VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KOMPOZITORI GENC TUKIÇI I KUSHTON NEXHMIJE PAGARUSHËS FANTAZI PËR PIANO, VIOLINË DHE ORKESTËR

E Djelë, 01.25.2015, 10:54am (GMT1)

 
Pjesa e parë e fantazisë flet për dhimbjen, ndërsa e dyta për gëzimin.

Ngërthen një melodi që i krijon mundësi secilit ta perceptojë si të dojë. E para quhet "Dhimbja e ndarjes nga motra" dhe e dyta "Gëzimi". Kjo fantazi është e kompozuar për piano, violinë dhe orkestër. E krijuesi i saj pianisti i njohur shqiptar, i cili jeton dhe vepron Paris, Genc Tukiçi, ia ka dedikuar Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarushës.

Vepra do të interpretohet në Sallën e Kongreseve në Tiranë më datën 31 janar, në "Koncertin e Tre Tenorëve". Tukiçi përveçse i ka hedhur notat e kësaj fantazie, ai do ta interpretojë atë bashkë me violinistin Lorenc Radovani dhe orkestrën, e cila do të drejtohet nga dirigjenti amerikan Glen Cortese.

Këtë vit organizohet edicioni i 13-të i këtij koncerti dhe ka temë kosovare, ku do të interpretojnë tre tenorët e njohur: Ramë Lahaj, Faik Hondozi dhe Liridon Sadriu. Tukiçi në një bisedë për gazetën ka treguar për krijimin e fantazisë dhe rikthimin e tij në Tiranë, por nuk ka treguar temën e sivjetme të koncertit.

"Ka temë kosovare, por detajet do të zbulohen në fund të muajit", ka thënë Tukiçi.

Ai është pjesë e koncertit të "Tre Tenorëve" për dhjetë vite me radhë, ndërsa në verën e kaluar do të merrte ftesën nga producenti i koncertit që të marrë pjesë edhe këtë vit. I kërkoi të krijonte një vepër me temë kosovare. E Tukiçi thotë se ka një arsye përse ka zgjedhur Pagarushën.

"Tema kosovare e koncertit nuk është se lidhet direkt me Nexhmije Pagarushën. Por për mua ajo është dhe ka qenë mikesha e babait tim. Kanë kënduar së bashku dhe unë, kur kam qenë fëmijë, e shihja si një idhull dhe e admiroja. Prandaj m'u duk e natyrshme që kjo muzikë, që kur ta dëgjoni, lidhet direkt me të", ka thënë Tukiçi, i biri i të madhit Ibrahim Tukiçi.

E Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarsha, ka thënë se ndihet e nderuar dhe shpreson të jetë e pranishme që ta dëgjojë fantazinë që i dedikohet asaj.

"Tenori Ibrahim Tukiçi ka qenë i mrekullueshëm. E mbushte skenën kur dilte me këndu. Edhe djalin e ka të mrekullueshëm. Ndihem shumë e nderuar dhe e lumtur për nderin që ma kanë bërë. Shpresoj të jem në koncert. Ende nuk e di nëse do të mundem. Por e falënderoj Gencin për këtë nder që më ka bëtë dhe më vjen mirë që muzika e mirëfilltë po vazhdon të kultivohet", ka thënë Pagarusha.

Tukiçit iu desh vetëm një muaj që ta përfundonte këtë vepër. Notat e para i hodhi në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar dhe i përfundoi më 18 të këtij muaji. "Më erdhi krejt natyrshëm dhe unë kompozova një fantazi që ia dedikoj asaj me shumë dashuri dhe respekt. Në këtë respekt hyn edhe ai admirimi dhe miqësia që babai im kishte me Nexhmije Pagarushën", ka thënë Tukiçi, teksa tregon se idenë tashmë e kishte të pjekur në kokë dhe i kishte mbetur vetëm ta shkruante.

"Kur e ke idenë dhe dashurinë, nuk quhet kohë rekorde, sepse është normale. Në rastin e kundërt kur dëshiron të bësh diçka me zor atëherë do të mund të merrte gjashtë muaj ose një vit. Por për mua ishte e pjekur ideja dhe vetëm kisha nevojë ta jetësoja", ka shtuar ai.
Ideja për krijimin e kësaj fantazie do t'i lindte nga një moment i dhimbjes. Do të përshëndetej me motrën e tij në aeroport kur ajo po nisej për në New York dhe do të ndiente dhimbje. Por, sipas tij, secili që e dëgjon këtë muzikë mund të ndiejë dhembjen e tij personale.

"Pjesa e parë quhet "˜Dhimbja e ndarjes nga motra'. Kjo sepse gjithkush ka një moment kur është ndarë nga dikush. Nuk do të thotë të jetë gjithsesi motër. Më pas ne shqiptarët emigrantë e kemi ndjenjën, sepse jemi ndarë me njerëz të afërt",ka thënë Tukiçi. E pjesa e dytë, "Gëzimi", paraqet gëzimin e ribashkimit. Për Tukiçin edicioni i sivjetmë i koncertit është shumë i veçantë. Lidhja e tij me Kosovën është shumë e ngushtë, e kjo falë babait të tij tenorit të njohur, Ibrahim Tukiçi.

"E kam vizituar vendin tuaj vitet e fundit për promovimin e një disku që kam bërë me këngë patriotike me Inva Mulën me sa më duket në vitin 2012, e që është relativisht vonë për një shqiptar. Por si fëmijë, babai im ma ka trashëguar dashurinë për Kosovën dhe unë e kam dashur pa e parë kurrë. E kam dashur pa kushte ashtu siç e donte babai im. E kur themi Kosovën e kam fjalën për kosovarët, sepse njerëzit e bëjnë një vend", ka thënë Tukiçi, tek ka treguar për koncertin e tij të radhës.

"Kam shumë projekte, por më i afërti është një koncert që unë prapë lidhem me Kosovën, nuk i shpëtoj dot. Do të jem me Inva Mulën në një koncert në Dubai. Kam një plan të vij edhe në Kosovë, por jo për koncert, por në jurinë e "˜Pianistit të Ri' që mbahet në qershor. Në Kosovë mos ma përmend a do vij a ajo, se unë përgjigjem: "˜Vij me një këmbë'", shton ai. Para dy vitesh Tukiçi mbajti koncert edhe me Filarmoninë e Kosovës e në qershor të 2014-s, në edicionin e 7-të të festivalit "Pianisti i Ri" që u mbajt në Gjakovë, ishte anëtar jurie.kd

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.