E Premte, 03.29.2024, 05:53am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
PSE RUSIA PO KËRKON BAZË USHTARAKE NË QIPRO?
Nga PETRIT HALITI

E Hënë, 01.26.2015, 09:06pm (GMT+1)



Diplomacia ruse ka intensifikuar presionin mbi Qipron për të arritur të sigurojë një bazë ushtarake në ishull. Kërkesën e saj zyrtare dhe tratativat në zhvillim e sipër me palën qipriote për këtë çështje, Moska i bëri publike në 21 janar nëpërmjet ambasadorit të saj në Nikosia, Stanislav Osadkij, i cili deklaroi se Rusia është e interesuar për një marrëveshje me Qipron për lehtësira ushtarake në ishull. "Greek Reporter" njoftonte në 23 janar se, "Qëllimi zyrtar i Moskës për të arritur një marrëveshje të mundshme me Qipron për një bazë ushtarake në ishull u shpreh nëpërmjet ambasadorit rus në Nikosia". Fakti që ambasadori rus doli hapur me kërkesën për bazë ushtarake tregon se bisedimet mes dy shteteve kanë avancuar në një fazë të re më të lartë dhe janë në prag të arritjes së marrëveshjes. Ministri i Jashtëm qipriot, Joannis Kasulides, pohoi në 21 janar se qeveria e tij nuk e ka refuzuar kërkesën e Rusisë. Bisedimet kanë avancuar drejt konkretizimit të marrëveshjes, që pritet të nënshkruhet gjatë vizitës së presidentit Nikos Anastasiades në Moskë në 25 shkurt, ose pak pas asaj vizite, sipas deklaratave të ambasadorit rus.

Rusia po kërkon me ngutje dhe me insistim një bazë ushtarake në ishullin e Qipros dhe kjo nuk duket rastësi në situatën e tanishme të tensionuar, qoftë europiane, qoftë mesdhetare. Në fakt, kërkesa e Moskës për të vendosur një prani të saj ushtarake në ishull është e hershme, por ajo u parashtrua me forcë sidomos në mars të vitit 2013, kur Qipro pësoi krizën e madhe financiare dhe qeveria qipriote iu drejtua Rusisë për ndihmë financiare. Kërkesa ruse u përsërit me forcë pas fillimit të krizës ukrainase me përplasjen gjeopolitike mes BE dhe Rusisë në fillim të viti 2014. Tani në fillim të vitit 2015, kur ndërhyrja e trupave ushtarake ruse në Ukrainën Lindore është fakt zyrtar, shihet jo vetëm një këmbëngulje, por edhe një nxitim i Moskës për të pasur një prani ushtarake në ishullin e Qipros.

Ambicia ruse për Qipron vjen jo vetëm nga pozita strategjike e ishullit në detin Mesdhe, por inkurajohet sidomos nga predispozicioni klasik prorus i udhëheqësve të Qipros, të cilët kanë dhënë prej kohësh provat dhe kanë ndërmarrë hapat, të cilat shprehin këtë predispozicion, duke shtyrë shtetin drejt influencës ruse. Në janar të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave i Qipros miratoi projektmarrëveshjen e paraqitur nga Ministria e saj e Mbrojtjes për t'i akorduar Rusisë lehtësira për forcat ajrore ruse në bazën ushtarake ajrore "Andreas Papandreu" në Pafos. Rusia, sipas pohimit të ministrit të Jashtëm qipriot, ka kërkuar edhe vendosjen e pranisë së saj ushtarake në portin e Limasolit për të ndërtuar objekte, magazina dhe stoqe "për pjesë këmbimi" dhe lehtësira të hyrje-daljeve të luftanijeve ruse. Në të vërtetë luftanijet ruse e kanë përdorur gjatë vitit 2014 portin e Limasolit dhe Qipro ka shërbyer si urë tranziti e furnizimeve ruse me armë për regjimin e Bashar Al Asadit. Ajo që përbën një zhvillim sa të çuditshëm aq edhe të rrezikshëm për një shtet anëtar të BE, është fakti se Qipro ka zhvilluar manovra ushtarako-detare së bashku me forcat ushtarako-detare dhe ajrore të Rusisë në territorin dhe në hapësirën detare dhe ajrore qipriote në shkurt dhe në tetor të vitit 2014.

Është jashtë çdo logjike politike dhe strategjike, që një shtet anëtar i BE-së vë në dispozicion territorin e vet dhe organizon manovra të përbashkëta ushtarake me forcat ruse dy herë brenda vitit, në kulmin e ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë, të cilën Brukseli e ka dënuar si agresion. Qipro është i vetmi shtet anëtar i BE, i cili jo vetëm nuk është anëtar i NATO-s, por nuk është as anëtar i programit të NATO-s "Partneritet për Paqe", program në të cilin është anëtar edhe Ukraina. Rusia po kërkon me insistim një bazë ushtarake në Qipro, në përputhje me planet dhe strategjinë e saj të rrethimit dhe të kundërvënies ndaj NATO-s dhe ndaj BE. Konflikti në Ukrainë dhe ndërhyrja ushtarake e Rusisë në atë vend kanë nxitur Moskën që të kërkojë pikëmbështetje strategjike në rajone nevralgjike si Mesdheu. Ndaj ajo ka piketuar Qipron, sepse e di influencën e vet financiare, politike dhe fetare në pjesën greke të ishullit, por edhe gatishmërinë e qeverisë së Nikosias për t'i dhënë Rusisë disa forma pikëmbështetjeje ushtarake në ishull. Platforma ideologjike e politikës së jashtme të Qipros mbështetet në dy shtylla: në antiturqizmin dhe në ortodoksizmin. Këto dy shtylla kanë nxitur prirjet strategjike të një aleance të pashpallur me Rusinë.

Është e qartë se prania ushtarake apo një bazë ushtarake e Rusisë në Qipro paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për Aleancën Atlantike dhe për shtetet anëtare të NATO-s në Mesdhe, por edhe për interesat e SHBA në detin Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme. Një bazë ushtarake ruse në Qipro, jo vetëm do të zëvendësonte fizikisht bazën ushtarake që Rusia ka në Tartuf të Sirisë, por do të shndërrohej në një qendër të presionit dhe të rrezikut ushtarak rus në Lindjen e Mesme dhe në Mesdhe. Ajo që duket e habitshme në gjithë këtë histori është heshtja dhe mosreagimi i BE ndaj flirtit ushtarak të Qipros me Rusinë. Qipro është shteti, i cili ende nuk ka kristalizuar orientimin e vet strategjik perëndimor dhe po mëdyshet gjithnjë e më tepër mes Perëndimit dhe Lindjes. Qipro ende nuk është bërë shtet europian dhe perëndimor në filozofinë e tij shtetërore dhe në kuptimin politik, diplomatik dhe kulturor, ndonëse ka mbi dhjetë vjet që është anëtar i BE.

Në gjenezën e mëkatit për këtë situatë të lavjerrjes së Qipros mes Perëndimit dhe Lindjes, mes BE dhe Rusisë, ka pjesën e vet edhe vetë BE, e cila pranoi si anëtar në vitin 2004 një gjysmështet si Qipro dhe kur çështja e Qipros ishte ende e pazgjidhur. Disa qarqe vendimmarrëse në BE u nisën nga disa llogari të shkurtra se, duke pranuar gjysmështetin e Qipros, me popullsinë ortodokse greke, do të kishin një pretekst të artë për të bllokuar procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE. Ishte një llogari e shkurtër, sepse i lejuan Qipros të fitonte një pozitë strategjike brenda në BE, gjë që nuk e meritonte në planin politik e diplomatik, dhe për më tepër i krijuan hapësirë Qipros që të luante lojëra flirti strategjik me Rusinë. Qeveritë qipriote nuk hasën asnjë pengesë që të drejtonin anijen e tyre politike dhe shtetërore drejt Rusisë.

Brukseli e pësoi shuplakën qipriote në rastin e sanksioneve ndaj Rusisë, ku sipas deklaratave të vetë ministrit të Jashtëm qipriot në një intervistë me agjencinë ruse "˜TASS', Qipro ka qenë gjithmonë kundërshtuesja më e vendosur e sanksioneve. Dhe tani Qipro po ecën drejt finalizimit të një marrëveshjeje, që pritet t'i akordojë Rusisë një prani ushtarake. Qipro po ndërmerr një hap strategjik të rrezikshëm, i cili ndryshon balancën ushtarake dhe gjeopolitike në dëm të Perëndimit, BE, SHBA dhe NATO-s. Nikosia e di se as BE, as NATO dhe as SHBA nuk do të jenë të gatshëm të pajtohen me një marrëveshje, që lejon Rusinë të krijojë, në një formë apo tjetër, bazë ushtarake në ishull. Duke ndjerë stuhinë e pakënaqësisë perëndimore, qeveria qipriote po tenton të dredhojë dhe ta paraqesë sikur është fjala vetëm për të përmbushur kërkesat ruse për qëllime humanitare, siç i tha gazetës "Cyprus mail" një përfaqësues i MPJ të Qipros, i cili deklaroi se marrëveshja me Rusinë do të jetë shumëanëshe dhe jo vetëm e natyrës ushtarake, por edhe të drejtën dhënë Rusisë për akses për qëllime humanitare. Vetë rusët nuk kanë folur për "qëllime humanitare", por ushtarake. Ambasadori rus foli për "lehtësira ushtarake" dhe siç theksonte agjencia kineze "Hsinhua" nga Nikosia në 21 janar, ambasadori rus nuk specifikoi se çfarë lehtësirash ushtarake kërkon Moska nga Qipro. Etiketa "humanitare" është një taktikë e njohur, e përdorur nga Rusia, për kamuflimin e bazave apo marrëveshjeve ushtarake me shtete të ndryshme. Një përdorim tipik e kemi në rastin e marrëveshjes që arriti Rusia me Serbinë për ndërtimin e të ashtuquajturës bazë humanitare në qytetin e Nishit, bazë e cila i siguron Rusisë një pikëmbështetje ajrore dhe tokësore në rastin e krizave të llojeve të ndryshme në Ballkan. Në këtë kuadër, Rusia organizoi edhe manovra të përbashkëta të forcave të saj speciale me forcat ushtarake serbe në territorin e Serbisë në nëntor të vitit të kaluar. Duke pasur këtë bazë në Serbi dhe duke krijuar një bazë ushtarake në Qipro, strategjia ruse synon të konkretizojë një presion ushtarak në krahun jugor të Aleancës Atlantike.

Jo më kot rusët kanë kërkuar të ndërtojnë depozitat dhe infrastrukturën e tyre ushtarake në portin e Limasolit, i cili është pranë bazës ushtarake britanike të Akrotirit, ku ndodhet një pjesë e sistemit atlantik të përgjimeve elektronike ushtarake. Kërkesa ruse dhe marrëveshja që pritet të arrihet për një bazë ushtarake ruse në Qipro nuk ka të bëjë vetëm me Turqinë. Qeveria qipriote bën llogarira të pabaza se, duke lejuar një bazë ushtarake ruse në ishull, do të mund të fitojë peshë më të madhe gjeostrategjike, do të ushtrojë presion më të fortë mbi Turqinë dhe do t'i imponojë formulën e saj të çështjes qipriote. Është një naivitet politik dhe strategjik, sepse Rusia nuk i bën llogaritë mbi bazën e ligës së tretë të vogël qipriote dhe nuk mund të mendohet se do të prishë marrëdhëniet me Turqinë për hatër të Nikosias. Prania ushtarake ruse do të implikojë edhe më shumë lojërat dhe përplasjet energjetike, që janë në zhvillim e sipër në Mesdheun Lindor, ku janë zbuluar rezerva të jashtëzakonshme nafte dhe gazi, por gjysmështeti i Qipros do të jetë larg sallës së butonave. Në fakt, Qipro po rrezikon shumë me këtë rendje drejt Rusisë. Po rrezikon një humbje të elementeve të sovranitetit dhe të pavarësisë së vet. Po rrezikon komplikimin dhe vonimin e zgjidhjes së çështjes së Qipros. Qeveria qipriote nuk ka aspak të drejtë të bëjë marrëveshje dhe të akordojë leje për baza ushtarake ruse, sepse ajo, nëse dëshiron vërtetë të jetë një shtet unik dhe i njohur ndërkombëtarisht, duhet të pyesë edhe pjesën tjetër të shtetit në veri, që përbëhet nga popullsia turke. Qipro po rrezikon dhe në humbjen e lidhjeve dhe të identitetit europian. Kjo do të thotë që Brukseli do të duhet t'u kushtojë më tepër vëmendje zhvillimeve negative dhe orientimit negativ strategjik të qeverisë së Qipros, sepse mund të ndodhë që BE të vihet përpara faktit të kryer, kur nuk do të ketë çfarë të bëjë më.

BE nuk bëri asgjë me shtetin kandidat, Serbinë, i cili lejoi Rusinë të ketë një bazë ushtarake dhe zhvillon manovra ushtarake të forcave zbarkuese ruse në territorin serb në kulmin e krizës ukrainase. BE nuk duket se po bën gjë, kur Qipro zhvillon manovra ushtarake me forcat ushtarako-detare dhe ajrore ruse dhe po shkon drejt një marrëveshjeje, që i hap rrugën pranisë ushtarake ruse në ishull. BE nuk duhet të harrojë se Rusia po përpiqet të rrethojë ushtarakisht jo vetëm NATO-n, por edhe Bashkimin Europian. Pas asaj që po ndodh në Ukrainë, nuk ka më hapësirë për asnjë alibi.
PETRIT HALITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MARRËVESHJA DETARE ME GREQINË - 5 VJET MBAS VENDIMIT TË KUSHTETUESESNga ARTUR MEÇOLLARI* (01.26.2015)
LUFTËTARËT E DJESHËM, VARFANJAKËT E SOTËM, TË ANASHKALUARNga IDRIZ ZEQIRAJ (01.26.2015)
KUR GRATË JANË MË BURRA SE BURRAT?!Vështrim nga SKËNDER MULLIQI (01.26.2015)
Deutsche Welle, DUDA BALJE - BOSNJA DUHET TA NJOHË PAVARËSINË E KOSOVËS (01.26.2015)
LISAT E KULLAVE TË BARDHA JANË TË PAVDEKSHËM!Nga FRITZ RADOVANI (01.26.2015)
PROTESTA NË PRISHTINË NUK KISHTE TË BËJË ASGJË ME KËRKESAT LEGJITIME TË NËNAVE GJAKOVARE, POR THJESHT ISHIN KËRKESA PËR TË RRËZUAR QEVERINË KUKULL TË ISA MUSTAFËSNga SAIM TAHIRAJ (01.26.2015)
A E ARSYETOI PROTESTA E PRISHTINËS QËLLIMIN?Vështrim nga SKËNDER MULLIQI (01.25.2015)
MITI I EUROPËS DHE 25 JANARI I GREKËRVENga ILIR MBORJA (01.25.2015)
LIRI E SHPREHJES APO RRËNIM I SHTETIT!Nga FLORIM ZEQA (01.25.2015)
KOMPOZITORI GENC TUKIÇI I KUSHTON NEXHMIJE PAGARUSHËS FANTAZI PËR PIANO, VIOLINË DHE ORKESTËR (01.25.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart�]