E Premte, 04.19.2024, 08:57pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
MARRËVESHJA DETARE ME GREQINË - 5 VJET MBAS VENDIMIT TË KUSHTETUESES
Nga ARTUR MEÇOLLARI*

E Hënë, 01.26.2015, 08:50pm (GMT+1)


Sot u mbushën plot pesë vjet nga vendimi historik i Gjykatës Kushtetuese, e cila me votim unanim më 26 janar 2010 shpalli në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë "Projekt-marrëveshjen midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare". Vendimi i gjykatës u shpall më 15 prill 2010, vendim i cili gjykoi në themel këtë marrëveshje.

Sot mbas pesë vjetësh, por edhe mbas 100 vjetësh, ky akt patriotik do të do të mbetet historik, pasi Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj ruajti integritetin territorial detar të Shqipërisë dhe shmangu Shqipërinë nga një kundërshti ndërkombëtare e panevojshme.
Ky vendim është padiskutim meritë e trupit gjykues, por edhe i shumë kontributorëve publikë, të cilët po ashtu me patriotizëm, profesionalizëm dhe kurojë qytetare nuk reshtën së trajtuari këtë çështje. Kontributet publike të Myslym Pashai, Tedi Blushi, Ksenofon Krisafi, Vladimir Bejës, Veli Llakajt, Lisen Bashkurtit, Armando Vinçani, Pëllumb Xhufit, Artan Hoxhës, Ditmir Bushati, Arben Putos, Sajmir Tahiri, Damian Gjiknuri, Agron Alibalit, Viola Trebickës, Besnik Bakiut, Qazim Lilaj, e shumë të tjerëve janë të pazëvendësueshme në të gjithë këtë proces që do të përmbyllej më 26 janar 2010. Por, si një ish-oficer i Forcave Detare do të dëshiroja të përmendja edhe kontributin zyrtar të një grupi ushtarakësh të Forcës Detare, të cilët me kurajë profesionale kanë qenë pjesë shumë aktive e të gjithë këtij procesi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ndreqi një padrejtësi, por drejtësia ende nuk është vendosur. Ky vendim është akt-ekspertiza e vetë Marrëveshjes Detare të vitit 2009.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Nr. 15, datë 15 prill 2010, i cili gjykoi çështjen në themel, vëren se projekt-marrëveshja detare me Greqinë ishte në kundërshtim me Kushtetutën për shkak të (1) mospajisjes së delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes, (2) mangësi serioze në përmbajtjen e marrëveshjes, (3) moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve, me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm dhe (4) mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.

Cenimi i integritetit territorial detar të Shqipërisë

Projekt-marrëveshja detare me Greqinë nga pikëpamja e legjislacionit kombëtar, përveçse është realizuar pa plotfuqinë nga ana e Presidentit, i domosdoshëm në përputhje me Ligjin Nr. 8371, datë 9.7.1998 "për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare", është njëkohësisht në kapërcim të autoritetit të dhënë për Grupin e Punës nga kryeministri. Urdhri i kryeministrit Nr. 135, datë. 23.08.2007, i mbështetur në propozimin që ka bërë Greqia, autorizon negociata për delimitimin e shelfit kontinental, ndërsa Grupi i Punës ka negociuar shelfin kontinental dhe hapësirat e tjera detare. Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982) parashikon delimitimin e detit territorial (neni 15), zonës ekonomike ekskluzive (neni 74) dhe shelfit kontinental (Neni 83). Pra, Grupi i punës ka delimituar edhe detin territorial dhe zonën ekonomike ekskluzive (hapësirat e tjera detare), pa autoritet të deleguar. Nga 64,47 milje detare vijë delimituese, Grupi i Punës ka qenë i autorizuar vetëm për 14,58 milje detare vijë delimituese të shelfit kontinental, ose 22,6% të gjithë gjatësisë së vijës. Por, në të njëjtën kohë në relacionin e Grupit të Punës, ai shprehet se kjo marrëveshje është arritur në përputhje me nenin 83 të UNCLOS 1982, pa iu referuar aspak neneve 15 dhe 74.

Negocimi i marrëveshjes me Greqinë është bërë në kundërshtim me normat dhe parimet e mishëruara në UNCLOS 1982, konventë që e ka ratifikuar Greqia edhe Shqipëria, lidhur me: gjiret juridike, rrethanat e veçanta për delimitimin e detit territorial dhe aplikimin e zgjidhjes së drejtë për delimitimin e zonës ekonomike ekskluzive dhe shelfit kontinental.

Delimitimi i detit territorial përfaqëson vijën e mesit (për shtete përballë) dhe vijën me distanca të barabarta për shtetet në krah, për të dyja rastet vijë e barazlarguar nga vijat bazë. Për shkak të konfiguracionit gjeografik, vija delimituese midis Shqipërisë dhe Greqisë do të jetë një vijë e kombinuar, vijë me distanca të barabarta në Gjirin e Ftelias, vijë e mesit në Kanalin e Korfuzit dhe përsëri vijë me distanca të barabarta në Jonin Verior. Në të tria rastet vija delimituese duhet të jetë tërësia e pikave të barazlarguara nga vija bazë. Pra, gabimet në përcaktimin e vijave bazë të dy shteteve rrjedhimisht do të shkaktojnë zhvendosje të vijës delimituese.

Mbyllja e gjireve apo të thelluarave në tokë, pavarësisht se mund të plotësojnë kërkesat e nenit 7 dhe 10 të UNCLOS 1982, sipas nenit 16 duhet të jetë e shpallur nga legjislacioni kombëtar. Greqia nuk ka shpallur me ligj mbylljen me vijë të drejtë bazë të Gjirit të Korfuzit, edhe pse i plotëson këto kërkesa, ndërsa Shqipëria ka mbyllur me vijë të drejtë bazë Gjirin e Sarandës dhe Gjirin e Borshit qysh nga viti 1976. Por mbas fillimit të negociatave me Greqinë, Shqipëria me Ligjin Nr. 9861 shfuqizoi vijën e drejtë bazë, duke i lënë këto dy gjire të hapura, edhe pse qysh nga viti 1976 nuk ishin kontestuar nga Greqia. Për shkak të mbylljes së Gjirit të Korfuzit dhe lënies së hapur të Gjirit të Sarandës në këtë marrëveshje vetëm në Kanalin e Korfuzit, Shqipëria ka humbur një sipërfaqe detare prej 34,81 km2 (Gjiri i Korfuzit 16,36 km2 dhe Gjiri i Sarandës 18,45 km2), si dhe kontrollin e pjesës veriore të tij.

Hapësirave detare për shkak të statusit të tyre juridik kanë metodologji të ndryshme delimitimi. Marrëveshja detare me Greqinë ka aplikuar të njëjtën metodologji delimitimi, si për detin territorial, edhe për zonën ekonomike ekskluzive dhe shelfin kontinental, vijës me distanca të barazlarguara. Neni 15 i UNCLOS 1982 parashikon që delimitimi i detit territorial bëhet sipas parimit të barazlargësisë, por në raste të veçanta kjo mund të modifikohet. Me raste të veçanta ky nen nënkupton hapësirat detare me "ndonjë titull historik ose rrethana të tjera të veçanta". Asnjëri prej dy shteteve nuk ka shpallur hapësira detare me titull historik, por prezenca e shkëmbinjve, si rasti i shkëmbinjve Sepra, Peristeri dhe Barketa janë raste të cilat duhet të negociohen si rrethana të veçanta dhe që mund të modifikojnë vijën delimituese me distanca të barazlarguara drejt një zgjidhjeje të barabartë.

Delimitimi i zonës ekonomike ekskluzive (Neni 74) dhe shelfit kontinental (neni 83) nuk realizohet sipas vijës me distanca të barazlarguara, por duhet të bëhet "në mënyrë që të arrihen zgjidhje të barabarta". Marrëveshja detare me Greqinë, ashtu sikurse shprehet edhe Gjykata Kushtetuese lidhur me delimitimin e këtyre dy zonave konstaton "se zbatimi vetëm i parimit të barazlargësisë strikte... është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare si dhe me detyrimet që burojnë nga neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë". Marrëveshja detare me Greqinë ka ndërtuar një vijë delimituese me distanca të barazlarguara për të tria hapësirat detare, duke mos bërë dallimet midis metodologjive të ndërtimit të tyre në vartësi të hapësirës që delimitohet. Greqia ka delimituar shelfin kontinental me Italinë me marrëveshjen e 24 majit 1977, duke aplikuar zgjidhjen e barabartë, pasi vija delimituese ka një modifikim prej 3% në zonën që ndikohet nga Ishulli i Othonoit me një përfitim të Italisë prej 28,39 milje2 (97,37 km2).

Përveç sa thamë më lartë, Marrëveshja detare me Greqinë ka defekte të karakterit teknik, të cilat konsistojnë në:
1. Mungon vlerësimi i legjislacioneve kombëtare për vijën bazë nga do të nisë delimitimi i hapësirave detare. Në fakt, vetë marrëveshja ka përcaktuar edhe vijën bazë të dy shteteve. Kjo është kapërcim i kompetencës, pasi detyra e grupit ishte përcaktimi i vijës delimituese. Vija bazë e shtetit bregdetar, në përputhje me nenin 16 të UNCLOS 1982 përcaktohet me ligj kombëtar dhe jo me marrëveshje.
2. Nuk janë treguar pikat bazë të bregdeteve të dy shteteve, si dhe kombinacionet e tyre që përcaktojnë pikat delimituese me distanca të barazlarguara.
3. Harta e përdorur nuk është një hartë detare, siç e kërkon neni 16, 74 dhe 83 i UNCLOS 1982 dhe në përputhje me kërkesat e Organizatës Ndërkombëtare të Hidrografisë, por një hartë memece, pa autor dhe e pacertifikuar për saktësinë e saj.
4. Mungesa e koordinatave të pikave bazë në bregdet dhe përdorimi i një harte të pacertifikuar nuk lejon verifikimin e saktësisë në përcaktimin e vijës delimituese. Megjithatë, shkelja e parimeve të së drejtës ndërkombëtare në përcaktimin e vijave delimituese nuk e bën të domosdoshëm verifikimin teknik të saktësisë së vijave delimituese, pasi ajo tashmë është fakt.

Përfshirja e Shqipërisë në kundërshti ndërkombëtare

Sipërfaqja më e madhe e pretenduar deri tashmë si humbje nga ana e Shqipërisë për shkak të kësaj marrëveshjeje është rreth 350 km2 ose 102 milje2. Sipërfaqja totale detare e Greqisë është 600.000 km2 ose 175.000 milje2, ndërsa sipërfaqja e kërkimeve për naftë e Greqisë në detin Jon është rreth 240.000 km2 (70.000 milje2). Pra, sipërfaqja e pretenduar që Greqia ka përfituar nga marrëveshja me Shqipërinë përbën vetëm 0,06 % të sipërfaqes totale detare të Greqisë ose 0,15 % e sipërfaqes joniane për kërkimin e naftës. Kur Ministria e Jashtme e Greqisë, Znj. Bakojanis shprehet se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje Greqia kishte arritur "një objektiv strategjik", ajo nuk u referohej kryesisht përfitimeve në sipërfaqe detare, por precedentit që kjo marrëveshje kishte krijuar për destabilizimin e regjimit detar në Detin Egje.


Regjimi detar në Detin Egje është vendosur nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1936, duke detyruar Greqinë, që gjerësinë e detit territorial të shpallur në vitin 1930 prej 10 milje detare, ta modifikojë në 6 milje detare. Por, pavarësisht kësaj, Greqia ruajti gjerësinë e hapësirës ajrore 10 milje detare. Në bazë të UNCLOS 1982 neni 2, kufijtë e hapësirës ajrore përcaktohen nga kufijtë e hapësirës detare. Në këto rrethana, gjerësia prej 4 milje detare e hapësirës ajrore greke, jashtë detit territorial, për Greqinë është hapësirë kombëtare, ndërsa për Turqinë dhe fuqitë detare është hapësirë ajrore ndërkombëtare. SHBA-të nuk e njohin pretendimin e tepruar territorial ajrore të Greqisë. SHBA-të dhe fuqitë e tjera detare i njohin si Turqisë, edhe Greqisë gjerësinë e detit territorial prej 6 milje detare. SHBA-të kanë protestuar ndaj pretendimit prej 4 milje detare të hapësirës ajrore të Greqisë në vitin 1983, 1984 dhe 1985, dhe kanë zhvilluar operacione deklarimi në vitin 1983 dhe 1984 (fluturime ajrore). Po ashtu, Turqia nuk e ka njohur pretendimin territorial ajror të Greqisë prej 10 milje detare dhe prej vitesh kjo ka shkaktuar incidente midis forcave ajrore të të dyja vendeve.

Greqia ka ratifikuar UNCLOS 1982 me Ligjin 2321 në vitin 1995. Gjatë depozitimit të instrumentit në OKB, Greqia ka deklaruar se në përputhje me UNCLOS 1982 "gëzon të drejtën të zgjerojë gjerësinë detit territorial deri 12 milje detare, në çdo kohë që ajo do vendosë ta bëjë këtë". Kjo deklaratë është një tentativë e Greqisë për destabilizimin e regjimit detar në Detin Egje, regjim i cili është stabilizuar nga viti 1936 dhe garanton lundrimin e lirë në këtë det jo sipas regjimit të kalimit paqësor. Çdo zgjerim i gjerësisë së detit territorial të Greqisë, për Turqinë do të konsiderohej një situatë e papranueshme dhe një veprim i tillë do të shkaktonte "casus belli". Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, "më 8 qershor 1995, Asambleja Kombëtare e Turqisë miratoi një rezolutë, e cila autorizonte Qeverinë e Turqisë të ndërmerrte të gjitha hapat e nevojshme, duke përfshirë edhe ato ushtarake", në rast se Greqia do të zgjeronte gjerësinë e detit territorial në 12 milje detare.

Me regjimin juridik aktual në Detin Egje, deti territorial i Greqisë përbën 43.5% të tij, ndërsa deti territorial i Turqisë 7,5% dhe deti ndërkombëtar 49%. Nëse detet territoriale të të dyja vendeve do të shtriheshin në 12 milje detare, Greqia do të zgjerohej në 71,5%, Turqia 8,7% dhe deti ndërkombëtar do të tkurrej në 19,2%. Zgjerimi i gjerësisë së detit territorial të Greqisë dhe Turqisë në Detin Egje deri në 12 milje detare nuk është në interes të fuqive të mëdha detare, pasi kjo do të ndikonte ndjeshëm në kufizimin e lirisë së lundrimit në detin ndërkombëtar në këtë rajon dhe në raportet midis dy shteteve.

Greqia për shkak të pozicionit gjeografik mund të delimitojë detin e saj territorial vetëm me Turqinë dhe Shqipërinë. Në kushtet e presionit të fortë ndërkombëtar, duket se Greqia Marrëveshjen Detare me Shqipërinë të vitit 2009 synonte ta përdorte si precedent në të ardhmen. Neni 2 i projekt-marrëveshjes me Greqinë është i pazakonshëm dhe Gjykata Kushtetuese do të shprehej se: "Ky rregullim jo vetëm që nuk konstatohet në ndonjë prej dispozitave të Konventës në fjalë apo nga fryma e përgjithshme e saj, por nuk ndeshet as në praktikën normale të shteteve apo jurisprudencën ndërkombëtare mbi çështje të së drejtës detare". "Vetëkuptohet shprehet gjykata që shtetet nuk kanë të drejtë të ushtrojnë sovranitet, të drejta sovrane apo juridiksion në hapësirat detare që u përkasin shteteve të tjera". Por formulimi i Nenit 2 të marrëveshjes nuk specifikon se cilës hapësirë detare i referohet, kur mënyra e formulimit të tij është për delimitimin e detit territorial, në një marrëveshje që pretendohet nga titulli se është kryesisht për shelfin kontinental. Pra, neni 2 e konsideron të gjithë vijën delimituese si vijë që delimiton detin territorial, pasi kur delimitoht zona ekonomike ekskluzive dhe shelfi kontinental, shtetet e tjera nuk i humbasin plotësisht të drejtat sovrane, ashtu sikurse shteti bregdetar nuk ka juridiksion të plotë.

Mosspecifikimi në marrëveshje i hapësirave detare që delimiton secili nga shtetet në pjesë të caktuara (më e dukshme midis pikës 101-139) si dhe formulim i nenit 2, në mënyrë të heshtur i njeh Greqisë gjerësi të detit territorial në kufijtë maksimalë që lejon UNCLOS 1082, 12 milje detare. Projekt-marrëveshja detare me Greqinë do të përbënte një precedent për ndryshimin e regjimit detar në Detin Egje. Kjo besoj është arsyeja që përfaqësuesit e Qeverisë greke, sot bien dakord të rishikojnë elementët teknikë të marrëveshjes (vijën delimituese), por jo thelbin e saj. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese njëkohësisht shmangu që Shqipëria të hynte në një kundërshti ndërkombëtare të panevojshme rreth regjimit detar në Detin Egje.

E ardhmja e marrëveshjes

Marrëveshjet detare nga praktika ndërkombëtare janë marrëveshje, që për nga natyra kërkojnë kohë të mjaftueshme dhe përpjekje të mëdha për t'u arritur. Kjo, pasi ato janë komplekse. Delimitimi i hapësirave detare me Greqinë është edhe më kompleks, pasi:

1. Trashëgimia e marrëveshjeve kufitare midis dy shteteve ka qenë konfliktuale dhe Greqia ende nuk ka njohur kufirin tokësor me Shqipërinë, të përcaktuar në Protokollin e Venecias të vitit 1926.
2. Legjislacioni kombëtar midis dy shteteve është i ndryshëm dhe në pjesë të veçanta të dyja shtetet delimitojnë hapësira detare me juridiksion të ndryshëm.
3. Në përputhje me UNCLOS 1982, Greqia ka pretendime të tepruara detare për hapësirën ajrore, e cila përbën pengesë për negocim.
4. Për shtetet në krah, marrëveshjet për zonat e ndryshme detare nuk mund të jenë të pavarura nga njëra-tjetra, por duhet të nisin me delimitimin e detit territorial dhe më pas të vijojnë me hapësirat e tjera, kjo pasi pika e fundit delimituese e detit territorial është pika e parë e zonës ekonomike ekskluzive dhe shelfit kontinental.
5. Nga pikëpamja procedurale, marrëveshjet detare kërkojnë rregullime ligjore gjatë fazës së negocimit, proces i cili kërkon kohë.

Por arritja e një marrëveshjeje jo të drejtë dhe të shfuqizuar nga Gjykatës Kushtetuese, e ka ndërlikuar edhe më shumë situatën për arritjen e një marrëveshjeje midis Shqipërisë dhe Greqisë. Të dyja qeveritë u investuan shumë politikisht për arritjen e marrëveshjes së vitit 2009. Arritja e një marrëveshje të re kërkon vullnet politik të fortë, në rrethanat kur për palën shqiptare negociatat duhet të rifillojnë për një marrëveshje të re, ndërsa pala greke kërkon modifikime teknike të marrëveshjes së mëparshme.
UNCLOS 1982 parashikon edhe zgjidhjen nëpërmjet një gjykate ndërkombëtare të çështjes. Pala shqiptare nuk ka pse t'i trembet këtij opsioni, fakt të cilin e ka shprehur edhe ministri i Jashtëm, Z.Bushati. Zgjidhja e kundërshtisë nga një gjykatë ndërkombëtare nuk është në interes të Greqisë, pasi: marrëveshja midis Shqipërisë dhe Greqisë nga pikëpamja e formulimit dhe hapësirave detare që kërkon të delimitojë është e paprecedentë në praktikën ndërkombëtare dhe Greqia është në dijeni që shumë shtete, të cilat kanë interesa në ruajtjen e regjimit detar në Detin Egje, kanë paraqitur pretendime lidhur me këtë marrëveshje. Pra, nëse çështja shkon në një gjykatë ndërkombëtare nuk mund të ketë më modifikim të marrëveshjes së mëparshme, por çështja do të zgjidhet në themel dhe produkti do të jetë një marrëveshje e re, e cila do të bëhet në përputhje me parimet e së drejtës, do të jetë e drejtë për të dy palët dhe nuk do të shkaktojë implikime ndërkombëtare.

Çdo lloj zgjidhjeje, e cila rezulton me një marrëveshje të re detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, është në favor të Shqipërisë. Negocimi i një marrëveshjeje të re është zgjidhja më e mirë për nivelin e marrëdhënieve që dy vendet kanë. Përmirësimi i klimës për negocimin e kësaj marrëveshjeje do të dojë kohë, dhe koha është faktori më i mirë për një zgjidhje të drejtë. Nxitimi do të rrezikonte në një gabim të dytë, i cili tashmë do të ishte fatal. Kufiri i ngulur nuk ndryshon më.

* Kapiten i Rangut të Parë (R)
ARTUR MEÇOLLARI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LUFTËTARËT E DJESHËM, VARFANJAKËT E SOTËM, TË ANASHKALUARNga IDRIZ ZEQIRAJ (01.26.2015)
KUR GRATË JANË MË BURRA SE BURRAT?!Vështrim nga SKËNDER MULLIQI (01.26.2015)
Deutsche Welle, DUDA BALJE - BOSNJA DUHET TA NJOHË PAVARËSINË E KOSOVËS (01.26.2015)
LISAT E KULLAVE TË BARDHA JANË TË PAVDEKSHËM!Nga FRITZ RADOVANI (01.26.2015)
PROTESTA NË PRISHTINË NUK KISHTE TË BËJË ASGJË ME KËRKESAT LEGJITIME TË NËNAVE GJAKOVARE, POR THJESHT ISHIN KËRKESA PËR TË RRËZUAR QEVERINË KUKULL TË ISA MUSTAFËSNga SAIM TAHIRAJ (01.26.2015)
A E ARSYETOI PROTESTA E PRISHTINËS QËLLIMIN?Vështrim nga SKËNDER MULLIQI (01.25.2015)
MITI I EUROPËS DHE 25 JANARI I GREKËRVENga ILIR MBORJA (01.25.2015)
LIRI E SHPREHJES APO RRËNIM I SHTETIT!Nga FLORIM ZEQA (01.25.2015)
KOMPOZITORI GENC TUKIÇI I KUSHTON NEXHMIJE PAGARUSHËS FANTAZI PËR PIANO, VIOLINË DHE ORKESTËR (01.25.2015)
SOT BËHEN 96 VJET NGA VDEKJA E ISMAIL QEMALIT (01.24.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]