VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SOT MBUSHEN 2 VJET KUR DIPLOMATI DHE VEPRIMTARI I SHQUAR GANI AZEMI KALOI NË AMSHIM - E KUJTOJMË ME NJË SHKRIM QË AI IA KA KUSHTUAR KOSOVËS - DITA E PAVARËSISË SË KOSOVËS - 17 shkurt 2008 Parlamenti i Kosovës sapo shpalli pavarësinë
E Martë, 11.25.2014, 08:21am (GMT1)


17 shkurt 2008. Parlamenti i Kosovës sapo shpalli pavarësinë.

Brohoritje dhe britma të fuqishme gëzimi ushtojnë nëpër rrugët e Prishtinës. Si mijëra të tjerë, edhe unë thirra me shpirt: "Rroftë Republika e Kosovës"!

Në gjithë atë atmosferë të pabesueshme ngazëllimi dhe brohoritjesh, futem në një valle dhe kapem përdore me shqiptarë të ardhur nga e gjithë bota për të festuar këtë ngjarje të madhe historike.

Në mendje më kalojnë sakrificat e pafundme të brezave që luftuan për këtë ditë dhe mallëngjehem nga fytyrat e të rinjve që shndrisin nga lumturia.

Flamuri i ri i Kosovës, flamujt shqiptarë, amerikanë dhe evropianë valviten në qiellin e lirë të Kosovës. Qielli ndriçohet nga fishekzjarret e panumërta. Rrugët tunden nga thirrjet e brohoritjet me falënderime për Evropën dhe Amerikën.

Deputetë evropianë, parlamentarë belgë dhe miq e dashamirës të vendit tonë gëzojnë me ne. Në ekranet gjigante të televizioneve gazetarët njoftojnë për njohjet e para të Republikës së Kosovës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Turqia, Belgjika..., Ato brohoriten nga mijëra qytetarë të Kosovës.

Në një prej ekraneve shoh shqiptarë të diasporës në Belgjikë që festojnë pavarësinë e Kosovës. Jam shumë i prekur, sepse për tridhjetë vjet rresht nga ai vend unë pata mundësinë të punoj e ëndërroj për këtë ditë. Ndiej një mirënjohje të thellë për shtetin dhe qeverinë belge, e cila, ishte nga të parat që njohu pavarësinë e Kosovës. Shumë disidentë shqiptarë, ndërmjet tyre dhe unë, u mirëpritëm nga mbretëria e mbretit Boduin pas Luftës së Dytë Botërore.

Jam i emocionuar kur kujtoj të gjitha rastet, kur Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova është pritur në Bruksel me të gjitha nderimet që i takojnë një kryetari shteti nga Kryeministri Guy Verhofstadt, ministrat e Punëve të Jashtme Luis Michel e Karel De Gucht, kryetarët e senatit Armand De Decker dhe Anne- Marie Lizin e shumë përfaqësues të tjerë.

Lumturia jonë s'mund të përshkruhet me fjalë e do të donim që kjo natë feste të mos mbaronte kurrë.

Katër ditë më vonë serbët i vunë flakën ambasadës së SHBA-së në Beograd.

Njëkohësisht ata sulmuan edhe ambasada të vendeve të tjera që mbështetën pavarësinë e Kosovës.

Nëntëmbëdhjetë vjet pas protestave masive të serbëve kundër shqiptarëve të Kosovës dhe histerizmave të Millosheviçit për masakra ndaj vendit tim, ulërimat raciste dëgjohen sërish në Beograd. Por këtë herë kjo urrejtje nuk drejtohet vetëm kundër shqiptarëve, por edhe kundër amerikanëve, francezëve, britanikëve, gjermanëve, sllovenëve.....

Do të doja të dija ndjesitë e qytetarëve të këtyre vendeve kur ju sulmoni ambasadat e tyre. Këta popuj na mbështetën me ushtarët e tyre në Kosovë për të çliruar koloninë e fundit në Evropë. Ata kanë kuptuar se sa herë që demokracia triumfon në Evropë e në botë, janë demokracitë e tyre që forcohen e konsolidohen më tej.

Për fat, tashmë një kufi ndan, më në fund, vendet tona. Tërë jetën time ia kam kushtuar vendit tim dhe tani po shoh ëndrrën time të realizuar. Pas një shekulli të pushtimit serb, Republika e Kosovës është bërë një shtet sovran i njohur nga fuqitë perëndimore dhe shumë vende të tjera. Ajo ka tashmë vendin e saj në mesin e kombeve të lira evropiane.
-
Nga Libri i Diplomatit e Veprimtarit Gani Azemit "Letra Fqinjit tim serb" publikuar në gjuhen frenge ("Lettres à mon voisin serbe") dhe italiane ("Lettere al mio vicino serbo")

GANI AZEMI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.