VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ELSA BALLAURI - PROJEKTLIGJI YNË MBËSHTET NË DY SHTYLLA KRYESORE - HAPJA E DOSJEVE DHE LUSTRCIONI
Ballauri - Projektligji i Veliajt është thjesht përkthim i ligjit gjerman mbi hapje e dosjeve

E Djelë, 12.21.2014, 10:32am (GMT1)



Elsa Ballauri

Me një diferencë të vogël ditësh, pasi ju të mbështetur nga disa deputetë keni depozituar në Kuvend një projektligj për hapjen e dosjeve të komunizmit, qeveria ka nisur hartimin e një drafti të ri për të njëjtën çështje. Si e shikoni?
Sigurisht që nuk është normale, por nga ana tjetër është shumë shqiptare dhe e përforcon psikologjinë tonë kombëtare të paaftësisë për të bashkëpunuar. Në këtë situatë, kjo që ndodh nuk përbën as lajm, as ngjarje, por mbetet thjesht një tjetër veprim absurd i ardhur nga politika. I jam përkushtuar kësaj gjëje që prej vitesh, kam shfletuar, parë, diskutuar, debatuar, kam marrë eksperienca nga specialistë dhe institute të shumta në botë që i janë dedikuar çështjes së transparencës ndaj historisë, kam udhëtuar shpesh në Gjermani për të vizituar dhe punuar nëpër institutet e Stasit gjerman. Po kështu edhe pjesëtarët e tjerë të grupit të punës. Jam bindur përfundimisht se çështja e hapjeve të dosjeve të Sigurimit nuk është një proces që duhet të kryhet nga politika. Në të kundërt, politika e dëmton atë dhe sidomos politika e keqe si kjo e jona. Nevoja për një moral të mirë vjen së brendshmi, vjen si rezultat i nevojës së njerëzve që kanë njohur dhe provuar diktaturat dhe dhunën ndaj lirisë. Ne e morëm në dorë hartimin e një projektligji që do të bashkojë procesin e hapjes së dosjeve me lustracionin. Dhe kjo është dhe duhet të jetë qendra e debatit shqiptar për dosjet. Pse duhet ta bëjmë kështu, cila është e mira e shoqërisë dhe e së ardhmes së Shqipërisë? Pse është e nevojshme që lustracioni të aplikohet në Shqipëri përmbi të gjitha si një veprim moral, që do të na largoje realisht nga psikologjia totalitariste? Të nxjerrësh befas përkthimin e një ligji gjerman mbi dosjet, duke e konsideruar atë si zgjidhjen e këtyre problemeve, duhet ose të mos e marrësh seriozisht këtë çështje, ose të kesh një qëllim të pastër politik. Shqiptarët, qofshin politikanë, apo të tjerë duhet të jenë në një mendje për një ligj mbi të kaluarën, nuk duhet të ketë asnjë dilemë për këtë.

Hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit është një proces shumë i vonuar për Shqipërinë, mendoni se kjo gjë do ta vonojë edhe më tepër hapjen e tyre, pasi projektligji juaj është gati, ndërsa ai i qeverise është i saponisur?
Procesi i hapjes së dosjeve është i gjithi i vonuar, madje shumë i vonuar. Kjo periudhë e re e hapjes së këtij diskutimi është e nevojshme. Jemi në një situatë pak qesharake, në vend të impenjohemi të gjithë për të rregulluar sa më mirë dhe me profesionalizëm një projektligj ekzistues, po gabojmë duke i venë njëri-tjetrit stërkëmbëshin për të fituar "merita" protagonizmi. Me eksperiencën e debateve prej vitesh mbi këtë temë, mendoj se tani ka ardhur vërtet koha për një debat konstruktiv që do t'i përfshijë të gjithë, edhe zërin e qytetarëve, edhe shqetësimet dhe iniciativat e shoqërisë civile, edhe vullnetin e politikanëve.

A ka ndryshime mes draftit të hartuar nga shoqëria civile dhe draftit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale?
Sikurse e thashë më lart, projektligji që kemi dorëzuar ne është mbështetur në dy shtylla kryesore: hapja e dosjeve dhe lustracioni, ndërsa projektligji i ministrisë është thjesht një përkthim i ligjit gjerman mbi hapjen e dosjeve të Stasit. Projektligji që kemi hartuar ne bazohet në hapjen e dosjeve sipas modelit gjerman, aktualisht ky është edhe modeli më i mirë në këtë fushë dhe është marrë nga shumë vende të tjera të ish-Lindjes komuniste. Pra, hapja e dosjeve bëhet e mundshme për individët që kërkojnë të dinë për jetën e tyre. Për të respektuar të drejtën e privatësisë, dosjet si të tilla mund të aksesohen personalisht, askush nuk ka të drejtë të kërkojë dosjen e tjetrit. Në një version me anonimat emrash, dosjet janë të aksesueshme për historianët dhe studentët, specialistët, etj., pra janë në funksion të edukimit dhe të shkrimit me vërtetësi të historisë. Duke e njohur se çfarë legjislacioni kanë gjermanët për dosjet e Stasit, dua të theksoj se gjermanët nuk kanë bërë ligj lustracioni, sepse kanë bërë shumë më tepër se kaq: e kanë zbatuar lustracionin. Menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, gjermanët e kanë ndërruar krejtësisht administratën komuniste, sidomos kjo ndodhi në landin e Berlin-Brandenburgut, ku të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët u pushuan nga puna dhe u zëvendësuan me ata të Berlinit Perëndimor. Pra, të mos abuzohet me idenë se gjermanët nuk kanë bërë lustracion apo kanë qenë kundër lustracionit. Ligji i lustracionit u shkruajt si i tillë dhe është venë në zbatim në shumë vende të tjera të Europës Lindore.

Festimet për 70-vjetorin e Çlirimit tregoi se ende ka fanatik të komunizmit dhe fotografitë e tij në shumë aktivitete spikasnin, mendoni se duhet të ndalohet përdorimi i simboleve të komunizmit?
Mendoj që po, tashmë kjo është ndjerë. Më vjen shumë mirë që këto takime mediatike i kanë tkurrur frymëzimet e mjera të enveristeve. Është turp për në të gjithë, sidomos për ata që kanë provuar se ç'ishte diktatura të biem në kurthin e shëmtuar të nostalgjisë së diktaturës. Kjo na çon në një sistem shumë të ulët të vlerave dhe parimeve demokratike. Për simbolet komuniste nuk duhet të ketë ligj, duhej të ishte krijuar tashmë një psikologji ndryshe, ajo që dënon shkeljen e të drejtave të njeriut. Është fatkeqësi që nuk e kemi mësuar ende këtë leksion.

Shumë persona s'e njohin historinë e diktaturës, krimet e saj... përben rrezik që figura e diktatorit të kthehet në idhull?
Nëse ne flasim siç duhet për diktaturën, nuk ka mundësi për kthim prapa. Por duhet të flasim, të flasim për viktimat, për krimet e komunizmit, të njohim historinë e Sigurimit të Shtetit nëpërmjet dokumenteve, të futim në kurikulat e shkollës këtë pjesë të historisë së hidhur të vendit. Media deri më sot ka bërë shumë gabime, është folur shumë gjatë, me hollësi dhe ç'është me e keqja është folur që prej fillimit për jetën e diktatorit, si jetonte, etj. Akoma faqet e gazetave bëjnë intervista me hamendjet se si u vra Mehmet Shehu kjo është tallje për shqiptarët. Pra, na duhet të rishikojmë strategjinë e rishikimit të historisë.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.