimi duhet bazuar në shumë faktorë si tradita, feja, demografia dhe mbi të gjitha historia.

Por banditizmit politik i shërben blerja e njeriut më primitiv për ta sunduar e për të qenë gjithnjë superior, apo se për një moment opozita është gjithmonë pakica e një shoqërie, ndaj edhe nuk e do historinë, tenton ta dejonizojë dhe ta cilësojë si të rrezikshme. Këtë po bën sot opozita. Ajo duhet të afrojë ide, propozime që të jenë në tavolinën e përbashkët dhe kur ato vlejnë më shumë se shumica, kthehen në shërbim të shoqërisë. Është terrorizuar populli në këto vite nëpër sheshe duke luftuar shtetin e qeverinë . Opozita shkon në shesh me të drejtë për të ofruar diçka më shumë se shumica, por jo duke tensionuar popullin nën emrin e demokracisë. Duke tentuar të grumbullojnë njerëz që presin për shpresa të reja. Këto shpresa duhet t'i gjejë te një model i ri i shtetit.
ZEF MULAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.