E Premte, 03.29.2024, 09:21am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
MITI I EUROPËS DHE 25 JANARI I GREKËRVE
Nga ILIR MBORJA

E Djelë, 01.25.2015, 11:25am (GMT+1)



Emërtimi i kontinentit të Europës shpjegohet nga mitologjia greke. Fabula e saj është ajo që paraqitet në relievin e monedhës metalike dyeuroshe. Aty paraqitet: një figurë demi në vrapim e sipër, që mban mbi shpinë një vajzë të bukur, shumë të bukur. Kjo, vajza shumë e bukur, gjithnjë sipas mitologjisë, paskësh qenë quajtur Europë. Pikërisht emrin e kësaj vajze mori edhe kontinenti, kur Zeusi (i shndërruar në dem), pasi e rrëmbeu, e hodhi mbi shpinë, e solli dhe e vendosi nga Azia, hop në Kretë - dmth, drejt e këtu, në kontinentin tonë hallemadh...

Dhe meqenëse ishulli i Kretës i përket Greqisë, grekët, me gjithë problemet ekonomike të mëdha që u ishin shfaqur në vitin 2011, menduan që ta përjetësonin në një monument bronzi mitin që pagëzoi Europën. Ky veprim mbase do t'u kujtonte qysh atëherë kreditorëve, kryesisht gjermanë, se nuk kishin shumë arsye për të mos qenë të gatshëm për të ndihmuar me ato këstet e huave vendin e tyre. Greqia, gjithnjë sipas grekëve dhe jo vetëm tyre, duke u mbajtur si vendlindja e demokracisë, veç të tjerash, paraqitej kështu para Europës, si vendi që mbante mbi supe edhe mitin e emërtimit të kontinentit. Kur filluan projektet për këtë përjetësim të mitologjisë në monument, në Athinë qeverisnin PASOK-u me Jorgo Papandreun. Pastaj, erdhi Andonis Samaras me Demokracinë e Re. Pra, kur nisën projektet për monumentalizimin e mitit për Europën, askush nuk e mendonte se SYRIZA e vockël, që dikur nuk kapte dot as 3 për qindëshin për të hyrë në Parlament, jo shumë vonë, por pas dy-tre vjetëve të realizimit dhe të vendosjes së monumentit në një nga parqet e Athinës, do të ishte pretendentja kryesore për të qeverisur Greqinë. Kështu, as Papandreu (Samarasi jo e jo), nuk e kishin menduar se gjërat do të rrokulliseshin në atë mënyrë dhe se këtë vit do të vinte një 25 janar, që do të sillte me vrull drejt pushtetit një parti si SYRIZA. Ajo ishte shfaqur me një kryetar riosh, gjithnjë pa kravatë, si Aleksis Cipras. Ky rioshi pa kravatë, ndryshe nga ata që ditën i bindeshin Europës për kursime me "shtrëngim rripi" dhe natën thurnin projekte për t'u mburrur si mitomanë (Europa na ka borxh edhe emrin), ndryshonte rrënjësisht (siç do të përkthehej saktësisht fjala radikale në shqip) nga paraardhësit. Rioshi i SYRIZA-s, ndryshe nga ata, me Europën aktuale, do të fliste sikur të ishte vetë demi i mitologjisë, që e mban atë bukuroshen Europë mbi shpinë. Gjer në këto minuta që po flasim, edhe analistë nga më të mprehtët, e kanë thuajse të pamundur, që në tollovinë e deklaratave dhe premtimeve elektorale, të ndajnë qartë se kush kërcënon në të vërtetë.

Merkeli Ciprasin, apo anasjelltas, Ciprasi Merkelin! Kështu, edhe skulptori shqiptar Besim Caushi, kur punonte për monumentin më modern që ka sot Athina, nuk kishte se nga t'i dinte të tilla gjëra. Ai, atëkohë, mësoi si të gjithë skulptorët e tjerë në Greqi për temën që u shpall "Rrëmbimi i Europës" dhe, pasi u njoh me fabulën e mitologjisë, iu përvesh punës për realizimin e saj. Atij, as që i kishte shkuar ndërmend se do të vinte një ditë, që te demi me Europën e rrëmbyer mbi shpinë, do të kishte njerëz që do të shihnin ngjashmëri me sjelljet e Aleksi Ciprasit ndaj BE-së. Për monumentin në përmasa të konsiderueshme, që u vendos në vitin, në një nga parqet më të mëdha të Athinës, në zonën e Peristerit, kam shkruar diçka qysh atëherë. Jam munduar të shpjegoj për rreziqet artistike që paraqitnin përpara skulptorit, kërkesat e porositësve grekë. Ato ishin vetëm për një trajtim realist të këtij subjekti mitologjik. Pra, si të tilla, kërkesat rigoroze greke, paraprakisht paraqitnin dy rreziqe për autorin e veprës: atë të një fryme natyraliste dhe e dyta, atë të pamundësisë për të qenë i saktë në anatominë, së paku të demit, për organizimin e elementëve përbërës të saj në ato përmasa aq të mëdha, që kërkojnë monumentet. Të dyja këto rreziqe u kapërcyen me sukses nga skulptori ynë i "Rrëmbimit të Europës". Monumenti ruan frymën moderne të konceptimit në raportet e masave arkitekturore dhe një modelim plastik të një artisti që vizaton fuqishëm dhe interpreton me frymën e monumentalitetit.



Askush si skulptori ynë, Besim Çaushi, nuk do t'i kapërcente vështirësitë e jashtëzakonshme që paraqiste para tij realizimi i kësaj fabule mitologjike të stërnjohur. Por, përtej këtyre teknikaliteteve mjeshtërore, pati nga ata që panë te monumenti edhe mesazhe tronditëse për të ardhmen e Europës. Kështu, duke folur qysh kur ky monument u vendos në Athinë, poeti i mirënjohur grek, Kristo Tumanidhi, do të shkruante kështu: "Çfarë force! Çfarë lëvizjeje! Çfarë poezie! Skulpturë e mrekullueshme! Europa dhe demi. Bukuria e bronztë që përshkruan të ardhmen e pasigurt, të popujve të Europës dhe të të gjithë njerëzimit...të paktën mbetet bukuria. Monument i pavdekshëm! Kush është krijuesi i skulpturës? Do të doja t'ia puthja duart! Përulem para talentin të tij...Siç duket, vetëm bukuria e artit mund ta shpëtojë njerëzimin dhe shpirtrat tanë!" Dhe ky poet, i mirënjohur edhe te ne prej përkthimeve jo të pakta në shqip, e mbyll shkrimin e tij: "Rrëmbimi i Europës", ndër veprat më të bukura që kam parë. Kush është autori?"

Por, le ta shikojmë edhe njëherë me syrin e këtyre ditëve këtë monument të skulptorit tonë të talentuar. Të rikthehemi edhe njëherë te "Rrëmbimi i Europës" nisur nga aktualiteti i zgjedhjeve të 25 janarit.

Në Greqi, gjithë këto ditë, zgjedhësve grekë, nga kundërshtarët e SYRIZA-s, Merkelit nga jashtë dhe Samarasit nga brenda vendit, po u thuhet me forcë se, nëse ata nuk "mendohen mirë" dhe me votën e tyre sjellin në pushtet radikalët e Ciprasit, nuk është çudi që të ndodhë edhe dalja e saj nga Eurozona. Pra, mund të ndodhë një si farë "çlirimi" i Greqisë prej Europës - çrrëmbimi prej saj...

Për çudi, te monumenti i mjeshtrit tonë, megjithëse me mjete vetëm realiste, ndjehet një frymë mitike dhe kjo, vetëm te figura e vajzës, Europës. Ndërsa te Demi (Zeusi), jo! Ai është paraqitur me një realizëm magjik dhe me këmbë të mbështetura fuqishëm në tokë. Ka nga ata, që kur duan ta shohin krahasimisht monumentin "Rrëmbimi i Europës" me 25 janarin, te demi i bronztë dhe vrulli i tij i fuqishëm, shohin Zeusin e SYRIZA-s, Aleksis Ciprasin. Ndërsa te vajza e rrëmbyer që quhet Europë, kuptohet cilën gjejnë. Është fjala për Angela Merkelin...
ILIR MBORJA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LIRI E SHPREHJES APO RRËNIM I SHTETIT!Nga FLORIM ZEQA (01.25.2015)
KOMPOZITORI GENC TUKIÇI I KUSHTON NEXHMIJE PAGARUSHËS FANTAZI PËR PIANO, VIOLINË DHE ORKESTËR (01.25.2015)
SOT BËHEN 96 VJET NGA VDEKJA E ISMAIL QEMALIT (01.24.2015)
KUSH I TRADHTOI  KËTA BURRA ?Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...Nga FRITZ RADOVANI (01.24.2015)
FIGURA E NAZMI LUKAJT DO TË ZËRË VEND TË MERITUAR NË LETËRSINË DHE NË PUBLICISTIKËN SHQIPTARENga SKËNDER MULLIQI (01.24.2015)
NDËRROI JETË HEROI I KOMBIT KAPIDAN DED GJON MARKUNga Mr. sc. NUE OROSHI (01.24.2015)
SHUHET ME PENGUN E MADH NË ZEMËRShuhet Dedë Gjomarkaj(1921-2015) me pengun e madh në zemer të jetëve të këputura të familjarëve të tij që vepruan për atdheun e roberuar./Nga LEONORA LAÇI (01.24.2015)
TERRORI KOMUNIST - EKZEKUTIMET KRYHESHIN ME MIRATIMIN E ENVER HOXHËSStudiuesi Enver Kushi flet për pushkatimin e 9 intelektualëve në mars 1945 (01.23.2015)
HORRORI I AUSHVICIT - PARË ME SYTË E NJË SHQIPTARIReportazh nga Aushvic, Birkenau (Poloni) KRISTI PINDERI (01.23.2015)
VOGËLUSHJA NGA KOSOVA PO MAHNIT FRANCËN (01.23.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart�]