VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ARMA ME TË CILËN LUFTOI ADEM JASHARI SHFAQET SOT NË MUZÉ

E Premte, 11.28.2014, 08:20am (GMT1)

    
Adem Jashari vdiq duke luftuar për lirinë e vendit të tij. Automatiku që nuk e lëshoi nga dora deri në momentin e fundit të jetës, do të ekspozohet sot në Muzeun e Kosovës.

Përmes një kronike, RTK ka sjellë një ditë më parë armën që përdori komandanti legjendar. Muzeu i Kosovës për ditën e sotme është bërë gati të presë shumë mysafirë.

Arsye për këtë është një ekspozitë e veçantë me artefakte që vijnë nga heroizmi i familjes Jashari.

Këtu për herë të parë do të zbulohet edhe arma të cilën po e mbante në dorë komandanti legjendar, Adem Jashari, në momentin kur u vra në kullën e tij në Prekaz.

"Në këtë ekspozitë të interesuarit do ta shohin armën AK Kallashnikov, që ishte arma personale e Adem Jasharit, që është prodhim kinez", ka theksuar Sadik Krasniqi ­ autor i kësaj ekspozite.

Pikërisht ky është kallashnikovi me të cilin Adem Jashari shkoi në Shqipëri. Fare pranë saj ndodhet edhe pushka e punuar me dorë e Hamzë Jasharit. Pjesë e ekspozitës do të jenë edhe shumë artefakte tjera. Në Muzeun e Kosovës, këtë ekspozitë po e vlerësojnë si organizimin më të rëndësishëm të këtij institucioni. "Këso tematike nuk ka pas kurrë muzeu i Kosovës dhe nuk besoj se do të ketë tematikë më të fuqishme ndonjëherë", ka shtuar Krasniqi.

Ekspozita do të hapet sot në orën 14:00 dhe do t'i ketë dyert të hapura për vizitorë deri në fund të vitit.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.