VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GAZETARI GJERMAN VIKTOR MEIER - NJË MIK BESNIK I SHQIPTARËVE

E Martë, 11.25.2014, 09:17am (GMT1)



Kryeministri i Kosovës në detyrë, Hashim Thaçi, përmes rrjetit social Facebook ka shkruar se vdekja e gazetarit, analistit, publicistit dhe historianit Viktor Meier është humbje e një personaliteti të rrallë të formatit evropian i cili me kohë u rreshtua nga ana e popujve dhe kombeve të shtypura të Evropës Juglindore.

Meier, sipas Thaçit i mbrojti botërisht përpjekjet e Kosovës për liri dhe pavarësi që nga viti 1981, ishte aktiv edhe në periudhën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kohë gjatë së cilës ruaj kujtimet më të mira.

"Meier ishte i pranishëm edhe në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008 ndërsa është nderuar nga Presidentja Jahjaga edhe me Urdhrin e Republikës së Kosovës për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm "Dr. Ibrahim Rugova". Qytetarët e Kosovës do ta kujtojnë me respekt dhe konsideratë të lartë këtë mik të madh të lirisë dhe pavarësisë", shkruan Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

Gazetari i shquar gjerman Viktor Meier ka qenë pioneri i mbështetjes së aspiratave të shqiptarëve në Kosovë për liri qysh në vitet tetëdhjetë.

I lindur në vitin 1929 në Winterthur afër Zürich-ut, Meier filloi të merret me zhvillimet në Europën Juglindore dhe sidomos në Jugosllavi që në vitet "˜50. Pasi punoi disa vjet si korrespondent i medieve të ndryshme gjermanofolëse nga Washingtoni, Moska dhe Athina Meier iu përkushtua Ballkanit.

Fillimisht ai raportoi për gazetën zvicerane "Neue Zürcher Zeitung", ndërsa nga viti 1975 deri në fund të vitit 1993 ishte korrespondent për Ballkanin i "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Në librin e tij "Si u humb Jugosllavia" Meier i bën një gjyq me fakte edhe politikës perëndimore, të cilën e akuzon si proserbe në shumë raste dhe këtu ai përmend sidomos rolin e Francës dhe të Britanisë së Madhe.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.