VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

9 VJEÇARJA ERZA MUÇOLLI - E TRETA NË RENDITJEN PËRFUNDIMTARE TË 'FRANCE'S GOT TALENT'

E Enjte, 01.29.2015, 11:35am (GMT1)

  
Prishtinë, 29 janar - Këngëtarja nëntëvjeçare me origjinë nga Kosova, Erza Muqolli, ka përfunduar në vendin e tretë të garës "Franca kërkon një talent", derisa mediet franceze dhe profesionistët e muzikës e kanë cilësuar fituese morale të këtij spektakli, shkruan sot "Koha Ditore".

Mbrëmja e finales së "France's got talent", një format mbarëbotëror që për Francën organizohet nga televizioni M6, u mbajt të martën mbrëma, dhe tërhoqi vëmendjen e audiencës franceze.

Por kësaj radhe ky spektakël zgjoi interesim të madh edhe mes shqiptarëve pasi ndër pesë finalistët e këtij spektakli ishte edhe vogëlushja me origjinë nga Kosova, e cila për nëntë javë rresht përcolli emocione të forta për publikun që e ndoqi nga ekrani. Në finale nëntëvjeçarja e talentuar në fushën e muzikës u radhit e treta në këtë talent-shou francez.

Në natën finale Muqolli në skenë u paraqit si një engjëll i shndritshëm, me një prej këngëve tradicionale parisiene, duke i rrëmbyer zemrat e publikut që e shoqëroi gjatë gjithë këngës me duartrokitje dhe brohoritje, ndërsa juria filloi të kërcente sikur të ishte pjesë e koreografisë së këngës.

Edhe pse Erza nuk e fitoi çmimin e talentit më të mirë të Francës, ajo ishte fituesja morale e këtij edicioni, pasi skualifikimi i saj u kontestua me brohoritje nga publiku në sallë.

Sipas medieve franceze dhe kritikëve të këtij vendi, Erza në këtë eveniment ringjalli këngën klasike parisiene.

E veçanta e prezencës së Muqollit në këtë spektakël muzikor qëndronte jo vetëm te talenti dhe interpretimi i këngës franceze "Eblouie pa la nuit", por edhe te vlerësimi që i bëri publiku francez që ndodhej në sallë, i cili nuk reshti së duartrokituri 9-vjeçaren shqiptare, që po krahasohet me këngëtarë të njohur botërorë.

"Erza Muqolli është vetëm 9-vjeçare, por edhe një talent i madh", "Erza, fituesja morale e "˜France's Got Talent 2015 në M6'?", ishin këto vetëm disa komente të mediave e ato të profesionistëve të muzikës, që theksuan se vogëlushja kosovare bëri për vete jurinë e këtij evenimenti nga më prestigjiozët të Francës.

Edicionin e nëntë të "France's Got Talent" e fitoi grupi "Le bagad de Vannes" , i cili njëherësh ka fituar 100 mijë euro dhe do të marrë pjesë në një festival në Montreal. Vendi i dytë i takoi 49-vjeçares Marine.

Ndryshe, Erza Muqolli është prezantuar në disa emisione në mediat franceze për festat e fundvitit të kaluar. Ajo madje po krahasohet edhe me këngëtaren franceze të njohur në botë Indila. Muqolli ka disa vjet që jeton në Francë së bashku me familjen e saj, e cila ka mbërritur atje në vitin 1991.

Babai i saj, Mehmet Muqolli, është me prejardhje nga Zabeli i Drenasit, i cili së bashku me gruan e tij, Luljana Muqolli, dikur ishin pjesë e shoqatave kulturore artistike në Kosovë.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.