VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NDARJA E SKËNDER DRINIT NGA JETA S'MUND TË JETË THJESHT 'NJË KRONIKË E ZEZË'
Nga ILIR PAJA

E Premte, 12.19.2014, 09:32am (GMT1)



Ditë më parë, gazeta "Shekulli" paraqiti fatin tragjik të një shkrimtari tonin. Bëhet fjalë për prozatorin Skënder Drini, i cili u nda nga jeta. Çështja nuk duhet parë vetëm brenda një lajmi. Madje, as brenda një rrëfimi për momentet e fundit të jetës së një njeriu të tillë. Sepse fundi i jetës për njerëz të tillë s'mund të jetë thjesht "kronikë e zezë"! Për më shumë se dy dekada, shoqëria shqiptarë ka përcjellë drejt veprës së tyre (dhe jo vdekjes) jo pak korifenj të Botës shpirtërore të kombit. Kanë qenë poetë, regjisorë, aktorë filmash, këngëtarë, sportistë etj. Një pjesë e tyre janë shfrytëzuar pa dashje dhe jo pak politikisht. Kujtoj këtu ikjet nosiniane të Kadri Roshit, Sulejman Pitarkës,Violeta Manushit, Agim Qirjaqit, Aleko Prodanit, Liza Laskës, kohët e fundit dhe atë të Kadri Roshit kohë më parë. Ky i fundit ndërroi kujtesë të vetes me një lutje drejtuar kreut të shtetit atëherë, por si Amaranta e Markezit, e mori lutjen me vete dhe nuk e dërgoi më gjëkundi. Shpesh pyesim veten se çfarë duhet të kërkojmë kur jemi njerëz të thjeshtë. Pyesim dhe pa turp përgjigjemi: ç'na duhet?! E tillë është jeta! Kur ne nuk jemi plotësia e mesme e të jetuarit, që ndodh të jemi dhe lumpe si minimum jetese, s'mund të kemi asgjë, deri edhe keqardhje. Por kur shtresat shoqërore, të cilat sponsorizojnë programe televizive, të cilat e shqepin dhe atë pak moral në një virtyt hijesh, pse të jemi ne përgjegjës?! E në fund arrijmë në paturpësinë trashëgimore: i harrojmë; i mohojmë deri dhe në një akuzë absurde për të cilën ata ishin simbole. Ata ishin "shpresa e vetme" që kuptonim se jetojmë.

Tani nuk janë më. Kanë mbetur vetëm disa intervista politikanësh, ndonjë kujtesë e "pasditeve" në studiot televizive dhe një kronologji e krijimtarisë. I përshëndesim të afërmit, por fjalët e fundit ia kërkojmë si përgjërim kastës së shtetit. Ata flasin. Më pas heshtin. E më pas nuk janë më në ngjarje të tilla. Me ç'të drejtë vijnë aty? Dhe mbi të gjitha: për kë flasin kur nuk premtuan asgjë në dy dekada për artin? Ajo që na shqetëson i përngjan fatit të çifteve të kërcimtarëve në filmin "Kështu i vrasin kuajt!". Pyesim shpesh: ç'është një skandal? Gjithkush rreket drejtë mosdrejtësisë. Po! Këtu jemi dakord. Por ka dhe drejtësi morale, kulturore, historike trashëgimore. Ndoshta skandale të tilla nuk i prek asnjë kod civil a penal. Por, pa këtë drejtësi morale që quhet respekt nuk do të kemi kurrë forcë. Dhe nuk do t'ia lejojmë vetes që të dobëtin ta shohim si njeriun e një fuqie përtej nesh. Citimi nga këngëtari italian, Vasko Rosi, se politika e krijon vetë varfërinë e çdo gjendjeje shoqërore sepse e do popullin ta shohë të trishtuar, besoj se te ne, një mendim i tillë është në pragun e tragjikes. Ne na duan jo të varfër, por akoma më keq, vrasës të vetvetes! Kështu, përgjegjësia e tyre, pra e shtetit, mbetet diku në drejtime abuzimesh, skandalesh ligjore etj. Dhe kur vjen çasti për të paguar, jo sjelljen, por fajet, populli ndjehet tejet i drobitur që të ndjekë seanca pa fund ndëshkimesh ligjore. Kemi artin. E kemi edhe kujtesën. Nuk kemi respektin. Nuk kemi moralin e tij. Kur gjithçka në vende si i yni buron nga të ardhurat. Vetë arti është sizifian për nga pushteti shpirtëror që zotëron.

E ngre popullin "gur" deri në majë, si te drama "Pjata prej druri", dhe e lë të rrokulliset sërish poshtë. E braktisin të atin në vepër dhe e rinisin jetën "politikisht" për nga morali. Dhe ky lloj morali është kompromisi me etërit. Besoj se nuk ka nevojë që ta njohim një shtet kur ndjek keqbërës. As edhe kur dënon, rrallë fort me shumë vite, dikë. Unë do të besoja te shteti, nëse Ai, do t'u jepte nga luga e tij njerëzve të tillë për të ngrënë jo famë "vipash". Së paku, të jetë si një infermier që të ngulmojë që njeriu i tillë, të ndjejë se dikush po kujdeset për të, edhe pse kohë s'mund të ketë më. Dikur Diogjeni i kërkoi Aleksandrit të largohej se i pengonte diellin. Ky ishte shpërblimi që kërkoi filozofi. Ndërsa arti ynë nuk kërkon asgjë. E ndjen se gjithçka është antikatarsis! E kupton se vepra e vet është një kujtesë e varur në mur dhe jo një histori e rivënë në skenë. Ngazëllehen artistët kur dëgjojnë për financime. Ekzaltohen njerëz të kulturës kur dëgjojnë se do të shpërblehen. U shtrëngojnë duart pushteteve, cilado qofshin, mjafton të jenë të pranishëm në prezantime aktivitetesh. Deri këtu duket se çdo gjë shkon në harmoni mes politikës dhe artit. Kur arti nis të kërkojë kujtesë dhe vlerësim historik, shteti rrudhet. Ngrihet nga "sofra" dhe hakmerret thjeshtë: nuk ka fonde.

Trishtimi që përjeton arti është tragjedi e mundësisë të vetme që mund të ketë një komb, kulturën. Arti shqiptar, dhe veçanërisht realiteti i dikurshëm, nuk ka më të drejtë t'ia kërkojë shtetit shpërblimin e Diogjenit. Sepse kur lexon mbi fate të tilla, i braktisur, në vetmi dje me pak miq dhe shokë pranë, mendon se trashëgimia jonë kulturore është e gjitha hije, sepse e ka harruar diellin si të drejtë të merituar për çfarë e krijoi! Kështu, një art si botë absolute, nëse nuk revoltohet drejtësisht, qoftë dhe për një përçmim pushteti, na duhet ta hamendësojmë për një art mediokër. E nëse është i tillë, e shkuara e tij, qoftë deri edhe "gjeniale" për nga kontributi, do të mbetet e mundimshme deri në flijim sakrifice njerëzore! Kurse arti i sotëm, po të nisë të vajtojë trashëgiminë e vet, do të ngjajë me aktorët, që do ta mësojnë politikën si të gënjejë, duke e ngritur trishtimin e një populli në një "romantizëm" vetmitar!
ILIR PAJA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.